Ja kush do jenë anëtarët e prokurorisë dhe ‘FBI’-së



Fatmir XhafajZbardhet projektligji për Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë e Hetimit. Kreu i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga prokurorët e posaçëm. Drejtori i Byrosë së Hetimit do zgjidhet nga Këshilli i Prokurorisë, por do japë llogari para Prokurorisë së Posaçme. Familjarët e prokurorisë dhe byrosë duhet të heqin dorë nga privatësia

Krahas diskutimeve për paketën e ndryshimeve kushtetuese, në kuadër të Reformës në Drejtësi, ka përfunduar së hartuari edhe paketa e ndryshimeve ligjore që do të miratohen për ta bërë këtë reformë të zbatueshme në praktikë.

Një prej projektligjeve që ka përfunduar së hartuari dhe që pritet t’i nënshtrohet diskutimit nga komisioni i posaçëm i reformës, është edhe ai “për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” ose thënë ndryshe drafti i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Drafti që është diskutuar paraprakisht në tryezat me grupet e interesit, parashikon mënyrën e ngritjes së strukturave përkatëse të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit, kompetencat dhe fushën e veprimit të tyre, si dhe vartësinë dhe mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve të tyre.

Kështu, sa i përket Prokurorisë së Posaçme, sipas këtij projektligji ajo parashikohet të ketë të paktën 10 prokurorë të posaçëm, të cilët do emërohen nga Këshilli i Prokurorisë dhe do të hetojnë dhe ndjekin të gjitha veprat penale ndaj zyrtarëve të lartë, duke filluar që nga Presidenti i Republikës, ish-presidentët, kryeministrat, ish-kryeministrat, ministrat dhe ish-ministrat, deputetët dhe të zgjedhurit vendorë dhe për të përfunduar me gjyqtarët dhe prokurorët, përfshi edhe ata të vet Prokurorisë së Posaçme.

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do të jenë të pavarur nga çdo prokuror tjetër, përfshirë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk mund t’i udhëzojë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për thelbin e hetimit apo themelin e asnjë çështje. Prokuroria e Posaçme do jetë e pavarur dhe do përfaqësojë akuzën në të gjitha çështjet ku përfshihen zyrtarët e lartë.

Ndërkohë që kreu i kësaj prokurorie do zgjidhet nga vet trupa e prokurorëve të posaçëm për një mandat trevjeçar pa të drejtë rizgjedhje. Ndërkohë që Byroja Kombëtare e Hetimit përcaktohet si një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, e cila mbikëqyret dhe vepron vetëm nën drejtimin e prokurorëve specialë të Prokurorisë së Posaçme.

Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, hetuesit dhe punonjësit. Drejtori është përgjegjës për funksionimin administrativ të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ai zgjidhet pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, ku një komision prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, përfshirë drejtuesin e saj, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Drejtori ka mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. Kandidatët për anëtarë të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, përfshirë drejtorin, hetuesit dhe punonjësit e tyre, duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë verifikimin e personalitetit dhe heqjen dorë nga e drejta për privatësi në telekomunikime dhe llogari financiare, të firmosur nga kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes.

Projektligji

Neni 2

Qëllimi i Prokurorisë së Posaçme

Qëllimi i Prokurorisë së Posaçme është pasja e një prokurorie të përgjegjshme dhe të specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht në mënyrë efikase çështjet e vështira të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë të pavarur nga ndikimet e papërshtatshme.

Neni 3

Qëllimi i njësisë së pavarur hetimore

Qëllimi i njësisë së pavarur hetimore është të ofrojë hetues të përgjegjshëm dhe të specializuar për të kryer hetime efikase të çështjeve të vështira të korrupsionit dhe krimit të organizuar për prokurorinë e specializuar, në mënyrë të pavarur nga ndikimet e papërshtatshme.

Neni 4

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Termi “Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” përdorët për t’iu referuar Prokurorisë së Posaçme dhe njësisë së pavarur hetimore, e cila do të quhet “Byroja Kombëtare e Hetimit”.

Neni 5

Prokuroria e Posaçme

  1. Prokuroria e Posaçme kryen ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj.
  2. Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, vetëm nëpërmjet atyre prokurorëve që janë emëruar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj.

