Junior Achievement of Albania dhe UET, trajnojnë mësuesit e ekonomisë në 350 gjimnaze të të gjithë vendit

Një cikël trajnimesh për mësuesit e lëndës së ekonomisë së të gjitha shkollave të Mesme të Shqipërisë. Është ky projekti që po zbatohet nga Junior Achievement of Albania dhe Universiteti Europian i Tiranës. Drejtoresha e JAA, Suela Bala shpjegon synimin e këtij trajnimi, për të rritur kapacitetet e mësuesve me zotërimin e koncepteve themelore të ekonomisë si shkencë, si edhe aplikimin e tyre në praktikën institucionale

Do të doja të dija diçka më shumë rreth këtij projekti, ku ju trajnoni mësuesit e lëndës së ekonomisë së shkollave të mesme. Ku konsiston trajnimi? A janë të përfshirë vetëm mësuesit e lëndës së ekonomisë?

Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve (MASR), Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe organizatës Junior Achievement of Albania (JAA), ka filluar raundi i pare trajnimeve rajonale për mësuesit e kl. 12 të cilët pritet të jenë mësimdhënës të lëndës së ekonomisë në shkollat e mesme të përgjithshme. Në trajnim janë ftuar mësues të shkollave të mesme të përgjithshme publike si dhe ato private, këto të fundit të anëtarësuara në rrjetin e JAA.

Trajnimi ka si synim të rrisë kapacitetet e mësuesve në shkallë vendi, sa lidhet me zotërimin e koncepteve themelore të ekonomisë si shkencë, si edhe aplikimin e tyre në praktikën institucionale, sipërmarrëse apo individuale, me qëllim lehtësimin e përçimit të njohurive dhe përshtatjen e nxënësve të klasës së 12-të me kurrikulën e re të lëndës së “Ekonomisë“.

Përmbajtja e trajnimit, cili zhvillohet në dy ditë të plota, përfshin modulet e poshtëpërmendura:

Koncepte themelore ekonomike; Koncepte, njohuri dhe parime bazë të sipërmarrjes dhe të menaxhimit; Etika e Biznesit; Aftësi për sukses; Financat personale; Bëhu sipërmarrës.

Kurrikula e trajnimit e ndërtuar në këtë mënyrë, u mundëson mësuesve që të njihen më konceptet themelore të ekonomisë së tregut, si dhe parimet bazë të sipërmarrjes dhe menaxhimit, për t’u lehtësuar më pas të kuptuarit dhe zbatimin e katër moduleve të JA, të përfshira në kurrikulën bazë të lëndës së ekonomisë, në kl. 12, por jo vetëm.

Me çfarë pajisen ata në fund të këtij trajnimi? Është një lloj përditësimi i dijeve ekonomike të kohës apo diçka më shumë?

Në fund të trajnimit, mësuesit pjesëmarrës janë pajisur me certifikata pjesëmarrjeje, për 3 kredite të fituara gjatë këtij kursi trajnimi, përkatësisht për modulet Etika e Biznesit, Aftësi për sukses dhe Bëhu sipërmarrës, të akredituara nga MASR me shkresë nr. Prot. 86/36 dt. 19.12.2017.

Kur ka nisur dhe sa është planifikuar të zgjasë? Përfshin të gjitha gjimnazet e Shqipërisë? Janë vetëm shkollat publike apo edhe ato private?

JAA ka planifikuar shpërndarjen e këtij trajnimi, në të shkallë vendi. Gjatë periudhës 06 prill – 19 maj 2018, janë zhvilluar seanca trajnimi, përkatësisht për mësuesit e qarqeve Lezhë, Fier, Berat, Tiranë qytet, Elbasan, Tiranë qark për të vijuar me qarkun Durrës, Vlorë, Shkodër, Kukës, Gjirokastër, Korçë dhe Dibër. Në përfundim të këtij raundi, parashikohet të trajnohen mësuesit e rreth 350 shkollave të mesme.

Si ka qenë pjesëmarrja, reagimi që keni marrë nga shkollat apo edhe vetë mësuesit që marrin pjesë në këto trajnime? A janë të detyrueshme apo me dëshirë të lirë të pjesëmarrësve?

Junior Achievement of Albania me investimin e AADF po mbështet Ministrinë e Arsimit në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të mësuesve të ekonomisë në shkollat e mesme. Lënda e ekonomisë me modulet e JA të përfshira në të duke filluar nga viti shkollor 2018-2019 do të jenë të detyrueshme për këtë arsye nevoja për trajnim është imediate. Shkollat dhe mësuesit kane reaguar pozitivisht duke u regjistruar dhe marrë pjesë aktive në trajnim. Trajnimet nuk janë të detyrueshme, por vetë mësuesit i kanë cilësuar ato si të domosdoshme për t’u përgatitur sa më mirë për zbatimin e lëndës në vitin e ri shkollor.

