“Jemi në kushtet e krijimit të tiranive dhe tiranitë përmbysen”

ervinnnnFlet sekretari për aksionin qytetar në PD dhe një nga organizatorët e protestës së sotme

Ervin Salianji, sekretari për aksionin qytetar në PD dhe një nga organizatorët e protestës së sotme të opozitës, thotë në një intervistë për MAPO se “Vendimi i madh dhe i rëndësishëm është marrë nga populli shqiptar, nesër do të komunikohet dhe do të bëhet i ditur”. Salianji është i mendimit se zgjedhje pa opozitën nuk ka, por ai shton se opozita nuk i bojkoton zgjedhjet. “Zgjedhje pa kushte nuk ka dhe nuk do të ketë” -thekson ai.

Një nga arsyet e dhëna për protestën ka të bëjë me sigurinë e zgjedhjeve. Si mendon PD se do sigurojë zgjedhje më të mira përmes protestës?

Protesta është i vetmi mjet që i ka mbetur opozitës, pasi ka përdorur çdo rrugë institucionale. Në këtë kuptim protesta nuk është zgjidhja në vetvete, por është mjeti i vetëm që çon te zgjidhja. Zgjidhja është e qartë dhe e thjeshtë, votim dhe numërim elektronik, standarde të larta zgjedhore dhe ndryshim i Kodit Zgjedhor për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Protesta është i vetmi mjet që ka mbetur, në kushtet kur vetëm 4 muaj para zgjedhjeve qeveria nuk mund të matet dhe as të mbaje përgjegjësinë nëpërmjet votës, sepse nuk ka votim për qeverinë, por ka diktim, ku opozitës apo kundërshtarëve iu kërkon të jenë fasadë në një proces ku dihet fituesi dhe humbësi, ku dihet se kush voton dhe kush numëron. Pretendimi se nuk ka kohë është i marrë dhe i paarsyeshëm, opozita i ka dorëzuar amendimet nëpërmjet propozimeve të veta në komisionin e posaçëm, që një vit përpara dhe vullneti i mazhorancës ka ndaluar apo ka penguar shqyrtimin e propozimeve, por nëse e pranojmë që votimi në këto kushte që jemi është i keq dhe nuk tregon vullnetin e votuesit, atëherë pse të mos merremi me përmirësimin e cilësisë, por të thellojmë të keqen dhe keqësinë.

 Çfarë do të ndodhë nëse qeveria nuk i pranon kushtet e opozitës për zgjedhjet?

Kushtet e opozitës për zgjedhjet do të plotësohen ose zgjedhje pa kushte dhe pa opozitë në këtë vend nuk mund të ketë dhe s’do të ketë. Ka marrë fund njëherë e mire ëndrra e kujtdo për të zhvilluar zgjedhje me gogla apo zgjedhje me një parti politike në fushate. Zgjedhjet do të bëhen sipas standardeve dhe kritereve që përcaktojnë demokracitë perëndimore, vota duhet të shkojë aty ku e mendon qytetari dhe jo ashtu siç e numëron qeveria.

A ka mundësi që PD apo opozita në tërësi të bojkotojë zgjedhjet nëse kushtet nuk plotësohen?

Nuk ka asnjë mundësi bojkoti dhe opozita nuk i bojkoton zgjedhjet, por zgjedhje pa opozitën dhe zgjedhje pa kushte nuk ka dhe nuk do të ketë. Nëse nuk plotësohen kushtet për garë të ndershme dhe zgjedhje të lira atëherë qeveria nuk ka më legjitimitet për të qeverisur. Jemi në kushtet e krijimit të tiranive dhe tiranitë përmbysen. Pushteti iu takon qytetarëve, të cilët me votë e delegojnë te përfaqësuesit e tyre, imponimi që kjo qeveri kërkon t’iu bëjë qytetarëve edhe për votën pasi i ka imponuar gjithçka është autoritarizëm i plotë. Qeveria përcakton kush punësohet, kush arsimohet, kush merr shërbim në spital, kush është ngjyra e preferuar, kush është fasada më e bukur, cila shije duhet të na pëlqejë, cili është gazetari që vlen etj. Nuk mund të përcaktojë dhe ne s’do ta lejojmë të përcaktojë edhe fituesit pa votim.

Çfarë mënyrash të tjera reagimi janë paraparë?

Të gjitha mënyrat dhe mjetet demokratike, për të bërë të mundur thelbin e demokracisë, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Propozime konkrete në komision, kompani që tregojnë se procesi mund të jetë i besueshëm dhe i sigurt për votimin dhe numërimin elektronik, vënie në dijeni të partnerëve strategjikë. Nuk mund të pranohet në tryezën e NATO-s me kryetarët e shteteve më demokratike të botës të ulet një qeveri që në themel të funksionimit të saj ka manipulimin dhe deformimin e vullnetit të zgjedhjeve. Vetëm kjo mënyrë i ka mbetur kësaj qeverie pa asnjë bilanc. Në pamundësi për t’u përballur me qytetarët me alternativë, po tenton të vjedhë zgjedhjet që të shkretojë Shqipërinë.

Kryetari i PD-së Basha, tha se “vendimi i madh do të merret në datë 18 me qytetarët”. Çfarë është ky vendim dhe çfarë mund të dimë për të?

Vendimi i madh që do të merret në protestën paqësore por madhështore sa asnjëherë më parë do të jetë vendim që do ta marrin qytetarët e Shqipërisë nesër dhe do të komunikohet nga kryetari i partisë, Basha. Vendimi i rëndësishëm është marrë nga populli shqiptar, nesër do të komunikohet dhe do të bëhet i ditur.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kur Hosteni i luftonte Presidentët amerikanë me satirë

10 presidentë amerikanë në lenten e fotografit George Tames dhe 10 presidentë...
Read More