Katër liderët e opozitës

Lulzim Basha do të duhet të fitojë rolin e protagonistit, në Parlamentin e ri, duke pasur përballë jo vetëm Edi Ramën. Sfida brenda opozitës për lidershipin e Bashës dhe ndikimet e fuqishme të Sali Berishës, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës. Parashikimi i Tritan Shehut dhe Petrit Vasilit për bashkëpunimin dhe kauzat e opozitës

Nga Luljeta Progni

Pritet të jetë shumë interesante historia e drejtimit të opozitës këto katër vite. Në PD është kryetar Lulzim Basha por, hija dhe ndikimi i paraardhësit Berisha është akoma i fortë. Ndërsa te partia tjetër opozitare, LSI, kryetarja e sapozgjedhur Monika Kryemadhi do të duhet të drejtojë partinë me paragjykimin e pashmangshëm të ndikimit në vendimmarrjen e partisë së bashkëshortit Meta, president që nga 25 korriku.

Por përveç këtyre dy dualiteteve, akti i parë dhe i fundit rreth të cilit do të rrotullohet debati politik i opozitës duket se do të jetë çështja e liderit. Basha si kreu i partisë më të madhe të opozitës do të duhet të marrë, me akte politike,  lidershipin përballë tre politikanëve të fuqishëm si; Berisha, Meta dhe Kryemadhi.

Në pritje të kësaj loje pushteti qëndron kryeministri Rama, i cili siç do të kishte bërë pothuajse çdo kryetar i mazhorancës, është i interesuar që zërin opozitar ta dëgjojë nga sa më tepër altoparlantë dhe mundësisht në një kakofoni, që do të ishte shumë më e thjeshtë ta shuajë nga veshi i opinionit publik. Përndryshe, nëse zërat opozitarë unifikohen, pa i lënë mundësi mëdyshjeje opinionit se kush drejton opozitën, beteja në Kuvend do të jetë shumë e fortë dhe presioni ndaj qeverisë po ashtu.

Në sallën e Kuvendit është shumë e rëndësishme që të fitosh çdo sfidë dhe më e lehtë për mazhorancën do të ishte sigurisht opozita me disa pole protagonizmi, për të mbrojtur çdo lloj “lajthitje” që mund t’i ndodhë gjatë këtij mandati. Megjithatë, pa u hapur dyert e seancës së parë të sezonit të ri parlamentar, të ndarë apo të bashkuar, PD dhe LSI kanë premtuar një opozitë të fortë këto katër vite.

Berisha-Basha 

Pakkush e beson se Berisha do të ulet në një karrige të Kuvendit të Shqipërisë e do të qëndrojë aty si një deputet i “urtë”. Dhe ndonëse një paragjykim, kjo bazohet si për përvojën e  tij të gjatë në politikë, ashtu edhe për kontributin e pakrahasueshëm e protagonizmin e paarritshëm në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Askush nuk beson se Berisha është gati për të pranuar vjeshtën e tij politike…

Sepse më 25 qershor vendosi sërish e pa asnjë hezitim, të vazhdojë të jetë deputet i PD-së, për të nëntën herë në 27 vjet. Thuajse të gjithë bashkëkohësit e tij janë larguar, të paktën nuk janë më deputetë. Nëse do të ishte gati për të pranuar rrugën e fundit të aktivizimit në politikë, do të ishte në një tjetër mënyrë, ndoshta si lider historik, qoftë edhe brenda PD-së, por jo në Kuvend. Sepse aty, ai nuk kalon kurrë pa marrë protagonizmin.

Ka katër vite që Lulzim Basha është zgjedhur kryetar i PD-së, por është hera e parë që ai ulet në sallën e Kuvendit mes deputetëve të tjerë. Deri tani betejën parlamentare të kryetarit të PD-së e ka kryer Berisha edhe pas dorëheqjes nga kryetar i PD-së. Një kombinim i të dyve mund të sillte rritje të forcës së opozitës në Kuvend, por nëse Berisha do ta përsërisë historinë e mandatit të shkuar, si deputeti më energjik e më aktiv çdo të enjte të debatit parlamentar, atëherë Basha do ta ketë shumë të vështirë ta fitojë protagonizmin…Nga ana tjetër ky parashikim i thjeshtë është një gjë që mendohet dhe shqetëson vetë opozitën, por janë të rrallë ata që kanë një përgjigje përfundimtare për dualitetin e famshëm opozitar. Formula standarde e bashkëpunimit mes të dyve do të duhet të provohet dhe sot e të hënën do të jenë dy stacionet e para të kolaudimit të këtij mekanizmi.

