Jo vetëm Xhaka e Shaqiri, gjoba e FIFA-s ishte më e madhe për Serbinë. Ja kush e mbrojti ‘Shqiponjën’ te FIFA

 

E gjithë vëmendja një ditë më parë u përqendrua te Xhaka e Shaqiri, të cilët u dënuan vetëm me gjobë me nga 10 mijë franga zvicerane, por FIFA gjobiti edhe Serbinë, madje edhe më rëndë.

Në një vendim të ndarë, Federata serbe u gjobit me 54 mijë franga zvicerane për incidentet e shkaktuara nga tifozët e saj në ndeshjen pikërisht ndaj skuadrës së Zvicrës.

Serbia është dënuar për “shfaqjen e banderolave dhe mesazheve diskriminuese nga fansat si dhe gjuajtjen e objekteve gjatë ndeshjes”, ka bërë të ditur FIFA.

Po ashtu, edhe pas takimit të parë, Serbia u gjobit me 10 mijë franga për sjelljet e tifozëve.

Kur u dha vendimi për tre futbollistët e Zvicrës, të cilët bënë simbolin e shqiponjës gjatë ndeshjes me Serbinë, pati një çlirim tek të gjithë tifozët.

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Lichtsteiner u dënuan vetëm me gjobë, por pa ndeshje pezullim, çka do ishte e tmerrshme për ekipin zviceran.

E gjithë procedura hetimore u zhvillua në sekret të plotë, shkruan gazeta e njohur zvicerane, Blick.

Sipas saj, edhe vendimi i marrë është shumë i paqartë, pasi pritej që të saktësonte disa gjëra sa i përket simboleve në stadium.

“FIFA e zgjidhi gjithçka ashtu siç di ajo, me para,” shkruan gazeta, duke iu referuar gjobave.

E meqë jemi tek vendi i parave, tek Zvicra, të shumtë ishin ata komentues që thanë se do ishte vështirë që FIFA të ndëshkonte Zvicrën.

Nuk është habi, pasi avokat i futbollistëve shqiptarë ishte Claudio Sulser.

Zvicerani e ka drejtuar deri në vitin 2016 vetë Komisionin Disiplinor të FIFA-s.

Pasi FIFA dha vendimin për futbollistët e Zvicrës, Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner, duke i dënuar dy të parët me rreth 10 mijë dollarë dhe të tretin me 5 mijë dollarë, ka ardhur reagimi i shqiptarëve.

Kosovari Rilind Reka ka thirrur një aksion për donacione që të paguhen gjobat e tre futbollistëve.

Menjëherë paratë kanë vërshuar në llogari.

Po kush është 34-vjeçari shqiptar, që jeton në Nju Jork dhe punon në Uoll Strit dhe përse e ndërmori këtë nismë?

“Ideja më lindi në mënyrë spontane nga emocionet. Isha ulur në zyrë kur dëgjova për vendimin e FIFA-s. Nuk më dukej normale që një futbollist të dënohet për një gjest përshëndetës,” thotë ai për gazetën Blick.

Reka e shpërndau njoftimin në Facebook dhe më pas nisi të telefononte miqtë e tij.

Ai thotë se nuk e kishte menduar se nisma do kishte kaq shumë sukses.

“Çekun e kam gati,” qesh ai.

Reka thotë se do kishte dëshirë që paratë t’ua jepte vetë futbollistëve, të cilët më pas mund t’i dërgojnë për ndonjë fondacion bamirësie.

Ai thotë se është tifoz i Zvicrës sepse luajnë shqiptarët, por edhe sepse kanë treguar se kanë shpirt skuadre.

“Uroj që të dalin kampion bote. Titulli është në lojë për ta,” thotë Reka.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se i uron sukses ekipit të Zvicrës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Eleni Foureira, Shqiptarja që përfaqëson Qipron ndez skenën e Eurovizion

  Shqiptarja që përfaqëson Qipron, Eleni Foureira, ka ndezur skenën e Eurovisionit...
Read More