Katër dosjet që rëndojnë mbi ish-ministrin Saimir Tahiri

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimin pasuror për Gentian Cakën, shoferin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Institucioni i akuzës bashkon katër dosjet për hetimin ndaj ish-ministrit. Çfarë deklaroi në prokurori Gentian Caka për patentat e Tahirit që u gjetën në makinën e mbushur me 863 mijë euro.

Prokuroria e Krimeve të Rënda vendos nën hetim pasuror edhe shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Bëhet fjalë për Gentian Cakën, i cili tashmë që nga dita e djeshme është nën hetim pasuror, pasi dyshohet se në bashkëpunim edhe me biznesmenin 25-vjeçar Orest Sota, kanë tentuar të fshehin shumën prej 863 mijë eurosh, që institucioni i akuzës dyshon se janë të Tahirit, të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Të gjithë asetet në pasuri të patundshme dhe llogaritë bankare të shtetasit Gentian Ceka, do të verifikohen nga grupi i prokurorëve që kanë nën hetim prej 17 tetorit dosjen “Habilaj-Tahiri”. Hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri morën rrjedhë të papritur që nga data 1 nëntor e këtij viti.

Ndërsa Tahiri ishte nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publikë, në Elbasan më 1 nëntor arrestohet biznesmeni Orest Sota, pasi në automjet iu gjetën 863 mijë euro pa faturë hyrje-dalje dhe dy leje drejtimi për mjete lundruese në emër të Saimir Tahirit.

Prokuroria dyshon se kjo shumë e madhe vlerash monetare ishte e Tahirit, dhe Sota po kryente transportin e tyre, duke tentuar t’i fshehë. Ndërkohë emri i shoferit të ish-ministrit Tahiri del edhe në përgjimin ambiental dhe telefonik të biznesmenit Orest Sota.

I pandehuri Sota pak orë pasi u shoqërua në komisariat i kërkon llogari shoferit të tij Leonard Alimani se përse ndodheshin patentat e Tahirit në automjet, ndërsa shoferi i përgjigjet se duhet t’i ketë harruar Gent Caka (Gentian Caka, shofer i Tahirit). Pikërisht në këto momente Prokuroria e Krimeve të Rënda e mori nën hetim Cakën dhe tashmë ka shkuar në hapin tjetër duke i verifikuar edhe pasurinë e tij.

Dëshmia e njëjtë…

Në deklarimet e dhëna në prokurori Caka është shprehur se dy patentat e Tahirit i kishte lënë ai në automjetin e Orest Sotës, pasi duke udhëtuar i kishte futur në kroskotin e makinës së biznesmenit dhe i kishte harruar aty. Caka ka këmbëngulur se njihet me Sotën, por nuk ka asnjë dijeni për shumën e madhe prej 863 mijë eurosh që u kap nga policia e Elbasanit.

Ai ka shpjeguar se patentat e ish-ministrit i kishte marrë në Durrës dhe i kishte harruar në kroskotin e makinës dy muaj më parë. Thuajse i njëjti version është skeduar edhe në përgjimet e kryera në policinë e Elbasanit me urdhër të prokurorisë. Gjatë momentit kur Orest Sota dhe Leonard Alimani ishin shoqëruar në komisariat, Sota pyet i habitur Alimanin se përse ndodheshin në makinë patentat e Tahirit, ndërsa Alimani shprehet i bindur se i kishte harruar Gent Caka (shoferi i ish-ministrit).

Një ditë më pas, prokuroria mbajti nën përgjim telefonin e Leonard Alimanit dhe të Gentian Cakës. Ky i fundit në bisedë shprehet se: “patentat i harrova në makinë dhe Oresti nuk kishte asnjë faj për këtë”… Palët nën hetim mbajnë të njëjtin version se ishte vetëm një rastësi që patentat e Tahirit të gjendeshin në makinën ku u bllokuan 863 mijë euro, por prokuroria ka dyshimet e saj. Biznesmeni Orest Sota ka njohje me ish-ministrin Saimir Tahiri, pasi kompania e drejtuar prej tij ka kryer rikonstruksionin e Komisariatit nr. 6 në Tiranë, në vitin 2015.