“Basha është lideri zyrtar, ndërsa Berisha lideri historik. Ata do të jenë në sinergji me njëri-tjetrin”. Kështu e sheh Tritan Shehu, një prej deputetëve të PD-së çështjen e lidershipit opozitar. Ai e njeh Berishën qysh në fillimet e tij dhe me sa duket e di mirë, se Bashës do i duhet ta marrë spektrin e drejtuesit të opozitës dhe jo të presë t’ia japin.  Megjithatë, për Shehun, Lulzim Basha do të jetë risia e kësaj legjislature.

“Midis Bashës e Berishës as ka dhe as mund të ketë “dualitet”. Unë mendoj se ka vetëm sinergji. Të dy ata, të gjithë ne, kemi një qëllim, jemi në një “varkë” dhe askush nuk zbeh rolin apo vlerat e tjetrit, aq më shumë po të flasim për Bashën e Berishën. Pra, mos u shqetësoni për të tilla “komplikacione” se as nuk ka e as do të ketë të tilla. Përkundrazi do të ketë veçse bashkëpunim të ngushtë midis secilit nga ne jo vetëm në grupin tonë parlamentar, por edhe me potencialet tona jashtë tij”, thotë Shehu.

Monika Kryemadhi (Meta)

Ndryshe nga Basha, Monika Kryemadhi është në një pozicion më komod në sallën e kuvendit këtë mandat. Ilir Meta, për herë të parë që nga viti 1992 nuk do të jetë më në Kuvend, pasi prej dy muajsh është president. Çdo aksion parlamentar i LSI-së do të finalizohet me suksesin, ose dështimin e Monikës. Padiskutim që roli i Ilir Metës do të jetë prezent në jetën politike të kryetares dhe atë të LSI-së. Pakkush beson se “de facto” Meta nuk do ta ketë një sy mbi ish-partinë që krijoi vetë.

Aq më tepër me pjesëmarrjen aktive gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit ku ai i dha një model opozitës së ardhshme të LSI-së. Pasi u zgjodh president me votat e PS-së, Ilir Meta udhëhoqi një fushatë të egër kundër Edi Ramës dhe PS-së, madje pati mjaft debate për retorikën e ashpër të presidentit të zgjedhur. Dikush e justifikoi se nuk ia ndalonte ligji të angazhohej politikisht në një parti deri ditën kur do të betohej si president. Të tjerë e fajësuan për shkelje të rëndë të etikës si president i zgjedhur.

Monika Kryemadhi nuk është në krye të LSI-së, vetëm për shkak se është bashkëshortja e liderit Ilir Meta, por se ka një kontribut të pazëvendësueshëm në parti. Ajo është aktivizuar përkrah Metës qysh në themelimin e kësaj partie dhe ka kaluar betejat e ashpra për t’i mbijetuar sulmeve të t ë  dy partive të mëdha deri sot, pikërisht momenti kur po pretendon të marrë rolin e parë të opozitës në Kuvend.

Megjithatë, mbetet të shihet sesi do të përballet çifti Meta me sfidën e ndarjes së pushteteve në momentin kur njëri është në krye të shtetit dhe bashkëshortja drejtuese e një partie politike.

Një përgjigje e jep Petrit Vasili, i cili nuk e mohon rolin e Metës në LSI.

“Ilir Meta është president i shqiptareve dhe ka qenë gjithmonë një shembull në respektimin e institucioneve dhe forcimin e identitetit të tyre në të mirë të vendit. Edhe në këto momente të fillimit të presidencës së tij, ai e ka demonstruar menjëherë një cilësi të tillë politike dhe kjo është një risi thellësisht pozitive në të mirë të vendit, por edhe të institucionit të Presidentit të Republikës. Ndërkohë filozofia e integrimit europian dhe ndjeshmërisë maksimale ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve si dy linja udhëheqëse të sendërtuara nga Ilir Meta në LSI, janë linja të pandryshueshme dhe një garanci e plotë për një LSI e cila jo vetëm rritet, por edhe që përçon në mënyrë të përditshme këtë filozofi tek opinioni i gjerë publik , por edhe te qytetaret e thjeshtë si edhe në sallën e parlamentit”, thotë Vasili.

