Këshilla: Kanceri i gjirit, regjimi ushqimor gjatë kimioterapisë

Kjo dietë kërkon të promovojë marrjen e mjaftueshme të fitokimikateve, ushqimeve me veti kemo-protektive dhe antiinflamatore, të përmirësojë statusin ushqimor dhe të parandalojë rishfaqjen e sëmundjes, të mbajë një peshë trupore optimale, të rritë cilësinë e jetës. Për pacientët pas mastektomisë, edukimi mbi sigurinë e ushqimit është shumë i rëndësishëm.

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jonormale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen, formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal te gjirit. Pa mjekim këto qeliza përhapen në pjesët fqinje e më pas në të gjithë trupin. Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për kancer gjiri mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur është shumë i trajtueshëm. Por nga ana tjetër, në rast se jeni ekzaminuar me këtë diagnozë dhe jeni duke ndjekur kimioterapinë, Blerina Bombaj, dietologe klinike ka publikuar një dietë, regjim ushqimor të këshillueshëm për t’u ndjekur gjatë këtij procesi. Sikurse shpjegon Bombaj, dieta përmban rreth 2200kcal/ditë energji; rreth 80gr/ditë proteina dhe si qëllim kryesor ka të kontrollojë efektet anësore të mjekimit. Kjo dietë kërkon të promovojë marrjen e mjaftueshme të fitokimikateve, ushqimeve me veti kemo-protektive dhe antiinflamatore, të përmirësojë statusin ushqimor dhe të parandalojë rishfaqjen e sëmundjes, të mbajë një peshë trupore optimale, të rrisë cilësinë e jetës. Për pacientët pas mastektomisë, edukimi mbi sigurinë e ushqimit është shumë i rëndësishëm.

Regjimi ushqimor

Mëngjes

2 feta buke thekre me fara lini, luledielli dhe susami

40gr gjizë të njomë me 1 lugë të madhe vaj lini (të përzier bashkë deri sa të unifikohen)

1 vezë fshati (ose shkurte), me pak vaj rozmarinë

¼ avokado me lëng limoni

1 çaj artemisa

Paradite

Lëng të shtrydhur me rozmarine, selino, panxhar, karotë dhe molle; ose lëng shege me pak portokall dhe xhinxher; ose lëng me shalqi, manaferra, rrush të kuq dhe boronica

1 fetë buke thekre me vaj rozmarinë dhe avokado të shtypur bashkë me fara kungulli dhe lëng limoni

1 çaj jeshil

Drekë

Sallata: 1. rukola, spinaq, selino, gjizë të njomë, domate tharë ose të freskët dhe pak panxhar të freskët të grirë; 2. sallatë me brokoli, karota dhe qepë; 3. sallatë me lakër të bardhë dhe të kuqe, karota, panxhar të grirë, portokall dhe majdanoz të freskët. Marinoni sallatën me salcë.

Pjata kryesore: 1. 150 gr. sardele furrë të vogla ose acuge ose skumber ose stavridh ose vope, me domate, qepë, dafine, majdanoz dhe 2-3 feta buke thekre; 2. 150 gr. gjoks pule fshati me patate të vogla me lëkurë të pjekura në furrë me pak trumzë; 3. supë me thjerrëza, qepë, karotë, selino dhe dafinë; 4. supë me fasule ose qiqra; 5. 2 kupa oriz të egër me 100gr mish pule dhe salcë curry; 6. 2 kupa makarona organike me salcë domatesh, borziloku, hudhrash dhe qepësh, të shërbyer me pak djathë dhie të bardhë; 7. 100 gr. qofte me mish viçi të grirë dhe perime (hudhra, qepë, karota, rigon, majdanoz), të pjekura në furrë me patate të ëmbël ose rrepa. 1 çaj jeshil.

Pasdite

Kos pa yndyrë (0%) me fruta pylli dhe fruta të stinës, pak tërshërë, kanellë, fara lini, fara luledielli dhe pak mjaltë të pastër.

