Kapja e tonelatave të kokainës, nuk është sukses nëse hetimet nuk shkojnë deri në fund

Nga Ervis Iljazaj

Kapja e një sasie kokaine të padëgjuar ndonjëherë në territorin shqiptar ka nxjerrë në pah atë që thuhej dhe mendohej prej kohësh, nga të huaj apo vendës, se Shqipëria është kthyer në një vend tranzit jo pak i rëndësishëm në itinerarin e trafikimit të lëndëve narkotike.

Një ngjarje e tillë nuk ka lënë indiferent, ashtu sikurse pritej, debatin politik që u bë mbi këtë çështje midis opozitës dhe mazhorancës. Ajo që u debatua më shumë dhe u fokusua opinioni publik, ishte fakti nëse një operacion i tillë i rëndësishëm është meritë i policisë shqiptare apo e shërbimeve të huaja. Një debat absurd për hir të së vërtetës, që del nga thelbi i gjithë kësaj historie.

Dhe problemi kryesor në këtë çështje është se një sasi kaq e madhe e kapur në territorin shqiptar, nuk mund të jetë transportuar për herë të parë ose një trafik i tillë nuk mund të bëhej pa mbështetjen e rëndësishme të politikës apo të njerëzve me pushtet në Shqipëri. Askush nuk do të guxonte, të fuste në territorin shqiptar një sasi kaq të madhe kokaine pa një mbështetje të kësaj natyre.

Edhe nëse policia shqiptare nuk ka qenë e vetme në këtë çështja, në mënyrë absolute ajo ka të gjitha meritat për këtë operacion dhe meriton përgëzime për këtë. Prandaj, të gjitha debatet për meritën e saj po jo, janë debate për të zhvilluar konsumin politik të ditës.

Mirëpo, edhe suksesi i saj në këtë rast, nuk mund të konsiderohet i tillë apo do të zhvlerësohet dhe do të shkoj dëm, nëse kësaj historie nuk i shkohet deri në fund. Dhe fundi i saj është padyshim, arritja tek ata që kanë lejuar trafikimin e një sasie kokaine të frikshme dhe tepër shqetësuese.

Në këtë kuptim, detyra më e vështirë e organeve ligjzbatuese të vendit vjen në këtë moment. Tashmë është detyra e prokurorisë për t’i shkuar deri në fund kësaj historie, me qëllimin për të futur njëherë të vetme, në rrjetën e drejtësisë “peshkun e madh” .

Në të kundërt nuk çrrënjoset në themel problematika e Shqipërisë me trafikimin e lëndëve narkotike dhe historia do të përsëritet duke parë pas hekurave njerëz që nuk janë vërtet autorët e veprave të tilla.

Premisat janë shpresëdhënëse, pasi ka disa kohë që kanë filluar një sërë hetimesh që kanë si subjekt të tyre njerëz me pushtet që sipas saj kanë abuzuar më fondet publike. Edhe pse deri më tani ata janë të gjithë njerëz afër opozitës, çështjet që po hetohen, janë çështje që përfshijnë të gjitha qeveritë, të djeshmet dhe të sotshmen. Kështu që, kësaj here prokuroria shqiptare ka të gjithë mundësinë për të treguar se heton dhe pushtetarë të sotëm, dhe jo vetëm të djeshëm, nëse vërtet janë të përfshirë në këtë histori. Sipas të gjitha gjasave, sasi të tilla nuk mund të futen në territorin shqiptar, pa mbështetjen politike apo të strukturave të ndryshme të shtetit shqiptar.

Për të gjitha këto arsye, policia shqiptare meriton të gjitha përgëzimet, por që ky problem të zgjidhet njëherë e mirë, kërkohet më shumë se kaq. Është e domosdoshme që hetimet të zhvillohen për të arritur te ata që e koordinojnë me kravatë këtë trafik. Mbështetjen e të gjithë ndërkombëtarëve e kanë në këtë drejtim, dhe nuk ka asnjë arsye ose alibi për prokurorinë dhe policinë shqiptare për ti mos shkuar deri në fund kësaj historie, duke treguar vullnet se gjërat në këtë vend, më së fundmi, kanë filluar të lëvizin për mirë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ditët e Studimeve Shqiptare në UET: Shtet apo treg; lufta për ofrimin e shërbimeve  

Ky edicion i pestë synon të bëjë bashkë studiuesit më të njohur...
Read More