Ka filluar ‘screening’: A do ta kalojë Rama në qershor 2019?

Mediat e huaja kanë nisur të shkruajnë që tani për procesin e negociatave. Por si po ecën ai? A do e kalojë qeveria testin më të rëndësishëm? Flasin zv/ministri i Jashtëm, Genti Caka dhe deputetja demokrate Jorida Tabaku

Si lideri i një vendi që shihet me skepticizëm nga BE, Edi Rama, në intervistën për një media gjermane, tha se përpjekjet e Shqipërisë nuk janë vlerësuar mjaftueshëm nga europianët. Bashkimi Europian, sipas tij, është bërë i paparashikueshëm. Në optikën e zyrtarëve të lartë të qeverisë nëse gjithçka do të varej nga reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Komisioni Europian, bisedimet për anëtarësim nuk do të kishin pengesa.

Deri diku edhe kuptohet një situatë e tillë. Në korrik të këtij viti, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se përfundimet e qershorit nga Këshilli Europian ishin një hap i madh në procesin e integrimit të Shqipërisë. Ai madje tha se e sheh të qartë rrugën që të drejton në hapjen e negociatave të integrimit midis BE-së dhe Shqipërisë në qershor të vitit 2019. “Procesi i reformave duhet të vijojë me një ritëm të shpejtë, ashtu siç ka ndodhur deri më tani”, u shpreh me optimizëm Hahn.

Prej vitesh, Këshilli i Ministrave ka miratuar udhërrëfyesin për prioritetet e rekomanduara nga Komisioni Europian. Kushtet mbeten të njëjta dhe ato që përsëriten janë: Reforma në administratën publike; veprime konkrete për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit; luftë kundër korrupsionit; luftë kundër krimit të organizuar e drogës; çështja e pronës, reforma zgjedhore…etj.

***

Në fund të muajit shtator, Shqipëria nisi në Bruksel takimin e parë shpjegues të legjislacionit të BE-së për një nga kapitujt e negociatave të anëtarësimit; “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”. Ky takim shënoi siparin e një serie bisedimesh që do të mbahen me Komisionin Europian, më i afërti pas pak ditësh.

Hapja formale e procesit të negociatave për anëtarësimin në BE ndiqet nga shqyrtimi analitik si dhe harmonizimi i legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE, proces ky i njohur si “screening” apo “ekzaminues”. I gjithë procesi zgjat rreth një vit. Pasi të ketë përfunduar kjo fazë, Komisioni Europian prezanton një raport përfundimtar për secilin kapitull, që për Shqipërinë janë 35 të tilla. Zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Genti Cakaj shprehet se, procesi i screening në përgjithësi është vetëm një prej shtyllave teknike në angazhimet përgatitore të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Në një intervistë për gazetën “Mapo” ai sqaron edhe tri procese të tjera paralele të një rëndësie qendrore. Ndërsa deputetja demokrate, Jorida Tabaku shprehet se, “Shqipëria sot vëzhgohet imtësisht për dy procese në lidhje me integrimin; i pari është politik, ndërsa tjetri është teknik”.

***

Në qershor të këtij viti Këshilli Europian kërkoi që përparimi në Reformën në Drejtësi të vijonte. Të njëjtën pritshmëri Brukseli kërkon edhe në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, krimit të organizuar dhe luftën ndaj drogës, ngritjen e mekanizmave të specializuar të drejtësisë, siç është Struktura Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve.

Pra, kartat mbeten të hapura. Kryeministri Rama është shprehur se ajo çka është përcaktuar për këta 12 muaj, nuk ka asgjë më shumë, sesa ç’përmban programi i reformave dhe plani për zbatimin e tyre. Për kreun e ekzekutivit problematika lidhet me një qasje subjektiviteti politik të vendeve anëtare, përkundrejt raportit objektiv teknik të Komisionit Europian. Sepse kur bëhet fjalë për detyrat e Shqipërisë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, garanton se angazhimi i qeverisë dhe serioziteti në çdo fazë të procesit është maksimal. Por Jorida Tabaku nuk ndan të njëjtin qëndrim. “Në qoftë se ne do ta kishim seriozisht këtë proces duhej që në çdo qelizë administrata të ishte e angazhuar, që të kishim një strategji për çeljen e negociatave, qeveria duhej të kishte bërë gati strukturat e trajnuara, stafin, një ekip negociator për çdo kapitull e një për drejtimin e procesit duhej të ishin ngritur tashmë”. Në anën tjetër, zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Genti Cakaj siguron se, “Shqipëria është mobilizuar maksimalisht në nivel të grupeve teknike për të utilizuar kohën në dispozicion deri te hapja e negociatave”. Ai thekson gjithashtu se, “viti 2019 është vit krucial jo vetëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë, por edhe për vetë të ardhmen e Ballkanit dhe BE-së”.

***

Vetëm pak ditë më parë, në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, anëtarët e opozitës në delegacionin parlamentar për integrimin, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi kërkuan zëvendësimin e Taulant Ballës me një tjetër socialist, me argumentin se bashkëkryesuesi i Komisionit të Përbashkët të Asocim-Stabilizimit me BE-në nuk duhet të ketë lidhje kriminale. Kjo e çon debatin në një tjetër drejtim dhe palët në Bruksel në fund të tetorit pritet të shfaqen të ndara. Por sa e dëmton Shqipërinë një përfaqësim i tillë ku palët shkojnë në takimet e Brukselit me qëndrim jo të përbashkët madje edhe konfliktual? “Nëse BE i kërkon Shqipërisë që të luftojë krimin e organizuar, nëse BE ka luftuar që ne të kemi një ligj dekriminalizimi dhe nëse ne duam realisht që të hyjmë në familjen Europiane a ka kuptim përfaqësimi me persona të cilët gjatë pesë muajve të fundit janë përmendur në të paktën pesë raste si të përfshirë?”, përgjigjet Tabaku.

***

Shumëkush që jeton në Shqipëri, mediat, politika, por jo vetëm janë bombarduar nga lajme që shoqërojnë vrasje në mes të Bllokut nga njerëz të shpallur në kërkim, dhunë të denoncuar që përfshijnë fëmijë deputetësh, video-përgjime ku janë të përzier jo vetëm palë por edhe institucione, akuza për manipulim faktesh nga organe të pavarura…etj. Më pak fjalë, një situatë kaotike ku vetëm e vërteta nuk dihet. Një perceptim i tillë mund të jetë krijuar edhe në kancelaritë europiane, ku po i besohet gjithnjë e më shumë rrugës zyrtare, asaj të përcjellë me letra dhe raporte nga ana e qeverisë krahasuar me vitet e mëparshme.

Ata që ngrenë dyshime dhe flasin për emra shtetesh skeptike lidhur me punën e qeverisë nuk janë përfaqësitë diplomatike në vend, por mediat e huaja. Një nga gazetat e njohura britanike, Express, shkruan se është bllokuar oferta e BE për të nisur negociatat me Shqipërinë. Express, e njohur për qëndrimet e saj kritike ndaj BE-së, shkruan se shtetet anëtare të Bashkimit Europian po pengojnë bisedimet e pranimit të Shqipërisë, ndërsa sulmojnë korrupsionin dhe prodhimin e kanabisit në vendin ballkanik.

Gazetari Matt Drake shkruan se “në qershor, Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave për Shqipërinë që të bashkohet me bllokun”.

“Por vendet e BE, veçanërisht Franca, po tentojnë që të bllokojnë ofertën për anëtarësim. Parisi e justifikon kundërshtimin ndaj Shqipërisë për shkak të problemeve të vendit ballkanik me korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Gazetari shkruan se sipas Financial Times në vitin 2017, asnjë vend europian nuk ka kultivuar më shumë kanabis se Shqipëria.

“Ka dyshime për kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Nuk janë vetëm vendet europiane, por edhe Shqipëria vetë. Vendi ka një nivel ekstremisht të lartë pakënaqësie dhe qindra-mijëra janë larguar nga vendi vitet e fundit”.