Cilido qoftë roli i Metës në LSI për katër vitet e ardhshme, vështirë se do të duket qartësisht në publik. Nëse deri tani, Monika Kryemadhi ka investuar fort për protagonizmin e Ilir Metës dhe ka mbetur disi në hije edhe për shkak të qëndrimit larg imazhit të një partie familjare, nga sot ajo do të duhet të kalojë në provën e vështirë të drejtimit dhe mbajtjes së LSI në të njëjtën kuota elektorale dhe politike, duke qenë në opozitë.

Dualiteti PD-LSI

Pavarësisht se çfarë ndodh pas kuintave, zyrtarisht liderët e dy partive opozitare Lulzim Basha e Monika Kryemadhi do të përballen me mundësinë e bashkëpunimit, ose me betejën kundër njëri-tjetrit në Kuvend. Liderët zyrtarë të PD-së e LSI-së (e ata pas tyre) po shkojnë me sa duket  drejt bashkëpunimit të mundshëm, sepse e dinë mirë se nëse e ndajnë në dy pjesë opozitën, Rama do të kishte një rrugë pa kokëçarje në qeverisjen e tij. Megjithatë pritet të ketë detaje të rëndësishme për t’u sqaruar mes PD-së dhe LSI-së, deri sa të arrijnë në një marrëveshje bashkëpunimi.  “LSI ka një rrugë të gjatë për të bërë për të fituar rolin e opozitës”, kështu mendon një prej deputetëve të PD-së, Ervin Salianji. E ka fjalën për tetë vitet e LSI-së në pushtet dhe padyshim kostot politike në dy qeveritë, në atë të Berishës 2009-2013 dhe në atë të Ramës 2013-2017.  Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së petrit Vasili, e vlerëson një “arsyetim e moralizim bosh”, deklaratën e Salianjit. “Nuk kam asnjë minutë kohë për të humbur as unë dhe askush në LSI me të tilla arsyetime dhe mosrealizime boshe. Ndaj i ftoj të gjithë ata që kanë një merak serioz dhe të përgjegjshëm për vendin që të bëjnë çdo gjë për të ndalur rrokullimën e rrezikshme ku po shkon ekonomia dhe interesat publike për shkak të keqqeverisjes,  e cila me qeverisjen që po sajohet, po i shërben më së miri devizës thellësisht shkatërrimtare, qeveri e vogël =korrupsion i madh”, tha Vasili.

Ndërkohë që LSI ka shpallur luftë Ramës dhe premton se do të jetë opozita aktive në parlament. Vasili ka deklaruar se LSI nuk do ta votojë Gramoz Ruçin si kryetar Kuvendi. Këtë vendim e ka shpallur shumë më herët PD, qysh kur Rama e deklaroi Gramoz Ruçin si kandidat i mazhorancës për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë.  Për PD-në e Lulzim Bashës  është një qëndrim i natyrshëm ashtu siç është vendi i parë i opozitës në Kuvend. Dy partitë do të duhet të kapërcejnë përplasjen gjatë zgjedhjeve që nisën me sulmet e Bashës drejt LSI. Po kështu edhe marrëveshja e 18 majit do të jetë një çështje që duhet mbyllur e sqaruar mes PD e LSI.

Vetë Basha dje tha se marrëveshja nuk funksionoi dhe se opozita do të jetë e ashpër me qeverinë e Ramës këto katër vite.

