Kapitullimi i Europës përpara Beogradit, një vetëvrasje diplomatike!

Nga Erkjad Kajo* – Përfundimi i luftës së ftohtë që u kurorëzua me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, krijoi në radhët e europianëve iluzionin e sigurisë së përhershme. Mirëpo tërheqja graduale e SHBA-ve nga çështjet europiane duke e përqendruar vëmendjen e saj në rajonin Azi-Paqësor, me epiqendër Kinën i ndryshoi rregullat e lojës.

Rusia duke shfrytëzuar boshllëkun e fuqisë që ishte krijuar, bëri lëvizjen e saj të parë, në rajonin e Kaukazit, ku vendosi të shkrijë konfliktin e ngrirë me Gjeorgjinë më 2008, e cila u pasua me mjeshtëri më 2014 me një tjetër lëvizje kësaj radhe kundrejt Ukrainës – së cilës i shkëputi gadishullin e Krimesë ndërsa i ka zhytur në anarki pjesën Lindore. Europa e gjendur përballë një politike të tillë agresive nga pala ruse, vendosi të adaptojë një “qasje të re”, në pamje të parë largpamëse dhe inteligjente por në realitet sipërfaqësore dhe aspak strategjike.

Qasja europiane as më pak as më shumë ka të bëjë me eliminim e ‘enklavave’ ruse në territorin e saj. Të tilla konsiderohen Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia (Gruevskiane). Ndërsa pushteti në Mal të Zi dhe Maqedoni është përqendruar, falë faktorit determinant shqiptar, në duart e një elite pro perëndimore, fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Serbinë.

Në këtë kontekst Brukseli arriti atë ç’ka nuk mundi Uashingtoni, një marrëveshje midis Maqedonisë dhe Greqisë, që do të bëjë të mundur integrimin Euroatlantik të së parës – duke i dhënë fund një krize që zgjaste prej thuajse çerek shekulli. Po ashtu, edhe Mali i Zi konsiderohet një kapitull i mbyllur, pas grushtit të shtetit të mbetur në tentativë dhe anëtarësimit me sukses në Aleancën e Atlantikut të Veriut ndërsa integrimi në Bashkimin Europian është duke u zhvilluar me një lloj procedure ‘fast-track’ për Podgoricën.

Problemi madhor për Europën është Serbia. Një vend i cili ia ka borxh ekzistencën e vet Rusisë, të cilën shumica absolute e popullit serb e ndjen të afërme për nga etnia, gjuha, kultura dhe feja. Kjo afërsi shpirtërore përkthehet më tej me një bashkëpunim më të ngushtë politik midis dy vendeve, gjë që e ka transformuar në një bastion të vërtetë të Rusisë në rajonin tonë.

Pikërisht në këtë kuadër duhet parë krijimi i bazës ruse në vendlindjen e Konstandinit të Madh, në Niš. Por edhe modernizimi me pajisje dhe armatime ruse siç janë luftavionët reaktivë Mig 29, të cilët Presidenti i Serbisë i priti me “lot në sy” gjatë ceremonisë së dorëzimit, gjë që nuk lë shumë hapësirë për të aluduar por veçse i vërteton marrëdhëniet e ngrohta midis dy vendeve sllave, të cilat arrijnë në një nivel strategjik.

Bashkimi Europian, si një pasardhës i denjë i ‘Koncertit Europian’, i sistemit pra që sundoi Europën nga Kongresi i Vjenës më 1815 deri në prag të Luftës së Parë Botërore më 1914. I cili kishte si tipar karakteristik organizimin e Kongreseve në të cilat nëpërmjet diplomacisë sekrete bënin pazare në dëm të popujve të ndryshëm, duke ndarë territoret e tyre sikur të ishin ngastra torte për të siguruar me demek “paqen” duke aplikuar principin e “ekuilibrit të forcave midis Fuqive të Mëdha”.

