Kërkesa: Të ndryshojë Provimi i Shtetit për infermierët

Profesor Pirro Prifti flet për problematikat që po kalojnë sot infermierët, laborantët, mamitë, fizioterapeutët e logopedistët. Arsyet përse po largohen gjithnjë e më shumë, si dhe ku po gabohet me kurrikulat mësimore dhe licencimin e tyre përmes provimit të shtetit

Çdo vit në vendin tonë largohen me qindra profesionistë të shëndetësisë. Pas mjekëve, edhe infermierët po braktisin Shqipërinë për punësim jashtë shteti. Sipas të dhënave të Urdhrit të Infermierit vetëm gjatë vitit 2017 kanë ikur nga vendi 618 infermierë, këto janë të dhënat e vitit të kaluar, por trendi i largimeve vijon. Por pavarësisht ikjes, gjë që duhet të ishte shqetësimi i parë i institucioneve shtetërore, që pse po largohen kaq shumë, pse infermieri po ikën nga vendi i tij, ky profesion në Shqipëri përballet me shumë sfida. Profesor Pirro Prifti për gazetën “Mapo” ngre një sërë shqetësimesh për situatën e infermierëve, veçanërisht sa i takon pjesës kurrikulave universitare, të cilat nuk janë të njehsuara në të gjitha fakultetet, shtuar edhe mungesën e praktikës mësimore, pagat e ulëta, kushtet e punës, mungesa e aftësive profesionale në mësimdhënie, problematikat me Provimin e Shtetit e deri te licencimi i tyre. Për këtë profesion Prifti propozon një sërë ndryshimesh, ku më kryesoret janë ndryshimet në dhënien e Provimit të Shtetit.

Kongresi

Kongresi i Parë i Infermierëve nën drejtimin e Urdhrit të Infermierit të mbajtur në Pallatin e Kongreseve më dt.10-11 maj, në të cilën morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë, është pa dyshim një sukses i arritjeve në fushën e Profesioneve të larta teknike mjekësore gjatë gjithë këtyre viteve, që nga hapja e tyre në vitet 1994 në formën e shkollave të larta 3-vjeçare e gjysmë, përshtatja më Programet Bachelor 3-vjeçare dhe tipet 3+1 e 3+2 sipas Bolonjës, e më vonë me ndryshimet e shpeshta ligjore shqiptare që përfundojnë me Ligjin e Arsimit të Lartë Nr. 80 të dt. 22.07.2015 të cilat sanksionojnë Programet tekniko-shkencore apo më saktë Profesionale të larta Bachelor dhe Master Professional dhe Shkencor.

Përgatitja e Profesionisteve të lartë infermierë, Mami, Laborantë, Logopedistë, Radiologjistë etj., ka hyrë në rrugë të mbarë por problemet ligjore mbeten të hapura, nga të cilat katër janë më problematiket që shkaktojnë gabime dhe pakënaqësi:

  • Përshtatja dhe përqasja me legjislacionin e BE për sa i përket programeve dhe kurrikulave të rreth 15 Fakulteteve që prodhojnë Teknicienë të lartë shkencorë mjekësorë-profesionistë, sidomos për sa i përket Praktikave Profesionale të studentëve dhe Laboratorëve të cilët kërkojnë investime.
  • Provimet shtetërore të organizuara nga Urdhri i Mjekut mbeten problematike për nga cilësia e pyetjeve alternative-quize.
  • Përfshirja e Mjekëve të çdo lloji në drejtimin e këtyre shkollave të larta qoftë si Fakultete qoftë si Departamente, në vend të pedagogëve Teknicienë Mjekësorë.
  • Problematike mbetet nënvlerësimi dhe tradita negative e përbuzjes dhe nënvlerësimit, herë e heshtur dhe herë e hapur ndaj këtij profesioni pikërisht nga disa mjekë që për fat të keq jo vetëm janë një binom (së bashku me teknicienin mjekësor) i domosdoshëm për trajtimin dhe kujdesin e pacientit, por edhe janë pedagogë brenda këtyre Programeve Profesionale.

Pavarësisht interesimit që ka këto vitet e fundi për profesionin e infermierit nga ana e qeverisjes si në drejtim të rritjes së pagave ashtu dhe në promovimin apo dhe në kërkesat në rritje nga ana e shteteve të BE për Profesioniste infermierë nga Shqipëria, problemet në Shqipëri mbeten akute në shumë raste.

