“Jam i turpëruar nga drejtësia në Shqipëri, nuk ka ndershmëri”

I ardhur dy vite më parë si ekspert i OPDAT dhe këshilltar pranë njësisë “Task Forcë” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Juncaj, tha se drejtësia shqiptare është lënë të bjerë shumë poshtë. “Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë njerëz viktima të pafajshëm të lënë të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë se sa këtu në Shqipëri. Jam veçanërisht i turpëruar sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë sepse është lënë të bjerë shumë poshtë”, -tha Juncaj.

Dy vite në Shqipëri, ishin të mjaftueshme që prokurori shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj të krijonte një ide mbi mënyrën si funksionon sistemi i drejtësisë.

I ardhur si ekspert i OPDAT në verën e vitit 2015, Juncaj, një prokuror me mbi 15 vite eksperiencë në SHBA, ka folur troç për situatën ku është drejtësia shqiptare. Jashtë kostumit të prokurorit, por me njohuri të mjaftueshme mbi funksionimin e drejtësisë Juncaj tha: Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri është lënë të bjerë shumë poshtë, por duhet të bëhemi bashkë për t’ia dalë.

Si një nga folësit në eventin “Ted Ex” që zhvillohet në më shumë se 178 qytete në 70 vende të botës, Juncaj foli jo vetëm për drejtësinë, por edhe për shpresën e ringritjes, nëse do të jenë të gjithë bashkë.

“Jam veçanërisht i turpëruar sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë sepse është lënë të bjerë shumë poshtë”, -tha prokurori shqiptaro-amerikan, i cili prej dy vitesh asiston sektorin Task Forcë kundër korrupsionit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ai e nisi fjalën e tij me kujtimet e fëmijërisë dhe porositë e nënës.

“Nëna ime ishte e fiksuar për drejtësinë. Ajo thoshte se, nëse bën diçka gabim, do të kesh probleme”, –tha Juncaj.

Por drejtësia sipas tij nuk gjente vend në Shqipëri, ku prokurori amerikan thotë se nuk ka parë asnjëherë kaq shumë njerëz të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë.

“Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë njerëz viktima të pafajshëm të lënë të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë se sa këtu në Shqipëri. Jam veçanërisht i turpëruar sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë sepse është lënë të bjerë shumë poshtë”, -tha Juncaj në fjalën e tij.

Megjithatë, këshilltari juridik i ambasadës amerikane që ka qenë i angazhuar drejtpërsëdrejti me Reformën në Drejtësi thotë se ka shpresë por që në këtë betejë të vështirë duhet të jemi të gjithë bashkë.

“Por kam një ndjenjë që dua ta ndaj me ju, ajo është shpresa. Nuk mund t’ia dalim nëse nuk bëheni të gjithë bashkë. Duhet të kuptoni një gjë. Ju keni zë. Jeni shumë, ndërsa ata janë pak. Ka ardhur koha për të ndërtuar një vend për të cilin duhet të jeni krenarë”, -tha prokurori amerikan.

Juristi Juncaj, familja e të cilit është me origjinë nga Malësia e Madhe, shpreh shqetësim dhe për largimin e shqiptarëve nga atdheu.

Ai foli për arsimin dhe shëndetësinë duke thënë se ndihet i turpëruar nga njerëzit e pafytyrë që kanë shkaktuar dhimbje te shqiptarët.

“Gjuha ime e parë është shqipja, flasim edhe në shtëpi. Shumë të rinj po braktisin shtëpitë e tyre për të gjetur alternativa të tjera. Dua të jem i ndershëm me ju. Jam i turpëruar për ata njerëz të pafytyrë, që kanë shkaktuar dhembje për njerëzit në disa sektorë, si në kujdesin shëndetësor dhe në atë të edukimit. Njerëzit kanë nevojë të shkollohen, pavarësisht kush janë”, -tha Juncaj jashtë profilit të prokurorit dhe këshilltarit juridik.

Juncaj ishte një nga 10 folësit e eventit që përcollën ide dhe mesazhe frymëzuese për publikun, duke rrëfyer nga një histori të tyre.

Eventet Ted Ex zhvillohen në më shumë se 178 qytete në 70 vende të botës dhe Tirana është një prej tyre.

Gjon Juncaj, prokuror federal me një përvojë të gjatë erdhi në Shqipëri dy vite më parë si ekspert i misionit OPDAT dhe këshilltar në njësinë “Task Forcë” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Gjon Juncaj ka një eksperiencë të gjatë në Departamentin Amerikan në Drejtësisë, i fokusuar në hetimin e korrupsionit të zyrtarëve dhe pastrimin e parave, dy nga veprat penale që hetohen aktualisht nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Juncaj është një shqiptaro-amerikan nga Miçigani.

Ai prej gati 15 vjetësh ka shërbyer pranë Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbajtur pozicione të ndryshme në zyrat e këtij departamenti që prej vitit 2001.

Ai ka studiuar Shkenca politike dhe Drejtësi në dy universitete amerikane dhe ka përfaqësuar SHBA-të në çështje gjyqësore kryesisht mbi pastrimin e parave apo mashtrime me skema të sigurimit shëndetësor.

Për më shumë se 5 vjet ka punuar si asistent pranë prokurorit federal të Miçiganit.

Juncaj është pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe pjesë e personave të suksesshëm të këtij komuniteti.

Pas mbërritjes së tij në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme tha se pranë njësisë Task Forcë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është atashuar më kohë të plotë dhe një ekspert i misionit OPDAT, i cili do të ofrojnë ekspertizën e tij në fushën e pastrimit të parave.

Mbërritja e prokurorit amerikan pranë kësaj prokurorie përkoi me ristrukturimin e sektorit “Task Forcë”, ku fillimisht u komanduan prokurorë të trajnuar në SHBA dhe të specializuar për luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Por komandimi i tyre në këtë strukturë nuk zgjati më shumë se 4 muaj, kohë në të cilën u arrestua një gjyqtare dhe dy prokurorë për korrupsion, si dhe nisën rreth 400 hetime për korrupsion në nivele të larta e pastrim parash.

Asokohe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu tha se policisë shqiptare do t’i bashkohet edhe një ekspert i FBI, i cili do të asistojë në krijimin e Byrosë Federale të Hetimit.

“Një prokuror federal po ndihmon njësinë antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të rënda. Një agjent i FBI-së pritet të vijë javën e ardhshme për të punuar me policinë shqiptare, ndërsa ekspertët amerikanë po ndihmojnë në hartimin e ligjit për Byronë e Hetimit”, -tha ambasadori amerikan.

Tashmë pas dy vitesh, prokurori shqiptaro-amerikan dhe agjenti i FBI duket se e kanë të qartë mënyrën e funksionimit të drejtësisë në Shqipëri e për pasojë, edhe zgjidhja që do të ofrohet do jetë më e drejtpërdrejtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

BB: Ballkanit i duhen 6 dekada që të arrijë të ardhurat e BE

Një studim i Bankës Botërore tregon se kjo situatë mund të ndryshojë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.