Jo vetëm plazh! 15 gjëra që mund të bëni në Lezhë gjatë pushimeve

Qarku i Lezhës me pozitën e favorshme gjeografike, me burimet natyrore turistike dhe me numrin e madh të objekteve historike dhe arkeologjike, ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit.

 

Në këtë qark ndodhen 34 monumente natyre dhe 21 objekte kulti,muzeale,arkeologjike dhe historike. Turizmi përbën degën më me shpresë për zhvillimin ekonomik të rajonit tonë.

Pastërtia ekologjike e mjedisit tokësor, ujor e ajror, prania floristike me pyje, lëndina e livadhe, fauna e shumëllojshme, klima e përshtatshme e të tjerë faktorë, tregojnë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për zhvillimin e një turizmi bashkëkohor dhe të qëndrueshëm me të gjitha llojet e pasurive turistike: detare, lagunore e luginore (luginat e lumenjve) e ndër të tjera turizëm malor. Lezha është vendi ideal ku mund t’i bësh të tëra, në një vend të vetëm.

1.Peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin.

2.Vrojtim zogjsh në lagunat e Kune–Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tre kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.

3.Të eksplorosh lagunat e Kune–Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse si dhe mund të organizoni piknik. Sigurisht që dreka apo darka do të jetë një surprizë më shumë e këtyre pushimeve.

4.Të vizitosh “Hotelin e Gjuetisë”, rezidencën e ndërtuar nga Konti Çiano dhe e kthyer në rezidencën kryesore të udhëheqjes në diktaturë. Historia, pamja dhe ambienti janë arsye se përse kjo zonë është e pëlqyeshme edhe sot nga vizitorët.

5.Të udhëtosh me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë. Do të mahniteni nga veçoria e këtij bregdeti të Adriatikut, si dhe mund të ndjeni sikur i gjithë plazhi ju përket juve.

6.Të vizitosh asetin më të rëndësishëm që ka Shqipëria, vendvarrimin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

7.Të vizitosh kalanë e qytetit, ku veç historisë do të të mundësohet një peisazh mahnitës që depërton thellë në det, por duke soditur lumin, lagunat, fushat, malet dhe krejt qytetin.

8.Mund të vizitoni objektet e shumta të kultit, të cilat përveç vlerave religjioze kanë edhe vlera arkitektonike dhe historike. Disa prej tyre janë unike. (Katedralja e Shën Nikollit në qendër të Lezhës, Xhamia e qytetit, kisha Kisha Ortodokse Metamorfoza në hyrje të qytetit, Teqeja N’Sulti në Malësi të Lezhës, kisha e Shën Eufemisë në Kallmet, kisha e Shën Premtes Balldre, kisha e Shën Barbaras Pllanë, kisha e Zojës Nunciatë themeluar nga Shën Françesku i Asizit, kisha e Martirëve Blinisht etj.)

9.Hiking (ngjitje në mal) në malin e Rrencit (Shëngjin) apo në malin e Velës, që do t’u mundësojnë gjatë gjithë rrugës peizazhin natyror që përshkohet nga kaltërsia e detit si dhe histori të jashtëzakonshme.

10.Provo kuzhinën vendase. Kulinaria mbetet veçoria e Lezhës turistike. Në Shëngjin, Ishull Lezhë, Zadrimë apo në qytetin e Lezhës do të shijoni pjata të veçanta që do t’u bëjnë të riktheheni sërish.

11.Udhëto drejt bregdetit të Tales, për të ndjerë privatësi ndërsa shijon freskinë e detit.

12.Vizito punishtet e artizantit “Artistike Zadrima” që ndodhet pranë shkollës së Rogacionistëve në lagjen Besëlidhja, aty ku prodhohet me tezgjah dhe prodhimet e saj janë kryesisht për eksport.

13.Vizito fabrikën e prodhimit artizanal të sapunit në qendër të fshatit Blinisht. Janë produkte kurative për lëkurën.

14.Vizito poçerinë “Zadrim Art” në fshatin Krajën. Aty ku prodhohet ende me dorë dhe i jepet vlerë traditës së zonës.

15.Lundro mes për mes qytetit nëpërmjet lumit Drin. Ky lum përshkon Lezhën në një gjatësi 10 km është shumë i rëndësishëm pasi përdoret edhe për peshkim duke qenë pjesë e rëndësishme e ekonomive familjare të zonës nga ku kalon.

Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi, e shtunë 22 korrik 2017

Dashi Nëse jeni në çift duhet të mos abuzoni me kokëfortësinë. Nëse...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *