Jam një prishtinali në Tiranë

DCIM100GOPROGOPR0364.Nuk ndjehet si një alien i vogël në këtë kryeqytet. E ka ndjekur, vëzhguar, njohur çdo herë e nga pak, aq sa tani po jeton këtu, krejt rehat. Tirana e ka pushtuar me bukurinë dhe energjinë e saj. Ama jo aq sa për t’ia kthyer kurrizin Prishtinës, që vazhdon ta thërrasë deri në jermi  Por pse e mori këtë vendim? Çfarë e bezdiste andej e çfarë po e kënaq këndej? Çfarë la e çfarë gjeti? Genc Salihu ka një përgjigje, sipas stilit të tij, për gjithçka. Për politikat e politikanët, për shoqërinë civile e lëvizjet e tyre, për  infrastrukturën, kulturën, muzikën, baret, restorantet… e për gjithçka që e kënaq, bezdis dhe e nervozon. Këtu në Tiranë… dhe atje në Prishtinë

Nga Zefina Hasani

Endet e hallakatet çakërrqejf rrugëve të Tiranës. Takon njerëz, ose jo, ulet këmbëkryq ku t’i teket, rrëzë ndonjë pallati a godine çfarëdo, mbi shkallë, bordura e trotuarë. Mund edhe të shtrihet pa teklif në mes të ndonjë fushe a lulishteje me bar, ose pa, kudoqoftë . Mund të jetë me kitarën e tij, ose pa, me Kaltrinën e tij (të fejuarën) ose krejt i vetëm. E s’është hiç çudi të jetë edhe me duart mbushur plot me macka a qenushë rrugësh, për të cilët përpiqet të gjejë gjithmonë shpëtim.

Eksploron rrugë, ato pak rrugica me kalldrëm që kanë mbetur, dyqane, bare e restorante. Duket se etjen e ka të madhe për ta njohur e shijuar deri në deje këtë qytet. Kohën, mesa duket, e ka po aq. Sepse Genc Salihu ka marrë një vendim: të jetojë në Tiranë.

Çfarë të mbajti këtu?

Fillimisht, siç dihet, erdha pasi më ftuan që të jem trajner në “The Voice of Albania”. Kjo ka qenë një kthesë në karrierën time, sepse ma ka hap portën e madhe për tek publiku shqiptar, për çka jam pafundësisht falënderues. Aty, në “The Voice”, pata rastin ta shoh e ta prek Shqipërinë në petkun më të bukur të saj. E pashë sa shumë ka hapësirë dhe kushte për punë të mirëfilltë këtu, të paktën në krahasim me Prishtinën, ku ndodh pak gjë. Kjo, në kombinim me faktin se Tirana është një qytet shumë i bukur, thjesht të mund. E morëm brenda dy minutash me Kaltrinën këtë vendim. Jemi në një fazë të jetëve tona ku po na duhet një ndryshim, kjo dihej. E thamë: pse jo Tirana? Kaltrina e do shumë Tiranën dhe ishte vendosmëria e saj që e vulosi këtë gjë. Dhe ja ku jemi. Synimi im tani është që ta shkruaj këtu albumin e ardhshëm. Kam bërë dhe shumë miq, ndaj kam vendosur të kaloj pak kohë këndej.

Sa pak kohë? A mund të shkojë gjatë apo mund edhe të të pëlqejë të qëndrosh për fare?

Pjesa më e bukur e kësaj është se nuk e di. 

Se si jetohet, të paktën për një vit, në Tiranë e ke provuar shumë kohë më parë, kur erdhët të gjithë si familje, pasi babai juaj filloi punë këtu. Si ishte atëherë?