 

Cakaj: 2019, vit krucial për Shqipërinë, të ardhmen e Ballkanit dhe BE-në

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Genti Cakaj flet për ecurinë e procesit të integrimit

Z.Cakaj, takimi i 27-28 shtatorit i këtij viti shënoi fillimin e punës teknike të negociatave të anëtarësimit me kapitullin e 23-të të “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, i pari i një serie takimesh që do të zhvillohen me Komisionin Evropian për kapituj të ndryshëm të negociatave të anëtarësimit. A keni bërë ju një analizë të parë të nevojave që i paraprin këtij procesi teknik dhe nëse po, ku fokusohet ajo, cilat janë pikat kryesore? Çfarë përbën prioritet për Shqipërinë në këtë proces?

Fillimi i procesit të ‘screening’ (apo faza e skanimit të gjendjes ekzistuese në fushën e legjislacionit krahasuar me atë acquis communataire të BE-së) është një moment i rëndësisë së dyfishtë për Shqipërinë.

Nga njëra anë, pavarësisht faktit se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme e ka përcaktuar qershorin e vitit 2019 si horizontin e ardhshëm kohor për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, ai ka autorizuar Komisionin Evropian për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e domosdoshme në funksion të vetë hapjes së negociatave. Thënë ndryshe, përkundër se hapja formale e negociatave është shtyrë për një periudhë të specifikuar kohore, Shqipëria tashmë është involvuar zyrtarisht në fazën fillestare të njoftimit me legjislacionin evropian, diçka që pothuajse të gjitha vendet e tjera paraprakisht e kanë bërë vetëm pas hapjes formale të negociatave. Në këtë kuptim, pra, vlen të theksohet se mënyra se si ka filluar screening për Shqipërinë përmbajtësisht e ka vendosur atë në praktikat fillestare/ përgatitore për negocim.

Nga ana tjetër, vetë procesi i screening mbart një potencial të konsiderueshëm reformator në avancimin e legjislacionit vendor drejtë atij evropian. Thënë përgjithësisht, thelbi i këtij procesi është evidentimi i gjendjes së përgjithshme sa i përket përputhjes së legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Shqipëria aktualisht ndodhet në fazën shpjeguese të këtij procesi që konsiston në njoftimin me legjislacionin evropian sipas fushave të caktuara – siç është rasti me Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore), që ishte subjekti kryesor i takimeve të datës 27-28 shtator në Bruksel. Pas hapjes formale të negociatave për anëtarësim, procesi pastaj gradualisht evoluon nga faza shpjeguese te ‘screening bilateral’ që shqyrton shkallën e përputhshmërisë të legjislacionit vendor me atë të BE-së dhe identifikon vështirësitë përkatëse dhe mundëson planet e veprimit të përafrimit legjislativ. Sidoqoftë, Shqipëria tashmë është mobilizuar maksimalisht në nivel të grupeve teknike për të utilizuar kohën në dispozicion deri te hapja e negociatave. Për shembull, përderisa në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi procesi i ‘screening bilateral’ ka vazhduar afërsisht edhe një vit pas hapjes formale të negociatave, sfida ultimative e Shqipërisë është përgatitja paraprake në mënyrë që ‘screening bilateral’ të mbyllet sa më parë dhe, si rrjedhojë, të procedohet sa më shpejt me negocimin e kapitujve të veçantë.

Në fund, vlen të theksohet se procesi i screening në përgjithësi është vetëm një prej shtyllave teknike në angazhimet përgatitore të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Për shkak të kufizimeve editoriale, këtu po përmend sipërfaqësisht edhe tri procese paralele të rëndësisë qendrore: 1) implementimi i planit të veprimit për zbatim të konkluzioneve të Këshillit (me theks të veçantë paragrafin nr. 54 të këtij dokumenti) dhe rekomandimeve të Komisionit (nga Prilli i këtij viti) si kusht fundamental për procedim të mëtejmë në procesin e integrimeve evropiane; 2) ngritja e strukturave shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe përfundimin e traktatit të aderimit të Republikës të Shqipërisë në BE si faktor esencial për procesin në fjalë në përgjithësi dhe zgjerimin e kapaciteteve operative dhe institucionale për integrimin në veçanti; 3) intensifikimi i dialogut politik me shtetet dhe institucionet e BE-së në përgjithësi dhe veçanërisht me shtetet anëtare që kanë shfaqur një qasje relativisht skeptike lidhur me mundësinë e hapjes së menjëhershme të negociatave me Shqipërinë. Ky kuadër aktivitetesh, pra, në thelb, është pjesë e një ndërmarrjeje më të gjerë dhe tepër intensive në funksion të hapjes të negociatave vitin e ardhshëm për Shqipërinë.

