Jeta tjetër e një shkrimtari



Rreth librit “Letrat e mia kredenciale”, Besnik Mustafaj në një rrëfim me Arta Markun

Nga Alda Bardhyli

“Vogëlush, më pyet ç’është dashuria? Rritu që ta marrësh vesh. Vogëlush, më pyet ç’është lumturia? Rri fëmijë që ta ndiesh…”. Gazetarja Arta Marku zgjedh këto vargje të Xhim Morrisonit për ta çuar shkrimtarin Besnik Mustafaj larg në kohë, për të takuar fëmijën brenda tij. Fëmijëria dhe lumturia është një dyshe e pandarë, por ajo çfarë i ravijëzohet në mëndje shkrimtarit nga ajo kohë, është thjesht fakti që ishte i lumtur. “Babai im ishte shef llogarie i një ndërmarrjeje, pastaj drejtor i bangës. Pra ushqehesha e vishesha më mirë se shumica e moshatarëve të mi…Nuk jam dhunuar kurrë. Në familje, ku jetonim gjyshi, gruaja e parë e gjyshit e cila nuk kishte pasur kurrë fëmijë, gjyshja ime, prindërit dhe dy vëllezërit e mi të vegjël, nuk kam parë kurrën e kurrës sherre. Shkurt fjala, nuk jam rritur aspak me ndjenjën e frikës, të ndrydhjes. Dhe nuk ruaj përshtypjen që në fëmijëri më janë bërë padrejtësi. Çfarë i duhet më shumë se kaq një fëmije për të qenë i lumtur?”

Ai nuk i beson teorisë se një fëmijëri e trazuar e pajis shkrimtarin e ardhshëm me një përvojë më të çmuar se një fëmijëri e lulëzuar. Ai e quan këtë teori një shpikje e biografëve. Por Arta Marku vazhdon të këmbëngulë tek fëmijëria, për të kërkuar ato historitë e fshehta që janë ngulitur thellë në zemër, e në një kohë apo një tjetër shfaqen e marrin jetë, pa arsye, pa shpjegime. Cili është imazhi themeltar i pashlyeshëm që konfigurohet nga tatuazhet e fëmijërisë suaj?, e pyet ajo.

“Do të thosha gjyshi, i cili kishte një mënyrë autentike, një enigmë për mua kjo edhe sot e kësaj dite, për të më bërë të ndjehem i rëndësishëm qysh në moshë të hershme, ndoshta tetë a nëntë vjeç”, thotë Mustafaj. Më tej, në rrëfim ne mësojmë se ai kishte arsyet e veta që e bënin të tregonte një vëmendje të posaçme ndaj tij, që lidhen me vazhdimësinë e pemës së gjakut, e lindja e tij i kishte hapur horizontin.

Dritat e studios së Besnik Mustafajt tani sapo janë ndezur. Ajo hapësirë e madhe nga ku janë konfiguruar dhjetëra personazhe që në debutimin e tij të parë në letërsi më vitin 1978-të me librin “Motive të gëzuara”, vjen e hapet dalëngadalë, duke nxjerrë nga sënduku i kujtesës njerëz e ngjarje, në këtë rrugëtim në gjatë. E ulur në një cep të kësaj studioje imagjinare, Arta Marku ka dhjetëra pyetje. Ajo do të dijë gjithçka që i jep kuptim portretit të një shkrimtari, dilemave dhe letërsisë së tij. Ajo do ta lëndojë për të mbërritur tek përgjigjet e duhura, por ai nuk ka frikë nga lëndimet. E gjithë letërsia është një lëndim. Cila është nëna juaj…përballë jush, por edhe figura e saj në familje gjithashtu?, pyet ajo.

“Ajo nuk ka pasur kurrë ndonjë bukuri femërore të spikatur. Vishej thjesht, me tesha qyteti, kuptohet por që i blinte zakonisht të gatshme. Nga tradita ruante vetëm shaminë e bardhë në kokë, që nuk e hoqi as në rini e as në pleqëri. Kur janë martuar prindërit e mi , ajo ishte analfabete. Në fshatin e saj të lindjes nuk ka pasur kurrë shkollë. Shkrim e këmbim ajo ka mësuar më vonë, në shkollë nate, kur edhe unë shkoja tashmë në shkollë. Uleshim bashkë pasditeve për të bërë detyrat. Ajo punonte pastruese në hotelin e qytetit. Babai im e ka trajtuar gjithmonë me respektin më të madh duke njohur faktin që ajo ishte një zonjë e mrekullueshme shtëpia i dha asaj qysh në fillim vendin qendror në familje…Por nuk besoj që ata të dy kishin një komunikim bisedimor shumë intim gjë që ishte brenda traditës së një çifti malësor…”, tregon Mustafaj. Në këtë rrëfim të sinqertë ai kujton dëshirën e saj të përhershme dhe të pa përmbushur për të folur për veten, dhe gjurmën që ka lënë në imagjinatën e tij kjo dëshirë. Ndoshta se ishte i pari ndër fëmijët e saj, apo ndoshta se ishte dëgjues i mirë ajo kishte zgjedhur atë për të rrëfyer jetën e saj. E nuk lodhej së treguari për fëmijërinë e saj jetime. Nuk i kujtohet ti jepte ndonjë rëndësi në këto tregime varfërisë apo vështirësive materiale, por mungesa e dashurisë prindërore e kishte shënuar me hekur të skuqur. Rrëfimet e saj ishin një lloj letërsie, thënë me gjuhën e thjeshtë të një gruaje, që me intiutë e ndjente se dashuria ishte ajo që kishte kuptim. Si në libra.