A është UET bashkëpunëtor në këto trajnime tuajat?

Duhet theksuar që Junior Achievement of Albania i ofron dhe do të vazhdojë t’i ofrojë këto trajnime falas për mësuesit falë mbështetjes financiare të AADF. UET ka mbështetur Junior Achievement duke vendosur në dispozicion 2 klasa me kapacitet 30 persona për të zhvilluar 4 seanca trajnimesh 2-ditore. Gjithashtu vlen të theksohet se ekspertët e angazhuar nga ana e JAA në këtë fazë të trajnimeve janë profesorë, drejtues departamenti dhe eksperte të nderuara të ekonomisë, financave dhe sipërmarrjes së Universitetit Europian të Tiranës.

Gjithashtu ju keni një tjetër projekt, “Lider për një ditë” . Edhe në këtë projekt e keni fokusin te gjimnazistët, apo jo? Cili është synimi i këtij aktiviteti? Çfarë mësojnë të rinjtë nga kjo, si përfshihen ata konkretisht? A keni pikasur tipare të liderëve të rinj? Si e presin të rinjtë një ditë pune, që duhet thënë nuk është një ditë e zakonshme pasi ata shoqërojnë drejtues ekzekutivë të kompanive të ndryshme apo jo?

Drejtues për një ditë është një aktivitet, i cili zhvillohet me maturantët e shkëlqyer të gjimnazeve të rrjetit Junior Achivement. Në filozofinë e aktivitetit nxënësi shoqëron drejtuesin përgjatë gjithë ditës së punës dhe përfshihet në aktivitetet përkatëse që parashikon agjenda e drejtuesit atë ditë, si mbledhje me stafin, takime me partnerë, takime me palë të treta etj. Gjatë kohës së shoqërimit, nxënësit i jepet mundësia të njihet nga afër me drejtuesin, me profilin përkatës profesional, me natyrën dhe veprimtarinë e biznesit që drejton drejtuesi, me sfidat me të cilat përballet drejtuesi në një ditë të zakonshme pune etj. Ndërkohë, drejtuesi, duke përfaqësuar një shembull model suksesi për nxënësin, ndan me të, përvoja vetjake, rrugëtimin personal në karrierë, dhe zhvillimin vetjak profesional. Në bashkëbisedim me nxënësin, drejtuesi ofron këshilla dhe udhëzime për nxënësin, veçanërisht për zgjedhjet e karrierës dhe vendime që i duhet të marre kur përshkon trajektoren e vet profesionale. E gjithë kjo vlen si një përvojë e shkëlqyer zhvillimore për nxënësin; ekspozimi dhe vendosja e nxënësit në kontekstin e një mjedisi real pune dhe për më tepër pozicionimi i nxënësit si ‘drejtues për një ditë’, ndihmon nxënësin të përballet me realitetin dhe me dinamikën e vërtetë të punës, me gjithë mundësitë dhe sfidat që mbart roli i një drejtuesi.

Sa kompani janë bërë pjesë e këtij projekti dhe si i kanë pritur të rinjtë? A ka pasur edhe ndonjë kompani që mund ta ketë parë si mundësi rekrutimi këtë aktivitet?

165 kompani kane qenë pjesë e këtij aktiviteti ndër vite. Aktiviteti Lider për një ditë është aktivitet elitar i Junior Achievement të cilin nxënësit tanë e presin me shumë dëshirë çdo vit. Sigurisht procesi i përzgjedhjes është konkurrues, nga mesatarisht 200 aplikime në vit në përzgjedhim bazuar në kritere vetëm 45 të rinj. Aktiviteti është një mundësi unike që u afrohet këtyre të rinjve për të qenë sa më afër drejtuesve të lartë dhe sipërmarrësve më në zë të vendit, dëgjojnë eksperiencat e tyre dhe të marrin këshilla karriere prej tyre. JA para dy vjetësh ka mundur të dërgojë edhe një nxënës shqiptar në edicionin europian të a leader for a day, ku nxënësja jonë shoqëroi gjatë një dite CEO-n e NOKIA-s.

Duke pasur parasysh periudhën e shkurtër kohore që JA operon, (nxënësit tanë të parë diplomohen këtë vit), Kompanitë që na kanë mbështetur në vite e kanë parë sidomos vitet e fundit JA si një mundësi për të rekrutuar stazhierë. Ne kemi pasur një eksperience programi internshipi me një ndër bankat e mëdha në vend, së bashku me të cilën siguruam që rreth 20 të rinj të kryenin stazhin tremujor pranë kësaj banke dhe njëra prej tyre edhe iu ofrua punësim. Këto mundësi kemi shprese që do vijnë dhe do shtohen në të ardhmen.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Identifikohen dy viktimat e aksidentit, shoferja i goditi teksa prisnin në stacion

Një aksident i rëndë rrugor me dy të vdekur dhe një të...
Read More