Cili është kapitulli më voluminoz dhe më i vështirë në këndvështrimin tuaj në këta 12 muaj kohë që ka Shqipëria, para një vendimi për hapjen (ose jo) të negociatave të integrimit midis BE-së dhe Shqipërisë në qershor të vitit 2019?

Fillimisht një sqarim paraprak duket se është i nevojshëm:

Kalendari i takimeve shpjeguese për screening të të gjithë kapitujve integralë të acquis është përcaktuar nga Komisioni pavarësisht vendimit të ardhshëm të Këshillit për hapje të negociatave [sipas afateve tentative ato vijojnë afërsisht deri në shtator të vitit të ardhshëm]. Pra, ndonëse cikli i takimeve shpjeguese të legjislacionit europian është një komponent thelbësor në zhvillimin e procesit negociator në përgjithësi, roli i tyre nuk është në mënyrë inherente i lidhur me hapjen e negociatave vitin tjetër. Sidoqoftë, pavarësisht këtij parimi formal, plotësimi i masave të parashtruara në vendimin e Këshillit që ndërlidhen me konsolidimin e rezultateve të Reformës në Drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngritjen e mekanizmave të specializuar të drejtësisë, siç është Struktura Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Nacionale e Hetimeve, ndër të tjera, janë pjesë qenësore e çështjeve që mbulon Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitulli 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria).

Vëllimi kryesor i angazhimeve të Shqipërisë përgjatë këtij procesi pritet të jetë i lidhur ngushtësisht pikërisht me këto dy shtylla të ligjeve dhe praksave evropiane. Sidoqoftë, kjo nuk është një problematikë ekskluzive për Shqipërinë por Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Në të vërtetë, fokusi primar i BE-së në drejtësi, siguri dhe liritë themelore pasqyron edhe evoluimin gradual të qasjes të BE-së në vetë procesin e zgjerimit. Duke qenë e ballafaquar me disa prirje për prapakthim në sundimin e shtetit të së drejtës prej disa vendeve anëtare sidomos pas valëve të zgjerimit në Europën Qendrore dhe Lindore, BE tashmë ka adaptuar doktrinën ‘fundamentals first’. Pra, vëmendja kryesore është në çështjet më thelbësore të legjislacionit të ndërlidhura me fushën e sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore përgjithësisht.

Përderisa në praktikat paraprake të zgjerimit ka ekzistuar edhe mekanizmi i verifikimit të rezultateve në sistemin e drejtësisë edhe pas anëtarësimit (kujto Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit në rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë edhe në periudhën pas anëtarësimit), konsolidimi absolut i sistemit të drejtësisë është një kërkesë rigoroze dhe një kriter i patjetërsueshëm për avancimin e mëtejmë të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Në këtë kontekst, natyrisht, një shkallë e konsiderueshme e energjive të Shqipërisë në procesin e negocimit ndërlidhet drejtpërdrejt me Kapitullin 23 dhe 24. Gjithsesi, lajm pozitiv përbën fakti se Reforma në Drejtësi e Shqipërisë sot prej qarqeve më kompetentë të Komisionit vlerësohet si model për t’u adaptuar në shkallë rajonale.

Kryeministri Edi Rama ka folur këto ditë për mediat gjermane, duke u shprehur se po e humbasim durimin me BE-në. Sa shanse kemi që të hapen negociatat, kur vetë Rama thotë se BE-ja është bërë e paparashikueshme?

Vendimi i fundit i Këshillit për hapje eventuale të negociatave për Shqipërinë në kuadër të horizontit kohor 2019 zbulon një tension imanent midis, nga njëra anë, vlerësimeve teknike të dhëna nga Komisioni për hapje të pakushtëzuara të negociatave për Shqipërinë për shkak të përmbushjes të objektivave në pesë prioritetet kyçe dhe, nga ana tjetër, vullnetit politik të disa vendeve anëtare për të proceduar tutje me politikat e zgjerimit në përgjithësi dhe hapjes të negociatave për anëtarësim në veçanti. Me fjalë të tjera, ekziston një tension midis vlerësimeve objektive teknike të ofruara nga Komisioni dhe qëndrimeve politike subjektive të manifestuara në Këshill. Kjo gjendje, pra, është duke e bërë procesin objektivisht të varur jo vetëm nga realizimi teknik i kushteve të parashtruara për hapje të negociatave por edhe nga vetë atmosfera politike brenda vendeve anëtare.