Europa, në emër të paqes, stabilitetit dhe eliminimit të enklavave ruse në Ballkan, është duke përsëritur vetveten. Ngjashëm si në Kongresin e Berlinit, në të cilin u mundua të dobësonte influencën ruse në Europë, duke anuluar marrëveshjen e Shën Stefanit, paradoksalisht fuqizoi satelitët e saj në Ballkan, duke u “dhuruar” troje shqiptare Monarkive sllave, duke injoruar thirrjet e Patriotëve Shqiptarë për këtë padrejtësi, e cila ishte dhe një vepër miope. Abdyl Frashëri në një shkrim profetik në prestigjiozen Europiane Les Messager du Vienne më 1878 informonte Fuqitë e Mëdha se sllavët përbëjnë rrezikun më të madh për Europën dhe se  ‘‘[Shqiptarët do të jenë]… kurdoherë pararoja më e sigurte e Europës kundër pansllavizmit’’.  Europa e injoroi, duke arritur deri në atë pikë sa princi Otto von Bismarck deklaroi se ‘‘nuk ekziston një komb Shqiptar’’ ndërsa njëkohësisht, Serbia shpërngulte duke ushtruar dhunë që arrinte dhe tejkalonte kufijtë e gjenocidit në Toplicë kundrejt një popullsie që i përkiste një kombi të padëshiruar!

Shekulli XX shënon një tjetër etapë të turpshme në analet e diplomacisë Europiane. Shqiptarët, pas peripecish të shumta arritën të shpallnin pavarësinë dhe të krijonin shtetin e tyre kombëtar më 1912, dhe menjëherë u gjendën përballë një realiteti të hidhur.

Politika Europiane vendosi të injoroi vullnetin e Kombit Shqiptar, të cilin Qeveria e Vlorës e bënte me dije me anë të një telegrami se ‘‘Asamblea Kombëtare […] proklamoi independencën politike të Shqipnisë […] me i dalë zot të drejtave të qenies së popullit Shqiptar, të kanosur me çfarosje nga ushtërivet Sërbe […] kam nderin me i u lutun Qeveriës së Madhëniës Tija Mbretit Bretaniës së Madhe, qi të ketë mirësiën me e njoftun kët ndryshim të jetës politike të kombit Shqiptar. Shqiptarët duke hymë prap në familjet të popujvet t’Europës […] në të cilën mburren se janë më të motshmit, e duke mos ndjekun veç se një qëllim të vetmë: me jetue në paqë me gjithë Shtetet Ballkanike e me bamun nji element eqilibri, janë të bindun se Qeverria e Madhniës Tija ashtu edhe gjithë bota e qytetnueme do t’i presi me sy të mirë duke i’a u mprojtur qenjen e tyre kombëtare nga çdo mësyme edhe tokën nga çdo coptim’’.

Diplomacia Europiane me një të rënë të “lapsit” vendosi që nga katër kryeqendrat shqiptare, vetëm njëra, Shkodra, do të ngelej brenda shtetit kombëtar shqiptar. Tri të tjerat, Shkupi, kryeqyteti i Dardanisë së Lashtë, Manastiri nga ku At Gjergj Fishta shpalli orientimin Perëndimor të Kombit tonë me thënien historike “Gjuha shqype vojt kah Perëndimi” fill pasi Kongresi Manastirit përfundoi punimet më 1908 duke zgjedhur alfabetin latin dhe e fundit por jo nga rëndësia Janina, kryeqendra e Shqipërisë së Poshtme.

Këtë “pazar” ish-ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Sir Edward Grey, e justifikoi si  “të nevojshme për të ruajtur paqen në Europë” përpara bashkëkombësve të vet gjatë seancës plenare të parlamentit Britanik. Por atë që nuk kuptoi “Numri Një” i diplomacisë Britanike, në fillim të shekullit XX, ishte që me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1913, Serbisë, ngjashëm si Marrëveshja e Monakos më 1936 me Gjermaninë Naziste, e cila u propagandua nga bashkëkombësi i Sir. E. Grey, Chamberlain, si “marrëveshja e ndershme qe [do sillte] paqe për periudhën tonë”, s’bëri gjë tjetër veçse i hapi oreksin e nazistëve për më shumë, gjë çoi në Luftën e Dytë Botërore, ngjashëm qysh çoi pansllavizmi serb Europën në Luftën e Parë Botërore.