Kam kryer klasën e tetë në Tiranë, në vitin 1995. Atëherë ishte një Tiranë krejt tjetër. Bukuria që sot ia marrim për të mirëqenë ishte e mbuluar e tëra me tezga dhe kioska. Ishte botë e vrazhdë dhe njerëzit shumë të mllefosur. Më kujtohen imazhe absurde, përjetime të rënda shoqërore, shumë vrasje… Pata fatin, megjithatë, të jem në shkollë me disa fëmijë të mirë, shumë prej të cilëve sot i shohim edhe në ekran. Këndova në nja dy spektakle televizive, e me këtë rast u njoftova me një pjesë të mirë të establishmentit të shoë biznesit shqiptar. Ishte përvojë shumë e vlefshme në një moshë krejt të njomë. Kontrasti në mes të spektaklit dhe realitetit në rrugë ishte marramendës, por, me gjithë atë kaos, Tirana ’95 kishte diçka. Mes artistësh kishte një besim që sot ndoshta është zbehur apo thjesht ridrejtuar. Ishte një ideal mjaft romantik i sakrificës nëpërmjet artit, me idenë që brezat e ardhshëm të kenë rrënjë të shëndosha, të kenë ç’të shohin kur ta kthejnë kokën prapa. Besoj se ashtu edhe doli në fund.

Pastaj u riktheve pas shumë vitesh….

Po, e mu duk i pabesueshëm ndryshimi. Në familjen time, të ndikuar nga përvoja e hidhur, nuk kemi besuar se Tirana do të këndellej ndonjëherë. Por, dukshëm e kemi nënvlerësuar vitalitetin e komunitetit këtu, që ia del mbanë me gjithë sfidat më të rënda që një shoqëri mund t’i ketë.

Po të bëj një nga ato pyetjet që rëndom, e krejt pa takt, u bëhen fëmijëve: “Kë do më shumë, mamin apo babin?”. Por, meqë ti je i rritur, s’është aspak abuzive të të pyes: po ti kë do më shumë, Prishtinën apo Tiranën?

Fëmijët shpesh i përgjigjen kësaj pyetjeje në afektin e momentit. Nëse babi na ka blerë një lëpirëse një orë më parë, e duam babin. Nëse sot mami na ka lejuar të lozim kompjuter një orë më gjatë se zakonisht, e duam atë më shumë. Kështu që, po t’i kisha 6 vjeç, do të thoja Tirana, menjëherë, meqë është momenti i saj tani për mua. Por Prishtina e ka një thellësi që më thërret në jermi. Ajo që gjej në Prishtinë është mistike dhe vizioni që njerëzit kanë është shpesh shumë frymëzues. Natyrisht, duke e pasur dhe vendlindje, marrëdhënia me të është edhe më shumë e tillë, e thellë dhe irracionale. Prishtina prodhon ëndërra dhe kjo është çka na jep.

Duke vendosur të qëndrosh kështu, pasi ka përfunduar një projekt, pa pasur shkak ndonjë projekt tjetër a punë çfardo, duket sikur ia ke kthyer me kast kurrizin Prishtinës, duket sikur ke ikur sepse Prishtina s’të ofron më gjë. Apo jo?

Nuk do ta frazoja kështu. Faktikisht, unë jam shumë prishtinali, siç themi atje, dhe këtë qytet e kam në deje. Prishtina, edhe në ditën më të keqe të saj, më jep shpresë dhe motiv. Aty kam parë gjëra të papërshkrueshme, momente sublime të artit e të mendimit, vizione luçide kreative, por që gjithmonë rrijnë nën tokë, sikur ngrohen si vezët. Qyteti im kurrë nuk dorëzohet dhe kjo e definon. Por vijnë momentet kur duhet ta lirosh atë që do. Kështu freskohet marrëdhënia dhe këndellet dashuria.

Ndërsa lidhesh pas një dashurie tjetër, Tiranës… në ç’zonë keni zgjedhur të banoni?

Jemi tek fillimi i parkut nga Rruga e Elbasanit. Eshtë një ambient shumë i bukur plot gjelbërim dhe gjithçka është afër.

E keni blerë shtëpinë apo me qira?

Me qira.

A po ju shijon?

Shumë! Po e kalojmë një kohë shumë të çmueshme.

Cilat janë zonat që preferoni e frekuentoni më shumë?

