Ja skenarët e mundshëm, PS: Llalla ikën më 7 dhjetor

Policia e Shtetit ka tashmë një “hartë” të shtrirjes së grupeve kriminale që ekzistojnë dhe funksionojnë në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke folur dje në konferencën rajonale kundër krimit të organizuar që po zhvillohet në Tiranë, u shpreh se “Forca e Ligjit” ka dhënë rezultate konkrete, teksa ka mundur të skanojë të gjitha grupet kriminale apo elementët e tjerë të shfaqjes së krimit të organizuar në të gjitha qytetet shqiptare.

“Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre”, -tha Xhafaj.

Ndërkohë që ai paralajmëroi një erë të re marrëdhëniesh me Prokurorinë në luftën kundër krimit në Shqipëri, kjo nisur edhe nga fakti se shumë shpejt pritet të ndryshojë edhe kreu i organit të akuzës në vend.

“Nëse ju do të më thoshit mua që një shkrim e bëni ose një intervistë e bëni sapo mbyllni kamerën, unë nuk e besoj. Ju duhet edhe një proces tjetër. Dhe ky është një proces, jo më pastaj identifikimi, zbulimi, gjurmimi dhe krijimi i provave të nevojshme për t’i çuar përpara përgjegjësisë penale. Dhe ky do të jetë një proces në të cilin policia ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta, prokuroria gjithashtu ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Natyrisht me ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e Reformës në Drejtësi, unë jam shumë i bindur që do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme seç kemi sot”, deklaroi ministri.

Deklaratat e Xhafaj në lidhje me bashkëpunimin me prokurorinë vijnë në një kohë kur mandati i Llallës ka skaduar dhe tashmë mazhorancës do t’i duhet të vendosë se si do të procedojë më tej.

Natyrisht deri më tani janë diskutuar shumë opsione, ku duket se në bazë edhe të referencës që bëri OPDAT dhe EURALIUS pak ditë më parë, ai më i besueshmi është zgjedhja e një kryeprokurori të përkohshëm.

Balla zbulon vendimin: Llalla ikën më 7 dhjetor, ja kush do ta zëvendësojë

Mandati i Llallës mbaron më 7 dhjetor dhe kreu i Grupit të PS Taulant Balla, i ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv ka deklaruar se kryeprokurori do të largohet nga detyra në këtëë datë.

Në vend të Llallës, siç tha Balla do të jetë, një kryeprokuror i përkohshëm derisa të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

“Mandati i z.Llalla kaluar në datën 7 dhjetor 2012, që do të thotë se referenca kohore është 7 dhjetor 2017. Kuvendi i Shqipërisë ka qenë shumë i vëmendshëm kur ka çuar reformën në 2016-ën për të mos krijuar probleme. Dhe ligji për Prokurorinë zgjidh çdo lloj hamendësimi për këtë çështje.

KLP nuk është ngritur. Në këtë moment, dy institucionet e Kuvendit, sekretari i përgjithshëm dhe institucioni që monitoron institucionet e pavarura, thotë kemi vakancë dhe vakanca për mua krijohet pas datës 7. Duke qenë se KLP nuk është konstituuar, ligjvënësi ka parashikuar një Prokuror të përkohshëm”, tha Balla në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv.

Llallës i mbaron mandati, ja skenarët që ka në dorë PS për zëvendësimin e tij

Mazhoranca socialiste duket se e ka ndarë mendjen lidhur me fatin e Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo ka vendosur që t’i lërë atij kohë deri në datën 7 Dhjetor, e cila është edhe data kur ai ka bërë betimin para Presidentit të Republikës, çka shënon dhe datën e marrjes zyrtare të detyrës, për të nisur veprimet e saj për zëvendësimin e tij.

“ReportTV” raportonte dje për disa nga opsionet që mund të ndiqen nga mazhoranca në këtë rast për zëvendësimin e Llallës në krye të organit të akuzës.

Kështu skenari i parë është që kryeprokurori në detyrë Adriatik Llalla t’jua thjeshtojë punën të gjithëve dhe në datën 7 të largohet vetë duke konstatuar mbarimin e mandatit të tij, dhe t’u hapë rrugë veprimeve të tjera.

Në rast se kjo nuk ndodh, dhe me shumë mundësi nuk do të ndodhë, pasi Llalla pretendon ende zgjatjen e mandatit, atëherë organi i vetëm që mund të interpretojë këtë çështje është Gjykata Kushtetuese. Mazhoranca mund të vërë në lëvizje këtë gjykatë, e cila e shteron këtë debat përfundimisht.

Skenari i dytë, është ai që, nëse nuk përdoret rruga drejt Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi angazhon të vetmin organ përgjegjës për këtë çështje: Komisionin e Ligjeve, i cili duhet t’i japë një zgjidhje juridike mbarimit të mandatit dhe caktimit të Prokurorit të Përkohshëm nga Kuvendi.

Report raporton se burimet brenda shumicës parlamentare bëjnë me dije se, sikundërse rekomandon EURALIUS dhe OPDAT, në zbatim të neneve transitore, Ligjet të nisin procedurën për emërimin e një prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm, i cili zgjidhet në parlament me 71 vota.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edi Rama po paguan kostot e propagandës së Reformës në Drejtësi

Nga Ervis Iljazaj Çështja Tahiri, përtej fatit ligjor, me siguri do të...
Read More