KE: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Mogherini: Ky është një proces, kështu që ruajtja edhe thellimi i reformave duhet të vazhdojë në të gjitha fushat, sidomos për sa i përket shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, institucioneve demokratike dhe administratës publike.

Raporti dhe marrëdhënia e Shqipërisë me Bashkimin Europian shënojnë një hap të ri të rëndësishëm. Dje Komisioni Europian ka zyrtarizuar rekomandimin e tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë e BE. Pas këtij hapi pritet që vendimi përfundimtar do të merret nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Që negociatat të hapen zyrtarisht duhet që votimi të jetë unanim dhe asnjë prej vendeve anëtare të BE-së të mos dalë kundër rekomandimit të Komisionit në Këshillin e Europës.

Rekomandimi

Federica Mogherini, shefja e Politikës së Jashtme së BE-së, në emër të Komisionit Europian i rekomandoi Këshillit hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e arritur.

“Sot Komisioni rekomandon që Këshilli të vendosë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Sigurisht që ky është një proces, kështu që ruajtja edhe thellimi i reformave duhet të vazhdojë në të gjitha fushat, sidomos për sa i përket shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, institucioneve demokratike dhe administratës publike. Vendet duhet të sigurohen që reformat të zbatohen dhe të tregojnë rezultate konkrete, jo sepse e kërkon Brukseli, por sepse njerëzit e rajonit e kërkojnë”, -tha Federica Mogherini. Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë të ruajë ritmin e reformave dhe fokusimin te 5 prioritetet kyçe. “Veçanërisht për sa i përket Reformës në Drejtësi. Kemi parë rezultatet konkrete me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vettingun e famshëm. Jemi në fillim të këtij procesi, por ajo çfarë mund të shikojmë është premtuese, ndaj mendoj se ky rekomandim është i justifikuar. Kjo vlen edhe për vendet e tjera”, -tha Komisioneri. Gjatë konferencës për shtyp, Financial Times pyeti Mogherinin si do ta bindë Këshillin për të hapur negociatat me Shqipërinë, duke patur parasysh ato që gazetarja e i quajti si probleme me krimin e organizuar. “Nuk është çështje për të bindur Këshillin, është çështje koherence. Dokumenti që miratuam tregon qartë situatën si ishte, si është, rekomandimet që duhen përmirësuar dhe rezultatet e arritura. Hapat e ndërmarrë janë në drejtimin e duhur. Vendimi për t’i rekomanduar Këshillit hapjen e negociatave bazohet mbi rezultate të arritura mbi rekomandime të lëna më herët. Rezultatet janë të dukshme, vendimi i sotëm bazohet në vlerësimin e progresit”, u përgjigj ajo.

Mogherini në Tiranë

Pas publikimit të raportit në Strasburg nga Mogherini dhe Hahn, përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, u nis në këmbë për t’i dhënë materialin e printuar Kryeministrit Rama në selinë e Qeverisë, Presidentit Meta në zyrën e këtij të fundit, si dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi pranë Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkohë fill pas konferencës së djeshme kryediplomatja e Bashkimit Europian është nisur për në Tiranë. Pas darkës me Kryeministrin Rama, takimet zyrtare të shefes së diplomacisë europiane do të vijojnë sot paradite, duke filluar me takimin zyrtar me kreun e Qeverisë, Edi Rama, Presidentin e Republikës Ilir Meta dhe krerët e opozitës Lulzim Basha e Monika Kryemadhi.

Rama: Opozita la kockat për të na penguar

Pasi mori zyrtarisht raportin e KE kryeministri Rama doli në një konferencë për shtyp ku tha se rekomandimi është dhënë pa asnjë rezervë dhe shigjetoi edhe mediat që u morën me frymëmarrjen e tij në deklaratën e bërë pas protestës në Rrugën e Kombit. “Jam i emocionuar dhe ata që merren me frymëmarrjen mbase e ndiejnë, por jam edhe shumë krenar, sepse ia dolëm këtij provimi të vështirë. I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm nga një tjetër udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Rruga përtej udhëkryqit, sado e gjatë është e gjitha e hapur përpara nesh”, deklaroi Kryeministri. Stacioni i radhës, tha Rama është anëtarësimi, ndërsa ndau meritat edhe me paraardhësit e tij. “Një falënderim për ata që kush më shumë e kush më pak, dhanë një dorë për të ndërtuar një pjesë të rrugës së vetme për shqiptarët, atë drejt BE-së”, vijoi ai. Rama e quan plotësisht të merituar rekomandimin e hapjes së negociatave. Kryeministri tha se tani vendin e presin sfida të reja, ndërsa hapjen e negociatave e quan fitore të shqiptarëve. “Nuk është fitorja e partisë që u investua me mish e shpirt për këtë ditë kundrejt partisë që bëri gjithçka për të shtyrë këtë ditë! Nuk është fitorja e qeverisë mbi opozitën që la kockat për ta bërë të pamundur këtë objektiv. Sot ka fituar atdheu unë i përçmuar prej shumë vitesh nëpër Europë. Sot kanë fituar shqiptarët që të gjithë, pa asnjë dallim. Sot është Shqipëria që ka fituar një status të ri në shoqërinë e vendeve europiane”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Basha: Skepticizëm për hapjen e negociatave

Rekomandimi i KE për hapjen e negociatave të Shqipërisë e gjeti kreun e opozitës në Gjermani. Siç njoftoi PD, Lulzim Basha ishte në një seancë dëgjimore me anëtarë të Komisionit për Çështjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme. Qëllimi ishte bindja e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU për miratimin e këtij rekomandimi, duke iu hapur dritën jeshile negociatave të anëtarësimit. Sipas Bashës ky është grupimi më dyshues që interesohet për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. “Shqetësimet kanë të bëjnë me luftën kundër drogës, korrupsionit dhe zbatimin e vërtetë të Reformës në Drejtësi. Kjo është detyra që kemi sot dhe do të thoja pjesa më e vështirë e misionit këtu në Berlin për të bindur anëtarët e këtij Komisioni që i përkasin spektrit më skeptik për hapjen e negociatave”, thotë Basha. Meritat për mbështetje pro Shqipërisë gjatë diskutimeve në Bundestag Basha ia njohu dhe një prej anëtarëve të Komisionit për Europën dhe Politikën e Jashtme, Paul Ziemak, që është edhe kryetar i Forumit Rinor të CDU. “Si një kontribut për të shtuar presionin ndaj qeverisë në raport me demokracinë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, Reformën në Drejtësi, reformën zgjedhore”, deklaroi Lulzim Basha.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kur monumentet shihen si “qendra biznesi” e jo trashëgimi kulturore

Data 18 prill është shënuar si dita ndërkombëtare për monumentet dhe sitet...
Read More