Në të vërtetë, një prej faktorëve kryesorë me impakt për përcaktimin e qershorit të vitit 2019 si horizont eventual për hapje të negociatave me Shqipërinë në vendimin e fundit të Këshillit, është vetë konstelacioni aktual super-kompleks dhe klima e brendshme skeptike për zgjerim momentalisht mbizotëruese në BE. Ndonëse gama e problemeve që aktualisht shquajnë BE-në është tepër e gjatë dhe ndërlikuar, duhet nënvizuar se procesi i BREXIT-it, çështja e reformave të Eurozonës, divergjenca interne në menaxhim të politikave të migracionit, prapakthimi në performancë demokratike në disa vende anëtare, shkalla e disfunksionaliteteve në Unionin 28-1 anëtarësh, problemet aktuale në politika të fqinjësisë (ndërmend çështjen e Ukrainës), zhvillimi i forcave populiste euroskeptike me gjasa reale për t’u faktorizuar tutje në zgjedhjet e Majit 2019 të Parlamentit Evropian, janë faktorë që kanë afektuar negativisht gatishmërinë e BE-së për adaptim të një qasjeje më proaktive në politikat e zgjerimit. Me fjalë të tjera, procesi i hapjes së negociatave nuk varet vetëm nga procesi i reformave në Shqipëri por edhe procesi aktual i reformave në BE.

Sidoqoftë, kompleksiteti i brendshëm politik nuk e ka bërë vetëm BE-në më të paparashikueshme, por, në fakt, edhe vetë Ballkanin Perëndimor më të paparashikueshëm. Stagnimi në politika të zgjerimit dhe fuqizim të incentivave në Ballkanin Perëndimor nga ana e BE-së është duke u manifestuar në një varg zhvillimesh problematike të dukshme së fundi në rajon. Mbase vetë rajoni në fjalë qëndron në një moment tepër delikat që potencialisht mund të ketë implikime negative afatgjatë në proceset e integrimit në BE. Nënvizimi i tri rasteve konkrete provon këtë konkluzë: a) rezultati i referendumit të fundit në Maqedoni sfidon mundësitë e ratifikimit të shpejtë të Marrëveshjes së Prespës dhe, rrjedhimisht, krijon paqartësi për mundësinë e prosperimit të Maqedonisë në BE dhe NATO; b) arritja e Dodikut në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës në zgjedhjet e këtij muaji po ashtu ngritën gjasat e preservimit të status quo-s atje dhe, si pasojë, stagnimit në avancimin e mëtejmë në procesin e integrimeve evropiane; c) përmbajtja përfundimtare e marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë mund të ushtrojë konsekuenca fundamentale në mundësitë objektive të Kosovës për avancim në rrugëtimin e saj evropian. Pra, për shkak të këtyre zhvillimeve shumë të rëndësishme rajonale, por me ndikime shumë më të gjera, dhe zhvillimeve brenda vet BE-së, sidomos kur është fjala për zgjedhjet për Parlamentin Europian, viti 2019 është vit krucial jo vetëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë por edhe për vet të ardhmen e Ballkanit dhe BE-së. Pa dyshim, rikthimi i një qasjeje më proaktive të BE-së në Ballkanin Perëndimor është faktor kardinal në facilitim të procesit të demokratizimit dhe stabilizimit rajonal në përgjithësi. Sidoqoftë, kjo paparashikueshmëri politike nuk prodhon dekurajim nacional dhe stagnim në angazhime reformatore, por mobilizim maksimal në performancë institucionale për ta kapur momentin e pritur sipas parashikimeve të vetë Këshillit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE – Qershor 2019.

