Këshilla: Ushqimet për vajzat dhe gratë e prekura nga kanceri i gjirit

 

Këshillohuni me një dietolog klinik për të marrë një orientim të personalizuar në bazë të mjekimit tuaj, të statusit ushqimor dhe gjendjes suaj fizike, veçanërisht gjatë trajtimit terapeutik mjekësor. 

Kanceri i gjirit është aktualisht në krye të listës së llojeve të kancerit te gratë në botë, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe tek ato në zhvillim. Kjo sëmundje prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësish preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Bazuar në të Dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), i cili përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, ka vlerësuar se kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë.

Zbulimi

Kur kanceri i gjirit zbulohet herët, dhe nëse diagnoza dhe trajtimi adekuat janë në dispozicion, ka mundësi që kanceri i gjirit të shërohet. Organizata Botërore e Shëndetësisë promovon kontrollin e kancerit të gjirit në kuadër të programeve kombëtare të kontrollit të kancerit. Strategjitë e rekomanduara për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë: rritja e ndërgjegjësimit për kapjen e hershme të shenjave dhe ekzaminimi klinik i gjirit. Depistimi nëpërmjet mamografisë është shumë i kushtueshëm dhe është rekomanduar për vendet me infrastrukturë të mirë shëndetësore që mund të përballojnë një program afatgjatë.

Ushqimet

Por jo vetëm zbulimi hershëm i sëmundjes shton shpresa për trajtimin e tij por edhe një regjim ushqimor mund të kthehet në aleat në luftën kundër kancerit të gjirit. Dietologia klinike Blerina Bombaj, bazuar në studimet më të fundit shkencore mbi këtë sëmundje këshillon një regjim ushqimor të rregull, aktivitet fizik dhe kujdes të shtuar ndaj jetës. Dietologia këshillon që gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit të ecin 6 ditë të javës, të paktën gjysmë ore me ritëm të shpejtë. Konsumoni 5 -9 racione fruta – perime (1 racion fruta = 150gr; 1 racion perime = 75gr), çdo ditë. Zgjidhni perime me ngjyra, veçanërisht të verdha, portokalli, dhe jeshile të thellë. Preferoni agrumet, kumbullat vishnje, boronicat, manaferrat, mjedrat, pjeshkët, mollët, rrushin e kuq pa pesticide dhe qershitë e tharta. Rrisni konsumin e brokolit, lakrës, lulelakrës, rukolës, lakrës kale dhe lakrës së Brukselit, të cilat duhet të jenë të pagatuara ose të gatuara në avull për pak minuta. Shtoni konsumin e hudhrës dhe qepës në kombinim me perimet e lartpërmendura.

Arrini dhe mbani një peshë të shëndetshme. Nëse jeni mbipeshë, rrezoni disa kilogramë deri sa të arrini peshën optimale. Evitoni pijet me sheqer të tipit kola, fanta, limonata, çajra dhe lëngje të tjera freskues. Pini ujë të pastër dhe mundësisht nga shishe qelqi ose shishe plastike të cilat nuk kanë qëndruar në diell. Evitoni ushqimet e nxehta në paketime plastike. Ushqimet kalorike (të pasura në sheqer ose yndyrë, konsumojini sa më rrallë). Evitoni fast/food-et.

Reduktoni konsumin e mishit në më pak se 3 racione në jave (1 racion = 90gr). Nëse dëshironi të konsumoni produkte të përpunimit të mishit, sigurohuni të jenë pa nitrate dhe konservues.

Evitoni ushqimin e pjekur deri në djegie, veçanërisht mishin dhe produktet e tjera shtazore. Evitoni mishin ne zgarë dhe barbeque. Gatimi më i përshtatshëm është ai me zierje që nuk kalon 100 gradë C.

Sigurohuni të merrni 1400-1500mg Kalcium/ditë dhe 1100IU vitaminë D në formën D3. Masni vitaminën D në gjak dhe merrni suplement deri sa ajo të arrijë mbi 30ng/mL. Nivelet ekzakte optimale të vitaminës D në gjak, për parandalimin e kancerit të gjirit, nuk janë të ditura ende.

Pini 3-5 kupa çaj jeshil në ditë, pa sheqer.

Evitoni pijet alkoolike. Akoma edhe sasi të vogla alkooli mund të rrisin rrezikun e kancerit të gjirit, pavarësisht llojit të pijes alkoolike. Gratë që pinë alkool, duhet të marrin suplement të acidit folik në sasinë e RDA- (Recommended Dietary Allownces).

Për kancerin e gjirit ER negativ/PR negativ, yndyrat duhet të reduktohen në më pak se 30% të kalorive ditore dhe yndyrat e ngopura të mbahen në limite minimale (bulmeti me yndyrë, gjalpi, yndyra e mishit, margarina, djathi, vaji i palmës). Për të arritur këtë qëllim, mund të kërkoni ndihmën e një dietologu klinik.

Këshillohuni me një dietolog klinik për të marrë një orientim të personalizuar në bazë të mjekimit tuaj, të statusit ushqimor dhe gjendjes suaj fizike, veçanërisht gjatë trajtimit terapeutik mjekësor. Si rregull, marrja e multivitaminave nuk këshillohet, por nëse rekomandohen duhet të ofrojnë sasitë e mikroushqyesve jo më shumë se ato që gjenden në referencat përkatëse (RDA), përveç vitaminës D. Plotësimi i dietës me kalcium mund të jetë i nevojshëm në disa pacientë. Përgjithësisht, lëndët ushqyese duhet të vijnë nga ushqimi dhe jo suplementet. Marrja me shumicë e disa mikroushqyesve si p.sh., acidit folik, mund të rrisë rrezikun e kancerit të gjirit në disa pacientë.

Gratë me kancer të gjirit ER pozitiv/PR pozitiv, të cilat përjetojnë afshe për shkak të terapisë hormonale ose menopauzës së hershme, duhet të evitojnë suplementet me isoflavone ose bazë soje. Siguria e këtyre suplementeve nuk është ende e qartë. Ndryshime në stilin e jetesës si mbajtja e temperaturës së freskët të bërthamës së trupit, praktikimi i frymëmarrjes së qetë dhe të ngadaltë, dhe aktiviteti i rregullt fizik, ndihmojnë në përmirësimin e afsheve. Ushqimet pikante, pijet e nxehta apo alkooli, mund të nxisin afshet e nxehta, përpiquni t’i evitoni.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rishfaqet Mimoza Ahmeti! Ja sa ka ndryshuar shkrimtarja e njohur…

Shkrimtarja dhe poetja shqiptare Mimoza Ahmeti prej disa kohësh i është larguar...
Read More