Julian Zyla, Basha rilind



Julian-Zyla

Duket i çliruar. Ka hequr kravatën, si në kohë fushate. I dëgjon njerëzit me durim dhe u qan hallet. Shumicën e kohës, u flet fermerëve, tregtarëve apo të papunëve, qetë dhe me një të folur e sjellje autentike, që nuk na kujton asnjë pararendës nëpër mitingje. Duket i rilindur. Por, a mjafton?

Rilindja e imazhit të Lulzim Bashës është për Partinë Demokratike jo vetëm një lajm i mirë, por i rëndësishëm. Kjo për arsye se dy partitë më të mëdha shqiptare kanë zgjedhur komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit si fushë-beteje. Nëse ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, mund t’ia lejonte vetes të fliste me terma e koncepte që një pjesë e elektoratit mund të mos i kuptonte, ky do të ishte një gabim tepër i kushtueshëm për kryetarët e tanishëm Basha e Rama. Ata kanë zgjedhur si parësor komunikimin, e jo organizimin.

Në këtë këndvështrim, takimet e ditëve të fundit të zotit Basha me elektoratin janë politikisht frytdhënëse për dy arsye. Të parën e thamë: imazhi pozitiv që udhëheqësi i PD-së po arrin të projektojë nga jugu i Shqipërisë. Arsyeja e dytë është fakti që ndërkohë që Rama sjell mesazhe nga amerikanët, duke legjitimuar deklaratat që do të vijojnë për Reformën në Drejtësi, Basha po sjell mesazhe nga shqiptarët. Sfida, për të, do të jetë se si do t’i komunikojë këto mesazhe.

Po të gjykojmë nga dy sloganet “Protestë, Rezistencë, Përballje” dhe “Shqipëria ngrihet,” duket se komunikimi me emocion nuk është pikë e fortë në PD. Këto nuk janë mesazhe nga shqiptarët, por nga PD për shqiptarët. Këto slogane, që do të ishin shumë të efektshme në kohë protestash masive, kur protestat mbarojnë e bëjnë selinë e Partisë Demokratike të duket si një sallë, ku pas festës, është harruar të hiqet parulla “Gëzuar Ditëlindjen”.

Slogani është vetëm një detaj. Ajo që i nevojitet opozitës për të rilindur plotësisht, të paktën sa i takon komunikimit, është një mesazh politik i thjeshtë e konsistent. Cilat fjalë janë të thjeshta? Ato që zotit Basha po ia japin njerëzit nëpër takime. Ato fjalë që z. Basha po i poston gjerësisht në Facebook, edhe pse mediat sociale nuk janë mediume për tekste të gjata.

Megjithatë, imazhi i ri i kryetarit të Partisë Demokratike ditët e fundit është një hap drejt një identiteti politik që mund të ishte i efektshëm: Basha është pranë njerëzve! Në fakt, të vetmet mesazhe që do të mund të kishin sukses si një lloj “proteste, rezistence e përballje” ndaj shumicës me “municione” amerikane janë pikërisht mesazhet e shqiptarëve të pakënaqur.

Por, duhet pasur kujdes. Sa të pakënaqur janë ata? A po ngrihet vërtet Shqipëria? A do të jenë shqiptarët që do të kërkojnë tubime masive apo opozita? Partia Demokratike duhet të flasë për ato që u duhen njerëzve e jo për çfarë i duhet asaj. Basha, i rilindur, dhe partia e tij, kanë dy mundësi: Ose të bërtasin “Shqipëria Ngrihet”, ose, me durim, të frymëzojnë që njerëzit të binden se dikush po i dëgjon. Ku i dihet, mbase ngrihen vërtet.

*Ekspert i komunikimit politik.

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi ditor, e dielë 15 prill 2018

Dashi Dite përgjithësisht e qete kjo e sotmja për te dashuruarit. Duhet...
Read More