Neni 6

Byroja Kombëtare e Hetimit

Byroja Kombëtare e Hetimit është një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, e cila mbikëqyret dhe vepron vetëm nën drejtimin e prokurorëve specialë të Prokurorisë së Posaçme.

Neni 7

Juridiksioni kombëtar

Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e kanë vendndodhjen në Tiranë dhe i ushtrojnë kompetencat e tyre në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, Byroja Kombëtare e Hetimit mund të krijojë zyra të përkohshme apo të përhershme jashtë Tiranës, për të përmbushur qëllimin e saj.

Neni 8

Kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë apo emërimit

  1. Kandidatët për gjyqtarë në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtor e hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme të sigurisë, përpara se të caktohen ose punësohen në këto pozicione. Asnjë kandidat nuk mund të caktohet në detyrë ose të punësohet pa plotësuar këto kushte.
  2. Kandidatët plotësojnë dhe dorëzojnë deklaratat për pasurinë dhe konfliktet e interesave tek Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesave, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Brenda katër muajve, Kryeinspektori kontrollon deklaratat dhe i paraqet një raport dhe një opinion autoritetit që i cakton në detyrë apo merr në punë, lidhur me faktin nëse deklaratat janë të plota dhe nëse kandidati ka pasuri që janë të padeklaruara apo të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Nëse, gjatë 6 muajve para se të paraqiste kërkesën, kandidati ka kaluar një kontroll që nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë ky kriter do të konsiderohet si i përmbushur.
  3. Kandidatët plotësojnë dhe dorëzojnë në Autoritetin e Sigurisë Kombëtare një pyetësor sigurie, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Brenda 90 ditëve, drejtori i Autoritetit të Sigurisë Kombëtare i paraqet një raport autoritetit që i cakton në detyrë apo merr në punë, lidhur me faktin nëse pyetësori ishte plotësuar në mënyrë të saktë si dhe i tregon çdo shqetësim që mund të burojë nga hetimi i verifikimit të figurës.
  4. Kandidatët plotësojnë një deklaratë me shkrim, të nënshkruar nga kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes, sipas së cilës, nëse caktohen në detyrë apo merren në punë, telekomunikimet e kandidatit do të jenë objekt vëzhgimi dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime.

Neni 10

Kompetenca parësore

Nëse përcaktohet se, në një hetim apo çështje nuk ngrihet akuzë kundër një gjyqtari, prokurori apo zyrtari të lartë apo nëse ai person resht së qeni gjyqtar, prokuror apo zyrtar i lartë gjatë kohëzgjatjes së hetimit, juridiksioni u mbetet gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

  1. Prokuroria e Posaçme është kompetente për hetimin dhe ndjekjen penale në përputhje me këtë paragraf.

Neni 13

Prokuroria e Posaçme

  1. Prokuroria e Posaçme përbëhet nga një drejtues i prokurorisë dhe nga prokurorët të posaçëm.
  2. Përveçse kur parashikohet ndryshe, dispozitat e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorinë në Republikën e Shqipërisë zbatohen edhe për organizimin dhe veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.
  3. Prokuroria e Posaçme mbështetet nga departamente, në përputhje me këtë ligj. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit drejtohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

Neni 14

Prokurorët e posaçëm të Prokurorisë së Posaçme

  1. Prokurorët e posaçëm të Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  2. Kandidatët për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme duhet të përmbushin parakushtet e sigurisë të Nenit 8. Një kandidat nuk mund të caktohet në detyrë në Prokurorinë e Posaçme pa përmbushur parakushtet e sigurisë. Një kandidat i cili ka marrë një opinion negativ nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ose nga Autoriteti i Sigurisë Kombëtare nuk mund të caktohet në detyrë në Prokurorinë e Posaçme.
  3. Prokurorët emërohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat 10 vjeçar. Mandati pezullohet apo të ndërpritet vetëm nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon procedim disiplinor kundër prokurorit.
  4. Mandati i prokurorit mund të rinovohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ose ai/ajo kthehet në pozicionin e tij/saj të mëparshëm ose në vende të lira në zyra të tjera të sistemit të prokurorisë, duke marrë përparësi mbi kandidatët e tjerë.