Nga eksperienca ime në drejtimin e Programeve Profesionale Mjekësore të Arsimit të Lartë ekziston gjithmonë një lidhje e ngushtë midis shkollës së lartë dhe ekzekutivit që në këtë rast i përket kryesisht qoftë praktikave në Qendrat Shëndetësore publike apo private në spitale publike apo private, e Konsultore si dhe në Shtëpitë e të moshuarve dhe kujdesit infermierorë apo profesionale shëndetësore në shtëpi, të cilat kërkohen shumë në vitet e fundit për shkak të rritjes së popullsisë së moshës së tretë e për pasojë dhe sëmundshmërisë të lartë të kësaj moshe.

Problemi Kryesor është – përqasja apo përafrimi sa më i madh i kurrikulave Profesionale Mjekësore (përveç Programit për Fakultetin e Mjekësisë që edhe ai ka shumë defekte) me kërkesat e BE sipas Artikullit Nr.31 mbi njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale ndryshuar në Udhëzuesin 2013/55/EU. Ky problem është lehtësuar për tu afruar me BE (EU) nëpërmjet VKM Nr.41 të dt.24.01.2018, por mbeten edhe hallka të tjera të cilat duhet t’i zgjidhë Ministria e Arsimit e cila me gjithë ndryshimet e shpeshta në ligj nuk ka hapur hapësira që këto shkolla të larta profesionale Mjekësore të drejtohen nga Teknicienët Mjekësore.

Defekti është se ligji nëpërmjet hierarkisë së titujve akademikë i pengon Pedagogët Teknicienë Mjekësorë me përvojë të drejtojnë Shkollat e larta apo Fakultetet teknike Mjekësore Profesionale duke u a lënë drejtimin mjekëve me tituj. Është e vërtetë se kontingjenti i Profesionistëve Mjekësorë është i ri, dhe përvoja po grumbullohet, por ligji duhet ndryshuar. Kërkohen gjithashtu investime sidomos në Universitetet publikë në drejtim të financimit të praktikave Profesionale dhe të krijimit të laboratorëve mjekësore profesionalë modern sepse pa to- Programet dalin të cunguara.

Problemi tjetër i rëndësishëm është realizimi i Provimeve shtetërore për të licencuar dhe futur në punë Studentet e Diplomuar. Ka nevojë për ndryshime të mëdha Provimi shtetëror, në tre aspekte:

  • Bërja e Provime shtetërore sipas Qarqeve përkatëse dhe jo vetëm në Tiranë
  • Ngritja e Komisioneve për të rregulluar dhe përgatitur një grup Pyetjesh-Quize të përshtatshme për Teknicienët Mjekësorë sepse Pyetjet janë kryesisht për t’u dhënë përgjigje Mjekët dhe jo infermierë-Mami-Fizioterapeutët—etj.
  • Urdhri i Infermierit duhet të bëjë ndryshime në Rregulloret e dhënies së Provimeve.

Problemi i përfshirjes së shumë mjekëve madje edhe pa eksperiencë në mësim dhënie, të cilët japin edhe lëndë infermierore apo dhe mjekësore në vend të Pedagogëve Teknicienëve mjekësore, bërja e Programeve mësimore duke futur lëndë që nuk i duhen studentëve për arsye klienteliste, përbën një pengesë të madhe në ecjen përpara të këtyre programeve dhe përqasjen e tyre më kërkesat e BE. Riorganizimi i Programeve sipas VKM Nr. 41 na lejon që të korrigjojmë gabimet.

Krahas traditës jo të mirë të përbuzjes në heshtje të këtij Profesioni nga vetë mjekët, profesion i cili i profilizua pasi znj. Florence Nightingale zhvilloi këtë profesion si të veçantë ndaj atij të mjekut duke u marrë me Kujdeset Infermierore, duke parë interesimin e madh në ditët e sotme nga ana e të gjitha shteteve veçanërisht në BE-Angli, SHBA, Kanada, Australi, për këtë profesion, na del detyrë që krahas respektit, duhet që qeveria të realizojë dy detyra të rëndësishme:

  • Rritjen e pagës;
  • Kategorizimin e Teknicienevë Mjekësore bazuar në eksperiencë punë dhe grada Kërkimore-Profesionale (sepse nuk ka kuptim grada Shkencore në këto Profesione).

Profilizimi i Teknicienëve të çdo lloji mjekësorë në Masterat Profesionalë dhe Shkencorë sipas ligjit do të ndihmonte shumë në rritje të cilësisë së Kujdesit Mjekësor dhe Shëndetësor ndaj Pacientëve në Shqipëri, dhe këto programe të Profilizuara janë duke fituar terren.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Selami Xhepa merr çmimin “Ekonomisti i Vitit”

"Ne japim gjithmonë çmimin e mendimit ekonomik. Kështu që, ne vlerësojmë shumë...
Read More