Kafsha e pabindur e pushtetit

Nga mendimi modern i Machiavelli-t dhe Hobbes-it për pushtetin te kontributi i Max Weber-it…në librin më të ri të UET PRESS nga Klementin Mile

Nga Klementin Mile

Mendimi modern për pushtetin fillon me shkrimet e Machiavelli-t dhe Hobbes-it. Këta dy autorë fillojnë dy linja mendimi të ndryshme për pushtetin, të cilat gjejnë pasues ende sot në komunitetin akademik. Kështu, ndërsa Hobbes kërkonte t’i jepte përgjigje pyetjes Çfarë është pushteti?, Machiavelli ishte i interesuar për të kuptuar atë çka pushteti mund të realizonte. Si të thuash, diferenca ndërmjet Hobbes-it dhe Machiavelli-t shprehet në dallimin ndërmjet legjislatorëve dhe interpretuesve, dallim i cili formulohet nga Zigmunt Bauman (Clegg 1989:5). Pra, ndërsa shkolla e mendimit e themeluar nga Hobbes-i ligjëron ontologjinë e pushtetit, atë çka pushteti është në të vërtetë, shkolla makiaveliane fokusohet tek interpretimi i pushtetit, tek analitika e tij dhe tek aspektet fenomenologjike.

Problemi kryesor për Machiavelli-n ishte interpretimi i strategjisë dhe i organizimit që dukej të kishte më tepër mundësi për të siguruar një totalitet të rregulluar të pushtetit në një kohë trazirash politike. Ai e shikon pushtetin si mjet, jo si burim, dhe kërkon të zbulojë avantazhe strategjike, p.sh. ushtarake, ndërmjet princit dhe të tjerëve. Ndryshe prej tij, Hobbes-i kërkoi të legjitimonte mitin e rendit në bazë të sovranitetit. Ai përfaqëson mendimin shkakësor për pushtetin si hegjemoni. Sipas Hobbes-it, pushteti është i centralizuar dhe zotërohet nga sovrani. Këto dallime primare ndërmjet të dy autorëve shpjegojnë se pse tradita e themeluar nga Hobbes u zhvillua dhe dominoi kryesisht filozofinë politike, ndërkohë që tradita e themeluar nga Machiavelli frymëzoi më së shumti antropologët dhe teoricienët politikë.

Hobbes-i niset nga premisa bazë që ekziston një komunitet politik total, i cili merr formën e shtetit, të shoqërisë ose të komunitetit. Kjo është një njësi e vetme, e rregulluar me anë të një parimi uniform dhe që ka vazhdimësi në kohë dhe hapësirë. Prej kësaj njësie totale buron pushteti total. Nga ana tjetër, Machiavelli është i mendimit që pushteti total është një qëllim final i dëshirueshëm, veçse rrallëherë i arritshëm.

Ndikimi i madh i Hobbes-it lidhet veçanërisht me zgjidhjen që i dha problemit të politikës së pushtetit. Termi “politikë e pushtetit” shpreh idenë se politika drejtohet nga interesat e pushtetit, duke sakrifikuar interesa të tjerë si drejtësia apo merita. Kështu, interesi politik lidhet me akumulimin dhe ushtrimin e pushtetit në interes të vetes. Ky konkluzion e bën individin e interesuar politikisht problematik për vendosjen e rendit publik. Strategjia e preferuar e Hobbes-it për t’u përballuar me këtë problem është luftimi i zjarrit me zjarr: vendosja e një sundimtari të plotfuqishëm për të kontrolluar trazirat që vijnë nga individët e etur për pushtet në konkurrencë me njëri-tjetrin. Te Leviatani Hobbes-i përshkruan gjendjen e njerëzve të interesuar për veten, të cilët priren drejt kalimit në një gjendje lufte të cilitdo ndaj cilitdo (Hobbes 1998:kap. 14). Pra, për Hobbes-in, nisur nga fakti që politika e pushtetit personal përbën problem, zgjidhja është një lloj politike pushteti impersonal e menaxhuar nga një qeveri e fuqishme, por përfaqësuese. Hobbes-i përdor instrumentin e kontratës sociale për të ilustruar se si politika e pushtetit personal që rrezikon gjendjen e natyrës mund të zëvendësohet nga një shoqëri civile e garantuar nga një qeveri e fuqishme, por civile. Pushteti sovran i qeverisë së ngritur është i fuqishëm në një dimension (si pushtet absolut i ligjit dhe rendit), por i dobët në dimensionet e tjera, për shkak të faktit që kjo qeveri është ngritur me një synim të qartë, pushtetet e saj janë të kufizuara në mbrojtjen e lirisë së qytetarëve që përfaqëson. Sipas Hobbes-it, shoqëria civile vazhdon si e tillë për sa kohë plotësohen dy kushte: së pari, përfaqësuesi sovran minimizon pasojat negative që rrjedhin nga politika e pushtetit personal; dhe së dyti, pushteti kolektiv i qytetarëve kontraktues e kufizon politikën e pushtetit impersonal të sundimtarit në synimin e përcaktuar të ruajtjes së paqes.

