Këshillimi fiskal, nevoja për profesionistë dhe perfeksionistë

Për 152.000 tatimpagues në fushën e biznesit dhe për rreth 1.2 milion tatimpagues individë, administrata tatimore ka një kapacitet të përballimit të fluksit për jo më shumë se 10% të tyre. 

Rregullimi i profesionit të këshillimit tatimor/fiskal është një strukturim i profesionit që deri më sot mbulohet nga profesione të tjera, por jo nga ata që kanë barrën e përvojës së këtij profesioni mbi supe, si dhe jo në funksion të atyre taksapaguesve që konsiderohet se duhet të marrin pjesë në diskutimet publike për reformën fiskale nëpërmjet zërit të perfeksionistëve fiskalë. Nëse konsiderojmë shkallën e ulët të pranimit vullnetar të tatimeve në vendin tonë, kulturën fiskale, evazionin dhe përgatitjen teknike dhe po t’i krahasojmë këto me nivelin e legjislacionit do kuptojmë hapësirën që ekziston dhe për pasojë dhe shkallën e pagimit të tatimeve, e cila deri më sot është me një kosto të lartë si për tatimpaguesin, po ashtu edhe për buxhetin. Duke konsideruar që pranimi vullnetar i tatimeve është koncepti bazë ku mbështetet administrimi modern që ka hyrë mbledhja e të ardhurave të buxhetit në çdo vend, duhet të kuptosh se ky rol i ri i administrimit nuk mund të shihet i ndarë nga këshillimi i dedikuar nga profesionistët që kanë zanat zbërthimin dhe lehtësimin e të kuptuarit të legjislacionit fiskal. Sepse një administratë sado mirë të përmirësohet cilësisht, ajo nuk mund të jetë një forcë e barabartë në sasi dhe kapacitete me komunitetin e stërmadh të tatimpaguesve. Kjo është arsyeja kryesore, pse administrimi modern ia beson vetveten vetëdeklarimit dhe vetëkorrigjimit të tatimpaguesve.

Për 152.000 tatimpagues në fushën e biznesit dhe përreth 1.2 milion tatimpagues individë, administrata tatimore ka një kapacitet dhe potencial të përballimit të fluksit për jo më shumë se 10% të tyre, por jo për t’i kontrolluar, por vetëm të shikojë se si sistemi informatik mundet të trajtojë vetë deklarimet e tyre. Ndërkohë, për shërbimin ndaj tyre mbetet pak kohë fizike në dispozicion, por edhe pak kapacitete që të mund të arrijnë të shërbejnë sipas kërkesave që priten nga administrimi. Në këto kushte, kërkohet që mbledhja e të ardhurave të maksimalizohet pa rritur kostot administrative, por duke rritur shkallën e pranimit vullnetar të tatimpaguesve dhe detyrimisht kjo vjen nëpërmjet rritjes së shkallës së kuptimit të rëndësisë dhe të teknikave legjislative. Është këshilltari fiskal, i cili shërben si një rregullator që ul koston për buxhetin dhe i shërben rritjes së besimit të taksapaguesit për shtetin. Duke ndihmuar tatimpaguesin të kuptojë dhe zbatojë ligjet ai në fakt bën një pjesë shumë të rëndësishme të detyrës së shtetit, atë të edukimit dhe shërbimit të tatimpaguesve, detyrë kjo parësore në çdo organ tatimor në botë, që balancon parimin e vetëvlerësimit të detyrimeve nga tatimpaguesi.

Po të shtojmë dhe nivelin profesional të administratës dhe shpeshtësinë me të cilën ndryshon legjislacioni, atëherë do zbulonim dhe problematika më të mëdha që reflektohen direkt në 3 gjëra, të tria me kosto shumë të lartë për shtetin: 1. Nivelin e të ardhurave, 2. Nivelin e ankesave, 3. Nivelin e borxhit.

