Kemi ne një shans tjetër përveç bashkëjetesës? Nuk besoj

Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Mustafa Nano

I dashur Zoran,

Në letrën tënde të fundit, ti thoje se opinioni publik serb e ka përjetuar si poshtërim të vetë Serbisë arrestimin e Marko Gjuriçit në Mitrovicë, e sidomos atë spektaklin nëpër rrugët e Prishtinës, që ishte i programuar në stil hollywood-ian: Gjuriçi, me duart e lidhura nga pas (të paktën kështu dukej nga pamjet filmike), gjysmë i kërrusur, i kapur krahësh prej dy policësh, dhe i rrethuar nga një grup i madh policësh të tjerë trupmëdhenj, që ecnin të ngrefosur në rrugët e Prishtinës, nën vështrimin miratues e mbështetës të spektatorëve që qëlluan, apo ishin lajmëruar tok me kamerat e televizioneve, të ishin aty në atë moment. Simbolika e atyre pamjeve filmike ishte e qartë: Kosova ka zot, dhe ky zot nuk është më Serbia.

Ti nuk mund ta imagjinosh eksitimin e opinionit publik këtyre anëve. Gazetat, në Prishtinë, por edhe në Tiranë, kishin zgjedhur për raportimet e tyre tituj që e evidentonin këtë simbolikë. “Në Kosovë po bie era shtet”, thuhej në një gazetë. “Serbët u detyruan të ngrenë duart lart”, thuhej në një tjetër, duke iu referuar momentit, kur policët e Kosovës hynë në takimin e Mitrovicës, duke prishur “festën” serbe. “Gjuriçi tërhiqet zvarrë e kokulur”, ia bënte një tjetër. Në ndonjë gazetë theksi vihej te fjalët e para të Gjuriçit me të mbërritur në Beograd. “Jam keq”, citohej të kishte thënë ai, dhe lihej të kuptohej një traumë shpirtërore e tij, e jo ndonjë dhunim fizik. Dhe trauma, afërmendsh, kishte të bënte me nëpërkëmbjen e tij si serb, jo si Gjuriç. Në fund, të gjitha gazetat njoftonin lidhur me veprimin më të parë të Vuçiqit, pasi e informuan mbi atë që kishte ndodhur. “Vuçiqi telefonon Putinin” – ky ishte lajmi, që nuk mund t’u shpëtonte gazetarëve shqiptarë. Sepse shqiptarëve u pëlqejnë shumë lajmet që provojnë apo konfirmojnë flirtin Serbi-Rusi përkundër aleancës së tyre “providenciale” me SHBA-të.

Një gjë është e qartë, i dashur. Autoritetet e Prishtinës do ishin të gatshëm edhe të paguanin për një spektakël të tillë, me anën e të cilit do të mundin një copë herë të përgjumin, a vënë nën narkozë, nervin civik të shoqërisë kosovare. Për aq sa ky nerv ekziston. Është një marifet i moçëm ky që politikanët e shtien në punë për të përgjumur popujt e tyre. Dështimet i shoqërojnë, në fakt i kompensojnë, me ndonjë shfaqje. Dhe nuk është se nuk funksionon. Ka funksionuar qysh me romakët, të cilët ti i përmendje teksa shpjegoje Idet e tyre të Marsit (Idus Martiae), e teksa bëje një kronikë të trazuar të historisë serbe të lidhur me muajin mars (me që ra fjala, për ne shqiptarët muaji mars nuk ka ndonjë ngarkesë të veçantë historike; ah, e vetmja gjë që na e bën marsin të veçantë janë ato që ju i quani “babini jarci”, e që ne i quajmë “plakat e marsit”, ose fare thjesht “plakat”; me sa duket, e paskemi të përbashkët këtë shprehje idiomatike). “Cirk e një copë bukë (panem at circenses) duan romakët, asgjë tjetër” – këtë e thoshte poeti Juvenal në përpjekje për të përqeshur e denoncuar romakët e kohës së vet (fundi i shekullit I të erës sonë), te të cilët ai nuk arrinte të shihte më pasardhësit e atyre që njëherë e një kohë kishin shkëlqyer me pasionin e tyre civik, e me sjelljen e tyre në fushat e betejës.

