Ja si ndryshon rezultati nëse opozita del e bashkuar në zgjedhje

Partitë opozitare po diskutojnë variantin për të dalë nën siglën e PD në zgjedhje. Kjo do të favorizonte ndjeshëm opozitën, e cila do të maksimalizonte rezultatin e vet. Në këtë rast PS do të merrte 64 mandate, PD 60, LSI 15 dhe PDIU 1

Marrëveshja e arritur dy ditë më parë mes drejtuesve të dy partive kryesore në vend, mund të shndërrohet në një rast të mirë për opozitën për të ngushtuar diferencat e përfaqësimit në parlamentin e ardhshëm.

Kjo gjë do të varet në mënyrë direkte jo vetëm në aftësinë që do ketë opozita për të bindur zgjedhësit për të votuar atë, por në një masë të madhe nga mënyra se si ajo do të dalë në këto zgjedhje.

Megjithëse marrëveshja e arritur me dakordësinë e të dyja palëve përjashton mundësinë e regjistrimit të koalicioneve në këto zgjedhje, opozita ka mundësinë që pavarësisht kësaj ndalese të dalë sërish si një koalicion.

Për këtë mjafton që në zgjedhje nga opozita të regjistrohet vetëm Partia Demokratike ndërsa aleatët e saj të mos regjistrohen por të integrohen në listat e demokratëve.

Në këtë rast megjithëse zyrtarisht nuk do kishim një koalicion të regjistruar, blloku opozitar do të funksiononte si i tillë, çka do t’i jepte avantazhin atij në raport me partitë e majta, të cilat janë regjistruar tashmë më vete, që të maksimizonte rezultatin e votave të veta.

Nisur pikërisht nga ky avantazh, dje kreu i demokratëve Lulzim Basha iu kërkoi aleatëve që të mos regjistrohen në zgjedhje dhe të përfshihen në listat e PD-së, duke krijuar kështu praktikisht kushtet e një koalicioni.

Në rast se ky propozim do të pranohet nga aleatët e PD-së, atëherë duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, opozita do arrinte që të rikuperonte afërsisht 10 mandate deputetësh krahasuar kjo me rastin kur të gjitha partitë opozitare do të konkurronin më vete.

Natyrisht votave të koalicionit opozitar do t’i shtojmë votat që vijnë nga PBDNJ që në zgjedhjet e shkuara kandidoi në koalicionin e majtë dhe votat e Aleancës Kuq e Zi që në zgjedhjet e shkuara kandidoi më vete.

Natyrisht votave që koalicioni i djathtë mori në zgjedhjet e shkuara i heqim edhe votat që morri PDIU në 2013 kur kandidoi si aleate e PD-së dhe që në këto zgjedhje konkurron më vete.

Më konkretisht në rast se opozita do të konkurronte nën siglën e PD-së dhe do arrinte të merrte as më shumë dhe as më pak se votat që mori si koalicion në zgjedhjet e 2013-s, atëherë opozita do të merrte 60 mandate deputetësh, ndërkohë që PS do merrte 64 mandate, LSI do të merrte 15 dhe PDIU vetëm 1 mandat.

Në këtë rast asnjëra nga dy forcat e mëdha nuk do arrinte dot të qeveriste e vetme, çka do të kërkonte që njëra prej tyre të bënte në mënyrë të domosdoshme koalicion me LSI-në, e cila duket se edhe në këto zgjedhje do jetë përcaktuese për fatin e qeverisjes së ardhshme.

Ndërkohë që nëse partitë e opozitës nuk do e pranojnë propozimin e bërë dje nga Basha atëherë opozita pritet të humbasë shumë në peshën e saj përfaqësuese në parlament.

Në këtë rast PS do arrinte të merrte 71 deri në 72 mandate, PD 51 deri në 53 mandate, LSI 15 mandate dhe PDIU dhe PAA nga 1.

Situata në qarqe

Duke marrë në analizë votat e vitit 2013 dhe duke llogaritur votat e bllokut opozitar të bashkuara ndërsa votat e partive të majta më vete, atëherë situata do të ndryshojë në favor të së djathtës në një sërë qarqesh.

Raporti i mandateve do të ndryshojë duke filluar që nga qarku i Beratit.

Kështu nëse në rast se të gjitha forcat do të kandidojnë më vete atëherë mandatet në këtë zonë do të ndaheshin PS 4, LSI 2 dhe PD 1. Ndërkohë që në rast se opozita kandidon e bashkuar atëherë PS do të marrë vetëm 3 mandate, PD 2 dhe LSI 2.

