Këshilla ime modeste për Batonin dhe Presidentin

Nga Blerim Latifi – Konsiderata filozofike për Batonin

Të dielën, në mbrëmje vonë, Batoni (s’ka nevojë t’ia them mbiemrin, sepse një Baton e kemi), po më shkruante – “shkrimet i ke shumë të mira, por nuk i ke të qarta faktet që do të ndodhin”.

E para, faktet të cilat nuk kanë ndodhur, por pritet të ndodhin në të ardhmen, ende nuk mund t’i quajmë fakte, në kuptimin e këtij koncepti. E shumta, mund t’i quajmë “fakte që pritet të ndodhin”, ose “fakte në ardhje”. Të jemi të qartë: ajo që pritet të ndodhë – nuk është e parathënë askund, as në tokë dhe as në qiell. Përmbajtja e saj varet krejtësisht nga lojërat e shumëfishta që ndodhin në të tashmen.

Mënyra se si Batoni e parashtron pikëpamjen e tij për “faktet që do ndodhin”, m’i kujton gnostikët e lashtë, të cilët besonin se ishin pakica e vetme që e dinin saktë se çfarë do të ndodhte me botën. Intelektualët modernë, të cilët kanë trashëguar pasionin e gnostikëve për ta parë që larg fizionominë e së ardhmes, pikërisht për shkak të këtij pasioni, kanë bërë kushedi sa gabime, kostoja njerëzore të cilave ka qenë e tmerrshme. Më i famshmi prej këtyre intelektualëve gnostikë ishte Marksi. Ai fliste me aq siguri për atë që do të ndodhte saqë, të nesërmen e vdekjes së tij, marksizmi u shndërrua në një religjion politik, dështimi katastrofal i të cilit tashmë njihet nga të gjithë.

Natyrisht, duke bërë këtë vërejtje, assesi nuk dua ta quaj Batonin marksist. Batoni mund të jetë gjithçka, veçse marksist kurrsesi.

Vërejtja ime ka të bëjë me idenë se intelektualisht dhe logjikisht është e udhës që kur të flasim për atë që do të ndodhë në të ardhmen, duhet të jemi vetëkritikë dhe jo të prerë në atë që themi. Duhet të jemi hipotetikë. Kjo, për arsye një ditë e ardhmja vjen për ta na treguar se sa larg kemi qenë në parashikimin e saj. Pra, siguria me të cilin Batoni flet për “faktet që do të ndodhin” nuk është marksiste. Është siguri, ta quajmë, elitare. Batoni gjithë kohën rri në shoqërinë e vendimmarrësve të kombit. Dhe, kur ndodhesh në një shoqëri e tillë, natyrshëm të krijohet ndjesia se i di gjërat shumë më mirë sesa të tjerët. A nuk thoshte Kryeministri më i famshëm britanik, Winston Churchill, se në politikë duhet të kesh dy zotësi. E para, zotësinë për të parashikuar se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër, vitin tjetër. E dyta, zotësinë për të shpjeguar pastaj përse nuk ndodhi ajo që ke thënë se do të ndodhë. Batoni i ka të dyja këto zotësi. Duhet t’ia pranojmë.

Në fakt, proverbi i Churchill-it shpreh një ironi, tipike për filozofinë e tij konservatoriste: parashikimet tona në politikë janë të pasigurta. Prandaj, nëse duam të vazhdojmë të merremi me politikë, duhet të jemi gati për të arsyetuar dështimin e tyre. Mirëpo, këtu fjala nuk është për dështime në fushën e teorisë, por në fushën shumë praktike të politikës. Në të parën, kostoja e dështimit paguhet me diskreditim shkencor. Në të dytën, me jetën njerëzore.

Edmund Burke, themelues i shkollës ideologjike, të cilës i takonte Churchill-i, në çështjen e vendimmarrjes politike këshillonte maturinë, vetëpërmbajtjen, ecjen e ngadalshme, duke peshuar mirë çdo hap që hedhim, çdo vendim që marrim, sepse politika është një vend ku edhe “engjëjt kanë frikë të shkelin”, ndërsa “të marrët hyjnë me vrull”. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë ta marrim shumë seriozisht mençurinë e thellë të këtij mendimtari të madh britanik.

