Kavaja, basti i madh i opozitës

Nga Roland Lami*

Pavarësisht se një pjesë e opinionistëve, ambasadorëve, përfaqësuesve të rëndësishëm të faktorit ndërkombëtar kanë shigjetuar kritikat ndaj qëndrimit refuzues të kryetarit të Opozitës z. Basha në lidhje me paketën e propozuar nga McAllister dhe Fleckenstein dhe komplimente për fleksibilitetin e treguar nga ana e kryeministrit Rama, nuk duhet neglizhuar fakti që të dyja palët po manifestojnë një luftë nervash që me sa duket sapo ka filluar, ndryshe nga çfarë flitet. Është e vërtetë që opozita po qëndron stoik në kërkesat e saj, si p.sh. për një qeveri teknike pa Ramën kryeministër; zhvillimin e zgjedhjeve në dhjetor; votimi elektronik ose minimalisht një votim me identifikim elektronik dhe Rama në krahun tjetër ka lëvizur nga qëndrimi i tij i mëparshëm duke pranuar disa nga propozimet e bëra më 25 Prill nga McAllister dhe Fleckenstein specifikisht, kreu i KQZ t’i kalojë opozitës, zëvendësimin e katër ministrave, shtyrjen e datës së zgjedhjes, zëvendësimin e drejtorëve të policisë ligj shtrëngues për shitblerjen e votës dhe disa rregullime në Kod Zgjedhor mbi financimin e partive politike dhe përdorimin e fondeve publike në fushatë.

Ky fleksibilitet i qeverisë dhe ngurtësim i opozitës u interpretua nga shumë analistë dhe përfaqësues të lartë të faktorit ndërkombëtar si një shans i humbur për opozitën dhe një kredo më shumë morale për qeverinë. Mirëpo, kur bëhen të tilla gjykime kategorike mbi humbësin apo fituesin nuk duhen neglizhuar disa faktorë. Së pari, qeveria është përgjegjësja kryesore për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve dhe si e tillë është normale që kjo e fundit në kushtet kur nuk ka ndërmarrë asnjë masë në katër vite qeverisje për të përmirësuar vërejtjet që burojnë nga raporti i OSBE-ODIHR dhe kërkesat në vite të opozitës të detyrohet t’i përmbushë tani. Së dyti, fakti që qeveria pranon disa nga pretendimet e opozitës të materializuar në formën e një dokumenti nga PPE lë të kuptohet qe indirekt pranon dhe problemet që lidhen me qeverisjen e tij. Konkretisht, fakti që merr përsipër miratimin e një ligji shtrëngues për shitblerjen e votës indirekt pranon shqetësimin në rritje të shitblerjes së votës të pretenduar nga ana e opozitës; dakordësia për të zëvendësuar drejtorët e Policisë lë të kuptohet që lidhja polici–krim–kultivues hashash është evidente jo mit urban; gatishmëria për të zëvendësuar përveç katër ministra para disa muajsh dhe katër të tjerë, vë në pikëpyetje performancën dhe kredibilitetin e kësaj qeverie; dorëzimin e kryetarit të KQZ-së opozitës lë të kuptohet që ky institucion është politik dhe vendimmarrja që buron prej tij ka më shumë natyrë politike se sa ligjore. Të gjitha këto, pavarësisht se krijojnë përshtypjen e një fleksibiliteti që manifeston qeveria karshi ndërkombëtarëve dhe opozitës në veçanti dhe një lloj sigurie që ka ajo mbi rezultatin e mundshëm zgjedhor më 18 qershor, synojnë ta shesin veten në publik si pjesë të zgjidhjes jo të problemit. Në krahun tjetër, kjo strategji e qeverisë përcakton edhe strategjinë që ndjek opozita e cila gjykon se ka arsye të pretendojë më shumë nga procesi i negocimit me qeverinë përderisa nuk janë mbyllur të gjitha rrugët e negocimit dhe ka ende kohë. Mirëpo pyetja që ngrihet në këto raste është si do të gjendet kufiri që palët të gjejnë një ekuilibër të tillë në përmbushjen e pretendimeve që askush të mos fitojë më shumë në kurriz të tjetrit? Pasi përfitimi i njërit nga procesi i negocimit është kosto për tjetrin. Pikërisht, ky kufi do të vendoset në këto pak ditë që kanë mbetur.