Filozofi dhe oratori i madh Romak, Cicëroni kishte thënë dikur se “Historia është dëshmitarja e vërtetë e së kaluarës, drita e së vërtetës, jeta e kujtesës, mësuesja e jetës”. Shefja e Diplomacisë Europiane nuk duhet të harrojë të kaluarën në mënyrë që mos ta përsërisë atë. Serbia nuk është një bashkëbisedues i ndershëm. Presidenti i saj i tanishëm, zoti Aleksandar Vučić, është një nacionalist, i cili ndan po të njëjtat bindje me autorin e Načertanije-s, Ilija Garašanin, me Pansllavistin Nikola Pašić, me autorin e Memorandumit famëkeq ‘për shpërnguljen e Shqiptarëve’ të 1937, Vaso Čubrilović deri te “Kasapi i Ballkanit” Slobodan Milošević, në qeverinë e të cilit shërbeu në të njëjtin post që Goebels i shërbeu Hitlerit.

Deklaratat e z. A. Vučić në Alpbach të Austrisë, ngjajnë shumë me ato të bëra gjatë shekullit XX nga Sir. E. Grey dhe z. Chamberlain. Fjala kyçe që ata përdorin është “paqja”. Diçka që dëshirojnë të gjithë, padyshim! Mirëpo realiteti është krejt ndryshe, “politika e koncesioneve” nuk bën gjë tjetër veçse ta largojë atë dhe sjellë më afër luftën! Udhëheqësit si lloji i z. Vučić, janë si pune peshkaqenit që sapo shijon gjakun njëherë nuk ndalet më, ngjashëm siç ndodhi me Hitlerin: udhëheqësi nazist në fillim fshiu nga harta Austrinë, dhe Europa heshti, më pas copëtoi Çekosllovakinë, sërish Europa heshti – reagoi vetëm kurrë radha i erdhi Polonisë por ishte shumë vonë, brenda dy vitesh jo vetëm Europa por krejt Bota u kaplua nga lufta.

Rrjedhimisht, nëse diplomacia Europiane është frikësuar realisht nga rikthimi i fuqishëm i Rusisë dhe penetrimi i saj në Ballkan ajo duhet të ndryshojë strategji. Zgjidhja nuk është në asnjë mënyrë joshja me koncesione territoriale e Serbisë në kurriz të shqiptarëve, për ta shkëputur atë nga Rusia. Pasi diçka e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë! Jo vetëm për shkak se elita serbe është filoruse por sepse thuajse shumica absolute e popullit serb është e orientuar nga Moska. Ndaj edhe sikur Brukseli t’i ofrojë Serbisë jo vetëm Kosovën, por madje edhe krejt Ballkanin, Ajo nuk ka për ta braktisur kurrë orientimin e saj pro rus.

Diplomacia Europiane sot për hir të së ardhmes së shtëpisë sonë të përbashkët, që është kontinenti Europian duhet të braktisë politikën miope të shekujve XIX dhe XX. Abdyl Frashëri më 1878 i ofroi Europës një alternativë reale kundrejt problemit që përbënte rritja e prezencës dhe influencës ruse në këto anë të Europës, e cila është e vlefshme edhe sot në shekullin XXI sepse ‘‘[Shqiptarët do të jenë]… kurdoherë pararoja më e sigurte e Europës kundër pansllavizmit’’.

Ndërsa për sa i përket  Strategjisë së Koncesioneve në këmbim të paqes, ajo nuk funksionon. Jam më se i bindur se në rast se  z. A. Vučić do të marrë atë çka dëshiron nga Kosova sot, si një Hitler modern, nesër do t’i kthejë sytë nga Bosnja dhe Hercegovina ndërsa pasnesër, përse jo nga Mali i Zi? Dhe natyrshëm lind pyetja: nëse Serbia i zgjeron kufijtë me kaq lehtësi dhe me bekimin e Europës atëherë përse nuk do të mund të bëjë të njëjtën gjë Rumania kundrejt Moldavisë? Hungaria kundrejt Transilvanisë (Rumani) dhe Vojvodinës (Serbi)? Bullgaria në Dobroça (Rumani) dhe Maqedoni (qoftë kundrejt Maqedonisë së Egjeut apo IRJM-së)?/

*Universiteti i Shkencave Sociale dhe Politike “Panteion” (Athinë)

Shkruar Nga
More from Redaksia

Nostalgjikët e Enverit përplasen me mbështetësit e PD-së, video

    Është bërë e zakonshme që në çdo ditë përkujtimore e...
Read More