Kjo do të thotë – të lëvizim përtej dy qëndrimeve të skajshme, tipike për politikën tonë: pasivitetit kronik rugovist dhe turravrapit albinist. Pra, të lëvizim përtej frikës së engjëjve që kanë frikë të shkelin në tokën e politikës dhe të marrëve, që hyjnë me vrullin e kafshës në këtë tokë. Një lëvizje politike përtej frikës dhe marrëzisë, do të mund ta quanim. Përtej frikës, nënkupton një qasje tjetër ndaj situatës së krijuar rreth Dialogut me Serbinë dhe në kontekstin e kësaj qasjeje heqjen dorë prej panikut të shkaktuar nga kundërshtarët e Hashim Thaçit, të cilët po përpiqen ta esadizojnë atë. Lëvizja përtej marrëzisë, ndërkaq, nënkupton heqjen dorë nga përsëritja e skenarëve të dhunshëm të Vetëvendosjes, të cilët për tri vjet rresht gati sa nuk e futën në kaos vetëshkatërrues gjithë vendin.

Sigurisht që këto dy lëvizje nuk mund të bëhen prej një faktori të vetëm politik. Mund të bëhen vetëm nga qasja burkeane e të gjithëve.

Situata aktuale në përgjithësi dhe ajo Presidentit në veçanti

Në filozofinë politike perëndimore qëmoti ekziston një linjë mendimi, në të cilën procesi kryesor politik i marrjes dhe mbajtjes së pushtetit krahasohet me procesin kryesor të ekonomisë kapitaliste – akumulimin e kapitalit. Në këtë krahasim, politika shikohet si proces i marrjes së pushtetit përmes akumulimit të besimit politik, ndërsa mbajtja e këtij pushteti shikohet si proces i shpenzimit të këtij besimi.

Sipërmarrësit e suksesshëm e përdorin kapitalin e fituar për ta rritur edhe më shumë atë. Sipërmarrësit e këqij, ndërkaq, e përdorin atë për qejf, duke e bërë rrush e kumbulla. Sipërmarrësit e suksesshëm vazhdojnë më tutje; qejflinjtë, ndërkaq, shpejt falimentojnë, për të përfunduar ose në çmendinë, ose në listat e asistencës sociale të shtetit a shoqatave humanitare.

Gjithmonë, duke ndjekur analogjinë, e njëjta gjë u ndodhë edhe politikanëve. Besimin e akumuluar politik, politikanët e përgjegjshëm e përdorin për ta rritur edhe më shumë atë, duke shërbyer në funksion të interesit publik të qytetarëve. Ndërkaq, politikanët e këqij – këtë besim e bëjnë rrush e kumbulla, përmes shpërdorimit të pushtetit.

Në shoqëritë me demokraci të brishtë, pushteti si shpenzim abuziv i besimit popullor është pothuajse normë, që shumë vështirë shmanget.

Një shekull më parë, Robert Michels, nga pikëpamja e tij, e quante forcën e kësaj norme – “Ligji i hekurt i oligarkisë”: demagogët- rojtarët e popullit, një ditë, shndërrohen në oligarkë që mendojnë vetëm për veten.