Historia e letërsisë shqipe është ndoshta ndër më të varfrat përsa i përket biografive të shkrimtarëve, rrëfimeve të tyre intime, apo studimeve mbi personazhet që e bënë atë. Për vetë sistemin ku u ndërtua kjo letërsi soc-realimi, studimet tona letrare nuk mundën ti jepnin asaj jetën tjetër, atë që e bën më të bukur e tërheqëse jetën letrare. Në këtë kontekst botimi i librit “Letrat e mia kredenciale” një rrëfim i gjatë i shkrimtarit Besnik Mustafaj me Arta Markun botimet “Toena”, merr një dimension të dyfishtë. Përtej vlerës së këtij rrëfimi në konteksin e njohjes më të thellë të jetës dhe veprës së Mustafajt, Marku jep një kontribut në ngritjen e një modeli të munguar, duke nisur kështu hapjen e një kolane që duhet të mbushet me botime të tjera mbi rrugëtimin e letrave shqipe. Dialogu mes Markut dhe Mustafajt është një ndër dialogjet më interesante dhe në kontekstin historik, pasi Mustafaj nuk është vetëm shkrimtari por dhe një personazh i angazhuar në historinë e Shqipërisë politike të tre dekadave të fundit. Rrugëtimi i tij është i ngjashëm me rrugëtime që intelektualë në vende me histori të trazuara kanë bërë, duke e parë artin si një gjuhë me komunikime të shumëfishta.

Por ky komunikim është dhe një arkivë e çmuar, duke njohur dimensione njerëzore të personazheve që bënë historinë tonë letrare. Një prej tyre është dhe shqipëruesi Perikli Jorgoni. “Figura e Perikli Jorgonit nuk ka asgjë të ngjashme me atë të një censori. Ai ishte një ndër burrat më të ditur të Tiranës. Ndoshta ky ishte problemi i tij kryesor në lidhje me mua . Me njohjen që kam krijuar më vonë me të, jam i bindur se ai nuk pëlqente asgjë nga vjershat e mia. Dhe me të drejtë. Por ai ndoshta nuk pëlqente asgjë në krejt poezinë shqipe të pasluftës”, i përgjigjet Mustafaj pyetjes mbi procesin e përgatitjes së librit të parë. Tharmin e një poeti tek Mustafaj do ta ndjente për herë të parë Xhevahir Spahiu dhe Agim Isaku. “Ata kishin parë në vargjet e mia tharmin e një poeti, i cili edhe pse nuk kishte çelur ende, duhej inkurajuar për të çelur”, kujton ai.

Nga poeti i “Motiveve të gëzuara” ai do të ishte më pas shkrimtari, që me historinë e Bardhyl Hutës do ti jepte letërsisë shqipe një dhomë të pazakontë burgu, të ngjashme me një dhomë dashurie tek “Një sagë e vogël”, për të vijuar më pas me histori të tjera që kanë mbetur në memorien e lexuesit dhe kritikës.

E Mustafaj hap në këtë rrëfim gjithë kanatet e mbyllura të studios, për të treguar se sa tragjike është për një shkrimtar shprehja: ”nuk kam kohë të shkruaj”. Ai mund të jetë tashmë gjithçka tjetër, veç jo shkrimtar, do të shprehej Hemingway.
Ndaj një mesditë ai i dha fund angazhimit të tij politik, për tu kthyer me kohë të plotë tek tryeza e ndodhur në këtë studio, duke iu rikthyer dëshirës së tij të përjetshme, shkrimit.

263 faqet e librit “Letrat e mia kredenciale” nuk janë vetëm një ftesë për në studion e shkrimtarit Besnik Mustafaj, por një ftesë për të zbuluar botën e pafundme të padukshme të letërsisë së një vendi, përmes ngjarjeve dhe njerëzve që e bëjnë shkrimtarin. Në çdo rrugëtim ne nuk jemi vetëm. I vetëm është vetëm procesi i të shkruarit, përmes dritës që flakëron të një abazhuri në një dhomë. Por asnjë rrugëtim nuk është i plotë pa qenë i lirë. Si është liria e ëndërruar? Si është liria zhgjëndërr?, pyet Arta Marku. “Liria në zhgjëndërr është, në njëfarë mënyre, një ëndërr e re, po aq e mrekullueshme, e pakëmbyeshme me asgjë tjetër. Por në ëndrrën e re shfaqen megjithatë, pafuqitë e lirisë, që nuk ishin në ëndrrën e parë. Që do të thotë se bashkë me mrekullimin, në këtë ëndërr të re unë kam gjithë kohën, ca ankthe e ca dëshpërime, që nuk i kisha në ëndrrën e parë, atëherë kur kjo ëndërr i përkiste botës së të parealizueshmes, pra ishte një ëndërr që më pëlqente shumë, por nuk më ngjallte ndonjë shpresë”.

”E vërteta është e çuditshme, më e çuditshme se trillimi”. Më këtë shprehje të Xhorxh Bajronit në hyrje të këtij rrëfimi Arta Marku ka arritur të bëjë një ndër bisedat më të bukura letrare, duke shpalosur kulturë e ndjeshmëri në mënyrën sesi depërton në dhomat shpesh të mbyllura të kujtesës së një shkrimtari.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kontradiksioni i raportit të ministrave teknikë

Nga Ervis Iljazaj Ministrat teknikë dhanë më në fund dorëheqjen duke justifikuar...
Read More