Katedra e gjuhës shqipe: Përkthimi “Ilinditase”, në kundërshtim me rregullat

Republika Ilinditase e Maqedonisë” si emërtim bie ndesh me natyrën dhe me rregullat e gjuhës shqipe. Kështu ka vlerësuar Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup.

Sipas tyre, Ilindeni tradicionalisht është quajtur Ilinden, në këtë mënyrë në aspektin gjuhësor, përdorimi i fjalës Ilinden në emërtim nuk duhet të paraqesë problem.

“Me këtë variant është synuar për më shumë simetri me emërtimin maqedonisht dhe për, le të themi, ndonjë shqipërim. Por shqip Sveti Ilija në fakt është Shën Elia, një profet i shek. IX para Krishtit. Pastaj, sipas rregullave të fjalëformimit, nuk mund të formojmë Eliadita e që pastaj të shtojmë edhe prapashtesën –ase dhe të fitojmë Eliaditase ose si është dhënë Ilinditase. Nocioni Ilinden në maqedonisht thjesht ndjek modelin e fjalëformimit të kësaj gjuhe, sipas të cilit disa festa fetare emërtohen me kompozita. Kështu, në maqedonisht kemi Veligden, Duhovden, Gjurgjovden e që po të përktheheshin tekstualisht, do të dilnin ‘Dita e Madhe’, ‘Dita e Shpirtrave’, ‘Dita e Gjergjit’. Kurse tradita jonë këto festa i emërton: Pashkët, Rrëshaja, Shën Gjergji. Edhe Shën Elia është ekuivalenti i Ilindenit (Dita e Ilisë, përkatësisht Elias) kur i referohet besimit përkatës”, nënvizohet në sqarimin e Katedrës.

Siç sqarohet më tej, vendosja e mbiemrit Ilindenase mes fjalëve Republika dhe e Maqedonisë e prish kuptimin, sepse Ilindenase është Maqedonia, jo Republika.

“D.m.th. duhej të ishte Republika e Maqedonisë Ilindenase. Por emërtimin me mbiemër duhet përjashtuar pasi në shqip, në dallim nga maqedonishtja, kategoria semantike e posesivitetit si në rastin e dhënë, nuk shprehet me mbiemër por me rasën gjinore. Kështu, po të nisemi nga emërtimi maqedonisht, Republika Ilindenska Makedonija ku të gjitha gjymtyrët janë në rasën emërore, mund të propozonim si emërtim shqip: Republika Maqedonia e Ilindenit. Po të nisemi nga emërtimi anglisht Republic of Ilinden Macedonia mund të propozonim si emërtim shqip Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, thuhet në reagimin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit të Shkupit. /INA

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Llogaridhënia përfundoi ashtu siç pritej, pa asnjë bilanc

Nga Ervis Iljazaj Kryeministri Rama ka përfunduar turin e llogaridhënies së qeverisë...
Read More