Në fund të fundit, Basha nuk ka asnjë rrugë tjetër për të plotësuar figurën e tij si lider i opozitës, veç betejave politike me Ramën.  Ka pak gjasa që Basha t’ia falë LSI-së këtë aset. “Pa asnjë dyshim PD në Kuvendin e ri do të jetë strumbullari i opozitës sonë. Dhe në këtë fazë shumë të vështirë për vendin, përballë arrogancës dhe gabimeve të rënda të mazhorancës, përballë një situate të thellë kriminale e me drogë të vendit, roli i opozitës merr rëndësi të veçantë, historike do të thosha unë. Dhe këtë rol mund ta luajë vetëm PD në radhë të parë, për vetë vlerat, historinë , përkatësinë në qendrën e djathtë të saj, dimensionet që ka, rrugëtimin që ka bërë etj.”, thotë Shehu. Por Vasili e ka një arsyetim për mundësinë e së kundërtës, kur thekson se roli i opozitës duhet të jetë i qartë si front opozitar kundër mazhorancës për të ndalur projektin e qeverisë së Rilindjes, që sipas tij, do të çojë në greminë ekonominë dhe interesat e qytetarëve shqiptarë. “Nëse sadopak ky qëndrim do t’i largohej këtij principi atëherë interesi publik do të ishte në rrezik të madh dhe distancat mes opozitave do të ishin të mëdha dhe të papajtueshme. LSI nuk do të bëjë asnjëherë kompromis me interesin publik dhe të qytetarëve, pasi opozita dhe roli i saj nuk është çështje numrash por një çështje morali”.

Megjithë paqartësitë  mundësia për bashkëpunim duket më afër sepse mesa duket PD dhe LSI, kanë më shumë arsye për t’u bashkuar sesa të ndahen. “Unë jam i bindur se ne do të bashkëpunojmë me të gjitha ato forca politike reale dhe që janë të vendosura të jenë aktive në opozitë. Dhe këtu fjalën e kam në radhë të parë për LSI-në, me të cilën mund të ketë shumë interesa e alternativa të përbashkëta. Pa dyshim kur këto do të përputhen, unë besoj se bashkëpunimi nuk ka pse dhe nuk duhet të mungojë. Kjo është elementare në politikë. Dhe ne këtë sens unë nuk shoh asnjë rivalitet e problem”, thotë deputeti demokrat Tritan Shehu.

Në të njëjtën linjë, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, sheh si rrugë të vetme atë të bashkëpunimit për një opozitë të fortë, të ndershme dhe në interes të qytetarëve shqiptarëve“. Ka një opozitë e cila përbëhet nga LSI dhe PD dhe natyrshëm secilës nga këto dy parti i duhet të kryejë detyrën e tyre opozitare me një intensitet sa më të lartë, në mënyrë të ndershme dhe në funksion të së mirës së interesit publik dhe të interesit më të mirë të qytetarëve. Ndaj këtu nuk ka vend për asnjë rivalitet, por ka një hapësirë tepër të gjerë për çdo vullnet të fortë për të bërë opozitë”, tha Vasili.

Tritan Shehi: Lulzim Basha risia e këtij parlamenti

Pyetje: Këtë të shtunë nis punimet sesioni i ri parlamentar dhe PD është sërish në opozitë. Ndërkohë keni premtuar opozitë të fortë dhe të njëjtën gjë pretendon edhe LSI. Do të kemi rivalitet mes jush dhe LSI-së apo më shumë mundësi për bashkëpunim në një front të fortë opozitar?

Pa asnjë dyshim PD në Kuvendin e ri do të jetë strumbullari i opozitës sonë. Dhe në këtë fazë shumë të vështirë për vendin, përballë arrogancës dhe gabimeve të rënda të mazhorancës, përballë një situate të thellë kriminale e me drogë të vendit, roli i opozitës merr rëndësi të veçantë, historike do të thosha unë. Dhe këtë rol mund ta luajë vetëm PD në radhë të parë, për vetë vlerat, historinë, përkatësinë në qendrën e djathtë të saj, dimensionet që ka, rrugëtimin që ka bërë etj. Ky rol është shumë i rëndësishëm për të sotmen dhe të nesërmen e vendit tonë. Dhe në këtë aspekt të luftës opozitare, që do të jetë e larmishme, demokratike, vizionare e alternative ne kemi në krah dhe aleatet tanë të koalicionit tonë para zgjedhor. Por, dhe këtë dua ta theksoj, unë jam i bindur se ne do të bashkëpunojmë me të gjitha ato forca politike reale dhe që janë të vendosura të jenë aktive ne opozitë. Dhe këtu fjalën e kam në radhë të parë për LSI, me të cilën mund të ketë shumë interesa e alternativa të përbashkëta. Pa dyshim kur këto do të përputhen, unë besoj se bashkëpunimi nuk ka pse dhe nuk duhet të mungojë. Kjo është elementare në politike. Dhe ne këtë sens unë nuk shoh asnjë rivalitet e problem.