Juvenali e kishte fjalën për cirkun real, me akrobatë e klounë, por cirku ka marrë tanimë një përmbajtje metaforike. Cirku është çdo shfaqje publike që shërben për të shastisur opinionin publik. Në Ballkan, këto shfaqje publike tentojnë të luajnë më së shumti me emocionet nacionaliste. Dhe kështu, në Tiranë e në Prishtinë (por edhe në Beograd, me siguri), sa herë që autoritetet bëhen tabelë qitjeje për shkak të dështimit në qeverisje, apo sa herë që kanë kuota të ulëta mbështetjeje, shpëtimin rreken ta gjejnë te ndonjë shfaqje nacionaliste. Ka gjithnjë spektatorë për një shfaqje të tillë. Kanë menduar për këtë elitat tona sunduese. Jo vetëm të sotmet, por edhe të djeshmet. Janë harxhuar me shumicë bojë shkrimi, kohë, energji, e frymëzim për të përgatitur këtë publik, që nevojën për një cirk të tillë e vë përpara nevojës për begati, siguri, drejtësi, dinjitet njerëzor etj.

Hashim Thaçi bëri sërish një numër tjetër cirku. Më 9 prill, në një veprimtari që përkujtonte betejën e Koshares, për të cilën në Kosovë bien në një mendje se është një nga kulmet e luftës së shqiptarëve për liri, ai u dëgjua të thotë se “kërcënimeve të drejtpërdrejta të Beogradit, me të cilat ballafaqohemi herë pas here, do t’u përgjigjemi siç u jemi përgjigjur më herët, 19 vjet më parë”. Shumica e gazetave e kishin sintetizuar këtë qëndrim të Thaçit me titullin “Kërcënimeve të Serbisë do t’u përgjigjemi me pushkë”, ndonëse Thaçi pushkën nuk e përmendi. Dhe e gjitha kjo u tha me rastin e “kërcënimit” të fundit serb, që ishte vizita e Marko Gjuriçit në Mitrovicë. Është interesante të shihet se si shihet e njëjta ngjarje nga të dyja palët! Për shqiptarët, vizita e Gjuriçit në Mitrovicë ishte një provokacion, për serbët ishte një e drejtë kushtetuese. Arrestimi i Gjuriçit ishte një lavdi e triumf për shqiptarët. Por ishte një poshtërim për serbët. Uf! Është i lodhshëm ky regjistër i ndryshëm leximi.

Personalisht, i dashur Zoran, dalloj dy lloje politikanësh në Ballkan. Të parët (e të shumtët) janë ata që përpiqen t’i bëjnë për vete, e më tej t’i përfaqësojnë, shoqëritë e tyre të prapambetura, dhe të dytët janë ata që, të vetëdijshëm mbi limitet e këtyre shoqërive, përpiqen t’i sfidojnë ato, me shpresën se mund t’i tërheqin pas vizionit të tyre. Të parët bëjnë më të kollajtën. Të dytët bëjnë më të vështirën, por prapëseprapë pa guxuar deri në fund. Dhe unë e mirëkuptoj, ndonëse nuk e mbështes, këtë mungesë guximi. Po të guxonin më tepër, shoqëria vetë do t’i ndëshkonte, duke i larguar nga timoni i drejtimit, dhe kjo do të ishte një humbje e madhe për të gjithë ata që duan ndryshimin. Është e padrejtë, në fakt, që t’i lidhësh shpresat për ndryshim me një elitë që mezi guxon. Mirëpo ja, që kjo është situata. Elita që mezi guxon është pjesa më e mirë e elitës. Pjesa tjetër është e bërë njësh me shoqërinë. Është krijuar një rreth vicioz në këtë qoshe të botës. Elitat, për të spikatur, për t’u afirmuar e për të mbrojtur pozitat sunduese, zbulojnë se nuk kanë rrugë tjetër, veçse t’u vinë pas midesë shoqërive të tyre të prapambetura, të cilat nga ana e vet ndihen më të mbrojtura e më të përfaqësuara prej politikanësh mendjembyllur. Prandaj gjërat lëvizin me shpejtësinë e breshkës. Nëse lëvizin.

