Këshilltarët e qeverisë dhe mbreti Solomon


Nga Prengë Pepa

Vjeshta e këtij viti do të sjellë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e institucioneve kryesore të vendit, si: Presidenca, Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, shumica e ministrive e më radhë. Edhe sikur drejtuesit e institucioneve të jenë në nivelin sipëror, nuk mund t’i drejtojnë ato me efektivitet, pa këshilltarë – do të preferoja fjalën këshillues – shumë të aftë e kompetentë në fushat përkatëse. Domosdoshmëria për këshillues të tillë është edhe më evidente për fushat prioritare apo për institucionet që mendohet që nuk janë drejtuar si duhet në të kaluarën. Gjatë këtyre 25 viteve, me përjashtime të rralla, nuk kemi parë këshillues që të kenë lënë gjurmë në fushat e tyre. Janë më të shumta rastet kur ato kanë sjellë regres. Kjo ka ndodhur për dy arsye.

Së pari, në mjaft raste janë emëruar këshillues (këshilltarë) institucionesh jo më të mirët në fushat e tyre, por ata që kanë ndihmuar shefat nëpër fushata zgjedhore, apo janë “rekomanduar” nga struktura sipërore e partiake. Një përqindje shumë e vogël këshilluesish të sotëm zyrtarë mund të futen në hierarkinë e pesë më të mirëve të fushave të tyre. Së dyti, drejtues të paaftë apo fodullë nuk kanë marrë fare parasysh këshillat e vlefshme që iu janë dhënë nga këshilltarët e tyre të paguar për atë punë. Ndër këto dy arsye, e para është mjaft evidente, por edhe e dyta sjell pasoja negative të ndjeshme. Shprehja popullore “Hedh një budalla një gurë në lumë, mundohen dhjetë të mençur e s’e nxjerrin dot” ilustron më së miri këto pasoja.

Do thotë lexuesi përse e vura në titullin e këtij shkrimi mbretin Solomon? Nga historia e dimë që gati 3000 vite më parë mbreti Solomon, i biri i Davidit udhëhoqi popullin e Izraelit. Legjenda thotë se në moshën 12-vjeçare, kur Solomoni u bë mbret, i shfaqet në ëndërr Perëndia dhe e pyeti se çfarë dëshironte. Solomoni i kërkon mençuri dhe dituri, të cilat Perëndia ia dha menjëherë. Duke lënë mënjanë këtë legjendë interesante, faktikisht Solomoni prej 3000 vitesh vazhdon të vlerësohet si mbreti më i mençur dhe më i pasur në botë. Gjatë mbretërimit të tij Izraeli u lartësua e u pasurua në mënyrë të paparë. Shumë ligje e rregulla Solomoni i la të shkruara në “Librin e fjalëve të urta”.

Në këtë libër një vend shumë të rëndësishëm iu kushton këshilluesve e partnerëve. Tek i lexon sot këta rregulla të shkruar të mbretit Solomon dhe i krahason me praktikat e ndjekura këto 25 vite në Shqipëri, një zbrazëtirë ta kaplon shpirtin. Po analizoj disa këshilla të tij. “Pa këshillën e duhur planet bëhen pluhur”. A nuk kemi parë lulëzimin e piramidave që çuan në kolaps shtetin shqiptar? A nuk kemi parë burokracinë torturuese, korrupsionin e vazhdueshëm, dështimin e koncesioneve e të tjera? Për gjithë këto probleme madhore këshilluesit/këshilltarët nuk kanë qenë kompetentë, skrupuloz e bindës të drejtuesve të lartë, apo nuk janë vlerësuar nga ata. Pasojat kanë rënë mbi popullin. Një vend me aq shumë pasuri natyrore mbetët ndër të fundit në Europë në të gjitha fushat e zhvillimit. “Pa ndihmën e një këshille të dobishme do të rrëzohemi”, thotë Solomoni.

A nuk kemi raste të mjaftueshme që drejtues të rëndësishëm institucionesh shqiptare duke drejtuar me fodullëk, jo vetëm janë rrezuar vetë, por edhe kanë sjellë dëme të pallogaritshme ne fushat ku kanë drejtuar! “Mjerimi dhe turpërimi ndjekin pas atë që s’e pranon mësimin”, është njëra nga këshillat e vyera. Apo një tjetër urtësi e tij: “Në mungesë këshillimi një populli i vjen rrënimi, një mori këshilltarësh çdo punë e kthen përmbarë”. Tek lexon këto këshilla e fjalë të urta të tilla të mbretit Solomon për këshilluesit edhe më tepër bindësh se sa të rëndësishëm janë ato. Mbreti Solomon sugjeron edhe kriteret për të mënjanuar këshilltarët e partneret e gabuar e pa mend. Personat me cilësitë e mëposhtme, këshillon dhe argumenton Solomoni, të mos i afrojmë kurrë si këshillues e partnerë. Njerëzit me mungesë karakteri, me natyrë zemërake, mendjelehtë, lajkatarë, thashethemexhinj, të shkujdesur ndaj rregullave e ligjeve etj.

Mund të thotë ndonjëri se është joproduktive të mësojmë nga këshilla të 3000 viteve më parë. Por a mund t’i hedhë poshtë si të pavlefshme këto këshilla? A mund të mos pranojë dobishmërinë nëse i vëmë në jetë ato, apo rrënimin nëse nuk i marrim parasysh? Të gjitha këto këshilla të mbretit Solomon për këshilluesit e të tjera që nuk i përmendëm, secili prej nesh mund t’i “veshë” me shembuj konkretë nga përvoja e tij apo e të tjerëve. Po sjellim vetëm një shembull modest. Në vitet ’80, kur furnizimi i popullatës me mish e qumësht ishte në nivele shumë të ulëta, Kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu thërret në Kryeministri mjekun veteriner të talentuar e njëherësh kryetar i kooperativës së Dajçit, Lezhë, Gjergj Kiri dhe i ngarkon detyrën që përvojën e Dajçit në rritjen e pulave të detit ta shtrinte në nivel kombëtar. Rrugët se si t’i përcaktonte vetë, ndihmën do ta kishte nga Kryeministri në çdo kohë. Gjergji me dy kolegë të tij brenda 3-4 vitesh e shtrinë rritjen e pulave të detit në qindra ekonomi bujqësore të vendit duke shumëfishuar në një kohë të shkurtër prodhimin e mishit nga pulat e detit. Edhe sot pas 30 vitesh në kushtet e fermave private aplikohet me sukses kjo përvojë.

Këshilltarë të mirë mund të gjenden në çdo fushë, aq më tepër sot kur ka dhe më shumë të specializuar jashtë vendit. Të zgjedhim më të mirët e më të aftët që marrin përsipër e çojnë në progres fushat që mbulojnë. Në fusha të veçanta le të marrim edhe këshilltarë të huaj, por me objektiva konkretë e të matshëm.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Princi George ka pseudonimin më të admirueshëm për Mbretëreshën, dhe ne nuk ja kishim idenë!

Pavarësisht marrëdhënies me Princin William që në vitin 2003, ndërsa studionte në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.