Kamza, zonë shqiptare pranë Shkupit, apo Tiranës?

Ndricim KullaNga Ndriçim Kulla*

Dallimet politike nisin e bëhen arsye për diskriminim. Kjo ka ndodhur me bashkinë e Kamzës, shkruan Kulla, i cili thotë se ajo është shndërruar si lagja shqiptare e Shkupit, e cila diskriminohet nga drejtuesit maqedonas të qytetit.

Kamza është një bashki e madhe pranë Tiranës, por qeveria shqiptare që është në Tiranë e shikon Kamzën ashtu si qeveritë maqedonase shikojnë Çairin, një bashki me popullsi shqiptare në zonën e Shkupit, që diskriminohet keq nga qeveritë maqedonase. Ashtu si Çairi, edhe Kamza diskriminohet kur është fjala për investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj. Kjo megjithëse qytetarët e Çairit, ashtu dhe ata të Kamzës, kontribuojnë në buxhetin e shtetit duke paguar taksa, përveç taksave lokale që paguajnë. Por Çairi ka të bëjë me një qeveri ku megjithëse ka ministra shqiptarë, kontrollohet nga maqedonasit, ndërsa Kamza ka të bëjë me një qeveri shqiptare.

Kamza nuk diskriminohet nga të gjitha qeveritë, në fakt, por vetëm nga qeveritë e majta. Arsyeja është se Kamza voton rregullisht për Partinë Demokratike. Por diskriminimi i Kamzës është një luks i madh koston e së cilës e paguan qyteti i Tiranës dhe një pjesë e madhe e vendit. Kjo sepse diskriminimi i Kamzës në projektet infrastrukturore sjell kaos në trafikun rrugor të Tiranës dhe të Shqipërisë së Veriut, si dhe të trafikut rrugor në drejtim të Kosovës dhe Malit të Zi. Kamza është një pikë kyçe për çdo projekt për lehtësimin e qarkullimit rrugor të Tiranës në drejtim të Veriut. Dhe të tillë projekte ka dy.

E para është ajo rrugë që në Kamzë njihet si Bulevardi Blu, dhe që nëse do të përfundohej sipas projektit me të cilin është tenderuar që në 2008, lehtësonte shumë trafikun rrugor mes Tiranës dhe Veriut e anasjelltas. Ky korridor do të shërbente edhe për të lehtësuar autostradën Tiranë-Durrës nga pjesa më e madhe e trafikut rrugor nga Kamza në Tiranë dhe anasjelltas. Por, më e rëndësishme për këtë qëllim është ajo që në Kamzë njihet si Rruga e Argjinaturës, e cila kalon përgjatë Lumit Tërkuzë dhe që do të shërbente si një portë hyrëse dhe dalëse e re për Tiranën në drejtim të Veriut.

Për herë të parë Kamza pa të realizuar një projekt serioz infrastrukturor, kur qeverisja e PD-së, pas vitit 2005, ndërtoi mbikalimin e Kamzës, që në fakt nuk i shërbente vetëm Kamzës por edhe lehtësimit të trafikut rrugor midis Tiranës dhe Veriut dhe anasjelltas. Gjithashtu u iniciua dhe ndërtimi i korridorit që kam përmendur më lart. Por puna për realizimin e projekteve infrastrukturore të Kamzës, dhe në përgjithësi të gjitha projekteve me financim qeveritar që kanë të bëjnë me Kamzën, u ndërpre pas zgjedhjeve të qershorit 2013. Kjo megjithëse Kamza ka një komunitet prej 160 mijë banorësh që kontribuojnë në buxhetin e shtetit nëpërmjet pagimit të taksave dhe tatimeve që i paguhen pushtetit qendror. Në territorin e Bashkisë së Kamzës ka të regjistruar 2700 biznese që i paguajnë taksa pushtetit qendror, përveç atij lokal.