Grupi i ri parlamentar i PD-së është mjaft i larmishëm, krejt i ndryshëm me grupet parlamentare tradicionale të PD-së. Besoni se do të ketë një betejë të rëndësishme përmes këtyre deputetëve, shumica e të cilëve nuk janë të njohur për publikun?

Në grupin tonë ka deputete të rinj e deputete me eksperiencë, kjo është normale për çdo ambient demokratik. Pa dyshim, që gjërat në këtë sens do të ndërthuren për t’i shërbyer luftës politike opozitare si dhe përmirësimit të cilësisë se aktivitetit nga deputetet e rinj. Për këtë ne po organizojmë edhe aktivitete të ndryshme, qoftë dhe me strukturat e partive tona si motra. Psh. sot po zhvillohet pranë selisë se PD një aktivitet i tillë me Fondacionin Kondrad Adenauer te CDU gjermane. Mbas pak javësh një tjetër i tillë do zhvillohet në Itali etj. Por, dua të shtoj se elementi mi i mirë i “kalitjes” së deputeteve është lufta opozitare, gjë që shumë nga ata e kanë edhe pse jo në Parlament.

Tashmë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë do të jetë edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, por aty është edhe Berisha. Dihet tashmë aktivizimi i fortë i Berishës në parlament. Besoni se do të vazhdojë të jetë i tillë apo do të ketë një “tjetër Berishë” këto katër vite në sallën e  kuvendit, ndoshta më i prirur ti japë hapësirë Bashës…?

Pa asnjë dyshim, prania tashmë e kryetarit të PD dhe të opozitës Z.Basha në sallën e Kuvendit ka shumë rëndësi, qoftë kjo për PD, qoftë në përgjithësi. Ndoshta kjo do të jetë dhe risia më e rëndësishme e këtij Parlamenti, veçanërisht në fillimin e tij. Unë jam i bindur se Basha tashmë edhe në Kuvend do të ketë një rol thelbësor për zhvillimet brenda e jashtë sallës se Parlamentit tonë. Por kjo nuk zbeh aspak rolin e askujt tjetër në grupin tonë, veçanërisht te Z.Berisha. Berisha ka vlerat e tij personale, historike, intelektuale, që i duhen e do t’i duhen jo vetëm PD, por dhe zhvillimeve pozitive të vendit e Rajonit. Duke i vënë në eficience këto, unë mendoj se kështu ne vetëm forcojmë veten tonë, PD, opozitën dhe i bëjmë ballë shumë më mire revanshit të Rilindjes.

Besoni se do të ketë një farë dualiteti mes Bashës dhe Berishës?

Le te jemi me serioze. Midis Bashës e Berishës as ka dhe as mund te ketë asnjë “dualitet”. Unë mendoj se ka vetëm sinergji. Te dy ata, të gjithë ne, kemi një qellim, jemi në një “varkë” dhe askush nuk zbeh rolin apo vlerat e tjetrit, aq më shumë po të flasim për Bashën e Berishën. Pra, mos u shqetësoni për të tilla “komplikacione” se as nuk ka e as do të ketë të tilla. Përkundrazi do të ketë veçse bashkëpunim të ngushtë midis secilit nga ne jo vetëm në grupin tonë parlamentar, por edhe me potencialet tona jashtë tij.

Petrit Vasili: Opozita nuk është çështje numrash por një çështje morali 

Sot nis punimet sesioni i ri parlamentar dhe LSI është tashmë në opozitë pas tetë vitesh në pushtet. Së pari, ndoshta do t’ju duhet pak kohë të mësoheni me faktin se jeni në opozitë. Ndërkohë, keni premtuar opozitë të fortë dhe të njëjtën gjë pretendon PD. Do të kemi rivalitet mes jush dhe PD-së apo më shumë mundësi për bashkëpunim në një front të fortë opozitar?