Neni 15

Pavarësia e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme

  1. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të pavarur nga çdo prokuror tjetër, përfshirë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
  2. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk mund t’i udhëzojë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për thelbin e hetimit apo themelin e asnjë çështje.
  3. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme apo gjyqtarë të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëse ka prova se prokurori apo gjykatësi është i korruptuar, mbështet një organizatë kriminale apo ka kryer një tjetër vepër penale brenda kompetencave të Prokurorisë së Posaçme.

Neni 16

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme

  1. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet ndërmjet prokurorëve të posaçëm, me votim të fshehtë dhe shumicë absolute të prokurorëve të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, për një mandat tre vjeçar pa të drejtë ri-zgjedhjeje.
  2. Procedura zbaton rregullat e parashikuara në Ligjin për Organet Vetërregulluese për Zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit.
  3. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ushtron funksionet, detyrat dhe kompetencat e mëposhtme:
  4. a) Drejtuesi i Prokurorisë është drejtuesi administrativ i punonjësve të Prokurorisë së Posaçme. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë drejtues operacionalë të punonjësve në lidhje me hetimet dhe çështjet e ndjekura prej tyre;
  5. b) Drejtuesi i Prokurorisë harton dhe i paraqet Ministrisë së Financave buxhetin për Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit;

Neni 18

Struktura e Prokurorisë së Posaçme

Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën dhjetë prokurorë, të mbështetur nga personeli.

Neni 27

Pushimi i çështjeve ose akuzave nga prokurori special

  1. Në çdo fazë të procedimit, nëse prokurori i posaçëm e konsideron të nevojshme të marrë vendim për të pushuar akuzat ose çështjen që është në kompetencën parësore ose dytësore sipas Neneve 10 dhe 11 të këtij ligji, prokurori i posaçëm është i detyruar të kërkojë miratimin e shumicës së takimit kolegjial të prokurorëve të posaçëm.
  2. Një prokuror tjetër i posaçëm luan rolin e relatorit para takimit kolegjial dhe studion dosjen për jo më shumë se 15 ditë. Brenda 20 ditëve nga kërkesa, mblidhet takimi kolegjial dhe relatori paraqet raportin e tij nëse pushimi është i bazuar apo i pabazuar.
  3. Pas raportimit, bëhet një votim i fshehtë për të miratuar ose rrëzuar kërkesën. Vendimi i takimit kolegjial merret me shumicë të thjeshtë të prokurorëve të posaçëm. Në rast barazimi të votave, vota e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme është vendimtare.
  4. Nëse takimi kolegjial vendos se kërkesa është e pabazuar, prokurori i posaçëm i caktuar ose drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vazhdon procedimin penale.
  5. Nëse takimi kolegjial vendos se kërkesa është e bazuar, regjistrohet vendimi për të pushuar akuzat ose çështjen.

Neni 33

Byroja Kombëtare e Hetimit

  1. Byroja Kombëtare e Hetimit është një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, i cili vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
  2. Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, hetuesit dhe punonjësit.
  3. Buxheti i Byrosë Kombëtare të Hetimit përfshihet në buxhetin e Prokurorisë së Posaçme.

Neni 34

Anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit

  1. Kandidatët për anëtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, përfshirë drejtorin, hetuesit dhe punonjësit e saj, duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë verifikimin e personalitetit dhe heqjen dorë nga e drejta për privatësi në telekomunikime dhe llogari financiare, të firmosur nga kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes. Një kandidat nuk mund të emërohet në Byronë Kombëtare të Hetimit pa përmbushur kriteret dhe pa iu nënshtruar kushteve të sigurisë.
  2. Kandidatët për drejtor apo hetues, të cilët janë në përputhje me paragrafin 1, duhet të kenë përfunduar një program trajnimi të miratuar nga Komisioni i Pavarur i Rishikimit ose të kenë qenë të punësuar më parë në një Byro Kombëtare të Hetimit të mëparshme.