Deri me sot, asnjë parti politike në Kosovë nuk i ka shpëtuar ndikimit të normës së pushtetit si shpenzim abuziv i besimit politik. Gjatë gjithë këtyre viteve të mundimshme të pasluftës, pyetja themelore, e cila është bërë brenda partive politike kosovare, ka qenë: kush çka merr? Pyetjet tjera kanë qenë të dorës së dytë, të tretë, ose të katërt. E gjithë kjo është udhëhequr nga një interpretim malinj i individualizmit të Adam Smith: Secili të vrapojë pas interesit të vet, e për fatin e vendit kujdeset dora e padukshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Partia Demokratike e Kosovës ka pasur rastin të dalë nga rrethi vicioz i këtij interpretimi malinj të politikës në Kosovë. Por, për fat të keq, nuk ka dalë. Sot, në drejtimin e partisë, Kadri Veseli, para së gjithash, ngjan me një mjek që merret me trajtimin dhe shërimin e sëmundjeve të partisë dhe, mund të thuhet lirisht, këtu qëndron përparësia e PDK-së në raport me të partitë tjera, të cilat vazhdojnë të vegjetojnë në sëmundjet e tyre, në obezitetin e tyre politik të shkaktuar nga shpenzimi abuziv i besimit të dhënë nga qytetarët. Të gjithë treguesit flasin se ky operacion shërimi është duke ecur mbarë.

Kjo është situata e përgjithshme, brenda së cilës duhet parë edhe rezistenca e madhe ndaj iniciativës së re të Presidentit për finalizimin e Dialogut me Serbinë, në formën e korrigjimit të kufijve.

Fakti i të qenit politikani më i suksesshëm gjatë gjithë këtyre viteve, ka pasur edhe koston negative për të, anën tjetër të medaljes- shpenzimin e besimit, sidomos te lojtarët tjerë politikë. Sot, frika e tyre nuk është dhe aq frika se Presidenti po bën pazar tokash me Serbinë në dëm të Kosovës, por, para së gjithash, është frika se “Hashim Thaçi do ta na luaj përsëri lojën e vjetër, nga e cila ne sërish do të dalim të lagur, e ai duke mbajtur nën sqetull copën e luanit”. Pra në thelb kemi të bëjmë me një frikë nga dinakëria e tij politike, të mbuluar me frazat e vjetra për tradhti.

Edhe më parë kemi pasur situata të ngjashme të mosbesimit të thellë reciprok brenda politikës kosovare. Por, dikur ishte forca e prezencës amerikane në vend, e cila tejkalonte dallimet, amortizonte inatet e urrejtjet reciproke, dhe si rezultat bëhej i mundur konsensusi i imponuar politik. Fatkeqësisht, magjia politike e kësaj prezence sot është zbehur shumë dhe kjo zbehje mund të konsiderohet si një fitore e të gjithë atyre që, publikisht ose privatisht, ushqejnë ndjenja antiamerikane në Kosovë. Është e qartë se nxitjen e këtyre ndjenjave e kemi “dhuratë” nga militantët revolucionarë të Shokut Kurti dhe nga grupacionet salafiste, të mbështetura prej shërbimeve të inteligjencës serbe e ruse.

Në këtë situatë, kur konsensusi për kursin politik të vendit, i imponuar nga jashtë, duket pak i mundur, mbetet mundësia e gjetjes së forcave për ta ndërtuar nga brenda këtë konsensus. Presidenti, nisur edhe nga thirrja kushtetuese, duhet të fillojë i pari – para ngutjes për të marrë aeroplanin e radhës që shkon në Bruksel – që të nisë një politikë të bindjes së të tjerëve në drejtësinë e ideve të tij për finalizimin e Dialogut me Serbinë. Politika, edhe në orën e saj më të ligë, nuk pushon se qeni art i së mundshmes. Është sërish koha për të zgjedhur në mes forcës së argumentit dhe argumentit të forcës. Njësoj si para tre vjetësh, por ndryshe nga zgjedhja që u bë atëherë. Lidershipi gjithmonë dhe gjithkund ka nënkuptuar dy gjëra esenciale – aftësinë për t’i bashkuar njerëzit, si dhe aftësinë për t’i udhëhequr ata në një rrugë të pashkelur nga të tjerët. Pa të parën, e dyta është e destinuar të dështojë./GAZETAEXPRESS/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Agim Baçi: Letër të nderuarit, të famshmit kalorës të Mançës

  Shumë i nderuar kalorës i Mançës, Don Kishot, Dëshiroj që, së...
Read More