2 arra Brazili

1 çaj artemisa

Darkë

Sallata: Brokoli ose lulelakër, karota dhe qepë; ose sallatë me domate, kastravecë, qepë, selino, speca dhe borzilok; ose sallatë radhiqe të egra me vaj ulliri dhe limon; ose sallatë me karkaleca ose peshk ton me fasule të kuqe dhe të zeza, sallatë jeshile, qiqra, domate, misra, selino, majdanoz dhe vaj ulliri me limon

  • Pjata kryesore: Patëllxhanë të mbushura me perime, domate, gjizë dhe erëza; ose fërgesë me domate, speca të kuq dhe vezë; ose kërpudha të bardha ose shitake ose porçini të pjekura me vaj ulliri dhe rozmarinë ose të gatuara si supë me qepë, vaj ulliri, hudhra, pak lëng kockash, pak patate dhe majdanoz të freskët; ose oriz me bizele, karota, qiqra dhe karkaleca të vegjël. Kos pa yndyrë me kastravec, hudhra, kopër dhe vaj lini. 1-2 feta bukë thekre me fara.

Para gjumit

1 çaj me kanellë, fara finoku, boronicë të egër dhe mente

pak pjepër ose pjeshkë

Udhëzime mbi regjimin

Zgjidhni alternativen me peshk 3 herë në javë, me pulë, 1-2 herë dhe mish viçi jo më shumë se 1 herë në javë ose 1 herë në 10 ditë.

Kujdesuni që kur të vendosni fasule ose thjerrëza në darkë, të mos kombinohen me sallate brokoli apo lulelakër në të njëjtin vakt.

Preferoni fruta dhe perime të stinës, sa më të pastra. Sigurohuni që domatet, spinaqi, selinoja, luleshtrydhet dhe mollët të jenë pa spërkatje, në të kundërt evitojini ose mollëve dhe domateve hiquni lëkurën.

Zgjidhni oriz dhe makarona organikë.

Zgjidhni mish viçi të kullotave të pastra, marinojeni gjithmonë me verë të kuqe ose birrë dhe rozmarinë, hudhër dhe timo.

Bulmeti pa yndyrë nuk rezulton në rritje të rrezikut të kancerit të gjirit, mund ta preferoni.

Turmeriku është një erëz me vlera të jashtëzakonshme antiinflamatore dhe antitumorale, por nuk duhet përdorur gjatë trajtimit me Cytoxan.

Kujdes!

Vaji i ullirit të aromatizohet me rozmarinë: vendosni një tenxhere të madhe me ujë në zjarr. Në një tenxhere tjetër më të vogël, hidhni vaj ulliri organik dhe degë rozmarine të lara dhe të thara mirë. E lini rreth një orë të ngrohet në tenxheren me ujin qe vlon. E hiqni dhe e vendosni ne kavanoz qelqi. E ruani në vend të freskët rreth 30 ditë. Më pas e largoni rozmarinën dhe përdorni vajin. Të njëjtën gjë mund të bëni për të përftuar vaj rigoni, në vend të rozmarinës vendosni rigon të freskët.

Çajin artemisa, përpara se ta përdorni është mirë të konsultoheni edhe me mjekun dhe ta vini atë në dijeni.

Salcat e sallatave të përgatiten me vaj ulliri ekstra të virgjër, erëza të freskëta si majdanoz, borzilok, mente ose kopër, lëng limoni ose portokalli ose uthull molle, kripë deti dhe fara, të cilat i bluani se bashku në një blender.

Këshilla:

Blini një pajisje për të bërë bukën në shtëpi. Kështu kontrolloni cilësinë e miellit, vajit dhe kripës, si dhe mund ta pasuroni me fara shumë të dobishme.

Blini miell thekre të kontrolluar.

Farat blijini organike, të paketuara mirë dhe me etiketën e skadencës.

Vajin e ullirit zgjidheni ekstra të virgjër.

Preparatet bimore

Evitoni: ginseng, ginkgo biloba, rrënjën e likorices, si dhe suplementet me emrin “black cohosh”, “wild yam root” dhe DHEA

Mund të preferoni: ekstraktet e farave të rrushit, pluhur frutash pylli si boronicat dhe preparate me përqendrim të ekstrakteve të shegës.

Suplemente

Vitaminat, mineralet dhe antioksidantët duhet të merren nga ushqimi. I vetmi suplement që mund të këshillohet është Kalcium + Vitaminë D. Këshillohet marrja e vitaminës D në rast mungese.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dosja italiane: Ja përgjimet e plota e prokurorisë për Habilajt

Një ditë pas arrestimit të një bande italo-shqiptare të trafikut të drogës...
Read More