Neni 35

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit

  1. Drejtori është përgjegjës për funksionimin administrativ të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
  2. Pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, një komision prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, përfshirë drejtuesin e saj, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori ka mandat 5 vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
  3. Pas përfundimit të mandatit, Drejtori ka të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni.
  4. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit raporton te një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj.
  5. Drejtori emëron një zëvendës drejtor, me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Zëvendës drejtori vepron në emër të drejtorit, në mungesë të tij.

Neni 36

Emërimi i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit

  1. Drejtori mund të vijë nga radhët e Policisë së Shtetit, policisë gjyqësore, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose mund të jetë prokuror.
  2. Kandidati për t’u emëruar si drejtor duhet të ketë reputacion të njohur si person me integritet dhe i njohur për një punë me standardet më të larta profesionale.
  3. Kandidati për postin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të ketë të njëjtat kualifikime të nevojshme për të qenë hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe, përpara se të fillojë detyrën, duhet të kryejë apo të ketë kryer kursin e miratuar të trajnimit.
  4. Kandidati për t’u emëruar si drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk duhet të ketë qenë i dënuar më parë për një vepër penale në Shqipëri apo vende të tjera dhe nuk duhet të jetë shpallur fajtor për një shkelje të rëndë disiplinore.

Neni 37

Lirimi/shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit lirohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit shkarkohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në rekomandimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Neni 38

Hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit

  1. Hetuesit kryejnë hetime nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
  2. Kandidatët për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhen pas një procesi rekrutimi të hapur e transparent.
  3. Një person mund të emërohet si hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit vetëm pasi të ketë përfunduar trajnimin e kërkuar dhe të ketë shfaqur aftësitë për kryerjen e detyrave sipas standardeve të kërkuara profesionale.
  4. Emërimi i një hetuesi në Byronë Kombëtare të Hetimit kryhet nga Drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
  5. Hetuesit mund të caktohen nga drejtori apo drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të punojnë me një prokuror të caktuar të Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi nuk mund të caktohet në një detyrë tjetër pa pëlqimin e atij prokurori apo të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Neni 40

Statusi i policisë gjyqësore

  1. Byroja Kombëtare e Hetimit është seksion i policisë gjyqësore, por nuk është nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm.
  2. Anëtari i Byrosë Kombëtare të Hetimit konsiderohet oficer dhe agjent i policisë gjyqësore.
  3. Anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit punojnë dhe komunikojnë drejtpërsëdrejti me prokurorët që u janë caktuar hetimeve të tyre.
  4. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është oficeri drejtues i këtij shërbimi të policisë gjyqësore dhe mund të lirohet, transferohet apo shkarkohet vetëm në përputhje me këtë ligj.

Neni 42

Pagat dhe buxheti i Byrosë Kombëtare të Hetimit

  1. Pagat dhe shtesat e pagave të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Pagat dhe shtesat nuk mund të ulen me vendime të mëvonshme të Këshillit të Ministrave.

Neni 43

Marrëdhëniet e Byrosë Kombëtare të Hetimit me struktura të tjera policore

Byroja Kombëtare e Hetimit përcaktohet si një vend ku ekzekutohen urdhërat për përgjim të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe të urdhëruar nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për të ushtruar detyra të tjera të parashikuara në Nenin 44, si dhe do të ketë kapacitetet e veta për t’i kryer detyrat si më sipër.

Neni 49

Siguria e personelit

  1. Garda e Republikës siguron mbrojtje personale gjatë gjithë kohës për gjyqtarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si më poshtë:
  2. kryetarët e gjykatave, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit me shoqërim, me oficer e nënoficer;
  3. gjyqtarët dhe prokurorët me shoqërim, me oficer.
  4. Garda e Republikës e shtrin mbrojtjen edhe tek anëtarët e familjes, banesat dhe/ose u siguron eskortë gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse kjo kërkohet përkatësisht nga kryetari i gjykatës apo drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
  5. Garda e Republikës siguron mbrojtje personale, mbrojtjen e familjeve dhe banesave dhe/ose u siguron eskortë anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëse kjo kërkohet nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Petrit Ymeri: Si e ngrita politikën e “Diturisë”

Flet Petrit Ymeri, në 15 vjetorin e themelimit të shtëpisë botuese; politikat,...
Read More