Kur isha herën e fundit në Serbi, Zoran, shfrytëzova rastin dhe u hodha për një natë deri në Preshevë e Bujanoc. E di se cili ishte sensacioni që pata? Shqiptarët e atjeshëm më ngjanë me Vladimirin e Estragonin e Samuel Beckett-it. Ata ishin në pritje. Prisnin një Godot, të cilin, ashtu si personazhet e Beckett-it, nuk e njihnin, nuk e dinin se kush ishte, nga vinte, kur do vinte, pse do vinte, si do vinte. Në dramën e Beckett-it, personazhet lëvizin rreth një peme të zhveshur, dhe aty bëjnë biseda bjerradite e çaprashitin gjëra pa kuptim, shahen e hahen me sho-shoqin, pastaj bëjnë ndonjë sy gjumë, çojnë në mendje të vrasin veten, por nuk kanë se me çfarë etj. Në Luginën e Preshevës gjithashtu presin Godot-në e tyre, e ndërsa presin, përpiqen t’i japin kuptim jetës, dhe pritjes, duke frekuentuar xhamitë, duke ndjekur programet televizive të Tiranës, duke ngritur mure mes tyre e serbëve, e duke u përplasur egërsisht me njëri-tjetrin gjatë fushatave elektorale. I vetmi moment kur jeta gjallërohet si me magji, janë zgjedhjet lokale, ku dy a më shumë parti shqiptare hahen pothuaj për jetë a vdekje me sho-shoqin. Fushata elektorale bëhet më e egër në Luginën e Preshevës sesa kudo tjetër, a thua se është një botë e tërë që i ndan, apo është një botë që ata duan ta ndajnë mes tyre. Në fakt asgjë nuk i ndan. E asgjë nuk kanë për të ndarë, teksa sillen rreth asaj peme të zhveshur beckett-iane me emrin “Lugina e Preshevës”.

Ata jetojnë në Serbi, dhe sytë e mendjen e kanë nga Tirana. Për ta, luajaliteti shtetëror është thjesht një expedient, ndërsa luajaliteti ndaj kombit është urdhër, thirrje, shpëtim. Dhe mua gjatë asaj vizite – për t’iu kthyer dramës së Beckett-it – m’u duk vetja si ai djali i vogël, që vinte nga Godot-ja e që mund të kishte lajme të mira me vete. Mirëpo, unë nuk kisha asnjë lajm për t’u dhënë. Edhe Edi Rama e Ilir Meta që kishin qenë ca kohë më parë në Luginë, nuk kishin dhënë asnjë lajm. Sepse nuk kanë se ç’lajm të japin. Asgjë nuk pritet të ndodhë. Asnjë Godot nuk pritet të vijë. Dhe atyre u njerëzve u duhet thënë nga të gjithë se “presin kot, nuk ka asnjë Godot”, dhe se gjëja që u duhet të bëjnë në jetë, e vetmja gjë, është të bashkëjetojnë me serbët, dhe se këtë gjë duhet ta shohin si një shans, e jo si një fat të keq. Dhe kjo gjë u duhet thënë të gjithëve, edhe serbëve të Kosovës e të Bosnjës, që janë me mendje në Beograd, edhe shqiptarëve të Maqedonisë që, ashtu si ata të Luginës, mendjen e kanë në Tiranë, edhe grekëve të Shqipërisë që mendjen e kanë në Athinë. E kështu me radhë. Unë kështu e shoh zgjidhjen, i dashur Zoran. Bashkëjetesa në Ballkan mund të duket e pamundur, ndoshta është njëmend e pamundur, por në të njëjtën kohë është e vetmja zgjidhje. Përderisa është e vetmja zgjidhje, duhet të mos jetë e pamundur. E që të mos jetë e pamundur, duhet të guxojë dikush. E që dikush të guxojë, ka nevojë për mbështetje. Ne të gjithë, sipas meje, duhet t’u japim mbështetje atyre që punojnë për këtë qëllim.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Avokati: Të rrëzohet kërkesa! PD: Tahiri tha se refuzon imunitetin

Avokati i Saimir Tahirit, Artan Hajdari në fund të fjalës së tij,...
Read More