Katër tipare të qeverisë liberale ‘Rama 2’


Nga Ervis Iljazaj

Përtej debatit mbi emrat e ministrave të rinj, të cilët nuk surprizuan aq sa pritej, për faktin se në pjesën më të madhe të tyre janë emra që përfliteshin për të marrë një post ministror, struktura e qeverisë të re, mund të konsiderohet padyshim, qeveria më liberale që ka patur ndonjëherë Shqipëria gjatë periudhës së tranzicionit. Kjo strukturë, ishte surpriza e vetme për sa i përket aspektativave ndaj qeverisë së re.

Është e qartë që Edi Rama, me ardhjen e tij në krye të Partisë Socialiste ka reformuar atë drejt një liberalizmi të majtë ose rrugës së tretë, në trend me ideologjinë politike që mbizotëron sot në shumicën e vendeve europiane. Formimi i një qeveri të tillë është akti i fundit për reformimin e saj të plotë, duke e shkëputur njëherë e mirë nga majtizmi klasik dhe, kjo është një meritë e padiskutueshme e tij. Janë më së paku katër arsye kryesore që e bëjnë qeverinë Rama 2, një qeveri e cila ndërton një raport të ri midis pushtetit, individit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Pikë së pari, qeverinë Rama dy e bën liberale numri i vogël i ministrave. Asnjëherë më parë, Shqipëria nuk ka patur një qeveri kaq të vogël. Në këtë mënyrë krijohet ideja i një shteti të vogël, i cili është një nga tiparet kryesore të liberalizmit politik dhe ekonomik. Në krahasim me qeveritë paraardhëse të cilat kishin një numër ministrash që shërbenin më shumë për të kënaqur orekset e pushtetit të aleatëve politike dhe nuk kryenin asnjë funksion në raport me nevojat e qytetarëve dhe biznesit.

Pikë së dyti, reformimi i administratës, e cila deri më tani ka patur një numër drejtorish dhe agjencish që shërbenin vetëm për punësime partiake dhe harxhonin paratë e taksapaguesve shqiptarë. Numri i tyre me të gjitha gjasat do të reduktohet në mënyrë të ndjeshme, duke krijuar lehtësi procedurale për të gjithë shërbimet që shteti shqiptarë ka për detyrë ndaj shoqërisë. Kështu ndërhyrja e tij burokratike do të ndihet më pak në ekonomi dhe shoqëri duke i dhënë frymëmarrje iniciativës së lirë nëpërmjet derregullimit, pra një lehtësim për shoqërinë dhe ekonominë në raport me pushtetin.

Pikë së treti, për herë të parë, Shqipëria do të ketë një ministri posaçërisht për sipërmarrjen, duke i kushtuar kështu një vëmendje të veçantë domosdoshmërive të biznesit si një nga aktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik. Kjo ministri, në një farë mënyre i jep kujdesin e duhur iniciativës së lirë ekonomike nëpërmjet një ure komunikimi me pushtetin politik.

Pikës së katërti, në qeverinë e re të Ramës, nuk ekziston më qeveria e çështjeve sociale. Mund të konsiderohet si një mangësi, por, edhe ky fakt tregon edhe njëherë filozofinë politike të Ramës. Një filozofi e cila nuk kërkon të ketë shtetin si zgjidhjen kryesore të problemeve ekonomike dhe shoqërore shqiptare, por ta kthejë atë vetëm si një rregullator dhe jo si iniciues të tyre. Shteti social do të vazhdojë të ekzistojë, por dimensioni i tij do të marrë, ose më së paku duket sikur do të marrë një drejtim ndryshe.

Për të gjitha këto arsye, raporti i ri që ndërtohet midis pushtetit politik dhe shoqërisë shqiptare, të paktën duke parë strukturën e re të qeverisë, do të jetë një raport totalisht në favor të hapësirës së lirisë ekonomike dhe shoqërore dhe jo të etatizmit që ka karakterizuar Shqipërinë gjatë periudhës të tranzicionit si pasojë e mendësisë komuniste që kemi trashëguar.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Melania Trump me veshje mbretërore blu për festën e 4 Korrikut

Melania Trump ju bashkua bashkëshortit të saj Presidentit Donald Trump për të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.