Jo vetëm listat për deputetë, por edhe qeveria hije duhet të shpallet paraprakisht

Nga Ervis Iljazaj

Orët që paraprijnë shpalljen e listave të kandidatëve priten me një ankth i cili zapton gjithë interesin e mediave, por edhe të vetë anëtarësisë së gjerë të partive politike. Si zakonisht, edhe kësaj herë nuk mungoi momenti i orës të fundit për të bërë të ditur emrat e përfaqësuesve të mundshëm të cilët do të votojnë dhe aprovojnë ligje që prekin jetën e çdokujt nga ne.

Një traditë e cila vështirë se e gjen në ndonjë vend tjetër dhe që është kthyer në një nga praktikat më të shëmtuara të politikës shqiptare. Ndoshta arsyet e mirëfillta politike për të mbajtur të mobilizuar të gjitha forcat brenda tyre kanë sjellë këtë huq prej të cilit nuk po shpëtojmë dot.

Por ky nuk është një argument i mjaftueshëm për të justifikuar errësirën e përgjithshme që ekziston përpara shpalljes së listave të kandidatëve për deputet. Nëse duam të kemi një garë normale demokratike ku alternativat janë të qarta dhe transparente, patjetër që është e rëndësishme të dihen emrat dhe ekipet që do të vënë në jetë këto alternativa.

Ka disa vende, ku jo vetëm emrat e kandidatëve dihen paraprakisht, por paraqitja e ekipit alternativ për qeverisjen e vendit shkon deri në shpalljen e emrave të ministrave që konkurrojnë me mazhorancën e momentit. Mjafton të përmendim këtu Britaninë e Madhe ku ekziston ajo që quhet Shadoë Cabinet (qeveria në hije). E thënë me fjalë të thjeshta, ekziston qeveria në fuqi, por qytetarët dinë dhe qeverinë e mundshme opozitare nëse do të vijë në pushtet. Kjo i bën më të qartë dhe në mënyrën se si votojnë. Paqartësia e përgjithshme që ekziston këtu te ne, ka sjellë një politikë spontane dhe aspak vizionare. Një politikë e cila mendon në momentin e fundit. Ndërkohë që politika është një prodhim njerëzish dhe idesh në mënyrë konstante dhe të qartë.

Kur Jeremy Corbin i paraqiti qytetarëve britanikë qeverinë e tij, në hije kishte një vëmendje të mediave, a thua sikur Corbyn ishte Kryeministër. Ndërkohë që, duhet të presë deri në vitin 2020 për të marrë atë post. Gjithmonë nëse fiton.

Fakti është që politika në Britaninë e madhe ose në vende të tjera që ndjekin praktika të tilla, politika bëhet ndryshe ose më saktë në mënyrë serioze. Njerëzit e kanë të qartë se cili është programi dhe njerëzit që do ta zbatojnë atë që kur një parti ndodhet në opozitë. Në këtë mënyrë ka një lojë demokratike të konsoliduar.

Për çfarë alternativash politike mund të flasim në Shqipëri kur listat e deputetëve shpallen në momentin e fundit, për mos të folur për emrat e ministrave?!

Sigurisht që vonesa e shpalljes së ekipit drejtues të Parlamentit apo të qeverisë, të bën të mendosh që programet politike që paraqesin gjatë fushatës nuk kanë patur aspak rëndësinë dhe përgjegjësinë e duhur. Ka nga ato raste ku partitë premtojnë të taksojnë pak dhe të shpenzojnë shumë. Duke mos treguar në asnjë moment se si do të bëhen të mundura politika të tilla kontradiktore.

Në këtë kuptim vihet në dyshim edhe serioziteti dhe mundësitë reale të zbatimit të tyre. Tashmë jemi mësuar me programet politike të cilat nuk kanë asnjë llogaritje kosto-benefite apo studimet konkrete të cilat do t’i bënin ato të besueshme. Dhe një nga arsyet kryesore, ndër të tjera, është dhe paqartësia që kanë liderët e partive për ekipin e tyre. Një ekip i cili nëse shpallej dhe i bëhej i ditur publikut kohë më parë se sa momentet e fundit, do të krijonte një kohezion dhe besueshmëri në të gjitha alternativat që janë në tregun politik.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Grupi i PS debat për plehrat, Shalsi: Nuk lejohet importi për djegie

Çështja e projektligjit të importit të mbetjeve i paraqitur nga tre deputetë...
Read More