Ja përse sistemi mazhoritar është një opsion i mirë

Nga Ervis Iljazaj

Ligji zgjedhor, padyshim është ligji më i rëndësishëm për një shtet demokratik. Jo vetëm për arsyen që është një instrument i demokracisë direkte, ku shprehja e vullnetit të popullit sovran gjen hapësirën më të madhe të tij, por edhe për faktin se ai ka ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë konfigurimin politik të vendit dhe si pasojë, mënyrën e qeverisjes dhe raportin midis pushteteve të ndryshme.

Mazhoranca dhe opozita duken se e kanë marrë seriozisht reformën zgjedhore, pasi kanë filluar që tani bisedimet për një të tillë. Ky është një lajm i mirë për politikën shqiptare, që ligjin më themelor të vendit, siç është ai i sistemit zgjedhor, zakonisht e lënë për në fund dhe jo në fillim të legjislaturës.

Deri më tani vetëm kryetari i opozitës ka shprehur preferencën e tij në lidhje me sistemin zgjedhor. Lulzim Basha ka shprehur publikisht që është për një sistem mazhoritar të pastër, edhe pse la të hapura diskutimet për këtë çështje.

Së pari, duhet të bindemi njëherë e mirë që nuk ekziston asnjë sistem zgjedhor perfekt. Modelet e sistemit zgjedhor janë të shumta. Efektet që ka njëri apo tjetri model lidhen ngushtë me situatën politike dhe shoqërore të momentit. Prandaj, të gjitha diskutimet mbi sistemin zgjedhor duhet të kenë parasysh kontekstin politik dhe qëllimin që ai duhet të arrijë.

Një sistem zgjedhor mazhoritar i pastër me një raund do të shkonte në favor të normalizimit të situatës politike të vendit. Megjithatë, ky është thjesht një opsion dhe jo një zgjedhje absolute. Sepse një rëndësi të madhe në efektet që jep një sistem apo tjetër ka dhe sjellja politike e partive, e cila në rastin tonë është e paparashikueshme.

Kur flitet për sistemet zgjedhore ka dy probleme të cilat duhen përballuar, problemi i përfaqësimit dhe ai i qëndrueshmërisë të qeverisjes. Ka nga ata që besojnë që një sistem zgjedhor duhet të përfaqësojë në mënyrë strikte të gjitha realitetet e një shoqërie, sado të vogla të jenë ato. Për këtë arsye është i preferueshëm sistemi proporcional. Disa të tjerë mendojnë që duhet një normë e cila të sigurojë qëndrueshmërinë e qeverisë dhe mos ta fusë atë në kriza të vazhdueshme. Sistemi aktual nuk garanton asnjërën nga këto dy funksione. As atë të përfaqësimit dhe as atë të qëndrueshmërisë së qeverisjes. Për këtë arsye duhen ndryshuar në mënyrë urgjente.

Ky sistem zgjedhor ka krijuar një Parlament, që për fat të keq është kthyer në një organ ratifikues të vendimeve qeveritare dhe nuk ushtron asnjë funksion tjetër kushtetues. Gjysma e parlamentarëve janë të emëruar nga Kryetari i Partisë dhe si të tillë nuk mbajnë përgjegjësi përpara elektoratit të tyre por ndaj atij që i fut apo jo në listë. Sistemi mazhoritar do të balanconte raportin e pushtetit absolut të Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë.

Gjithashtu, sistemi mazhoritar do të mundësonte një sistem politik më të thjeshtë për një realitet të vogël si Shqipëria. Nuk ka kuptim një sistem zgjedhor proporcional për një shoqëri si kjo e jona, e cila nuk është e fragmentuar kulturalisht, dhe që nuk krijon realitete shoqërore të ndryshme, të cilat kanë nevojë të përfaqësohen të gjitha në Parlament. Frika se një sistem mazhoritar do të krijonte një sistem dypartiak nuk ekziston. Shembujt e tjerë jashtë Shqipërisë e tregojnë këtë. Mjafton të përmendim Britaninë e Madhe, e cila aplikon një sistem të tillë dhe forcat politike në Parlament janë më shumë se dy. Ndërsa, për sa i përket SHBA-së, dypartitizmi atje është çështje historike dhe jo sistemi zgjedhor. Sistemi zgjedhor mazhoritar, me shumë gjasa do të sillte qeverisjen e vendit nga një forcë politike e vetme. Por, ky model forcon raportin midis përgjegjësisë politike dhe llogaridhënies, që është një nga elementet thelbësore të një demokracie. Rreziku autoritarist ekziston vetëm nëse kontrollohen të tria pushtetet nga një forcë politike, dhe jo vetëm ai ekzekutiv.

Një nga arsyet se përse në 2008 u ndryshua sistemi nga mazhoritar në proporcional ishte pikërisht eliminimi i të “fortëve të zonës”. Ky sistem jo vetëm që nuk e eliminoi këtë fenomen, por përkundrazi, e shtoi ndjeshëm atë. Shpeshherë “të fortët e zonës” fshihen në listat elektorale dhe bashkohen në mënyrë të turbullt bashkë me emra e “pastër” të politikës shqiptare. Nëse partitë kanë ndërmend të vazhdojnë me këtë fenomen, të paktën ta bëjnë hapur, me emër dhe mbiemër për persona të caktuar, por edhe përgjegjësia do jetë më e madhe.

Për të gjithë ata që mendojnë se sistemi mazhoritar është jo demokratik sepse një përqindje të lartë të votave nuk i kthen në mandate, duhet të kenë parasysh që nuk ekziston asnjë sistem që t’i kthejë të gjitha votat në mandate parlamentare, me përjashtim të proporcionalit kombëtar pa asnjë prag. Por një sistem i tillë do të fragmentarizonte në ekstrem sistemin politik dhe do të vinte në rrezik vendimmarrjen. Demokracia është përfaqësim, por mbi të gjitha është vendimmarrje dhe përgjegjësi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prokuroria e Katanias dorëzon dosjen “Habilaj”, zbardhet misioni në Tiranë

Dosja “Habilaj” është rikthyer sërish në vëmendje me disa zhvillime të rëndësishme....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.