Kapexhiu në teatër: Shqiptarët e ’90-s, seks e moral në “Playboy”

“Playboy”, një nga gazetat më të shitura erotike në fillim të ’90-s. Për karikaturistin e shkrimtarin Bujar Kapexhiu, ky rast ishte një gjurmë aq e thellë kujtese, sa e çoi të shkruante një tekst: “Gjeneral & Playboy”, të posaçëm për skenë teatri, që shfaqet premierë më 30 mars, në Teatrin e Metropolit. Kapexhiu, me mendimin se fenomeni është aktual, e ka ndërtuar vetë edhe regjinë për të shkuar në psikozën e mendësinë që ekziston ende

Kush mban mend tregun e mediave në fillim të viteve ’90, fenomeni ishte revista erotike “Playboy”. Një ushtarak i rreptë, kolonel, u vendos në kontradiktë me parimet e tij kur dy djemtë vendosën të botojnë gazetën e asaj kohe, me emrin provokues “Playboy”. Ishte një nga gazetat më të shitura, dhe për karikaturistin e shkrimtarin Bujar Kapexhiu ky rast ishte një gjurmë aq e thellë sa e çoi të shkruante një tekst: “Gjeneral & Playboy”, të posaçëm për skenë teatri, që shfaqet premierë në Teatrin e Metropolit. Kapexhiu, me mendimin se fenomeni është aktual, e ka ndërtuar vetë edhe regjinë për të shkuar në psikozën e mendësinë që ekziston ende.

“Ideja për shkrimin e kësaj vepre ka lindur nga një ngjarje reale e fillimit të viteve ’90, kur dy vëllezër filluan të botojnë gazetën në atë kohë Playboy. Në të vërtetë babai i tyre ishte një ushtarak i rreptë, kolonel dhe kjo e vinte në kontradiktë me parimet. Por duke parë fitimet që vinin nga shitja e saj, i lind dëshira të kontribuojë edhe më shumë në këtë biznes. Unë kam kënaqësinë të rikthehem në Teatrin Metropol, pasi në këtë mjedis e kam nisur karrierën time artistike sapo kam mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve për regji, u emërova regjisor i Estradës së Tiranës. Në këto ambiente kam nisur aktivitetin në vitin 1968-1973. Në përgjithësi njeriu ka një cikël në jetë, për ta mbyllur i rikthehet edhe njëherë fillimit. Kështu po më ndodh edhe mua, po i rikthehem edhe njëherë skenës ku e nisa”, -thotë regjisori Kapexhiu.

Lënda letrare dhe ajo skenike vijnë bashkë duke pasur në fokus një gjeneral të viteve të para të ardhjes së demokracisë; një kapter nga koha e diktaturës dhe një biznesmen i ardhur nga provinca në kryeqytet. Midis dy ushtarakëve ndihet diferenca arsimore, sidomos me futjen në NATO, që e detyron gjeneralin në moshë, të nisë mësimet për gjuhën angleze, me mësuese private në shtëpi. Kapexhiu ka treguar se shfaqja është realiste dhe nuk shkon jashtë strukturës së tekstit, ndërtuar mbi karaktere, situata dhe raportet mes personazheve.

“Metamorfozë shumë komike kjo, që përshkon fillin e subjektit nga fillimi në fund të ngjarjes. Papunësia, mungesa e të ardhurave, pensioni qesharak, goditjet dhe presioni i moralit të ri dhe liberal e transformojnë gjeneralin demodé dhe e detyrojnë të hyjë në rrjedhën e kohës, tashmë i ambalazhuar me koncepte të reja që i përshtaten më së miri ekonomisë së tregut. Nga kundërshtar i ashpër e kategorik i kësaj reviste, ai në fund të komedisë merr përsipër shpërndarjen e kësaj reviste. Në ekonominë e tregut triumfon e reja”, -thotë regjisori.

Kontradikta kryesore në vepër dhe ajo që e bën më komike ngjarjen, është ballafaqimi dhe konflikti parimor për konceptin e moralit ndërmjet gjeneralit me konceptet e vjetëruara dhe nipit të tij me lirinë e shprehjes në demokraci, të cilën e konkretizon nëpërmjet një biznesi fitimprurës, botimin dhe shpërndarjen e një reviste erotike. Në këtë sfond familjar është edhe ballafaqimi dhe paralelizmi midis gjeneralit që e largojnë nga detyra për motive qesharake dhe nga ana tjetër, krushqia dhe miqësia familjare, që komshiun kapter e gradon në një post të rëndësishëm”.

Nga kjo situatë pothuajse ndonjë gjë e madhe politikisht, sipas tij nuk ka ndryshuar. Por, godina e teatrit të Metropolit, dikur Estrada, duke i hapur dyert Kapexhiut rikthen pothuaj gjithë trupën e humorit të dikurshëm, si: Xhevair Zenelin, Muharrem Hoxhën, Suela Konjarin, Natasha Selën; në rol kryesor Bujar Asqeriun.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Diasteme: Është e tmerrshme urrejtja e njeriut

Regjisori francez, me emrin artistik Diasteme ka prodhuar filmin e parë kontraversal...
Read More