Në mesin e shekullit XX u krijua përshtypja se pikëpamja hobsiane kishte triumfuar. Gjuha dhe imazhet e përdorura nga Hobbes dukeshin më relevante për shkencën moderne krahasuar me imazhet ushtarake që ofronte Machiavelli. Tradita kryesore e kërkimit shkencor në shkencat sociale theksonte saktësinë dhe logjikën dhe fokusohej te çështjet e vëzhgimit, matjes dhe kuantifikimit të pushtetit. Pushteti paraqitej si pozicion i vullnetit, si një faktor sipëror ndaj të cilit nënshtroheshin vullnetet e tjera. Pra, gjithçka fokusohej në konceptimin e pushtetit si sovranitet, në përputhje me traditën e themeluar nga Hobbes. Por në vitet ‘70 u rikthye interesi për qasjen strategjike dhe kontingjente të Machiavelli-t, sidomos në Francë, me kristalizimin e qasjeve që rizbuluan karakterin e paparashikueshëm të lojës së pushtetit dhe varësinë e theksuar nga konteksti (Clegg 1989).

Kontributi i Max Weber-it

Pas Luftës së Dytë Botërore u rrit interesi i shkencave sociale për të studiuar pushtetin. Vepra e Max Weber-it shërbeu si pikënisje, duke qenë se vazhdonte traditën racionale të Hobbes-it dhe zhvillonte mendimin organizativ. Perspektiva e Weber-it për pushtetin lidhej me interesin e tij për burokracinë dhe e lidhi pushtetin me koncepte të tjera të rëndësishme si autoriteti dhe sundimi. Weber e përkufizoi pushtetin si probabiliteti që një aktor në një marrëdhënie sociale të jetë në pozicionin për të zbatuar vullnetin e tij, pavarësisht rezistencës dhe pavarësisht ku bazohet ky probabilitet (Weber 1978). Ky është një nocion pushteti shpërndarës, një nocion i pushtetit të A-së mbi B-në dhe implikon një sociologji të fokusuar te konflikti dhe te raportet asimetrike të pushtetit. Aktivizimi i pushtetit varet nga vullneti i personit, madje edhe në rastin kur ky vullnet kundërshtohet nga vullneti i tjetrit. Përkufizimi i Weber-it ka këto karakteristika: (1) pushteti ushtrohet nga individët dhe prandaj përfshin zgjedhjen, agjencinë dhe qëllimin; (2) ai përfshin nocionin e agjencisë; pra një individ që arrin ose bën të mundur arritjen e qëllimeve të dëshirueshme për të; (3) pushteti ushtrohet mbi individë të tjerë dhe mund të përfshijë rezistencë dhe konflikt; (4) implikohet që ka diferenca interesash ndërmjet të pushtetshmëve dhe të papushtetshmëve; (5) pushteti është negativ, përfshin kufizime dhe deprivime ndaj atyre që i nënshtrohen sundimit. Weber-i argumentoi që kur ushtrimi i pushtetit shihej nga njerëzit si legjitim, pushteti transformohej në autoritet. Siç shprehet Poggi, duke e interpretuar këtë përkufizim pushteti të Weber-it, probabiliteti për të cilin bëhet fjalë nuk i atribuohet rastësisht aktorëve. Për të pasur pushtet dhe për ta ushtruar atë, disa aktorë duhet të posedojnë burime të paaksesueshme nga të tjerët. Së dyti, këto burime duhet të jenë të tilla që, në rast rezistence nga aktorët e tjerë, t’u mundësojnë mposhtjen e rezistencës. Dhe së treti, edhe pse për të formuluar një përkufizim të përgjithshëm të pushtetit nuk ka rëndësi cilat burime specifike janë vendimtare, burime të ndryshme mund të jenë vendimtare në rrethana të ndryshme dhe për synime të ndryshme (Poggi 2001:16). Një kritikë ndaj perspektivës veberiane është se duke theksuar agjencinë dhe vendimmarrjen, Weber-i nuk arrin të shquajë se edhe mosvendimmarrja mund të jetë ushtrim pushteti. Për shembull, dështimi ose refuzimi për të vepruar mund të jetë tregues i pabarazive në pushtet. Mbajtësit e pushtetit gjithashtu mund t’u japin formë nevojave dhe interesave të të nënshtruarve. Për shembull, fushatat publicitare mund të përfshijnë ushtrim pushteti përmes krijimit artificial të nevojave. Përkufizimi veberian i pushtetit ngre problemin e interesave “reale” kundrejt interesave “subjektive”.

