Jo thjesht një takim Basha-Rama, por proces bisedimesh mes tyre

Nga Ndriçim Kulla*

Kur u bë takimi mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës qershorin e kaluar, unë në një analizë të botuar në të përditshmen “Mapo” (8 qershor 2016), tërhoqa vëmendjen për gabimin që po bëhej duke u menduar sikur gjithçka duhej të zgjidhej me një takim të vetëm mes dy liderëve. E quaj të nevojshme të citoj nga ky shkrim i imi si më poshtë:

“Historia e politikës botërore na mëson se në marrëdhëniet mes liderëve rivalë, qoftë brenda të njëjtit vend, qoftë të vendeve të ndryshme, arritjet serioze vijnë vetëm kur një takim iu hap rrugën bisedimeve, pra një serie takimesh, jo në limitet e një takimi. Kështu që mund të thuhet se takimi i të dyve iu hapi rrugën bisedimeve, domethënë një serie takimesh mes tyre”.

Fatkeqësisht, takimi Basha-Rama vitin e kaluar nuk u konceptua kështu dhe kjo për faj të negociatorit kryesor, një ambasadori të huaj, i cili kërkonte rezultate të shpejta para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale në vendin e tij, për shkak se Administrata e kaluar presidenciale në vendin e tij kishte presion për këtë çështje nga një donator i rëndësishëm privat që e kishin zënë ethet anti-Trump dhe që mbështeste kryeministrin Rama. Dhe ndodhi ajo që ndodhi, u miratua me shpejtësi paketa e ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, pa u bërë një paketë që do të përfshinte edhe garancitë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për arsye të një negocimi të konceptuar keq nga ndërkombëtarët që bënin rolin e ndërmjetësit mes Bashës dhe Ramës, ja ku jemi sot, dhjetë muaj më vonë, në një tjetër takim Basha-Rama, me negociatorë ndërkombëtarë, dhe nga ky takim duhet të dalin zgjidhje për një problematikë pjesa më e madhe e së cilës duhet të ishte ezauruar në procesin e bisedimeve mes tyre që duhet të ishte mbajtur vitin e kaluar dhe që nuk duhej kufizuar në miratimin e paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi.

Negociatori i tanishëm z. McAllister, vjen nga një vend i cili gjithashtu ka zgjedhje këtë vit dhe ku qeveria do të donte të paraqiste në listën e sukseseve edhe zgjidhjen e një krize në Ballkan, duke ruajtur stabilitetin e tij. Të mos harrojmë që votuesi gjerman është i shqetësuar për stabilitetin në Ballkan, si zona nga ku vijnë refugjatët në Gjermani, si ballkanikë ashtu edhe nga Lindja e Mesme. Shkurt, z. McAllister duhet të pranojë realitetin se në Shqipëri nuk mund të mbahen zgjedhje para atyre në vendin e tij. Zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të mbahen para nëntorit, për arsye të problematikës që duhet zgjidhur që të garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Për këtë shkak, z. McAllister duhet ta shikojë takimin Rama-Basha si pikënisjen e një procesi bisedimesh mes tyre, të negociuar prej tij. Në shkrimin e lartpërmendur, vitin e kaluar, kam thënë:

“Problematika që duhet të zgjidhë Rama dhe Basha, përbën një proces që nuk mund të jetë një sprint, një vrapim në distancën 100 metra, por një maratonë. Midis takimit të parë dhe pikës së konsensusit ka një distancë të madhe, tek e cila për të arritur, herë do të vrapohet, herë do të ecet, por do të ketë dhe ndalesa reflektimi, madje edhe ndonjë ngërç. Kjo nuk do të thotë se këto bisedime do të vazhdojnë me vite, por ato kërkojnë disa muaj, duke pasur arritje graduale hap pas hapi dhe takim pas takimi. Kush rri me kronometër në dorë i nervozuar duke bërë presion që të përshkohet si vrapim në distancën 100 metra, me sprint, ajo që në fakt është një maratonë, qoftë ky edhe arbitër ndërkombëtar, nuk është konstruktiv dhe herët a vonë do të detyrohet të pranojë realitetin shqiptar”.

Pas dhjetë muajsh, ndërkombëtarët u detyruan të pranojnë realitetin shqiptar, duke negociuar një takim tjetër Basha-Rama. Këtë radhë nuk duhet të përsëriten gabimet e vitit të kaluar.

Negociatori ndërkombëtar duhet t’i marrë gjërat me qetësi dhe durim. Le të tregohet në negociatat mes Bashës dhe Ramës, minimum i durimit që është treguar nga ndërkombëtarët mes Zaevit dhe Gruevskit në Maqedoni. Me këtë nuk dua të them se negociatat mes Bashës dhe Ramës janë të një natyre si ato mes Zaevit dhe Gruevskit, dhe se duhet të zgjatin aq shumë. Në rastin e Shqipërisë, nëse arrihet qeveria teknike, pjesa tjetër e procesit thjeshtohet shumë. Por negociatat do të kërkojnë kohën e tyre edhe këtu.

Nuk do të jetë ndonjë tragjedi nëse do të negociohet deri në korrik dhe pastaj të bëhen ndryshimet përkatëse ligjore për reformën zgjedhore, të krijohet qeveria teknike, ndonëse si shenjë e vullnetit të mirë ndaj ndërkombëtarëve, opozita mund ta votojë edhe më parë vettingun, por gjithmonë kundrejt një garancie të fortë prej faktorit ndërkombëtarë. Meqenëse nuk mund të ketë fushatë zgjedhore në gusht, dhe duhet kohë për procesin zgjedhor që nga ndërtimi i komisioneve të ZAZ, atëherë fillimi i nëntorit është koha më e përshtatshme që të bëhen zgjedhjet. Le ta ndërrojmë një herë sezonin e zgjedhjeve se ndoshta vapa ka patur pasojat e veta në zgjedhjet e mbajtura në verë!

           *publicist

Shkruar Nga
More from revista mapo

90 vjet nga lindja, Gjoka: Trebeshinën vazhdon ta ndjekë e kaluara

[caption id="attachment_368705" align="alignleft" width="200"] Kasëm Trebeshina (b. 1926), Albanian writer[/caption] Një debat...
Read More