“Janë me dhjetëra grupe të fuqishme kriminale në vend”

Erzen Breçani, shpjegon se përse janë fuqizuar grupet e Elbasanit në veçanti dhe krimi i organizuar në përgjithësi. Ish-shefi i krimeve dhe nëndrejtori i Policisë së Tiranës, në një intervistë për ”Shekullin”, ndalohet te lejimi nga vetë shteti i trafikut të drogës.

Pak ditë më parë Elbasani prodhoi dy ngjarje; njëra përplasje mes policisë dhe të fortëve me imunitet dhe tjetra një skandal, ku policia refuzon të kryejë përgjimin e tre personave që dyshoheshin për një atentat; çfarë ka ndodhur sipas jush në të dy këto ngjarje…?

Po i kemi ndjekur me vëmendje ngjarjet e Elbasanit aspak të dëshiruara për ne dhe komunitetin e atij qyteti që me sa shihet nuk bëjnë jetën e tyre të qetë dhe të sigurt. Ngjarja e parë sipas analizës time fillimisht pas marrjes së informacionit dhe vlerësimit të informacionit kanë filluar në kohë organizimin për ndjekjen, kontrollin dhe shoqërimin e personave ku falë pamjeve bie në sy ndalimi i automjeteve dhe shoqërimi i personave por për mendimin tim nuk ishte vendi i përshtatshëm në favor të policisë për kryerjen e veprimeve pasi aty mund të përdorën edhe armët e zjarrit.

Ky ishte një operacion i pa planifikuar mirë ku dukej qartë se nuk kanë detyra konkrete se kush është në grupin e mbështetjes në grupin e kontrollit ose i sulmit si dhe grupi që do kryejë shoqërimin e personave, që këto grupe mund të ishin nga dy punonjës policie, minimalja deri në pesë persona. Shumë e rëndësishme në një operacion që nuk u pa, është që punonjës policie të bëjnë bllokimin e mjeteve të tjera si në fillim dhe në fund të vendit ku kryejnë veprimet operacionale. Policia të paktën me një tabelë ndalim-kalimi në një distancë prej 20-30 metra ose të kthejnë makinat e policisë në bllokim rruge dhe makinat e policisë në çdo rast duhet të jenë të ndezura me shofer brenda, dhe në rastin konkret fillimisht u veprua perfekt në kontrollin dhe shoqërimin e personave të dyshuar.

Më pas vjen mjeti i blinduar, i pa penguar më parë nga mjeti i policisë dhe godet mjetin e policisë që paraqet rrezikshmëri për punonjësit e policisë. Në këtë rast forcat policore nuk kishin një plan për të papriturat që ndodhin në çdo operacion policor dhe nuk ishin të gatshëm që të kryenin ndjekjen në pamundësi bllokimi ku dalin në pah mangësitë; forcat dhe mjetet që duheshin për të kryer ndjekjen, prangosjen e personit që hapi dhe mbylli portën, mungesa e theksuar e drejtuesit të operacionit që është titullari që ka gradën më të lartë i cili duhet të marrë vendimmarrjen e përnjëhershme për riorganizimin dhe rigrupimin e forcave për të organizuar ndjekjen, kufizimin dhe kundërpërgjigjen e agresorëve.

Në këtë rast të personave në automjetin e blinduar, të rojës, si dhe personave që ndihmuan dhe përkrahën autorin e sulmit ndaj policisë. Porsa i përket pretendimeve që policia ka përdorur armën e zjarrit, për mua është përdorur sipas ligjit të përdorimit të armës së zjarrit që në një sulm me mjete të blinduara kur nuk i bindesh urdhrit të policisë për ndalim dhe futesh në një zonë ku kryhen operacione të tilla, policia qëllon me armë jo në drejtim të agresorit për të paralajmëruar dhe për të thënë që do përdor armën e zjarrit pasi informacioni ishte se bëhej fjalë për persona të armatosur!

