Jepet koncesioni i laboratorëve, Kokëdhima shpërthen kundër Ramës

beqaj-qsut-webMinistria e Shëndetësisë shpalli fitues të koncesionit të shërbimit laboratorik konsorcumin mes një kompanie shqiptare me 100 mijë lekë kapital-Labopharma, kompanisë franceze Exalab dhe një kompanie të panjohur holandeze.

Ministria e Shëndetësisë shpalli bashkimin e kompanive Labopharma sh.p.k, Exalab France dhe AB Laboratory Solutions B.V me seli në Holandë fitues të koncesionit të shërbimit laboratorik, vlera e së cilit parashikohet t’i kushtojë rreth 100 milionë dollarë buxhetit të shtetit për 10 vitet e ardhshme.

Njoftimi i publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik tregon se oferta e konsorcumit fitues u përzgjodh mes nëntë konkurrentëve në garë, ndërkohë që vetëm katër prej tyre kishin paraqitur ofertë.

Sipas njoftimit të shpalljes, konsorcumi fitues ofroi 10.70% zbritje nga çmimi i listës së testeve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, përqindja në koncesion ndahet në 41.7 për qind për kompaninë shqiptare Labopharma sh.p.k, 25 për qind për kompaninë franceze Exalab France dhe 33.3 për qind për kompaninë e regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions B.V.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania kryesore fituese “Labopharma sh.p.k” është  themeluar në vitin 2007 me aktivitet në import-eksportin e produkteve farmaceutike dhe zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Janis Karathano.

Ajo ka një kapital të nënshkruar prej 100 mijë lekësh, një total asetesh prej 55.8 milionë lekësh dhe bilanci i fundit i dorëzuar nga QKB tregon se ajo e ka mbyllur vitin 2015 me humbje.

Pas kwtij lajmi reagoi edhe drejtuesi i lëvizjes ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima.

Ai kërkoi anulimin e këtij koncesioni.

“Kryeministri i kaloi edhe një herë caqet e paturpësisë dhe të talljes me popullin tonë. Në momentin kur ai kërcënon me burg çdo qytetar që shkon në manifestimet e opozitës, Rama, pa pikën e turpit dhe në mënyrë antiligjore u dhuron miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi. Unë e denoncoj me rreptësinë më të madhe këtë maskaradë që konsiston të nxjerrësh dhjamë nga shtresat më në nevojë që s’kanë se ku t’i bëjnë analizat veçse në shtet. Edhe në spitale tona shtetërore, aty ku laboratorët e analizave që do mbyllen punësojnë personel mjekësor në shërbim të popullit, kryeministri gjeti mënyrën më të keqe për të bërë para për grupet private të biznesit. Nuk janë vetëm 100 milionë dollarë të popullit që fluturojnë, por janë po ashtu dhe me dhjetëra e qindra gra e burra që punojnë në këta laboratorë publikë që do hidhen në rrugë. Jetët e tyre vlejnë shumë më shumë se fitimet e miqve të Edi Ramës. ZGJIDHJA i thotë stop këtij mercenari të interesave private. Kjo nuk është e majta për të cilën duam të luftojmë dhe për të cilën unë militoj prej vitesh. Kjo nuk është Partia Socialiste që e ndihmova me gjithë forcën e idealeve të mia që të vinte në pushtet në 2013 për t’u vënë në shërbim të njerëzve dhe jo të organizatave fitimprurëse. Kjo është plaçkitje e vendit. Nuk kam tjetër fjalë për të karakterizuar koncesionin e ri të dhënë dje, 100 milionë dollarë për analizat jetike shëndetësore të njerëzve. I gjithë buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk i kalon 30 milionë dollarë. Dhe Rama me një të rënë të lapsit i jep mbi trefishin e kësaj shumë vetëm një kompanie private që e ka kapitalin 100 mijë lekë. Në katër vjet mandat, vetëm në fushën e shëndetësisë ky është koncesioni i katërt shumë milionë dollarësh pas atyre të “check up”-it, të hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Tani Edi Ramës i ka mbetur që të japë me koncesion vetëm komisionet e qendrave të votimit. Këto koncesione po i pijnë gjakun këtij vendi! Përfitoj nga rasti për t’i siguruar personelet e laboratorëve publikë të analizave mjekësore se lëvizja ZGJIDHJA është dhe do të mbetet totalisht në krah të tyre dhe në mbrojtje të laboratorëve që janë dhe do të mbeten pronë e popullit shqiptar. Këta laboratorë do të duhej t’i merrnin ato 100 milionë dollarë që kryeministri do t’ua japë miqve të tij. Me këto para duhej të modernizoheshin dhe mirëadministroheshin laboratorët e shtetit. Por kjo qeveri e mbushur me tutkunë nuk është në gjendje dhe nuk di të zhvillojë dhe menaxhojë pronën publike,” tha Kokëdhima.

Shkruar Nga
More from revista mapo

12 sëmundjet që “kurojnë” brokoli dhe patëllxhani

Brokoli është luftuesi natyror për shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin...
Read More