 

Integrimi, Tabaku: Procesi fitohet me meritë dhe jo me shantazh

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, flet për sfidat e integrimit, detyrat që ka Shqipëria dhe qëndrimin e opozitës në këtë proces

Pak ditë më parë, anëtarët e opozitës në delegacionin parlamentar për integrimin (pjesë e së cilës jeni edhe ju) i kërkuan përmes një letre Gramoz Ruçit zëvendësimin e Taulant Ballës me një tjetër socialist. Balla është edhe bashkëkryesues i Komisionit të Përbashkët të Asocim-Stabilizimit me BE-në. Ju e konsideruat të papërshtatshëm dhe kundërproduktiv praninë e tij, por sa e dëmton Shqipërinë një përfaqësim i tillë ku palët shkojnë në takimet e Brukselit me qëndrim jo të përbashkët madje edhe konfliktual?

Kërkesa e opozitës qe e bazuar në fakte e prova të shfaqura këto javë në media nga opozita dhe për të cilat prokuroria duhet të hetojë. Duhet të kemi parasysh se një shtysë kryesore nga ana jonë ka qenë domethënia e delegacionit parlamentar në BE. Ndonëse ju keni të drejtë që delegacioni nuk ka përherë mendim të njëjtë mbi temat por kjo ka një sens politik për temën dhe për arritjet, ndërsa integriteti i delegacionit nuk duhet prekur. Nëse BE i kërkon Shqipërisë që të luftojë krimin e organizuar, nëse BE ka luftuar që ne të kemi një ligj dekriminalizimi dhe nëse ne duam realisht që të hyjmë në familjen Europiane a ka kuptim përfaqësimi me persona të cilët gjatë pesë muajve të fundit janë përmendur në të paktën pesë raste si të përfshirë?

Dua të kujtoj se edhe për ish-ministrin dhe ish-deputetin Tahiri, pjesë e këtij delegacioni, pas kërkesës sonë u veprua njësoj. Prandaj mazhoranca dhe vetë zoti Ruçi ka një precedent të cilin nuk mund ta nënvlerësojë apo anashkalojë.

Në fund të muajit shtator, Shqipëria nisi në Bruksel takimin e parë shpjegues të legjislacionit të BE-së për një nga kapitujt e negociatave të anëtarësimit. Ky ishte i pari i një serie takimesh që do të zhvillohen me Komisionin Europian për kapituj të ndryshëm të negociatave të anëtarësimit. Ju personalisht si e shihni këtë proces, a do të jetë kjo periudhë (deri në qershor të vitit 2019) thjesht një proces teknik apo një test i rëndësishëm dhe vendimtar për fillimin konkret të negociatave për anëtarësim?

Qeveria ka dëshirë t’i shtojë vetes arritje që nuk i takojnë apo që nuk kanë ndodhur. Kur të gjithë e kishim të qartë se nuk kishim çelje negociatash, kryeministri thërriti fitore, pastaj të nesërmen tha negociata me kusht e deri sa tani nuk ndihet. Kjo gjë është përsëritur për vite me radhë, sa herë që dështonte integrimi nga kjo qeveri prodhoheshin eufemizma për të bindur veten dhe gënjyer shqiptarët.

Procesi i screening nuk është i ri për shqiptarët dhe qeverinë pasi ka ndodhur prej vitesh dhe është një proces i vazhdueshëm. Në fazën që ne jemi tani, mund të them me bindje që jemi shumë pas pasi e gjithë kjo duhet të kishte ndodhur me kohë. Por, siç e përmenda më lartë, ne jemi shumë pas me arritjet. Risia e vetme që ka prodhuar qeveria deri më sot është tentativa e dështuar për të hapur negociatat, si dhe hapja e negociatave vetëm nëse plotësohen kushtet.

Kryeministri pak ditë pasi kishte proklamuar fitoren, del dhe thotë që ka kushte, ndonëse çdo shqiptar e lexoi qartë se Shqipëria është në një monitorim të rreptë deri në qershorin 2019. Kjo do të thotë që Shqipëria sot vëzhgohet imtësisht për dy procese në lidhje me integrimin; i pari është politik ndërsa tjetri është teknik. Sa i takon procesit teknik ai mund të ecë shumë më shpejt pasi mund të punohet dhe analizohen kapitujt e domosdoshëm për të arritur kriteret e lëna pas dore këto vite, mund të bëhen përafrime ligjesh por kjo do të ngrinte një problem. Duke qenë se qeveria nuk ka vullnetin politik për t’u angazhuar seriozisht në këtë proces atëherë nuk mund të avancojë në këtë pikë dhe për rrjedhojë nuk mund të zbatojë siç duhet procesin teknik.