Po më akuzojnë si “bllokist”, por unë ka kohë që kam filluar ta zgjeroj radarin tim. Thjesht, më pëlqen shumë qendra e Tiranës, është me të vërtetë mbresëlënëse. Tiranasit ndonjëherë edhe harrojnë se në çfarë qyteti të bukur jetojnë. Më pëlqen të ec nga stadiumi “Qemal Stafa” deri tek Blloku, është shëtitje shumë e këndshme.

Si i shijon rrugët, duke ecur në këmbë, në biçikletë apo me makinë?

Kurrë me makinë! E kam lënë të shkretën nën një pemë dhe vetëm glasat e zogjve e shoqërojnë tani. Po lëviz në këmbë, por së shpejti do ta marr një biçikletë, që t’i provoj shtigjet e reja për çiklistë, që duken aq tërheqëse sa do të mund t’i haje.

A gjen ngado që shkon infrastrukturë komode, për ta shijuar ashtu siç do ti këtë qytet?

Jo dhe aq, thënë të drejtën! Ka pjesë që janë të përkryera, por ka shumë vende të papërshtatshme. P.sh., një gjë që më bezdis si këmbësor janë trotuaret e ngushta gjithandej, ku duhet ecur rresht për një si në orë të gjimnastikës. Duket se Bashkia po punon shumë në këtë drejtim dhe kam parë rezultate të vërteta. Shpresoj se vazhdojnë deri në bërjen e një Tirane që e meritojmë të gjithë.

Çfarë të kënaq e çfarë të nervozon në të përditshmen e këtij qyteti? 

Më kënaqin njerëzit me energjinë e lartë që kanë, restorantet dhe kafe-baret, gjelbërimi, arkitektura e qendrës. Më pëlqen po ashtu që njerëzit lexojnë më shumë këtu. Më nervozon trafiku dhe sjellja në trafik. Më pëlqen prirja e komunitetit për aktivizëm politiko-shoqëror. Më irriton apatia banale, sa herë që nxjerr kokën.

Çfarë mendon se mund të jetë, se mund të bëhet ndryshe?

Ah! Ndihem ngushtë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Tirana ka shumë çështje të hapura, shumë debat të ashpër publik. Unë, si i ardhur rishtas, nuk e kam të drejtën morale ta trumpetoj mendimin tim dhe aq shumë. Duke qenë nga Kosova, unë e di më së miri se sa i gabuar dhe sipërfaqësor mund të jetë gjykimi i të huajve, të cilët nuk mund t’i njohin kompleksitetet e problemeve pa i jetuar pak. Dua t’i respektoj palët, shokët e shoqet e mia, sepse njoh njerëz të bukur nga të gjitha ato taborre që i ka komuniteti këtu. Mund të duket si mungesë e kurajos, por më jep dhe pak kohë, sa të bëhem më “çun Tirone”, dhe pastaj ta them.

Cilat janë bar-kafetë që frekuenton më shumë?

Praktikisht jetoj në “Tribeca”, një kafe- bar fantastik në Rrugën Brigada VIII. Pastaj “Radio”, vendi i parë në Tiranë ku me të vërtetë jam ndier si në shtëpi. Qëlloi dhe të ishte shtëpia e shokut tim të klasës, ku kemi bërë prova çdo ditë kur ishim të vegjël. “Bufe” është një vend i ri, që më gëzoi kur e gjeta, sepse ka kafe të mirë, por edhe ushqim shumë të veçantë. Pata vënë re se nuk po i takoja shokët vërdallë kohëve të fundit dhe një ditë i gjeta ashtu tok tek “Bufe” – po fshiheshin nga bota. Pastaj është dhe “Cioccolatti Italiani Tirana”, që ta korrupton shpirtin dhe barkun me akulloret dhe çokollatat që i bëjnë vetë dhe kanë një lokal fantastik, të madh e të qelqtë. Tirana ka ecë!

Cilët restorante ta kënaqin shpirtin e stomakun?

