Kapitalizmi ka shpresë në Shqipëri: Më në fund po flitet për taksat!

Nga Ervis Iljazaj

Ndër të tjera, protestat e qytetarëve të Kukësit, sollën në vëmendje të opinionit publik një çështje shumë të rëndësishme, atë të taksave. Lajmi i mirë nga ngjarjet e fundit, është pikërisht fakti se betejat politike dhe qytetare po zhvillohen për taksat, instrumenti më i rëndësishëm i një ekonomie dhe një qeverie.

Deri më tani retorika politike shqiptare, nga të dyja palët, ka qenë pothuajse bosh, pa asnjë çështje të qenësishme që ndikon drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve. Në rastin më të mirë, është zhvilluar një betejë politike për Reformën në Drejtësi, por edhe ajo është një betejë hipokrite me garën midis dy palëve se kush e do më shumë drejtësinë.

Në këtë kuptim, politika shqiptare nuk ka prodhuar asnjë gjë të rëndësishme në aspektin e propozimeve dhe politikëbërjes. Kështu që, protestat e ditëve të fundit jo vetëm që i bëjnë mirë demokracisë në aspektin e raportit midis pushtetit dhe qytetarëve, por edhe në aspektin e çështjes së rëndësishme që diskutohet këto ditë, ajo e politikave ekonomike dhe fiskale.

Po cilat janë propozimet e mazhorancës dhe opozitës në këtë drejtim?

Duhet thënë që të dyja dalin përpara qytetarëve shqiptare me kontradiksione të thella, për shkak të nevojës që kanë për të marrë konsensus, por ky është një konsensus i cili nuk reziston gjatë, dhe pakënaqësia e qytetarëve me politikat fiskale të qeverisë Rama e tregon më së miri këtë.

Nga ana e mazhorancës, ka një politikë fiskale majtiste, e cila presupozon taksën progresive dhe një barrë fiskale relativisht të lartë. Në këtë kuptim, dhe me këtë politikë fiskale, nënkuptohet që është shteti ai që merr përsipër të sigurojë shërbimet e ndryshme. Mirëpo, në të vërtetë nuk po ndodh kjo. Qeveria Rama pothuajse, shumicën e shërbimeve po e siguron nëpërmjet Partneritetit Publik-Privat, duke shkaktuar në këtë mënyrë edhe revoltën e qytetarëve, pasi është e papranueshme për ta që shërbimet t’i paguajnë dy herë. Njëherë nëpërmjet taksave, dhe njëherë nëpërmjet pagesave të kompanive koncesionare.

Nga ana tjetër, opozita në këtë drejtim ka propozime, po ashtu kontradiktore; Lulzim Bashën e kemi dëgjuar shpesh, se propozimi i tij është taksa e sheshtë. Shumë mirë që është kështu, pasi qytetarët i shpenzojnë më mirë paratë e tyre se sa pushtetarët. Por, në kontradiksion me taksën e sheshtë, janë politikat e tjera që Basha propozon. Nga njëra anë kërkon të vendosë taksë e sheshtë, dhe nga ana tjetër, i mëshon fort një shteti social të tipit, pensione minimale të larta, rroga minimale të larta, shëndetësi falas, arsim falas etj. Edhe këtu kemi një kontradiktë që në gjuhën e ekonomistëve do të quhej Hajekiane–Kejnesiane.

Nëse ka një gjë të cilën qytetarët nuk e pranojnë, është pikërisht paqartësia e politikës në propozimet e saj, aq më tepër kur bëhet fjalë për politikat ekonomike dhe shërbimet apo mënyra se si do të sigurohen ato. Sepse ka rrezik, që në këtë kontradiksion të filozofisë ekonomike në të cilën që gjenden të dyja palët politike, asnjëherë s’kemi për të patur një model ekonomik zhvillimi të qartë, por politika spontane sipas momentit, që nuk të çojnë asgjëkund. Dhe kjo është një kosto shumë e lartë për shoqërinë dhe ekonominë e vogël shqiptare. Por, nëse ka një defekt demokracia, është pikërisht konsensusi konstant që kërkon politika. Ky konsensus e bën shpesh politikën populiste, dhe të pamundur për të menduar nëpërmjet një vizioni ekonomik dhe shoqëror afatgjatë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ja ç’është kujtesa historike!

Takimi për Pashkë me Gjelë Gjikolen: Tre javë më vonë u sëmur...
Read More