Ka dështuar BE apo Ballkani me integrimin?

Nga Ervis Iljazaj

Me gjithë vullnetin e mirë dhe vendosmërinë që tregoi Komisioni Europian për të mbajtur gjallë shpresat e Ballkanit Perëndimor dhe për Shqipërinë në BE, raporti i strategjisë për zgjerimin mund të thuhet që ishte një notë ngelëse për këto vende, aq më tepër për vendin tonë.

Edhe pse fjalia e përhershme që ka progres dhe hapa para, mundohet të fshehë sadopak realitetin, asgjë shpresëdhënëse nuk ka në raportin e Komisionit në këtë drejtim, të paktën për momentin ku ndodhet gjendja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria. Në këtë kuptim shpresat për hapjen e negociatave janë të vogla, por mbi të gjitha kërkohet një sforco tejet e madhe politike për të arritur standardet që u vendosën në raport.

Nga raporti i Komisionit Europian, përtej çdo interpretimi, mund të nxjerrim dy mesazhe kryesore.

E para, vendosmëria e BE për të integruar Ballkanin Perëndimor me gjithë problematikat që ai ka për momentin, pasi duket qartë që ky rajon, dukshëm përbën më shumë se çdo gjë tjetër një interes gjeostrategjik për Europën. E dyta, është dështimi për proceset e integrimit të këtyre vendeve, tashmë një dështim 20-vjeçar.

Pyetja që ngrihet pas një kohe kaq të gjatë dështimesh në procesin e integrimit është se, a ka vetë BE përgjegjësi për këtë proces që deri më tani nuk ka përfunduar në mënyrë të suksesshme?

Duke qenë se, Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kaq i rëndësishëm për gjeopolitikën dhe interesat e Europës, dhe këtë gjë e shprehin institucionet e saj sa herë që është rasti, atëherë roli që ka luajtur ajo vihet në pikëpyetje.

Me gjithë përpjekjet dhe monitorimin e vazhdueshëm që bëhet në këto vende nga BE, me sa duket nuk mjafton më për të përshpejtuar procesin e integrimit. Kërkohet një rol edhe më i madh dhe më i vendosur për të tërhequr drejt BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor, vende të cilat janë si një minë me sahat për të gjithë gjeopolitikën europiane dhe përtej saj.

Në këtë drejtim, pa diskutim roli i Europës lë shumë për të dëshiruar. Politika e jashtme e saj nuk është pika më e fortë dhe këtë gjë e kanë treguar të gjitha ngjarjet ndërkombëtare ku BE pothuajse nuk ka patur asnjë ndikim, për shkak se nuk ka një qëndrim të përbashkët dhe koheziv. Edhe në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, duket qartë se SHBA janë më prezente dhe me më shumë ndikim në gjeopolitikën rajonale se sa BE.

Mungesa e një politike të fortë në Ballkan nga ana e Bashkimit Europian, për arsyen se mungon një e përbashkët, ka bërë që shumë procese t’i kenë shpëtuar nga duart në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit.

Kështu që, përtej çdo përgjegjësie që ka secili nga vendet e Ballkanit, roli i misionit të Bashkimit Europian duhet të jetë më i qartë dhe më i vendosur, qoftë edhe me vendimmarrje arbitrare, sepse populli shqiptar dhe ai i vendeve të Ballkanit Perëndimor është tërësisht me të, kundër elitës së tyre politike, që qartësisht janë në konflikt interesi me institucionet e BE-së.

Prandaj është koha që ta themi njëherë e mirë të vërtetën se, Bashkimi Europian deri më tani ka dështuar në misionin e tij për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak se nuk ka një politikë të jashtme të qartë dhe kohezive.

E megjithatë, prezenca e tij në Shqipëri dhe në rajon ka patur rol pozitiv, edhe pse jo i përmbushur tërësisht. Nëse do të mungonte prezenca e misionit të BE-së në këtë rajon gjendja politike do të ishte edhe më keq seç është.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbi Sigurimin e Detyrueshëm të Pronës

Axhenda Liberale/8  Nga Besart Kadia Risku në financë nënkupton mundësinë e humbjes...
Read More