Java globale e parasë: Përfaqësuesit të Intesa San Paolo Bank shpjegojnë për studentët e UET rëndësinë e auditit të brendshëm

Auditi i brendshëm në sektorin bankar në Shqipëri është ndoshta një ndër funksionet apo aktivitetet më të rregulluara sepse nga vetë natyra që kanë bankat mbeten sektor i mirërregulluar, i mbikëqyrur mirë  dhe me shumë njësi ku banka qendrore është autoriteti kryesor, por sigurisht ka edhe shumë autoritete të tjera mbikëqyrëse financiare që rregullojnë gjithë aktivitetin e bankës, siç është auditimi i brendshëm. Ky ishte thelbi i bashkëbisedimit me studentët master të UET dhe drejtoreshës së Auditit Entela Biçakut dhe asaj të Burimeve Njerëzore Entela Zigori pranë Intesa SanPaolo Bank Albania.

“Është kënaqësi dhe është në filozofinë e universitetit që të ndërthurim teori të cilat stafi i mrekullueshëm i UET-it në përditshmërinë në aulat dhe në klasat komunikon me ju, ju përcjellin, me botën praktike ku UET bën të gjitha përpjekjet për të ftuar në formën e leksioneve të hapura, lektorë të ftuar, personalitete të fushave përkatëse”, u shpreh administratori i UET, Arbi Agalliu.

Përfaqësueset e Intesa San Paolo Bank Albania zbuluan për studentët e interesuar se kjo bankë ka 197 mijë klientë nga të cilët 8300 pothuajse janë klientë biznesi dhe 89 mijë janë klientë individë në vetvete. Kjo bankë u shërben klientëve të saj me 32 degë në të gjithë vendin, me 17 në Tiranë dhe 15 në rrethe.

Më tej përfaqësueset bënë të ditur se  Intesa San Paolo Bank Albania kontribuon në fitimin total të Intesa San Paolo-s me afro  12-13 milion euro çdo vit, duke u renditur e katërta në sistemin bankar shqiptar në lidhje me total asetet dhe me depozitat dhe e pesta në lidhje me kreditë e klientëve.

Drejtoresha e Auditit të Brendshëm pranë Intesa San Paolo Bank Albania, Entela Biçaku, me 12 vjet përvojë në këtë sektor ka shpjeguar për studentët rëndësinë e auditit të brendshëm. Pasi ka folur për kuadrin ligjor dhe sesi ky aktivitet është i rregulluar me ligje e nënligje, ajo është ndaluar edhe tek Kodi i etikës.

“Kodi i etikës për auditorin e brendshëm është specifik dhe është baza dhe themeli që një auditor të ketë kredo përpara njësive të tjera të bankës për të vazhduar  aktivitetin e tij. Parimet bazë janë integriteti, objektiviteti, konfidencialiteti dhe kompetencat, ose aftësitë profesionale. Çdo auditor, po tregoj shembullin e Intesës, duhet të njihet që në ditën e tij të parë të punës me kodin e etikës, të kuptojë shumë mirë atë që quhet definicion i auditit të brendshëm sepse është baza dhe themeli i përditshmërisë së tij gjatë punës dhe patjetër duhet të jetë nënshkruar që do ta respektojë kodin e etikës. Të gjitha detajet duhet t’i jepen çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet të bëjë një auditor”, iu tha Biçaku studentëve, ndërsa  u sqaroi më konkretisht ku konsiston auditi i brendshëm.

“Auditi i brendshëm është një aktivitet sigurimi dhe konsulimi, i cili duhet të jetë i pavarur dhe objektiv, i dizenjuar për të përmirësuar efektivitetin dhe eficiencën e operacioneve të organizatës”. 

Në çdo fund auditi raporti i adresuar bordit drejtues është i një rëndësie madhore.

Pyetjes së studentëve se cilat duhet të jenë cilësitë që duhet të ketë një auditor, Biçaku sqaroi se i kapërcen stereotipat e të qenit autoritar apo me një hije që të shtie frikën.

“Duke qenë se misioni i auditorit të brendshëm  është kaq largpamës duhet të jetë një njeri, i cili pikërisht ka mundësinë të krijojë atë që quhet holistic view,  që të vlerësojë realisht në kuadër të të gjithë objektivave të organizatës, ku po shkon organizata, cilat janë risqet, kërkon aftësi analitike jashtëzakonisht shumë të mira”.

Biçaku ka shkuar më tej duke u thënë studentëve se në botën dinamike pozicioni  i auditorëve  ka ndryshuar shumë. “Ne duhet të jemi shumë të ekuilibruar, për të mos humbur objektivitetin, ne duhet të jemi partnerë me menaxhimin, duhet të kemi balancën, të jemi fleksibël duke dëgjuar se çfarë shqetësimesh ka menaxhimi ose çfarë arsyesh ka që ka marrë një vendim të caktuar, por nga ana tjetër duhet të kemi aftësinë të jemi mjaftueshëm këmbëngulës nëse kemi konstatuar që diçka nuk shkon mirë dhe ne zakonisht këto gjëra i konstatojmë  duke nisur që nga drejtori i përgjithshëm, ndoshta edhe tek bordi drejtues… Roli është shumë i vështirë, ama duhet të kemi mundësinë që ta çojmë mendimin tonë aje ku duhet pra mbajtja e balancave në mënyrë sa më politike është një aftësi e rëndësishme e auditorit të brendshëm.”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hahn jep lajmin e mirë për Shqipërinë

Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave për dy vende të...
Read More