Opozita është një detyrë e një rëndësie madhore për një demokraci normale, por në rastin e Shqipërisë është jetike pasi i duhet të ndalë të stigmatizojë, kritikojë dhe demaskojë një qeverisje që ka lindur nga zgjedhje të njollosura me damkën e drogës dhe krimit të organizuar dhe si e tillë, është një rrezik për vendin dhe të ardhmen e tij. Ka një opozitë e cila përbëhet nga LSI dhe PD dhe natyrshëm secila nga këto dy parti i duhet të kryejë detyrën e tyre opozitare me një intensitet sa me të lartë, në mënyrë të ndershme dhe në funksion të së mirës së interesit publik dhe të interesit më të mirë të qytetarëve. Ndaj këtu nuk ka vend për asnjë rivalitet por ka një hapësirë tepër të gjerë për çdo vullnet të fortë për të bërë opozitë.

Deputetë të PD-së janë shprehur se “LSI ka një rrugë të gjatë për të mbërritur në rolin e opozitës” është fjala për “mëkatet” e bashkëqeverisjes me Ramën. Dështimet e mandatit që shkoi, nuk mund të harrohen vetëm për faktin se sot ju jeni në opozitë…?

Nuk kam asnjë minutë kohë për të humbur as unë dhe askush në LSI me të tilla arsyetime dhe moralizime boshe. Ndaj i ftoj të gjithë ata që kanë një merak serioz dhe të përgjegjshëm për vendin që të bëjnë çdo gjë për të ndalur rrokullimën e rrezikshme ku po shkon ekonomia dhe interesat publike për shkak të keqqeverisjes e cila me qeverisjen që po sajohet, po i shërben më së miri devizës thellësisht shkatërrimtare, qeveri e vogël =korrupsion i madh.

Tashmë në sallën e kuvendit të Shqipërisë do të jetë edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili e sulmoi LSI-në në fushatë. Është edhe Berisha me të cilin ju si LSI me sa duket e  keni shumë më të thjeshtë rrugën drejt marrëveshjes… E shihni të mundur një rrugë kaq të thjeshtë bashkëpunimi me Bashën kryetar të PD-së, apo besoni se sërish do të jetë Berisha që do të ketë rol kryesorë në PD?

Roli opozitar i çdo partie politike nuk është i lidhur me emrat e përveçëm të liderëve, por me vullnetin e palëkundur për të bërë opozitë të vërtetë parimore dhe në të mirë të vendit. Kjo është edhe pika e përbashkët se ku opozitat mund të gjejnë hapësira sinergjie me njëra-tjetrën.

Nëse sadopak ky qëndrim do t’i largohej këtij principialiteti atëherë interesi publik do të ishte në rrezik të madh dhe distancat mes opozitave do të ishin të mëdha dhe të papajtueshme. LSI nuk do të bëjë asnjë herë kompromis me interesin publik dhe të qytetarëve, pasi opozita dhe roli i saj nuk është çështje numrash por një çështje morali.

Ka një perceptim që roli i Metës në drejtimin e LSI-së nuk mund të ketë përfunduar me zgjedhjen e tij president. Pra, është fjala për një farë dualiteti në drejtimin e LSI-së gjatë këtij mandati… Sa e vërtetë është kjo dhe sa mundësi ka që LSI të jetë faktor aq i rëndësishëm pa rolin e drejtpërdrejtë të Metës?

Ilir Meta është president i shqiptareve dhe ka qenë gjithmonë një shembull në respektimin e institucioneve dhe forcimin e identitetit të tyre në të mirë të vendit. Edhe në këto momente të fillimit të presidencës së tij, ai e ka demonstruar menjëherë një cilësi të tillë politike dhe kjo është një risi thellësisht pozitive në të mirë të vendit, por edhe të institucionit të presidentit të republikës.

Ndërkohë filozofia e integrimit europian dhe ndjeshmërisë maksimale, ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve si dy linja udhëheqëse të sendërtuara nga Ilir Meta në LSI. Janë linja të pandryshueshme dhe një garanci e plotë për një LSI e cila vetëm rritet, por edhe që përçon në mënyrë të përditshme këtë filozofi tek opinion i gjerë publik  dhe tek qytetaret e thjeshtë dhe në sallën e parlamentit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gruaja nuk ekziston

Nga Klementin Mile*  Shprehja e zakonshme e grave, kur u zhgënjehen pritshmëritë...
Read More

7 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published.