Këshilla: Virozat e dimrit te fëmijët e vegjël

Flet prof. Ermira Kola, Shefe e Shërbimit të Reanimacionit Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë

Në periudhën e dimrit dhe fillimit të pranverës, gripi ose influenza është infeksioni viral i cili haset më shpesh në moshat fëminore. Janë infeksione virale që kryesisht shfaqen me shenja klinike të përfshirjes së sistemit të frymëmarrjes, duke qenë shumë ngjitëse në moshën fëminore. Në epidemitë e gripit preken më shumë fëmijët në moshën shkollore. Në përgjithësi gripi kalon mirë dhe pa ndërlikime. Por shpesh prindërit dhe mjekët duhet të jenë të kujdesshëm për ta ndjekur fëmijën në dinamikë sepse ndonëse ndërlikimet janë të rralla, ato mund të ndodhin. Këto ndërlikime shkaktohen jo vetëm nga viruset, po dhe nga mbivendosja e mikrobeve të tjera. Ato shfaqen më shpesh në moshat e vogla dhe fëmijët me probleme të tjera shëndetësore. Dhënia e antibiotikëve për të parandaluar ndërlikimet është një veprim i gabuar, antibiotikët do të jepen vetëm me konsultën e mjekut. Ndërlikimet më të zakonshme në fëmijë janë otiti (mahisjet e veshit), si dhe pneumonia që i dedikohen mbivendosjes së infeksioneve bakteriale. Shpesh shfaqen disa shenja që nuk duhet të neglizhohen dhe që duhet të tërheqin vëmendjen, qoftë të prindërve ose të mjekut, të cilat lidhen me prezencën e ndërlikimeve. Përgjumësia, refuzimi i marrjes së gjirit ose biberonit, mavijosja rreth buzëve që thellohet herë pas herë (në vend të kollës). Këto janë shenja tepër shqetësuese që tregojnë për prekjen e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, prandaj pa humbur kohë duhet të lidheni me mjekun. Nëse fëmija do të ketë grindje, qarje të cilat shtohen më shumë kur ushtrohet pak presion mbi tragusin e veshit ose kur fëmijët më të rritur ankojnë dhimbje veshi, kollë ngacmuese lehëse, kollë të thatë, kumbuese, zë të ngjirur etj., duhet të drejtoheni patjetër te mjeku.

Kujdesi

Regjimi – Dëshiron të shtrihet në shtrat ose jo, këtë e zgjedh vetë fëmija, pa e detyruar, por duhet të qëndrojë në shtëpi, në mjedise të ngrohta (jo të nxehta), me ajër të pastër e pak të lagështuar. Të ajroset dhoma e fëmijës edhe nëse jashtë është ftohtë, duke ruajtur një temperaturë konstante. Mos e vishni tepër. Të jepen lëngje shpesh e nga pak, si ujë e lëngje frutash.

Menaxhimi i temperaturës

Temperatura përtej vlerave normale nuk është sëmundje, është një shenjë që tregon që një infeksioni viral ka filluar. Temperatura është shenja e parë e sëmundjeve të ndryshme, të cilat mund të variojnë nga një infeksion i lehtë ose si shenjë e sëmundjeve që rrezikojnë jetën. Prezenca e temperaturës, nuk ka lidhje midis gravitetit të sëmundjes dhe prezencës së saj. Temperaturat e larta dhe mosrënia e temperaturës nuk janë tregues që lidhen me prognozën e sëmundjes, pra nuk lidhen me gjendje të rënda të fëmijës. Temperatura mund të jetë shumë e lartë në një infeksion të lehtë dhe mund të jetë jo shumë e lartë në një sëmundje të rëndë.

Temperatura në fëmijët e vegjël, shpesh herë është fobi për prindërit, të cilët tentojnë në çdo mënyrë për ta ulur sa me shpejt atë, në shifra normale. Në fakt, ndonëse duket paradoksale temperatura është skalioni i parë mbrojtës i trupit kundër viruseve dhe baktereve shkaktarë të infeksionit. Temperatura është mekanizëm mbrojtës, që do të thotë që nëse ne e lëmë fëmijën me temperaturë, mekanizmat mbrojtëse të fëmijës do të aktivizohen mjaft mirë e mjaft shpejt, duke ndikuar në ecurinë e mirë të sëmundjes. Fobia e prindërve ndaj temperaturës dhe abuzimi me dhënien shpesh dhe me doza të larta të medikamenteve ulës së temperaturës, janë të dëmshme për fëmijën. Fillimisht që të realizohet transmetimi i temperaturës nga trupi – jashtë tij, duhet të bëhet heqja e rrobave, të mbahet vetëm me pelena. Të jepen lëngje shpesh e nga pak. Rekomandohen banja me ujë të vakët, kompresat nuk kanë vlerë. Të përdoren ulës të temperaturës si algofen, paracetamol etj., qoftë në formë shurupi ose suposti. E rëndësishme është që dhënia e tyre të jepet në shifra të temperaturës mbi 38.5 gradë celsius dhe jo më shpesh se 4 ose 6 orë. Kujdes, Aspirina nuk duhet të jepet në moshat fëminore.

Drejtohuni menjëherë te mjeku nëse:

  • Fëmija është më i vogël se 2 muaj dhe shifrat e temperaturës janë mbi 38 gradë celsius.
  • Fëmija është 3-12 muaj dhe temperatura është mbi 39 gradë celsius.
  • Zgjat mbi 24-48 orë.

Këshilla për ushqyerjen

  • Mungesa e oreksit është dukuri e zakonshme, por mundohuni të jepni ushqimet shpesh e nga pak.
  • Tentoni të jepni supa të holla perimesh, të varfra me proteina dhe yndyra. Këto të fundit nxisin acetonin (atë erë të rëndë që ju ndjeni nga goja e tij).
  • Lëngjet e frutave duhen të jenë pjesë e rëndësishme e ushqyerjes.
  • Mënjanoni kontaktet me të sëmurë me viroza, duke evituar vizitat e panevojshme ose çuarjen e fëmijëve në mjediset me grumbullime.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rrëzimi i Ramës nuk është aq i vështirë sa duket

Nga Fitim Zekthi Kur sheh gjendjen e politikës shqiptare mendon se ajo...
Read More