Fillimisht le të më falin të gjitha restorantet që nuk më kujtohen për momentin, por ja ta shohim çfarë vjen e para në mendje: “Otium”, “A la Sante”, “Ceni’s”, “Artigiano”… oh, ka shumë, dhe të gjitha janë të përkryera. Një nga gjërat që më kënaq më së shumti në Tiranë është se ka filluar të bëhet qytet që të lë të zgjedhësh e nuk të imponon më. “Spaghetti House” ka peshkun e paharrueshëm! “Fish Shop”, një dyqan i vogël peshku, që ka tre tavolina në sfond dhe një zgarë, por që gatuan në nivel restoranti të shtrenjtë (më duket kanë hapë restorant dhe ata tani, thonë se e ka mbajtë modestinë e çmimeve). …Se harrova, një restorant i ri shumë i mirë është dhe “Pallati 11”, përballë restorantit “Era” në bllok. Në një qytet ku mbizotëron ushqimi i detit, është shumë rehatuese të dish se mund ta hash një hamburger me të vërtetë klas, tejet solemn, tek ky restorant.

Ç’lloj kuzhine preferon të shijosh këtu?

Eshtë evidente se mbizotëron kuzhina italiane. Kam ngrënë pasta të shkëlqyeshme në Tiranë. Besoj kjo është ajo specialja që Tirana ka. Por pastaj është dhe ushqimi i detit.

Po jeta e natës nga të hedh e të pret?

Unë gati kurrë nuk dal natën. Dikur kam qenë kafsha e klubeve, i hapja e i mbyllja. Por këto ditë, mbrëmjen, e sidomos natën, e kam kohë për veten, kur rri me veten dhe regjenerohem, lexoj dhe meditoj, relaksohem. Edhe këngët dhe poezitë që i shkruaj janë të këtyre orëve. Kam vënë re se e ruaj këtë hapësirë në jetën time me fanatizëm. Megjithatë, kam dëgjuar se Tirana ka çfarë të ofrojë edhe në këtë nivel. Nuk më befason.

A po ta ofron Tirana rehatinë, po kaq sa për qejf, edhe për projekte, punë e bashkëpunime?

Gjithsesi e ofron, por në këtë aspekt s’është se është shumë ndryshe nga të qenit në Prishtinë, sa i përket bashkëpunimeve me artistë të tjerë. Por, po, gjëja themelore për mua është qetësia që e kam gjetur për të krijuar e për t’u zhvilluar në këtë qytet. Tirana, e them gjithmonë, është një tregim dashurie.

Në mos gabofsha, që prej vitit 2009 ke hapur në Prishtinë një kafe–librari “Dit’e Nat”. Ia ke besuar kujt tjetër në këto kohë, apo si?

“Dit’ e Nat” e ka dhënë provimin e kohës. Tash vllau im i mesëm, Bardhi, e mban, duke e mirëmbajtur dhe zhvilluar tutje atë bazë që ia dhamë me Kaltrinën, kur ai ishte akoma për studime në SHBA. Eh, kjo është një gjë që nganjëherë më mungon shumë – thjesht të organizoj evente në “Dit’ e Nat”, ta bëj atë që dua për njerëzit që i dua, duke i ftuar në shtëpinë time. Por, siç thashë pak më lart, vijnë moment që duhet ta lirosh atë që do.

E siç edhe unë të thashë, po aty pak më lart, ndërsa e liron atë që do, përpiqesh të lidhesh pas diçkaje tjetër… A e ke gjet kund këtu një perandori libri të ngjashme me “Dit’e Nat”?

Ishte “Libraria e Përshtatshme”, një vend me status kulti. Kjo ka qenë një kafe-librari e përsosur, shembull edhe për “Dit’ e Nat”-in tonë, pasi që është shumë më e vjetër. Shumë interesante si arrinin çunat që e mbanin ta krijonin një përzierje kulturash dhe kohërash në atë vend. Që nga islami mistik mesjetar, e majta e shekullit XX, e te post-modernizmi i ditëve tona, gjithçka rritej në atë kopsht. S’di se çfarë kishte ndodhur dhe çunat kishin pasë mosmarrëveshje me pronarët e shtëpisë dhe, pas kaq shumë kohe dhe mundi, thjesht i kishin përzënë. Tani ekziston me të njëjtin emër, por thonë se nuk është e njëjta gjë më. Tregim tipik ballkanik! Tani libraria ime më e përshtatshme është interneti.

