Jazz & Wine: Eda Zari, në një port për muzikën dhe dashninë

Nga data 7-8 korrik mbahet në Porto Palermo edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar Jazz & Wine, që këtë vit është konceptuar përmes një bashkëbisedimi artistik mes jazzit dhe isopolifonisë. Befasi pritet performimi i grupit polifonik “Lunxhëria”, me drejtor artistik Koço Vasilin me jazz, të saksofonistit të mirënjohur nga Zelanda e Re, Hayden Chisholm. Ideatorja e festivalit, këngëtarja Eda Zari, flet mbi prurjet dhe romantizmin e mbrëmjeve të komunikimit në port përmes muzikës

“Latin Jazz“, dhe “Balkan-beat” do të përqafen nën këmbë të Kalasë së Ali Pashait, duke bërë që muret e tij të zgjohen nga gjumi letargjik i atyre kohërave bëmëmëdha. E ndërsa fjalët duhet të shijojnë njësoj, si vera për buzët, kjo e fundit shoqëruesja besnike e dy netëve të Festivalit Jazz & Wine, që sjell për herë të parë një bashkëbisedim artistik mes jazzit dhe isopolifonisë.

Këngëtarja Eda Zari është organizatorja e këtij eventi, që me shumë romantizëm i shkon përshtat kësaj veprimtarie duke “gëzuar” njëlloj: folenë e jazzit, verës dhe dashurisë, në Porto Palermo! Duke kërkuar të ankorojë një stil të sajin, jazzin në portin e famshëm të jugut, Eda me shumë sqimë jo vetëm paraqet arsyen e këtij organizimi, por dhe në përzgjedhjen e formacioneve muzikore shkon drejt tendencave eksperimentuese, kërkimi artistik. Ja një befasi: performimi i grupit polifonik “Lunxhëria”, me drejtor artistik Koço Vasilin me jazz, të saksofonistit të mirënjohur nga Zelanda e Re, Hayden Chisholm (saksofon, shruti box, gajde dhe fyej skocez). Janë disa nga perlat e folklorit lirik lunxhiot, këngë dhe valle “lunxhe”, një veshje e rrallë autoktone e kësaj krahine, qëndisur dhe zbukuruar nga duart e artizanëve lunxhiot të 100 vjetëve më parë.

“Flasim për Jazz & Wine festival që mbahet më 7 & 8 Korrik në Porto Palermo, flasim për dashni, nostalgji, kulinarinë e verës dhe fort grimca të bukura që fal kjo verë në gjirin e Porto Palermos. Ju sjelltë e flladi i mbarë në Festival”, shkruan këngëtarja, në pozicionin e drejtoreshës së festivalit, që hyn në edicionin e tij të dytë, me artistë të ftuar shqiptarë nga gjitha trojet, nga diaspora, e vende të Ballkanit, si: Maqedonia, Kroacia, apo nga Zelanda e Re, Bregu i Fildishtë, Kuba, Kolumbia, Gjermania, Holanda, Turqia etj., duke e kthyer gjirin e Panormos (emri i lashtë për Porto Palermon, që do të thotë “vend i mbrojtur”) në një port komunikimi përmes muzikës. Emra që vijnë i takojnë skenave ndërkombëtare, disa prej të cilëve e shkelin për herë të parë në Shqipëri. E tillë është artistja nga Havana de Cuba, Maryali Pacheco, pianistja dhe kompozitorja Pacheco, e cila bashkëpunon me Richard Bona, Omar Sosa dhe perkusionistin e Stingut Rhani Krija, e cila noton mes klasikes, jazzit dhe ritmeve virtuoze latine. Zari tregon pjesëmarrësit: Gjithashtu mbi madhështinë e detit Jon do të ngjizen tingujt magjik të Balafonit, performuar nga pinjolli i klanit të muzikantëve të mirënjohur botërisht “Keita” nga Afrika Perendimore – Mali, i famshmi Aly Keita. Vjen në skenën e Festivalit, Roland Peil, perkusionisti gjerman më në zë në skenën e Jazzit, ku Peil është perkusionisti dhe super pulsi i bandit të star trompetistit Till Brönner, i Fantastischen Vier, Sasha, Peter Maffay, und Florian Dauner, e më tej vijmë tek artistët e skenës së jazzit shqiptar, artistë deri në gjak e me talent e sens muzikal të përveçëm si pianisti maestro Gent Rushi, i cili është motori i skenës së jazzit shqiptar dhe krijuesi i Tirana big band, por jo vetëm, Ermal Rodi multi-instrumentalisti dhe saksofonisti i mirënjohur, Emiljano Dhimo, vokabulari ritmik i shumë bandeve në trojet Shqiptare, Enver Muhamedi, kontrabasisti kosovar i cili tashmë ka korrur sukses në skenën internacionale të jazz music, si dhe është tashmë një emër i rëndësishëm ne skenën e artisteve të Stambollit e plot të tjerë artistë të skenës internacionale. “Toka bën muzikë për ata që mbajnë vesh” (W. Shakespeare). Kjo është motoja e edicionit të dytë të Festivalit ndërkombëtar të Jazzit dhe Verës. Andej prej nga i ka fillesat muzika e tokës dhe natyrës, gjithçkaja e tingullt e planetit tonë, prej nga buron dashuria, të cilës i falemi dhe rrekemi ta ushqejmë dita-ditës, me kujdesin si ndaj një foshnje, njësoj dhe ndaj tokës, banesës tonë të përhershme. Ky është një prej mesazheve më të fuqishme që “Jazz & Wine Festival” përçon përmes urës muzikale. Ndaj jo pa qëllim, ky edicion i dytë është zhvendosur në gjirin e Porto Palermos, dhe në mjediset e brendshme të Kalasë së Ali Pashës. Festivali ka për qëllim, gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin për vendet me vlera të rralla historike, muzeale dhe natyrore, të cilat duhet t’i mbrojmë dhe t’ua lëmë pas brezave që do të vijnë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Asgjë s’ka ndodhur në PD, gjithmonë janë shitur dhe blerë deputetë

Nga Ervis Iljazaj Ashtu siç pritej, seanca e parë parlamentare ka shkaktuar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.