Jo partisë së strukturave, po partisë së liderit

Nga Ervis Iljazaj

Astrit Patozi në vazhdimin e betejës së tij kundër Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike, të cilin e konsideron si uzurpatorin e partisë, ka bërë të ditur disa propozime për reformimin e Statutit të saj.

Në thelb propozimet kishin si synim përfshirjen e vendimmarrjes të sa më shumë organeve të partisë, si dhe procedura të mirëfillta për to. Disa prej tyre ishin të vlefshme, ndërsa disa të tjera ishin “old fashion”. Nuk është rasti për t’i përmendur të gjitha ato propozime, por nga ato të jepet ideja e një partie politike të Shekullit të kaluar.

Një parti e tillë, e cila bazohet te strukturat e shumta dhe te një vendimmarrje gjithëpërfshirëse të tyre ka qenë tipike e partive politike të masave të mbas Luftës së Dytë Botërore.

Tashmë, partitë politike, për shkak të ndryshimeve kulturore, shoqërore dhe mbi të gjitha, për shkak të evolucionit mediatik janë të një tipologjie tjetër. Dhe këtyre ndryshimeve duhet t’i përshtatet dhe Statuti i një partie nëse kërkon të jetë fituese në tregun politik. Në të kundërt procedurat e brendshme do të kthehen në një qëllim në vetvete dhe jo një instrument për ta bërë atë fituese.

Strukturat e mëdha partiake, kishin kuptim kur gara politike bëhej midis programeve politike të detajuara, ku të gjitha ato struktura shërbenin për përpilimin dhe hartimin e politikave të caktuara si dhe, për komunikimin midis anëtarësisë dhe lidershipit politik. Tashmë strukturat partiake nuk kryejnë asnjë nga funksionet e sipërpërmendura. Sepse gara politike në politikën e sotme bëhet midis figurave politike dhe personazheve dhe jo mbi programet. Ndërsa për funksionin e dytë, me zhvillimin e mjeteve të komunikimit, strukturat nuk kanë asnjë rëndësi.

Është e vërtetë, ka një personalizim të jetës partiake në Shqipëri, por ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Kjo po karakterizon funksionimin e partive edhe përtej vendit tonë, aq sa drejtuesit e saj nuk quhen më kryetarë, por liderë. Pra, si të thuash kemi të bëjmë me një liderizim të politikës me të gjitha elementet që ai nënkupton. Po ashtu merita dhe përgjegjësia për çdo aksion politik bie mbi të. Ky është një diskutim tjetër. Pa dyshim që në Statutin e një partie duhet të theksohet përgjegjësia politike e një lideri politik, ashtu siç theksohen kompetencat e tij.

Tashmë, po ndodh një fenomen që politologët e quajnë demokraci plebishitare. Në momentin që lideri i partisë zgjidhet me ‘një anëtar-një votë’, i fortë me mbështetjen e anëtarësisë, anashkalon të gjitha strukturat e partisë. Gjithashtu, sot, ndryshe nga dekada më parë, funksionet e partive janë të shumta. Në këtë mënyrë kanë nevojë për një katalizator dhe një vendimmarrje të përqendruar për të kontrolluar të gjitha aktivitetet. Këtë e bëjnë nëpërmjet liderit, i cili i fortë më mbështetjen popullore nuk ka nevojë për legjitimitetin e strukturave për vendimmarrjet politike.

Në transformimin e partive politike dhe personalizimin e tyre, padyshim ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe evolucioni mediatik. Me zhvillimin e mjeteve të komunikimit dhe, sidomos me anë të rrjeteve sociale ka një komunikim direkt të liderit dhe popullit, duke zbehur kështu, rolin e strukturave partiake. Në fund të fundit, strukturat e ndryshme të partisë, kanë shërbyer si një lloj ndërmjetësimi midis anëtarësisë dhe drejtuesve. Ndërmjetësim, i cili nuk është më kaq i domosdoshëm me zhvillimin e mjeteve të komunikimit.

Kështu që në betejën e ashpër të komunikimit politik, të ndërtosh një parti që parashikon struktura pafund dhe vendimmarrje të ngadaltë, vetëm sa e bën atë joefikase në garën politike. Demokracia e brendshme e partive politike është e rëndësishme, por, po aq e rëndësishme është përshtatja me shoqërinë ku jetojmë sot. Në të kundërt ngelesh mbrapa hapit të shoqërisë. Demokracia është përfaqësim, por, mbi të gjitha, është dhe vendimmarrje, e shpejtë dhe efikase.

Problemi i vërtetë i politikës shqiptare nuk është demokracia e strukturave të brendshme të partive, por i politizimit të shtetit. Ndarja e institucioneve të pavarura nga politika është zgjidhja e të gjitha problemeve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vapa: Kujdesi për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët

Qindra raste në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore, teksa doktor Skënder Brataj apelon...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.