Jahti me 4 ton drogë u kap nga mbingarkesa

Autoritetet italiane japin detaje për sasinë rekord të kanabisit që u kap në Jahtin me flamur amerikan: Droga ishte paketuar në 185 pako, ndërsa Jahti me flamur të SHBA, (Delaware) ishte i gjatë 17 m. Mjeti lundronte mjaft ngadalë që shtonte dyshimin rreth një mbingarkese në bord. Zbardhet letra e Demirajt për Kodhelin: Problemet e sistemit të radarëve kanë vështirësuar punën e policisë.

Një ditë pas sekuestrimit të Jahtit luksoz me 4 ton drogë, policia italiane jep detaje mbi operacionin që çoi në pranga 3 shtetas shqiptarë.

Autoritetet italiane thonë se vlera e lëndës narkotike të sekuestruar në Jaht arrin në 40 milionë euro.

Në një konferencë për mediat policia financiare tha se sasia prej 3 ton e 992 kilogramë marijuanë u sekuestrua në një Jaht në orët e para të mëngjesit të 6 shtatorit.

Droga ishte paketuar në 185 pako, ndërsa Jahti me flamur të SHBA, (Delaware) ishte i gjatë 17 m.

Policia e komunës së Manfredonias ku u kap dhe mjeti lundrues me lëndën narkotike, tha se sistemi i mbikëqyrjes së Financës italiane që patrullon në ujërat e Adriatikut, ka identifikuar gjatë natës duke u gdhirë data 6 shtator 2017, një mjet lundrues të dyshimtë që po udhëtonte drejt brigjeve pulieze.

Mjeti lundronte mjaft ngadalë që shtonte dyshimin rreth një mbingarkese në bord.

Financa italiane ka aktivizuar menjëherë trupat ajro-detare të impenjuara në operacionin “TRITON 2017” të cilët janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues.

Sapo kanë nuhatur financën italiane, trafikantët kanë shtuar shpejtësinë duke mos iu ndaluar urdhrit stop të autoriteteve italiane.

Mjeti lundrues është ndaluar pas disa minutash në ujërat e komunës së Vieste në provincën e Foxhias. Mjeti lundrues është një motoryacht në ngjyrë të bardhë e i gjatë 17 metra.

Në bordin e tij janë sekuestruar rreth 3992 kg marijuanë e konfekionuar në 185 pako të mëdha.

Sipas Financës italiane “vlera e dogës do të sillte një përfitim prej 40 milionë euro”.

Në pranga kanë përfunduar 3 trafikantë të nënshtetësisë shqiptare M.F. 54 vjeç, V.E. 28 vjeç e M.E. 26 vjeç.

Autoritetet italiane thonë se hetimet dhe investigimet vijojnë me policinë shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza në Durrës.

Kanë nisur hetimet për zbardhjen e bashkë punëtorëve të këtij grupi kriminal trafikantësh në bashkëpunim me policinë shqiptare.

Nga të dhënat e para dyshohet se tre të arrestuarit nuk ishin pronarët e drogës, por të paguar për të kryer shoqërimin e saj drejt Italisë.

Njëri prej tyre është me profesion peshkatar dhe i dënuar më parë në Shqipëri për trafik narkotikës.

Pikërisht ky është personi që drejtonte Jahtin, ndërsa dy të tjerët janë shoqërues të tij dhe dyshohet se kanë kryer ngarkimin dhe transportin e lëndës narkotike në Itali.

Pra sipas dyshimeve nga të dhënat e para hetimore, të arrestuarit nuk janë as pronarë të sasisë prej 4 ton kanabis dhe as të Jahtit luksoz me flamur amerikane.

Tashmë autoritetet italiane në bashkëpunim edhe me prokurorinë shqiptare po hetojnë për të gjetur pronarët e vërtetë të drogës, e cila nga policia është vlerësuar në 40 milion euro.

Po ashtu mbetet ende e pa përcaktuar mënyra si është ngarkuar sasia rekord e kanabisit në Jahtin që nuk ka qenë asnjëherë në ujërat territoriale të vendit tonë.

Mosfunksionim i sistemit të radarëve që monitorojnë hapësirën ujore, i denoncuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është një nga pistat që do të verifikohet nga hetimi i nisur, edhe pse Ministria e Mbrojtjes e përgënjeshtroi këtë pretendim.

Por një letër që ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj i ka dërguar ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli konfirmon edhe një herë pretendimet e Çakos për radarët që monitorojnë hapësirën ujore.

“Sistemi i radarëve ka shfaqur probleme. Kjo situatë vështirëson punën e policisë. Radarët nuk iu përgjigjen nevojave operacionale, pasi nuk vëzhgojnë të gjithë hapësirën. Krijohen kënde që shfrytëzohen nga trafikantë. Radarët nuk detektojnë mjetet dhe njerëzit. Parametrat e sistemit janë larg atyre që kërkohen. Nuk ka kamera të integrueshme që afrojnë objektet. Duhen marrë masa që të përmirësohen parametrat e sistemit”, shkruan ndër të tjera ministri Demiraj në letrën e siguruar nga “BalkanWeb”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Baton Haxhiu: Historinë e Berishës po e vret Shkëlzeni dhe Armina

Gazetari dhe publicisti nga Kosova ishte i ftuar në Forumet UET nën...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.