Ka një krizë edhe më të madhe se ajo e Kryeprokurorit, janë protagonistët e përhershëm politikë

Nga Ervis Iljazaj

Çështja e zgjedhjes së Kryeprokurorit, ka futur praktikisht në krizë politikën shqiptare, duke e bërë atë edhe më konfliktuale. Me shumë gjasa Kryeprokurori do të zgjidhet vetëm me votat mazhorancës, gjë e cila do të delegjitimojë të gjithë procesin, të paktën në aspektin politik. Sepse nuk ka gjë më të rëndësishme se sa njohja e veprimeve politike të kundërshtarit, edhe nëse ato janë në kundërshtim me idetë e opozitës. Mirëpo një gjë e tillë, si shumë raste të tjera të politikës shqiptare, nuk ndodhi, duke e tensionuar situatën politike, e cila u reflektua në seancën parlamentare të së enjtes.

Përse vallë, habitatin e saj kryesor politika shqiptare ka konfliktin?

Përgjigja është fare e thjeshtë. Sepse kriza e vërtetë e momentit nuk është fakti që nuk arrihet dakordësia për mënyrën e zgjedhjes së Kryeprokurorit, por fakti që aktorët politikë të Shqipërisë janë po të njëjtit, edhe mbas 27 viteve tranzicion. Janë po këta që kanë ndërtuar këtë klimë, dhe në këtë kuptim, deri sa të riformohet një klasë tjetër politike, do të vazhdojmë të kemi po të njëjtën mënyrë të të bërit politikë.

Fitorja e Partisë Socialiste si forcë e vetme në zgjedhjet e 25 Qershorit, kishte një impakt të rëndësishëm në sistemin politik shqiptar. Mbas shumë vitesh një forcë e vetme drejton pushtetin ekzekutiv dhe, kjo është më se normale për sa i përket riformatimit të politikës për t’u përshtatur me një zhvillim të tillë.

Një nga efektet e këtyre zgjedhjeve ishte dështimi i plotë i partive politike të vogla, me ndonjë përjashtim jo domethënës. Fitorja si forcë e vetme e Partisë Socialiste, nëse nuk do të ndryshojë sistemin në dypartiak, më së paku do ta thjeshtojë shumë atë.

Mbetet për t’u parë roli i tyre në skenën politike duke qenë se gjatë periudhës së tranzicionit ato kanë pasur një rol të rëndësishëm në formimin e mazhorancës politike, por këto zgjedhje treguan se shqiptarët nuk i besuan kauzave që ato përfaqësojnë.

Rama e kishte qëllim këtë gjë dhe ia arriti. Fushata elektorale e Edi Ramës u fokusua më shumë në mënyrën e qeverisjes se sa te përmbajtja e saj, duke kritikuar të gjithë sistemin qeverisës që ishte krijuar deri më tani me anë të koalicioneve që funksiononin më shumë si hesape pushtetesh dhe jo si marrëveshje politike të ndërtuara mbi programe dhe vlera të caktuara.

Megjithatë edhe pse sistemi politik ka ndryshuar, aktorët e tij janë po të njëjtët si para 25 Qershorit. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim.

Kjo është një nga karakteristikat dhe paradokset e politikës sonë gjatë këtyre 27 vite tranzicion, ndryshon sistemi, ndërsa aktorët jo. Ata janë aty, të rëndësishëm dhe të fortë si më parë.

Kjo është kriza e vërtetë e politikës shqiptare. Me gjithë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, aktorët që kanë dominuar politikën gjatë dekadave të fundit, gjejnë gjithmonë mekanizmat për të qenë prezentë, dhe të rëndësishëm në vendimmarrje.

Mirëpo, një situatë e tillë, gjithmonë do krijojë ngërçe politike, sa herë që të ketë përplasje mes tyre. Po ta shohësh me kujdes situatën e momentit, ngjan njësoj si para zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Jo vetëm kaq, por duket sikur ajo nuk ka ndryshuar prej shumë vitesh, vetëm sa janë ndryshuar vendet, disa në opozitë e disa në mazhorancë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Peshkatarët e perlave: Dinastia Mula përsërit historinë e Lejlas

E realizuar për herë të parë në skenën e Teatrit të Operas...
Read More