Java e provës për mazhorancën: Do ta pengojë apo do ta mbështesë Reformën në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj

Çështja e ish-ministrit Tahiri ka tronditur mazhorancën politike në ditët e fundit. Nëse Tahiri është fajtor apo jo penalisht për trafikimin e lëndëve narkotike, kjo është një çështje e drejtësisë, por përtej çështjes juridike ka dhe një çështje politike që prek në mënyrë direkte mazhorancën.

Në të gjithë këtë histori ka dy paradokse që vihen re. E para është fakti se si ka mundësi në një situatë të tillë të kanabizimit të vendit, prokuroria shqiptare ka treguar një paaftësi totale në rastin më të mirë, dhe një ndikim politik në rastin më të keq. Edhe Kërkesa e arrestimit të deputetit Tahiri tregon qartësisht që ajo është një kërkesë e përgatitur në mënyrë të nxituar, si pasojë e presionit të opinionit publik dhe politik ndoshta.

Është absurde që në një situatë të tillë të kanabizimit të vendit nuk ekziston asnjë hetim për këtë fenomen në vitet e fundit. Ndërkohë që kolegët e tyre italianë kanë bërë “namin” me hetime për katër vite me radhë, prokuroria shqiptare në këtë çështje ka treguar plotësisht paaftësinë e saj për të vënë përgjegjësit e kësaj çështjeje përpara drejtësisë.

Paradoksi i dytë është tërësisht politik. Mazhoranca aktuale është një forcë politike, e cila është investuar më shumë se çdo forcë politike në Reformën në Drejtësi. Në këtë kuptim duhet të tregojë një vullnet përtej ligjit nëse vërtet dëshiron drejtësinë në këtë vend apo jo.

Prandaj, edhe pse akuza e prokurorisë lë për të dëshiruar në rastin Tahiri, mazhoranca duhet t’i hapë rrugën hetimit të plotë të kësaj çështjeje, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për një deputet të rëndësishëm të saj.

Nëse Tahiri është i implikuar apo jo në trafikun e lëndëve narkotike, këtë gjë do ta vendosë gjykata, prandaj vullneti politik që ajo duhet të tregojë shkon përtej faktit juridik.

Parimisht mazhoranca politike ka të gjithë të drejtën të kërkojë indiciet e mjaftueshme për të votuar pro apo kundra autorizimit për arrestimin e Saimir Tahirit. Sepse imuniteti parlamentar për deputet nuk ekziston për të mbrojtur të korruptuarit nga drejtësia, por për të mbrojtur institucionin e Parlamentit dhe deputetët nga persekutimi politik i drejtësisë. Institucioni imunitar për deputetët është një institucion i cili ekziston për më shumë se 500 vite në historinë e parlamentarizmit, dhe shërben si parim për të ruajtur balancën dhe autonominë e pushteteve të ndryshme.

Kështu që, edhe nëse vota në seancën parlamentare është kundër këtij autorizimi, nuk është asnjë gjë alarmante apo për t’u paragjykuar. Parlamenti ka të gjithë të drejtën për t’u siguruar nëse kjo kërkesë është si pasojë e persekutimit politik apo e bazuar në indicie provash dhe faktesh që potencialisht hedhin dyshime mbi veprën penale të deputetit Tahiri.

Megjithatë, ka një moment morali dhe përgjegjësie të politikës që shkon përtej ligjit, është vullneti i palëkundur për t’iu treguar qytetarëve se ajo nuk do të bëhet pengesë për vënien e drejtësisë, edhe nëse ky vullnet shkon përtej praktikës ligjore apo procedurale.

Në këtë kuptim, edhe pse puna e prokurorisë shqiptare në këtë rast lë shumë për të dëshiruar, mazhoranca politike duhet të mos ta shfrytëzojë këtë mangësi, por përkundrazi, të tregojë vullnet për të zbardhur çdo hije dyshim për deputetët e saj.

E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është hapja e rrugës për çdo hetim mbi përgjegjësinë e personave të kanabizimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kushdo qofshin ata.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në këto kushte arrestimi i Tahirit është kundër drejtësisë, hetimi i tij pro saj

Nga Ervis Iljazaj Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores për dhënien...
Read More