Në këto kushte duhen gjetur rrugë dhe mundësi që të rrisim nivelin e pranimit vullnetar të tatimeve nga tatimpaguesit, nëse tatimpaguesi do nxitet nga këshilltari të paguajë atë i takon dhe do bëhet koshient për rrezikun e gjobave e dënimeve penale sigurisht që do pranojë të paguajë atë që duhet. Duhet të ulim korrupsionin dhe kulturën e dhënie marrjes në kurriz të buxhetit- tatimpaguesi duhet të ndihmohet të kuptojë që dhënia e ryshfeteve për individë nuk e zgjidh hallin dhe për më shumë të kuptojë që pagimi i tatimeve në shtet i kthehet në të mira publike ndërsa ryshfeti shkon vetëm në xhepin e individit. Shpeshherë paguhet më shumë nën dorë se sa tatimi vetë ose duke mos e paguar në kohë negociohet penaliteti i mundshëm, i cili fatkeqësisht shkon në xhepin e gabuar. Çdo gabim në llogaritje çon në rritje të kostove për tatimpaguesin dhe shtetin. Nëse ligjet nuk kuptohen dhe zbatohen si duhet atëherë së pari është shteti që do vuajë mungesën e të ardhurave, së dyti janë tatimpaguesit që do vuajnë kosto shtesë për shkak të penaliteteve etj., dhe se treti është po shteti që do ketë kosto administrative shtesë sepse çdo penalitet dhe rivlerësim detyrimesh do shoqërohet me apel që d.m.th. a) vonesë në arkëtim b) kostot e gjykimit dhe c) kostot e mbledhjes me forcë të detyrimeve. Duke hedhur ne treg një profesion të rregulluar që d.m.th. me dije të testuara, atëherë jo vetëm tatimpaguesit por më shume shteti do përfitojë nga shërbimet profesionale sepse për të thënë të drejtën ky profesion është më shume avokati i shtetit dhe mbrojtësi i interesave të tij duke qenë se kupton ligjet dhe insiston të zbatohen që të përkthyera ne shifra do të thotë të paguhen më shumë tatime.

Këshilltari fiskal do të operojë në fushën e dhënies së shërbimeve, përgatitjes dhe/ose paraqitjes së deklaratave tatimore të tatimpaguesve dhe pasqyrave mbështetëse fiskale, dhënien e këshillimit mbi planifikimin tatimor, përfaqësimin dhe mbrojtjen e tatimpaguesve para organeve administrative dhe gjykatave dhe dhënien e këshillimeve fiskale të tjera dhe shërbimeve të lidhura. Profesioni i këshilltarit Fiskal është i rregulluar me akte të veçanta edhe në shtetet e tjera në Bashkimin Europian si Austria, Gjermania, Çekia, Polonia etj. Gjithashtu Bashkimi Europian, në kuadrin e proceseve integruese të vendit tonë në BE, ka kërkuar nga Qeveria Shqiptare që të bëhen ndërhyrjet e nevojshme për rregullimin e këtij profesioni. Por, çfarë duhet të bëjë një këshillues fiskal, që të mos kemi një mbivendosje me profesionin e kontabilistit?

Zgjidhja e interesave mes shtetit dhe tatimpaguesve kërkon një reagim shumëplanësh nën dritën e faktit se këshilltari fiskal grupon persona me role dhe përgjegjësi të ndryshme duke kërkuar perfeksionin në zbatim. Një hap paraprak në rregullimin e profesionit të këshilltarit fiskal është identifikimi i llojeve të ndryshme të këshilltarëve dhe veprimtarive këshilluese, duke i trajtuar veças secilën prej tyre, sipas një modeli alternativ të zgjedhur, si u sqarua edhe me sipër. Më poshtë po paraqesim funksionet e ndryshme që kryhen në mënyrë tipike nga këshilltarët fiskalë:

Planifikimi Tatimor, Këshillimi ndihmës për shërbimet Financiare dhe të Tjera, Përgatitja për dhe Auditimi Fiskal i Llogarive Tregtare, Përgatitja e Deklaratave Tatimore, Përfaqësimi i Tatimpaguesit Para administratës Tatimore, Përfaqësimi Para Gjykatave.

Duke këshilluar tatimpaguesit se si ata duhet të plotësojnë detyrimet e tyre, këshilltarët fiskalë i shërbejnë një interesi publik shumë të rëndësishëm, atij të llogaritjes dhe pagimit të detyrimeve në përputhje me ligjet fiskale duke i shërbyer qëllimit që ka shteti për të mbledhur sasinë maksimale të të ardhurave me kosto sa më të ulët. /ALTAX

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Studentët e UET fitojnë çmimet për projektet inovatore nga Sigal Uniqa

SIGAL UNIQA si një nga kompanitë më të mëdha në fushën e...
Read More