Ja debatet e Ramës me FMN dhe biznesin e huaj



Edi RamaKryeministri ka replikuar dje me përfaqësuesit e biznesit, të cilët janë ankuar se barra fiskale ka sjellë tkurrje të prodhimit dhe punësimit. Përfaqësuesi i FMN ka deklaruar se klima e biznesit është stresante

Kryeministri Edi Rama është gjendur ngushtë dje në takimin “Reforma në ekonomi dhe klima e biznesit”, i organizuar nga Ministria e Financave dhe ku merrnin pjesë përfaqësues të sipërmarrjes dhe organizatave ndërkombëtare që asistojnë vendin tonë në fushën e çështjeve ekonomike dhe të financave.

Shkak janë bërë pikërisht deklaratat e një pjese  të sipërmarrësve dhe ekspertëve të huaj, se politikat fiskale por edhe reformat e qeverisë kanë përkeqësuar klimën e biznesit në vend.

Përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, ishte i drejtpërdrejtë kur iu drejtua Ramës se biznesi ankohet për një klimë stresante që vjen nga disa faktorë, përfshi edhe taksat.

“Komuniteti ndërkombëtar ka ende një vlerësim të ulët për Shqipërinë si një lokacion investimesh. Ata flasin për stresin që vjen nga çështje të ndryshme. Gjithashtu, edhe investitorët vendës thonë se klima e biznesit nuk është shumë e mirë. Klima e biznesit në vend është e vështirë”, -u shpreh Reinke.

Ndër sugjerimet për përmirësim të klimës së biznesit në vend, ai theksoi se është miratimi i Reformës në Drejtësi dhe rritja e besueshmërisë në sistemin e tatimeve.

“Reforma në Drejtësi është e domosdoshme që të krijojë një mjedis më të mirë dhe të krijojë siguri te investitorët. Sistemi i taksave duhet të jetë i qëndrueshëm dhe administrata tatimore duhet të krijojë besueshmëri. Drejtoria e tatimeve duhet të përmirësojë punën në luftën ndaj korrupsionit. Qeveria duhet të vijojë me sistemin rregullator, pasi shoh se komuniteti i biznesit lobon, po ndryshimet nuk përkthehen siç duhet”, -theksoi Reinke.

Por deklarata e tij nuk i ka pëlqyer aspak kryeministrit Edi Rama, i cili në përgjigjen e tij ka pranuar se klima e biznesit ka ende nevojë të përmirësohet, por duke sjellë në vëmendje se reformat kanë sjellë dhe risi pozitive.

“Jam absolutisht dakord se ka ende shumë për të bërë për të pasur një administratë tatimore që performon si duhet. Por është hera e parë që administrata tatimore fillon të punojë pas 20 e kusur vitesh me platformën në bazë të riskut. Jo, mos e tund kokën, duhet ta thuash edhe këtë Jensen, se kjo është shumë e rëndësishme”, -tha Rama duke replikuar me përfaqësuesin e FMN-së.

Ndërkohë që edhe përfaqësues të tjerë të biznesit, janë ankuar se barra fiskale që ka aplikuar qeveria e ka bërë të vështirë funksionimin e sipërmarrjeve të tyre, çka ka sjellë dëme si për ta, ashtu edhe për vet shtetin.

Një biznesmen i huaj i sektorit të bitumit në Selenicë, i pranishëm në konferencë, ka polemizuar me kryeministrin Edi Rama, lidhur me efektet e paketës fiskale. Ai u shpreh se prej taksës progresive është detyruar të shkarkojë nga puna 80 punonjës.

“Në dhjetor u kam dërguar një letër tre ministrave, ministrit të Ekonomisë, ministrit të Financave dhe ministrit Gjiknuri, për një problem. Pas kalimit të ligjit fiskal, qeveria kishte vendosur të rriste fitimet mbi prodhimin me 300%. Kam dërguar tre letra të gjithë personave që përmenda. U shpjegova se do të humbisni punësim dhe para. Keni humbur më shumë se 1 mln euro me taksa”, -tha biznesmeni Patrick Pascal, ish-presidenti i shoqatës së investitorëve të huaj në Shqipëri.

Edhe në këtë rast, kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër në përgjigjen e tij, duke pranuar në të njëjtën kohë se problemi me paketën fiskale do të korrigjohet në korrik.

“Patrik, je bërë shumë shqiptar. Edhe pse ju e dini që ne e kemi zgjidhur këtë dhe në paketën e re në korrik do ta korrigjojmë këtë problem. Edhe Jensi e pranon një gjë të tillë si jo të mirë. Tani, duhet patjetër që ta bësh fjalimin tënd terr, vazhdo”, -tha Rama.

Ai gjithashtu ka shfrytëzuar rastin për të replikuar edhe me përfaqësuesit e dhomave të tregtisë në vendin tonë, kryesisht atyre të huajave, duke theksuar se pretendimet se investitorët e huaj po largohen nga Shqipëria nuk janë të vërteta.