Megjithatë, disa elemente të shprehura ose të implikuara në këtë përkufizim të pushtetit kanë gjetur mbështetje në komunitetin akademik dhe janë përtej debateve. Veçanërisht, pranohet gjerësisht se pushteti nuk duhet menduar si substancë, por si marrëdhënie – një pikë që implikohet kur Weber i referohet pjesëmarrjes së të dyja palëve në veprim të përbashkët. Me fjalë të tjera, pushteti nuk është diçka që mund të mbahet në dorë ose në xhep, por diçka që ndodh ndërmjet të dyja palëve, në mënyrë të tillë që personi A mund të ketë pushtet kundrejt personit B, por jo patjetër edhe kundrejt personit C. Së dyti, edhe termi “shans” që përdoret nga Weber në përkufizim, implikon dy karakteristika të tjera të pushtetit: pushteti i referohet një probabiliteti dhe jo: pushteti i referohet një probabiliteti dhe jo diçkaje të sigurt, pra nuk ka siguri absolute për suksesin e njërës nga palët dhe pushteti është gjithmonë potencial, sepse ai nuk i referohet edhe aq shumë kryerjes së një veprimi, por i referohet kapacitetit për të kryer një veprim (p.sh. kapacitetit për të prodhuar pasoja). Me fjalë të tjera pushteti nuk ka nevojë të ushtrohet (duke mposhtur rezistencën) që të ekzistojë. Paradoksalisht, ushtrimi i pushtetit mund ta konsumojë dhe ekspozojë atë si të pamjaftueshëm ose të dobët në një situatë konkrete. Në fakt pushteti është më i fuqishëm kur të papushtetshmit i nënshtrohen pa patur nevojë që pushteti të ushtrohet, kur ai vepron përmes kujtesës së subjekteve për ushtrimet e pushtetit në të kaluarën ose përmes imagjinatës së tyre për ushtrime të mundshme të pushtetit në të ardhmen, pra kur pushteti më shumë ka nevojë të përfaqësohet simbolikisht sesa të ushtrohet konkretisht.

