Katër urime për strategjinë e komunikimit opozitar me rastin e Vitit të Ri

Rubrika: Peripatos

Nga Klementin Mile

Viti i Ri është një moment bilanci; momenti kur duke parë nga e shkuara ti projekton të ardhmen. Këtë gjë duhet të bëjë edhe Lulzim Basha, Partia Demokratike dhe opozita në tërësi. Për t’i ndihmuar në bilancin e tyre po u dërgoj katër urime të sinqerta, nga pozitat e atij që dëshiron demokraci reale në këtë vend, e që është i bindur se kjo nuk mund të vijë pa opozitë të fuqishme.

  1. Uroj që synimi i Bashës të jetë marrja e pushtetit qeveritar! Pse ky urim? Sepse, siç e kanë vënë në dukje me të drejtë disa komentatorë, shumica e vendimeve politike të Bashës gjatë vitit 2017 e kanë dëmtuar elektoralisht PD-në, ia kanë dobësuar kohezionin organizativ dhe ia kanë zbehur identitetin ideologjik. Të ketë ardhur kjo prej dritëshkurtësisë? Nga ana tjetër Basha, si kryetar i PD-së dhe lider i opozitës, edhe pse pa pushtet qeveritar, nuk është i papushtetshëm. Ai gëzon privilegjet që i jep sistemi elektoral për të vendosur si të dojë në partinë e vet, për të futur dhe nxjerrë njerëz nga listat, dhe privilegje që vijnë prej statusit të lartë të liderit të opozitës. Do të ishte mirë për demokracinë dhe opozitën tonë që Basha të mos ketë prioritare ndonjë axhendë tjetër përpos asaj të marrjes së pushtetit qeveritar.
  2. Uroj që PD të transformohet nga agjenci lajmesh në parti politike! Gjatë vitit që po lëmë pas PD e informoi publikun rregullisht për një numër të pafund çështjesh, që prej atyre për të cilat publiku është i ndjeshëm e deri tek ato që e lënë indiferent. Përditshmëria dhe shumëllojshmëria e lajmit nga selia e PD-së e ka konstituuar këtë të fundit si një agjenci lajmesh të mirëfilltë. Por energjitë e shpenzuara në këtë drejtim nuk janë relevante politikisht. Një parti politike nuk synon thjesht të tërheqë vëmendjen e publikut apo ta mbajë publikun të informuar, por synon ta bindë atë për drejtësinë dhe dobinë e kauzës së saj. PD dhe opozita në tërësi ka dështuar në këtë mision. Tregu i partisë politike janë votat, jo klikimet në rrjetet sociale. Konkurrentët e partisë politike janë partitë e tjera, jo gazetat, portalet dhe agjencitë e lajmeve. Shpeshtësia e prononcimeve të partisë diktohet nga logjika politike e pushtetit, jo nga logjika mediatike e lajmit.
  3. Uroj që ditët e boksimit amator të përfundojnë në PD! Kushdo që ka parë ndeshje boksi amator arrin ta bëjë dallimin me boksin profesionist. Ndërsa boksierët amatorë i përgjigjen menjëherë goditjes me kundërgoditje dhe ndeshja vazhdon pafund pa u rrëzuar ndonjëri përtokë, pasi goditjet janë të dobëta dhe të pastudiuara; boksierët profesionistë gjejnë momentin e volitshëm për të sulmuar, pasi janë mbrojtur me kujdes për një kohë të gjatë, dhe i japin goditje vendimtare. Boksierët amatorë, të paaftë për ta rrëzuar kundërshtarin, mbështeten pas njëri-tjetrit dhe presin arbitrin t’i ndajë. Strategjia e komunikimit të PD-së deri tani ka qenë e tillë. Pas çdo veprimi të qeverisë, PD është kujdesur të ketë reagim të menjëhershëm. Por PD nuk mund të ketë sukses duke ndjekur hap pas hapi axhendën e qeverisë, pasi kështu shfaqet si ndjekëse, jo si lidere. Gjithashtu, opozitë nuk do të thotë të thuash gjithmonë “Jo” kur qeveria thotë “Po”. Kjo gjë e bën opozitën të parashikueshme dhe nuk arrin t’i demonstrojë publikut alternativën opozitare. Nëse bën vetëm kaq, PD reduktohet nga parti politike që synon pushtetin në lëvizje proteste pa pretendime qeveritare.
  4. Uroj që strategjia opozitare të kalojë nga paqartësia në ambiguitet! Në ligjërimin opozitar të deritanishëm dominon paqartësia. Terma si “i djathtë”, “Republikë e Re”, “front opozitar” vazhdojnë të mbeten të paqartë për publikun. Sigurisht je i djathtë kur premton ulje taksash; por a je më i tillë kur thua se do rrisësh shpenzimet publike në të gjithë sektorët, kur privilegjon shtetëroren (si p.sh. në arsim) kundrejt privates? Republika e Re, nga ana tjetër, nuk u kuptua kurrë çfarë do të thoshte. A mos kishte të bënte me një kushtetutë të re të vendit? A mos i referohej ngritjes së një klime bashkëpunimi me kundërshtarin politik? A mos ishte ideja për më shumë llogaridhënie? Gjithashtu, fronti opozitar është i paqartë. Deri ku PD dhe LSI janë bashkë dhe ku ndahen? Paqartësia e termave dhe pozicionimeve e errëson dhe zbeh kuptimin, duke mos i dhënë shansin elektoratit të vlerësojë çka i paraqitet. Në masmedia kjo paqartësi prodhon zhurmë, konfuzion dhe një gjë pa formë, si ajo pureja e patateve ku nuk shquan dot konturet e përbërësve. Opozita duhet të kalojë nga paqartësia në ambiguitet, nga “pureja në sallatë”. Te kjo e dyta konturet dallohen qartë, edhe ngjyrat, edhe shijet. Një partie politike i bie barra të trajtojë shumë çështje, të operojë në shumë kontekste. Por gjithmonë duhet të kujdeset që pozicionimi i saj për çështjen, brenda një konteksti të caktuar, të jetë krejt i qartë. Vetëm kështu, duke kaluar nga paqartësia populiste e tipit “edhe…edhe” (edhe taksa të ulëta edhe shpenzime të mëdha) tek ambiguiteti ideologjik i llojit “ose…ose”, opozita do arrijë të bëhet alternativë serioze e qeverisë.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Efekti “Anxhelina Zholi”: Pse na trazon kaq shumë vdekja e Adelajdës

Vdekja e gazetares Adelajda Xhamani nxjerr në pah një problem që nuk...
Read More