Këmbësorja ‘Skënderbej’ si një profeci vetëpërmbushëse!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit 

Termi profeci vetëpërmbushëse u prezantua në 1948 nga sociologu amerikan Robert K. Merton (1910-2003). Profesori i Universitetit Kolumbia e përkufizoi teorinë e tij si ‘një shpjegim të rremë të realitetit, që shkakton një sjellje të tillë e cila bën të mundur vërtetimin e konceptit të rremë fillestar’. Një shembull shpjegues i kësaj teorie mund të ishte skenari sipas të cilit Enver Hoxha në veprën ‘n’ të tij, të parashikonte “shkencërisht” se për pak muaj shoqëria shqiptare do të arrinte një nivel të tillë kulturor e ndërgjegjësimi komunist sa do të konvertohej në një shoqëri ateiste. Nga periudha 1945-1990 ne mund të përmendim pafund shembuj që e shpjegojnë këtë koncept, sepse shumëçka nga eventet sociale të asaj kohe është ndërtuar mbi këtë lloj diskursi politik. Porse, shpjegimin më i thellë i teorisë së Merton na vjen nga Marksizmi, që është edhe filozofia mbi të cilën u ngritën regjimet kolektiviste në shekullin e 20-të (përfshirë Shqipërinë).

Sepse edhe Marksizmi është projektuar si një profeci vetëpërmbushëse. Ai, nëpërmjet shpjegimit të rremë të gjendjes, synon të provokojë një sjellje shoqërore, e cila më tej “vërteton” këtë shpjegim të rremë. Komunizmi, në ato vende, nuk ishte rezultat i veprimit të forcave “të pashmangshme”  të ndërgjegjësimit klasor dhe përparimit historik. Në të kundërt, komunizmi u shfaq në realitetin shoqëror si pasojë e asgjëje tjetër përveç agjitacionit të marksistëve dhe dhunës që e shoqëroi këtë. Ishte propaganda marksiste që arriti t’i bindë njerëzit që për të mbrojtur interesat e klasës së tyre të veprojnë në një mënyrë të caktuar (revolucion), jo se vërtet “klasa punëtore” në mënyrë të pavarur kishte arritur në këto përfundime. Prandaj Marksizmi është një profeci vetëpërmbushëse, dhe si e tillë mund të “vërtetohet” vetëm përkohësisht dhe vetëm i shoqëruar nga propaganda. Në të kundërt, ai dështon me turp duke lënë mbrapa dëme të mëdha.

Në të njëjtën tipologji “profecie” gjendemi në çështjen e Këmbësores Skënderbej! Rreth tetë vjet më parë, profeti që drejtonte prej një dekade Tiranën urbane, z. Rama, u ndje i sfiduar nga një propozim i kryeministrit të kohës, z. Berisha. Në përgjigje të shqetësimeve të pafundme publike të qytetarëve për gjendjen e mjeruar që ishte katandisur ky shesh, Kryeministri ofroi zgjidhjen që çdo urbanist do kishte propozuar. Pjesës së përshkueshme nga makinat të Sheshit “Skënderbej” t’i bëhej një veshje e përkohshme asfaltike, në mënyrë që shqetësimi i shprehur publik të adresohej, dhe ndërkohë administrata e bashkisë të përgatiste një projekt që me financim të qeverisë qendrore të kthehej, edhe praktikisht, në sheshin më simbolik të kryeqytetit. Mirëpo, kjo zgjidhje e thjeshtë, racionale, afatgjatë dhe mbi të gjitha në përputhje me interesin e shprehur nga publiku, nuk mund ta përmbushte egon e madhe të profetit që drejtonte punët e Tiranës urbane.

Profetët bëjnë profeci, dhe profeti i Tiranës urbane nuk mund të bënte më pak. Ai shpalli se interesat e “klasës” së qytetarëve të Tiranës mund të realizoheshin vetëm nëpërmjet një zgjidhjeje të vetme, radikale dhe përfundimtare. Sheshi “Skënderbej” duhej të konvertohej në Këmbësoren Skënderbej, që qytetarët do ta mbushnin deri në derdhje me prezencën dhe aktivitetet e tyre sociale, kulturore dhe rekreative. Qytetarët, nëpërmjet kronikave televizive të përditshme, kërkonin vetëm të mbylleshin gropat e thella dhe të shumta që kishin pushtuar sheshin, por profeti e dinte më mirë se ata vetë çfarë ishte interesi i tyre. Dhe kështu u bë. Sheshi “Skënderbej”, pas disa masave të ndërmjetme dhe disa milionë euro të qytetarëve të sotëm dhe të nesërm, u konvertua në Këmbësoren Skënderbej. Sot, në vend të këtyre miliona eurove që mund të përdoreshin për punë të tjera dhe një nyje të lëvizjes multimodale, kemi një këmbësore gjigante!

Profecia u bë e vërtetë, por jo si produkt i nevojës reale qytetare! Porse, si konsekuencë e agjitacionit të dishepujve të profetit dhe dhunës “legjitime” të pushtetit që këta ushtrojnë. Vërtet sot Tirana urbane ka një këmbësore gjigante, sikurse profeti e profetizoi, por ka gjithashtu dy probleme më të mëdha për të zgjidhur dhe të dyja të parashikuara më parë. Së pari, mbetet çështja e trafikut të ngarkuar në zonën qendrore të kryeqytetit. Problem nga i cili mund të shpëtojmë vetëm pas disa dekadash dhe me kosto shumë të mëdha. Problemi i dytë, mbetet krijimi i arsyeve që do ta çonin një qytetar në qendër të qytetit. Këmbësorja Skënderbej nuk ka në vetvete asnjë përdorim publik që mund t’i tërheqë qytetarët, përveç atyre që po stisin agjitatorët. Konvertimi i këmbësores në një qebaptore gjigante në ditët e fundvitit, apo në një skenë gjigante me kosto deri në miliona euro për çdo shfaqje, nuk mund t’i përligjin kostot publike të profecisë së rreme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbyllet protesta, Berisha: Rama ngelet kufomë e pakallur

Pasi mbaroi fjalimin e tij, kryetari demokrat Lulzim Basha i ftoi qytetarët...
Read More