Nga ana tjetër, disa elemente të tjera të përkufizimit veberian të pushtetit filluan të debatohen në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore si nga politologët (Dahl 1963) ashtu dhe sociologët (Lukes 1974; Wrong 1979). Veçanërisht u bë problematik nocioni “vullnet” i palës që ka pushtetin. U ngritën pikëpyetje nëse ky nocion implikonte qëllimshmëri. A varet ekzistenca e një raporti pushteti nga vetëdija e palës së pushtetshme për preferencën e saj në një situatë të dhënë ose në një situatë të ardhshme të gjërave? A ka nevojë gjithashtu për angazhim të ndërgjegjshëm të palës së pushtetshme për ta mundësuar këtë situatë? A varet ekzistenca e raportit të pushtetit nga aftësia e palës së pushtetshme për të imponuar vullnetin e saj përkundrejt vullnetit të palës tjetër? A është mposhtja ose mposhtja potenciale e rezistencës aktuale ose virtuale një komponent esencial i raportit të pushtetit? Po në rastin e situatave, ku asimetria ndërmjet palëve është aq e madhe saqë pala inferiore nuk është fare e vetëdijshme që ka interesa të kundërt me palën superiore, por në mënyrë rutinore bashkëpunon për realizimin e interesave të palës superiore, ose së paku nuk përpiqet të pengojë realizimin e tyre? A nuk është aftësia e palës superiore për të kontrolluar agjendën (pra për të mos lejuar që disa gjëra të bëhen çështje ndërmjet vetvetes dhe palës inferiore) një pozicion veçanërisht i privilegjuar?

Debati për pushtetin e komunitetit

Në gjysmën e dytë të shekullit XX koncepti i pushtetit, sidomos duke iu referuar përkufizimit veberian, u bë objekt i debateve metodologjike në lidhje me mundësinë për ta bazuar empirikisht. Në këtë debat u përfshinë politologë dhe sociologë, veçanërisht ata që adaptonin perspektivën bihejvioriste. Ky debat shpeshherë u zhvendos nga koncepti i pushtetit te nocioni “strukturë pushteti”, ose siç do të ishte shprehur Hobbes, lëvizje e parë për veprimin e pushtetit. Kështu, ky debat mund të shihet si vijim i linjës hobsiane në fokusin e tij, por tashmë i frymëzuar dhe suplementuar nga kontributi veberian.

Libri që hapi debatin për pushtetin e komunitetit ishte Community Power Structure nga sociologu amerikan Floyd Hunter më 1953-shin (Hunter 1953). Duke përdorur një metodë reputacionale, ai argumentoi se nuk kishte një elitë pushteti të qartë në Atlanta. Më tej ai argumentoi që anëtarët e kësaj elite pushteti të vogël ishin të lidhur socialisht dhe ekonomikisht me njëri-tjetrin dhe këtu përfshiheshin biznesmenë të rëndësishëm, avokatë korporatash dhe politikanë. Ai e shihte pushtetin si një set piramidash pushteti të ndërlidhura; edhe pse të njëjtët njerëz dominonin në piramida të ndryshme (pra për çështje të ndryshme), të tjerë njerëz mund të gjendeshin në krye të secilës piramidë. Pak kohë më vonë sociologu tjetër amerikan C. Wright Mills botoi librin The Power Elite, ku argumentoi se Shtetet e Bashkuara sundoheshin nga një kompleks politik-industrial-ushtarak, anëtarët e të cilit vinin nga i njëjti sfond social, kishin ndjekur të njëjtat shkolla dhe universitete dhe u përkisnin të njëjta klubeve (Mills 1956). Këta dy libra së bashku krijuan të ashtuquajturën “teori elitiste” dhe formuan anën e parë të debatit për pushtetin e komunitetit. Ana e dytë e debatit (teoria pluraliste) filloi me librin Who Governs? të politologut Robert Dahl dhe, me kontributin vendimtar të Steven Lukes ku debati u zhvillua me emërtimin e ri “fytyrat e pushtetit” (Dahl 1961).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zgjidhja me shpejtësi e emrit të Maqedonisë si shpresë për hapjen e negociatave

Nga Ervis Iljazaj Më në fund, pas një historie të gjatë dhe...
Read More