Para disa ditësh Komisioni i Politikës së Jashtme të BE ngriti një sërë çështjesh që ishin të reja për qeverinë, si fjala vjen pastrimi i parave. Kjo sepse shumë raporte ndërkombëtare flasin me detaje për pastrimin e parave njëkohësisht, zoti Fleckenstein foli për krimin e organizuar që ka zënë rrënjë të thella. Dhe ky komision përsëri theksoi plotësimin e kushteve që lidhen me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit me fokus të veçantë ngritjen e SPAK dhe BKH, luftën ndaj drogës, reformën zgjedhore dhe çështjen e pronës.

Kryeministri Edi Rama ka folur këto ditë për mediat gjermane, duke u shprehur se po e humbasim durimin me BE-në pasi kjo e fundit është bërë e paparashikueshme… Sa shanse kemi që të hapen negociatat? A varet kjo vetëm nga vullneti i vendeve të BE-së, (siç po e orienton Rama) apo problematika duhet parë shumë më gjerë?

Sa herë që kryeministri Rama përballet me kritikën, të cilën ai e ka frikë, revoltohet dhe shpërthen karshi Europës. Këto shenja janë të njohura për ne si opozitë pasi ai vepron kësisoj edhe në kuvend. Kësaj radhe gazetarët e ardhur nga Gjermania duket se nuk e përtypën propagandën e qeverisë pasi panë me sytë e tyre çfarë po ndodhte me Shqipërinë dhe realitetin. Titulli domethënës i shkrimit të tyre ishte në fakt epitafi i një qeverie që duhet larguar pasi po zbraz Shqipërinë nga shpresa dhe e ardhmja.

Ne sot kemi mundësinë që të ringrihemi në kushtet e një vendi të denjë për t’u integruar në BE, pasi ky është një proces që fitohet me meritë dhe jo me shantazh. Ndryshe nga sa i fiton qeveria zgjedhjet me kërcënime dhe shantazhe, ndryshe nga se kryhen emërimet në administratë me shantazhe dhe kërcënime. Procesi i integrimit është produkt i meritës dhe për sa kohë që ka një kryeministër i cili shantazhon pasi nuk ka vizion për të ndërtuar një Shqipëri të denjë për Europën përgjigjja do jetë e lidhur me kushte.

Prandaj, armiqtë e jashtëm janë vetëm një reminishencë e filmave të kinostudios Shqipëria e Re (Rilindëse), që si dikur prodhon armiq të jashtëm dhe të brendshëm.

BE dhe vendet anëtare kanë ngritur disa mekanizma për ta ndihmuar Shqipërinë dhe vendet e rajonit për të plotësuar këto kritere, procesin e Berlinit për të forcuar bashkëpunimin rajonal, strategjia e zgjerimit ofronte një mundësi unike dhe të veçantë sepse ishte një udhërrëfyes që tregonte problemet dhe përcaktonte hapat për secilin vend si dhe raportet e vendeve që nxjerr çdo vit Komisioni. Në qoftë se ne do ta kishim seriozisht këtë proces duhej që në çdo qelizë administrata të ishte e angazhuar, që të kishim një strategji për çeljen e negociatave, qeveria duhej të kishte bërë gati strukturat e trajnuar, stafin, një ekip negociator për çdo kapitull e një për drejtimin e procesit duhej të ishin ngritur tashmë. Të gjitha këto mungojnë e janë shenjë e qartë se vendet e BE dhe Komisioni janë duke e ofruar këtë mundësi për ato vende që duan realisht ta realizojnë këtë proces. Patetizmat, shfryrjet, dhe vendosja e fajit te të tjerët në këtë rast nuk funksionon.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shkolla me ushqim!

Nga Gentian Kaprata – Memo Sovranit                   Informacionin se qeveria ka ndërmend...
Read More