“‘Kanali Musolini’ si të thuash emrin e Enver Hoxhës”

antonio“Kanali Musolini”, një histori fshati që e shndërroi autorin Antonio Pennacchi në një fenomen letrar në Itali moderne. E përkthyer nga Diana Kastrati, botimet “Dituria”, ky roman dje ka pasur takimin e parë me lexuesin shqiptar me prani të autorit italian, që ka treguar si ka nisur ideja e shkrimit të këtij romani qysh nga fëmijëria

Shkrimtari italian Antonia Pennachi ishte dje në Tiranë prezent në promovimin e romanit të tij “Kanali Musolini”, me një vëmendje të dedikuar përballë lexuesve të parë, të zgjedhur shqiptar në mjediset e Institutit Italian të Kulturës.

Ky është nga ato raste kur përkthimi përballet me gjuhën ku ka shkuar, që ka përpara librin e tij “të tradhtuar”…

Pennachi ka dëgjuar në gjuhën e tij, të drejtpërdrejtë, atë italiane nga botuesi shqiptar, përkthyesi, e kritika edhe pse ndoshta mund të ketë pasur një fije andrallë për ta dëgjuar tingëllimën e shqipes.

Nuk e ka pasur këtë mundësi, sepse gjithë takimi ka qenë në italisht, një ndjesi rehatie në fakt për shkrimtarin që ka rrëfyer se idenë për të shkruar një libër mbi historinë e familjes së tij e ka pasur qysh në fëmijëri, duke e paraqitur si një roman që në thelb ka nota biografike.

“Unë e dija që duhet ta shkruaja këtë libër që i vogël. Sapo mësova të shkruaja dhe lexoj, vendosa ta hedh në letër këtë histori, ishte një detyrë që ma kishte ngarkuar gjyshja. Historia e familjes ishte primare, por dhe Italia e atyre viteve. Premtimi ndaj gjyshes ishte aq domethënës sa ndonjëherë kisha frikë se mos largohesha nga kjo botë pa e shkruar librin, dhe do të më duhej të lindja edhe njëherë për ta shkruar atë. Tani jam i lumtur që ia dola”.

Kështu Antonio Pennachi tregoi disa të vërteta që lidhen me historinë e kanalit të famshëm.

Historia fillon në vitin 1926 me një njërin prej trashëgimtarëve të familjes Perruci, që ishin argatë venecianë në fund të shekullit të 19-të, ku një fis i tërë fshatarësh nga veriu vijnë në Agro Pontino për të punuar në tharjen e kënetës.

“Natyrisht në Agro Pontino nuk ekziston asnjë familje Perruci, që t’i kenë ndodhur këto ngjarje, por ngjarjet kanë ekzistuar në të vërtetë. Është historia e komplikuar dhe fatkeqe e atyre që ishin përkrahës e simpatizantë të hershëm të fashizmit. Unë kam treguar histori të vogla, por të vërteta të mëdha të një eksodi të madh historik që lihet në harresë ose që është i komentuar me keqdashje. Nuk e di se si është ky libër për ju, por unë që kur isha i vogël e kisha vendosur se do ta tregoja”.

Përtej kontekstit historik të bonifikimin e kënetave Pontine, si një prej projekteve ambicioze të Musolinit, në romanin “Kanali Musolini”, Pennachi vlerësohet se trajton me humor dhe ironi kur shkruan se ç’ishte fashizmi, cila ishte Italia e vërtetë e viteve ‘30 dhe si mund ta njohim Duçen ndryshe.

Romani paraqitet nën një kornizë historike të vërtetë që ngërthen gjithë pjesën e parë të shekullit të kaluar në Itali, një hark kohor historik që zë fill me ngjarjet e romanit nga 1926 deri në 1945, por që hollë-hollë i rikthehet me anë të digresionit nga pena e autorit, edhe 26 viteve të para të shekullit XX.

Brenda kësaj kornize historike gjallon saga e një familjeje. “Kanali Musolini” është një roman që vështirë se mund ta klasifikosh me një atribut, ta katalogosh në një gjini.

Një titull i tillë romani, Kanali Musolini, është marrë nga ekzistenca e një kanali të bonifikuar të zonës së Agro Pontino-s që ndodhet midis qytetit të Latinës dhe Cisternas në Italinë e qendrës.

Kanali mbajti këtë emër gjatë periudhës fashiste, ndërsa sot mban emrin ‘Canale delle Acque Alte’ ”, ka shkruar më herët për këtë botim, përkthyesja Diana Kastrati.

Ndërsa Pennachi dje ka treguar para lexuesve shqiptare historinë e passhkrimit të librit, si u treguan indiferentë, madje nuk e pëlqeu shtëpia botuese ku e dorëzoi fillimisht.

Nga kjo përvojë shkrimtari italian thotë se librin e tij nuk e donin, nuk e vendosnin në vitrinë një libër me emrin e Musolinit, duke e hequr madje nga ekspozimi.

Për ta kuptuar më mirë, në këtë mjedis shqiptar, Pennachi u kthehet të pranishmeve të imagjinojnë një libër në Shqipëri, që të ketë emrin “Kanali Enver Hoxha”.

Por, megjithëse pas leximit libri u prit mirë, Pennachi kujton se pati marrë një përgjigje se kurrë nuk do të bëhej një libër bestseller, për shkak të lokalitetit të tij, të zonës nga vinte e për të cilën shkruante.

Një libër që fliste për kënetat, për fshatarët shumë-shumë mund t’iu interesonte njerëzve të fshatit të tij, por pa mundësi për një audiencë të gjerë.

Në të kundërt të kësaj, Pennachi sot thotë se libri i tij pati sukses në Itali, duke u shitur më shumë se 500 mijë kopje, e përkthyer në shumë vende të Evropës.

“Ju do pyesni pse gjithë ky sukses për një histori kaq të thjeshtë? Unë besoj se në këtë libër kanë gjetur veten të gjithë ata persona që kanë pasur të bëjnë me jetën e fshatit. Sepse sipas meje ka shumë ndryshim nga jeta që bëhet në fshat dhe ajo që bëhet në qytet. Ndërsa fshati është njëlloj si në Danimarke në Kalabri dhe në Shqipëri. Dhe pastaj është edhe ana tjetër që me tharjen e kënetave në një mënyrë apo në tjetër kanë pasur të bëjnë të gjithë ata që kane jetuar në fshat. Pastaj letërsia italiane ka një fjalor të vështirë që kuptohet nga pak, por unë dhe pse jam pjesë e saj zgjodha të flisja me një gjuhe të thjeshtë që historia të kuptohej nga të gjithë”, është shprehur Pennachi.

Në Itali është botuar edhe vëllimi i dytë. Antonio Penachi tha se së shpejti do të fillojë të shkruajë edhe vëllimin e tretë pasi libri ka ngjallur shumë interes për lexuesit, të cilët duan të dinë se si do të mbarojë kjo histori.

Antonio Pennacchi, në 2010 fiton çmimin Strega, një çmim prestigjioz letrar në Itali i krijuar që në 1947 në sallonin letrar të Maria e Goffredo Bellonci-t të asaj kohe.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Mafia shqiptare po e blen Serbinë”

“Mafia shqiptare po e blen Serbinë”, është titulli i portalit serb “Alo”,...
Read More