Këshilla: Ushqimet që luftojnë infeksionet urinare

Nëse trajtohet me kujdes dhe si duhet, infeksioni urinar rrallëherë shpie në komplikacione, po nëse lihet i patrajtuar, mund të bëhet serioz. Infeksionet urinare të patrajtuara mund të çojnë në infeksion të veshkës (pielonefrit) akut apo kronik, i cili dëmton në mënyrë të vazhdueshme veshkën. Fëmijët dhe të rinjtë kanë një risk më të lartë për dëmtim renal pas infeksioneve, pasi simptomat neglizhohen apo ngatërrohen me kushte të tjera. Gratë shtatzëna që kanë infeksione urinare, kanë një risk të rritur për të lindur fëmijë prematurë apo me peshë të vogël (hipotrofë). Gratë të cilat kanë zhvilluar tri apo me shumë infeksione urinare, ka të ngjarë të vazhdojnë të zhvillojnë përsëri infeksion

Infeksionet urinare janë ndër infeksionet bakteriale më të shpeshta dhe prekin me së shumti femrat. Këto infeksione mund të bëhen kronike, me një shfaqje rreth 3 herë në vit. E. coli është bakteri më i zakonshëm përgjegjës për infeksionet urinare, të cilat, nëse nuk trajtohen në kohë dhe siç duhet, mund të rezultojnë fatale. Qëllimi i terapisë ushqimore është të ruhet funksioni i veshkave, të kontrollohet presioni i gjakut, të acidifikohet urina në mënyrë që të evitohet shtimi i mikroorganizmave patogjen dhe të parandalohet bakteremia.

Infeksioni

Infeksionet e traktit urinar (ITU) janë nga sëmundjet më të zakonshme, që prekin të gjitha moshat, që nga i porsalinduri e deri të personat e moshës së tretë. ITU janë më të shpeshta të femrat sesa te meshkujt, për shkak të karakteristikave anatomike. Ndahen në infeksione të rrugëve të sipërme (pielonefriti) dhe infeksione të rrugëve të poshtme. Këtu bëjnë pjesë ato të fshikëzës së urinës (cistite), infeksionet e prostatës te burrat (prostatite), infeksionet e uretrës, kanalit të poshtëm të nxjerrjes së urinës (uretrite). Por dhe çdo temperaturë te fëmijët nga një virozë, angine, bronkit apo bronkopneumoni etj., që nuk trajtohet duhet të shqetësojë prindërit, që përveç analizës së gjakut, t’i bëjnë fëmijës dhe një analizë urine. Në rast se infeksioni përsëritet, duhet detyrimisht të gjendet shkaku dhe të mjekohet ai. Te fëmijët e vegjël shkaku kryesor i infeksionit urinar është refluksi veziko-ureteral (rikthimi i urinës mbrapsht, si një defekt i sfinkterit ureteral).

Trajtimi

Trajtimi duhet të jetë korrekt, sepse nuk janë të rralla rastet e përsëritjes së cistitit. Kontakti me mjekun e familjes dhe atë nefrolog është i rëndësishëm pasi në mjaft raste shkak i kronicizimit të sëmundjes është mungesa e kontaktit me specialistin, neglizhimi i shenjave dhe mjekimi jokorrekt. Mjekimi bëhet sipas shkaktarit të përcaktuar me urokulturë (mbjellje të urinës). Mjeku i familjes apo ai nefrolog duhet të bëjnë vlerësimin e rastit, të përcaktojnë mjekimin dhe kohëzgjatjen e tij. Mjekimi pa kriter çon në kandidoze (myk), dëmtim të mëlçisë, apo rezistencë mikrobiale.

Rekomandime

Blerina Bombaj, dietologe klinike shpjegon ushqimet që rekomandohen dhe ato që duhet të evitohen. Nëse funksioni renal është optimal, marrja e mjaftueshme e proteinave cilësore është e domosdoshme. Ushqime si veza, mishi, peshku, mishi i pulës, dhe djathi duhet të jenë prezente në çdo vakt.

Thanat, kumbullat e kuqe dhe vishnje, prodhojnë acid hipurik, i cili rrit aciditetin e urinës. Misri, thjerrëzat, buka, brumërat, kikirikët dhe arrat gjithashtu rrisin aciditetin në urinë.

Marrja e mjaftueshme e ushqimeve me vitaminë C është e nevojshme për të parandaluar rishfaqjen e infeksionit. Ushqime të tilla janë agrumet, kivi, luleshtrydhet, specat e kuq.

1 lëng karote me portokall çdo mëngjes është një zgjedhje shumë e mirë për të forcuar mbrojtjen kundër infeksionit.

Çaji i boronicës dhe trëndafilit të egër mund të ndihmojë, edhe pse nuk ka vërtetim shkencor për këtë.

Te evitohet kafeina dhe alkooli.

Të konsumohet ujë mjaftueshëm.

Të preferohen probiotikë dhe ushqime që i përmbajnë ato si kosi i shtëpisë, sidomos pas përdorimit të antibiotikëve.

Cistiti i fshikëzës së urinës

Kur infeksioni prek fshikëzën e urinës, rezulton në dhimbje dhe irritim të saj. Persona të prekur nga cistiti raportoje lehtësim të simptomave pasi ndërpresin konsumin e kafeinës, alkoolit, domates, specave, agrumeve, dhe erëzave pikante.

 

Meny kundër infeksioneve urinare

Të konsumohen sa më shumë lëngje, e rekomandueshme 2-3 litra në ditë. Uji, i cili ka dhe veti antioksidante, të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si lëng limoni, portokalli, pjeshke, rrushi, karote etj. Boronica e kuqe në formë çaji, lëngu, fruti, tabletash lufton infeksionet urinare. Që 50 vjet përpara dietologët kanë raportuar efekte antiinfeksioze të boronicës së kuqe nga prania në të e të paktën dy substancave që pengojnë ngjitjen e baktereve në rrugët urinare. Aloe vera lufton infeksionet. Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme. Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që ta konsumojmë më shpesh sepse përveçse është shumë i ushqyeshëm brokoli përmban glukinolat, një përbërje bimore që shkatërron bakteret në fshikëzën e urinës. Rekomandohen 200 – 300 gram brokoli në ditë të paktën 2-3 herë në javë. Gjithashtu, është i provuar dhe roli i vitaminës B6 për ITU. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e proteinave, çlirimin e glukozës etj. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Në formë natyrale vitamina B6 gjendet te drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ronela tregon për miqësinë e prishur me Samantën: As nuk përshëndetemi

Këtë të shtunë e ftuara e Aulona Mustës dhe Fatma Haxhialiut në...
Read More