Në funksion të diskriminimit të Kamzës është bërë dhe bëhet nga mediat pranë qeverisë së sotme edhe fushata e personalizuar kundër kryetarit të bashkisë së Kamzës, z. Xhelal Mziu. Fushata e personalizuar kundër z. Mziu, më duket se synon të godasë më tepër komunitetin që ai përfaqëson se atë vetë si person. Shkurt ka një përpjekje të mediave pro qeverisë për ta paraqitur z. Mziu si një lloj karagjozi politik dhe nënkuptimi është se të tillë janë banorët e Kamzës që votojnë vazhdimisht për të.

Është normale se si për çdo njeri mund të kesh vërejtje edhe për z. Mziu, por ato nuk kanë të bëjnë me stereotipin me të cilin kërkohet të paraqitet ai, si politikani “malok,” i zbritur në periferi të Tiranës. E para, z. Mziu, nuk bën pjesë në atë grup politikanësh që i morën diplomat universitare dhe gradat shkencore kur hynë në politikë, si ndonjë ministër i qeverisë aktuale. Z. Mziu është një student i dhjetorit 1990. Pasi u diplomua ai bëri një karrierë normale në administratë dhe mori edhe doktoraturën në fushën e tij të studimeve.

Ata që kërkojnë ta denigrojnë z. Mziu, keqpërdorin një prirje që ka ai për t’u shkrirë me popullin, për të respektuar traditat popullore, edhe në publik. Çudia është se vetë kryeministri Rama përpiqet të bëjë të njëjtën gjë. Por kur Rama i bie defit, kjo iu duket normale mediave pro qeverisë, ndërsa kur Xhelali i bie daulles, kjo u duket karagjozllëk! Kur Edi Rama përdor proverba (“Qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara”), ky është kulmi i mençurisë, ndërsa kur përdor Xhelali proverb ky na qenka karagjozllëk! Ndoshta nuk kanë faj se kanë ngrënë përsheshin e kryeministrit. Edi Rama është doktor i shkencave, por ka turp ta thotë këtë gjë në CV-në e tij, për arsye që i di ai. Xhelali është doktor i shkencave ekonomike por nuk e thotë këtë gjë përveçse në CV-në e tij, dhe kjo për modesti.

Gjëja më e keqe është se në personin e z. Mziu kërkohet të denigrohet gjysma e popullsisë së Shqipërisë, veriorët, të cilët kryeministri ynë i quan “alpinë”, që nënkupton “malokë”. Në Shqipërinë e shekulli XXI duhet të ishin të kapërcyera me kohë këto atavizma të ndasive krahinore dhe aq më pak të ushqeheshin nga qeveria.

Një komunitet me 160 mijë banorë, që gjendet në portat e kryeqytetit, siç është Kamza, nuk mund të trajtohet më gjatë nga qeveria me mendësinë e getos, me justifikimin se zgjedhin të parë Xhelalin. Kur Xhelali arrin të marrë shumicën e votave për herë të tretë, madje herën e tretë në një komunitet me 160 mijë njerëz, kjo do të thotë se ai arrin t’i bindë ata se përfaqëson interesat e tyre. Prandaj kryeministri duhet ta shikojë z. Mziu si interlokutorin legjitim të këtij komuniteti dhe vetë këtë komunitet duhet të mos e shohë më si të përbërë nga qytetarë të dorës së dytë, të cilët nuk meritojnë një trajtim të denjë. Kryeministri i Shqipërisë nuk mund të vazhdojë të sillet me 160 mijë qytetarë të vendit të tij, si Kryeministri i Maqedonisë me shqiptarët e Çairit dhe pjesën tjetër të shqiptarëve të zonës së Shkupit. Aq më tepër në kohën kur edhe kryetari i opozitës maqedonase po e kritikon qeverinë e vendit të tij për një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Del nga Arkiva: La Traviata, si kanë ndryshuar në 60 vjet Violetta-t

TKOB ka publikuar këto ditë të gjitha sopranot që kanë interpretuar personazhin...
Read More