Ditët e fundit të negocimeve të zhvilluara në prani të Presidentit dhe në Skype me përfaqësues të lartë të PPE ndryshe nga çfarë pritej nuk ka shënuar hapa përpara në plotësim të kërkesave të adresuar nga opozita, përkundrazi ka shënuar hapa pas në raport me atë që u ra dakord më 25 Prill me McAllister dhe Fleckenstain. Me sa duket qeveria ka kuptuar që përtej pikave që janë dakordësuar më 25 Prill në kushtet aktuale nuk mund të toleroj më shumë pasi mund t’i kthehet në boomerang dhe kosto politike, vetëm nëse situata politike përkeqësohen ose shtohet më tej presioni i faktorit ndërkombëtar. Kështu që bën hapa mbrapa në përmbushjen e pikave që propozon opozita në raport me pikat e rëna dakord më 25 prill për sa kohë: a) nuk parashikon ndonjë presion nga ndonjë faktor më të rëndësishëm ndërkombëtar se ky me të cilin është në bisedime aktualisht; b) nuk parashikon ndonjë situatë problematike ndryshe nga çfarë deklaron opozita në Kavajë që të detyrohet të plotësojë kërkesa të reja të opozitës. Edhe sikur të ndodhë i rikthehet përsëri pikave të 25 Prillit duke lënë të kuptohet që deri këtu shkon toleranca ime në lidhje me kërkesat e opozitës, çdo avancim i mëtejshëm është kosto politike për mua dhe nuk ka kuptim politik.

Në krahun tjetër, opozita mendon se zgjatja e procesit të negocimit deri ditën e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë i krijon mundësinë lidershipit që të faktorizohet më shumë si palë e zgjidhjes dhe nëpërmjet alarmit për mosbindjes civile të shpresojë për një nivel më të lartë të PPE, PE dhe SHBA për të detyruar kryeministrin Rama të përmbushë kërkesa të tjera të opozitës. Mirëpo, gjasat që në këtë situatë politike të përfshihen nivele më të larta drejtuese të PPE, PE apo SHBA duken minimale pasi aktualisht janë përfshirë nivelet më të larta drejtuese, pavarësisht rëndësinë që ka situata politike te ne në morinë e problemeve shumë komplekse me të cilat përballet rajoni dhe vetë BE këto kohë. Së dyti, zgjedhjet në Kavajë janë një rast i volitshëm për opozitën për të manifestuar forcën e saj në drejtim të nivelit të pjesëmarrjes në tubim, në bindjen e masës dërmuese të votuesve për të mos shkuar në zgjedhje atë ditë si dhe prishja e zgjedhjeve duke u futur ndoshta me forcë në vendet ku zhvillohet votimi. Nëpërmjet panikut, destabilitetit, frikës dhe prishjes së procesit zgjedhor të detyrojë qeverinë të avancojë më tej në kërkesat e saj. Por në krahun tjetër ky skenar mund të detyrojë faktorin ndërkombëtar të ushtrojë presion akoma më shumë mbi opozitën dhe ta delegjitimojë pretendimin e opozitës për kërkesa të mëtejshme dhe jo vetëm kaq, por ta shënjestrojë atë si problemin e këtyre zgjedhjeve dhe jo si pjesë e zgjidhjes. Po ashtu, nëse zgjedhjet ne Kavajë zhvillohen normalisht, me një pjesëmarrje të lartë votuesish, si dhe vërehet një shkallë e ulët pjesëmarrjeje në mitingun e organizuar nga opozita atëherë opozita jo vetëm s’mund të pretendojë më tepër, por i kthehet e gjithë manovra në bumerang politik.

Kështu pra, jemi futur në një fazë interesante të lojës politike, ku nëpërmjet negocimit palët kanë shënjestruar qëllimet e tyre, më konkretisht opozita të luajë gjithçka për të marrë gjithçka dhe qeveria të japë diçka për të mos humbur gjithçka. Frika për të parandaluar zhvillimet e mundshme në Kavajë ose lejimi për të konsumuar skenarin e Kavajës me qëllim që të shikohet deri ku shkon paniku, destabiliteti, frika që prodhon opozita mund të na lënë në përmbushjen e pikave të 25 Prillit ose të avancimit të mëtejshëm të pretendimeve të opozitës kthim mbrapa siç po synohet këto ditë nga qeveria nuk do të ketë.

*pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Sa vlen një diplomë universiteti?

Rubrika: Ku qëndron problemi këtu? Nga Klementin Mile* Të diplomuarit e parë...
Read More