Situata ndryshon edhe në Gjirokastër, ku ndërsa në rastin e parë PS do të merrte 3 mandate, dhe PD e LSI nga 1, në rastin e dytë, pra kur opozita do të dilte nën siglën e PD-së atëherë rezultati do të shkonte PS dhe PD nga 2 mandate dhe LSI 1.

Natyrisht në këtë qark një ndihmesë të madhe PD-së i japin votat e PBDNJ-së, e cila në këtë zonë gëzon një mbështetje të madhe.

Rezultati ndryshon edhe në qarkun e Vlorës, ku sërish PD-në e ndihmon për të marrë një mandat më shumë PBDNJ.

Ndërsa në rastin kur të gjitha forcat dalin më vete PS do të merrte 8 mandate dhe PD 3, në rastin e dytë kur opozita do konkurronte nën siglën e PD-së atëherë rezultati do të shkonte 7 mandate për PS, 4 për PD.

Ndërkohë që LSI do të merrte nga 1 mandat në të dyja rastet. Ndryshimi më i madh do të ndodhte në Tiranë. Kështu, në rastin e parë PS do të merrte 18 mandate, PD 13 dhe LSI 3, ndërkohë që në rastin e dytë rezultati do të ishte PS 16, PD 15 dhe LSI 3.

Rezultati ndryshon në favor të PD-së edhe në qarkun e Durrësit, megjithëse në numrin e mandateve si opozitë ajo do të merrte të njëjtat mandate.

Kjo pasi në rastin e parë në këtë qark një mandat e merrte PAA e Agron Dukës, në rastin e dytë ky mandat do t’i kalonte PD-së dhe rezultati do të shkonte nga 6 PD, 6 PS, 1 LSI dhe 1 PAA në 7 PD, 6 PS dhe 1 LSI. Dalja e opozitës e bashkuar do ta favorizojë atë edhe në Elbasan.

Kështu raportet shkojnë nga 8 PS, 4 PD, 1 LSI dhe 1 PDIU në 7 PS, 5 PD dhe nga 1 LSI dhe PDIU. Pra, edhe në këtë rast ajo që do të penalizohej do të ishte PS. Ndërkohë që dalja e opozitës nën siglën e PD do të bënte të mundur që rezultati të balancohej në qarkun e Korçës.

Kështu, nga 6 mandate PS, 4 PD dhe 1 LSI rezultati do të shkonte në PS dhe PD nga 5 mandate dhe LSI 1.

Rezultati ndryshon edhe në Lezhë ku PD do të dilte forcë e parë jo vetëm me vota por edhe me mandate. Ndërsa në rastin e kandidimit më vete të të gjitha forcave politike PD dhe PS do të merrnin nga 3 mandate dhe LSI 1, në rastin kur opozita do të dilte e bashkuar ky rezultat do të kalonte 4 mandate PD, 2 PS dhe 1 LSI.

Sa u përket qarqeve, Fier, Kukës dhe Dibër rezultati nuk do ndryshonte dhe PS, PD dhe LSI do të merrnin të njëjtin numër mandatesh.

Mandatet që marrin secila parti në rast se opozita do konkurronte nën siglën e PD

Qarku Berat

PS: 3

PD: 2

LSI: 2

Qarku Gjirokastër

PS: 2

PD: 2

LSI: 1

Qarku Fier

PS: 9

PD: 5

LSI: 2

Qarku Vlorë

PS: 7

PD: 4

LSI: 1

Qarku Shkodër

PD: 6

PS: 4

LSI: 1

Qarku Tiranë

PS: 16

PD: 15

LSI: 3

Qarku Durrës

PD: 7

PS: 6

LSI: 1

Qarku Dibër

PD: 3

PS: 2

LSI: 1

Qarku Elbasan

PS: 7

PD: 5

LSI: 1

PDIU: 1

Qarku Korçë

PS: 5

PD: 5

LSI: 1

Qarku Kukës

PS: 1

PD: 2

Qarku Lezhë

PD: 4

PS: 2

LSI: 1

Në total

PS: 64

PD: 60

LSI: 15

PDIU: 1

Shkruar Nga
More from revista mapo

Konflikti për kokainën në lokalet e Qipros: Porositësi shqiptar?

Dalin dyshime të reja në lidhje me vrasjen e trefishtë të ndodhur...
Read More