Elbasani prej pak ditësh është kthyer në epiqendër ku duket se krimi i organizuar është më i fuqishëm se çdo mekanizëm shtetëror, si ishte Elbasani në kohën tuaj?

Grupet kriminale në Elbasan kanë ardhur duke u strukturuar dhe fuqizuar nga viti në vit. Kjo duket qartë nga viktimat që ka prodhuar; sa më shumë viktima dhe sa më pak të arrestuar nga policia dhe të ndaluar nga prokuroria, kjo është njësia matëse e fuqizimit të një grupi. Kjo do të thotë që nëpërmjet aktiviteteve kriminale një grup ka mbledhur shumë para, ka rekrutuar më shumë persona, ka kryer mbrojtje politike, lidhje të forta me persona në Policinë e Shtetit, Prokurori dhe Gjykata; pra janë fuqizuar! Të gjitha këto realizohen nga vlerat monetare dhe materiale që kanë përfituar nga aktivitetet kriminale si trafik droge, trafik qeniesh njerëzore, trafik armësh etj. Në kohën time, (koha ime është e gjatë në polici, 20 vjet) për vitet që kam qenë te RENEA kemi kryer shumë operacione. Janë minimizuar këto grupe dhe janë mbajtur nën kontroll, kurse vitet e fundit unë kam shërbyer në Tiranë dhe për Elbasanin mund të flasin më mirë ish- drejtuesit e mëdhenj të Policisë!

Në grupet e strukturuara kriminale, me qindra elementë, në çdo cep të vendit, Donald Lu` sërish foli me emra trafikantësh dhe kriminelësh; pse duhet të na i kujtojnë të huajt, kur policia, prokuroria dhe gjykata i njeh këta persona?

Lulëzimi i krimit të organizuar në vendin tonë vjen nga paratë e fituara nga kultivimi dhe trafiku i lëndëve narkotike. Këtë kultivim dhe trafik nuk mund ta kryejë një person i vetëm por shumë persona, ç`ka do të thotë se kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal. Që të kultivohet bima narkotike, të trafikohet dhe të shitet duhen shumë persona, ku kanë detyrat e ndara; dikush ka rolin për gjetjen e farave, dikush për gjetjen dhe përshtatjen e vendit të prodhimit, dikush për ta kultivuar, të tjerë për ruajtjen me armë, ndërsa duhen edhe njerëz për të siguruar armatim, automjete, klientë, treg për shitje e deri njerëz për të rekrutuar punonjës policie!

Për të gjitha këto duhen vlera të mëdha monetare. Këto elementë përbëjnë grupin e strukturuar kriminal! Sa të tillë ka në Shqipëri?! Ua them unë; janë me dhjetëra e qindra në çdo cep të vendit. A është e lehtë të goditen?! Jo, nuk është aspak e lehtë! Por është e mundur kur ka vullnet politik dhe politika të mos ndërhyjë në kapjen e sistemit të drejtësisë. Këto grupe kriminale të dala nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike kanë marrë pas vetes një pjesë të madhe të shoqërisë tonë, kryesisht të rinj! Janë joshur dhe rekrutuar, pasi janë larguar nga mënyra e jetesës që bënin për të fituar para të shpejtë!

Ambasadori Amerikan sërish foli, por të shpresojmë për një reagim edhe pse të vonuar të qeverisë shqiptare. Jo më me fjalë si gjithmonë por me vepra konkrete. Këtë duhet të bëjë kryeministri që të urdhërojë rikthimin në strukturat e Policisë të ekspertëve që hoqën me të padrejtë dhe në kundërshtim të ligjit! Të nisi luftën me gjithë potencialin e tyre kundër krimit të organizuar pasi ata punonjës janë një armë e fortë që kanë metodikën e veprimit dhe të dokumentimit të aktiviteteve kriminale.

Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi, 31 dhjetor 2016

Dashi – Nëse nuk tregoheni objektive sot në jetën tuaj në çift...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.