Në pamjet filmike të saj kohe shfaqet Tahiri, Sota dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako teksa monitorojnë kryerjen e punimeve. Këto të dhëna sipas prokurorisë nuk janë një “koincidencë e zakonshme” dhe dyshohet se Sota po tentonte të fshihte shumën prej 863 mijë eurosh të përfituar nga Tahiri në mënyrë të paligjshme.

Për të vërtetuar këtë pretendim prokurorisë do i duhet shumë punë, pasi provat nuk janë të thjeshta për t’u gjetur. Sota pretendon se shuma prej 863 mijë eurosh ishte e destinuar të jepej si garanci për blerjen e rreth 4 mijë tonë hekur në kompaninë Kurum.

Avokati mbrojtës i Sotës paraqiti disa mesazhe telefonike mes pronarëve të kompanisë Kurum dhe babait të Orestit, biznesmenit Lefter Sota, ku flitet për blerje hekuri dhe një shumë në euro që do të jepej si garanci. Gjithsesi, për biznesmenët Sota, përveç hetimit pasuror dhe pasqyrimit të parave, Prokuroria e Krimeve të Rënda po verifikon edhe tenderët e fituar nga kompanitë e tyre gjatë viteve, përfshirë edhe rikonstruksionin e komisariatit të Kombinatit.

Prokuroria merr “dhuratë”

Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte nën shënjestrën e politikës pasi ngriti akuza ndaj ish-ministrit, i vjen një “dhuratë” nga Policia e Elbasanit.

Biznesmeni Orest Sota u arrestua pasi nuk iu bind një patrulle policie për të ndaluar dhe pas ndjekjes ai u arrestua e ndërsa kryhej kontrolli i automjetit iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri. Aktualisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka mbërritur dosja e parë ndaj ish-ministrit Tahiri e ardhur nga Prokuroria e Katanias në Itali.

Më 17 tetor u arrestuan në Itali Moisi Habilaj dhe grupi kriminal i drejtuar prej tij. Në përgjimet ambientale dhe telefonike të kryera nga policia italiane Moisi Habilaj përmend kushëririn e tij Saimir Tahiri, duke e konsideruar atë si mbrojtës në trafikimin e lëndëve narkotike. Aktualisht dosja prej 1800 faqesh është përkthyer e gjithë dhe ndodhet në duart e institucionit të akuzës.

Dosjes Habilajt i është bashkangjitur edhe dosja Sota dhe dy dosje të tjera të hetuara në Vlorë që lidhen me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit nga Shqipëria në Itali. Institucioni i akuzës dyshon se i përfshirë me grupin Habilaj është edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Hetimet vijojnë në mënyrë intensive ku janë angazhuar një grup prokurorësh në zbardhjen e çështjes.

Gjithashtu, pritet që nën hetim të merren edhe drejtues të lartë të policisë kryesisht në qarkun e Vlorës, pasi në vitin 2016, lugina e Lumit të Vlorës u kthye në një nga zonat më problematike për sa i përket kultivimit dhe më pas trafikimit të kanabisit.

Dyshohet se Habilajt, të mbështetur nga ish-ministri dhe një pjesë e policisë lokale, u lejuan që të merreshin me kultivimin e kanabisit dhe më pas të kishin dorë të lirë edhe në trafikimin, kryesisht me gomone drejt Italisë.

Prokuroria e Katanias dyshon se në harkun kohor 2014-2017 Moisi Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit mund të kenë trafikuar mbi 3.5 tonë kanabis. Ajo që e rëndon edhe më shumë pozitën e ish-ministrit është që në fund të vitit 2013 iu ka shitur vëllezërve Habilaj automjetin e tij “Audi A8”, automjet që dyshohet se është përdoruar edhe për transport të lëndëve narkotike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përmbytjet, koha që risku të kalojë nga shteti tek individi

Nga Ervis Iljazaj Parashikimet e motit për ditët në vijim nuk janë...
Read More