“Kush investitorë po ikin? Kush janë? Më thoni një. Bankers nuk po ikën, por po shitet, që do të thotë se po fiton. Bankers po vijon të punojë e do të ketë të gjithë mbështetjen tonë. Nuk ka gjerman në aeroportin e Rinasit. Gjermanët e kanë shitur me kohë pjesën e tyre, e kanë thjesht një administrator. Dhe po shesin, shumë më tepër sesa e morën. Do t’i ndalojmë gjermanët e amerikanët të shesin? Këtu ka forca brenda biznesit, që janë mësuar të hapin dyert për interesat e tyre e bëjnë çfarë të duan”, -u shpreh Rama.

Basha: Ramës iu kthye në bumerang takimi me biznesin, shkak, programi i PD

Dëshmi të realitetit, në të cilin gjendet biznesi dhe sipërmarrja shqiptare. Kështu e ka cilësuar kreu i opozitës Lulzim Basha, konferencën “Reforma në ekonomi dhe klima e biznesit”, ku kryeministrit Edi Rama iu desh që të debatojë me përfaqësuesit e biznesit në vend, lidhur me klimën që ekziston sa iu përket taksave dhe rolit që luajnë tatimorët.

“Ndonëse i konceptuar si shfaqja propagandistike e radhës, takimi i sotëm i Edi Ramës me biznesin, u kthye në një bumerang aktakuzash publike, live dhe sy për sy, çka dëshmon se sa e rëndë është situata ekonomike, sa e thellë kriza e biznesit, dhe sa e pashpresë mundësia e tyre për të hapur vende të reja pune nën qeverisjen e Ramës. Shqipëria është fshirë nga harta e investitorëve të huaj, për shkak të pasigurisë alla shullazi, për shkak të klimës së keqe të biznesit me taksa që rriten, e gjoba pas gjobash që po i marrin shpirtin sipërmarrjes së madhe, të mesme e të vogël. Paratë e taksave të rritura që duhet të shkonin për investime që hapin vende pune, përfundojnë në xhepat e qeveritarëve”, -u shpreh Basha në një reagim të tijin në rrjetin social Facebook.

Dhe përgjegjësi për këtë situatë, sipas tij është kryeministri, Edi Rama.

“Atij ja thanë në sy sot, se si rezultat i taksave të larta, vetëm një biznes në Vlorë është detyruar të largojë 80 persona nga puna, 80 familje që ju mungon një pagë, ndoshta e vetmja në shtëpi. 200 personave të tjerëve ju pamundësua punësimi në një rast tjetër në Berat, për shkak të politikës së ryshfetit, pa të cilin nuk mund të ecët në pushtetin e Edi Ramës. Futja e duarve në xhepat e biznesit nga qeveritarët, ishte denoncimi i tyre. Asnjë investitor nuk është i lumtur, të gjithë po mendojnë largimin”, – shtoi Basha.

Dhe kjo sjellje e Ramës ndaj biznesit, sipas Bashës ka ardhur pikërisht për shkak se sipërmarrësit kanë filluar të besojnë te programi ekonomik i PD-së.

“Shpërthimi i sotëm i Ramës e kishte edhe një arsye të fortë. Besimi i madh dhe shpresa e biznesit te programi ekonomik dhe taksat e ulëta të Partisë Demokratike, ia ka prishur terezinë. Taksa e sheshtë 9%, TVSH 15% taksa të ulëta për biznesin dhe qytetarët, do të thotë më shumë konsum, më shumë investime, do të thotë vende punë, paga më të larta, më shumë investime publike që punësojnë dhe zhvillojnë vendin”, -shkroi Basha.

BB: Shqipërisë i duhet rritje ekonomike 4.5%, që të arrijë BE-në për disa dekada

Shqipërisë do t’i duhet një rritje ekonomike mesatare mbi 4.5%, në mënyrë që ajo të arrijë për disa dekada standardet e jetesës së Bashkimit Europian.

Kështu deklaroi përfaqësuesja e BB në Shqipëri, Tahsin Sayed, gjatë takimit “Reforma në ekonomi dhe klima e biznesit”, ku merrte pjesë edhe kryeministri, Edi Rama.

Sayed tha se sfidat kryesore janë ato që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës, duke theksuar se Shqipëria duhet të nxitë zhvillimin e sektorit privat.

“E para është stabiliteti makrofiskal. Progresi ka qenë inkurajues. Konsolidimi fiskal është në proces e sipër. Ka brishtësi, por kjo varet nga ritmi dhe fakti që kjo mbështetet nga reformat në sektorin privat. Këto masa duhen mbështetur për të rritur të ardhurat. Lufta kundër informalitetit ka shënuar ecuri. Përparësia e dytë që doja të theksoja, është pjesë e një aspirate të madhe. Shqipërisë i duhet një rritje mesatare prej mbi 4.5% në vit, me qëllim që të arrijë standardet e jetesës të BE, brenda disa dekadave. Kjo kërkon një zhvendosje strukturore drejt rritjes së produktivitetit të firmave të rritjes së konkurrueshmërisë”, -tha Sayed.

Gjithashtu, ajo theksoi se është e rëndësishme për ekonominë tërheqja e investimeve dhe përmirësimi i klimës së bizneseve.

Sipas saj, performanca e Shqipërisë mbetet pozitive, megjithatë është pas disa vendeve të rajonit.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Theu arrestin shtëpiak për të rrahur babanë, arrestohet Vladimir Gjuta

Policia arrestoi paraditen e djeshme Vladimir Gjutën pasi u njoftua se kishte...
Read More