Në Prishtinë je njohur si djali që s’rri dot indiferent, nuk hesht përpara ngjarjeve politike e sociale që s’të tingëllojnë aq fort për mirë. Je angazhuar dhe me Partinë e Fortë? A vazhdon të të shqetësojnë zhvillimet andej?

Në Prishtinë të gjithë njihen për të tillë. Jemi një komunitet shumë i abuzuar nga politika, ndoshta edhe më shumë se njerëzit në Shqipëri (po flas për 17 vitet e fundit), prandaj ngritja e zërit është bërë si me ngrënë bukë, diçka krejt rutinore. Më zhgënjejnë politikanët kosovarë me mungesën e vizionit dhe paaftësinë për të gjeneruar mirëqenie. Më shumë se involvimi në krim e korrupsion, më dhemb injoranca e tyre. Merren vetëm me politikë ditore dhe kalkulime partiake, dhe biznes, duke e nënvlerësuar inteligjencën e elektoratit të vet, i cili ka filluar t’i ndëshkojë – vonë, por ka filluar. Kosova është një foshnje, që i duhet kujdes 24- orësh. Çdo muaj në Kosovë është historik, definues. Ka vendime të mëdha për t’u marrë, marrëveshje të rëndësishme për t’u bërë, shumë më shpesh se në një vend të zakonshëm, meqë jemi shtet i ri dhe i pakonsoliduar. Në anën tjetër, më ka ardhur keq që Partia e Fortë nuk është zhvilluar në diçka të rëndësishme. PF e ka ndikuar diskursin politik në Kosovë më rrënjësisht se shumëkush e shumëçka në dekadën e fundit. Mungesa e thjeshtë e etikës së punës është ajo që na ndali.

Po këtu a të ka ndjellë diçka a ndokush me u bë pjesë e ndonjë lëvizjeje politike apo dhe shoqërisë civile?

Çdo ditë e më shumë po largohem nga diskutimet e drejtpërdrejta politike. Natyrisht, jam i pari ta mbështes një iniciativë që sjell rezultate dhe jam tmerrësisht pragmatik në këtë pikë, por kam zbuluar se, fundja, një këngë është politika më e dobishme që unë mund të bëj. Në njëfarë mënyre, politika është sipërfaqësore. Nuk përgjigjet për të gjitha nivelet e jetës. Madje, mendoj se shpesh herë zhvillimet ndodhin përkundër e jo për shkak të politikës. Kritikët do të thonin se ajo ndodh kur ka politikë të gabuar – dhe natyrisht se politika e gabuar duhet luftuar – por përfundimisht mendoj se politika, e tillë çfarë e njohim sot, me sistemin hierarkik dhe organizimin e shoqërive në entitete politike, do të tejkalohet dhe të kujtohet si primitive. Natyrisht, ajo nuk duhet bojkotuar, sepse shumëçka sot varet prej saj, dhe është mirë të jemi racionalë, të përqëndruar dhe të përfshirë në procesin e gjatë por të pashmangshëm të shfuqizimit gradual të politikës, duke i mbështetur politikanët më progresivë, idetë më gjithpërfshirëse dhe aksionet më të dobishme. Të mos gabohemi, ne sot po shohim se sistemi global politik që kemi ndërtuar në dy shekujt që shkuan e që e ka bazën në teoritë antike politike, ka filluar të çmontohet para syve tanë. Mendoj se çmontim pas çmontimi, nëpërmjet zgjedhjeve të duhura politike, e ardhmja është tek një shoqëri post politike.

Deri atëherë….

Eh deri atëherë, shyqyr kemi telekomandën në dorë dhe e ndërrojmë kanalin sa herë që të teprohet në lajme.

DCIM100GOPROGOPR0360. DCIM100GOPROGOPR0364. DCIM100GOPROGOPR0375. 6

Shkruar Nga
More from revista mapo

Natyra ‘rimerr’ parkun e braktisur

Këto foto të bukura, por edhe të frikshme, tregojnë se si natyra...
Read More