Kim Mehmeti: Të hiqet miti gënjeshtar ndaj shkrimtarit, si njeri i mençëm, i mirë

Pusi – sepse njeriu është një pus kujtimesh e shkallë shprese. Me kalimin e viteve njeriu bëhet pus i thellë, dhe i shkurton shkalle shpresave. Në një arkaikë sureale, shkrimtari Kim Mehmeti duket se ka “marrë mbeturinat” e romaneve të mëparshme, për të krijuar jetërrëfimin e ri, të promovuar dje në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës. Një shkrimtar i njohur i ftuar të referojë në një konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij, ndërsa lexojmë të njëjtat histori, të njëjtin fshat, të njëjtën gjyshe…

Intervistoi: Violeta Murati

Pusi – sepse njeriu është një pus kujtimesh e shkallë shprese. Me kalimin e viteve njeriu bëhet pus i thellë, dhe shkurton shkalle te shpresave. Një ditë i mbeten vetem kujtime si ato lulet që kacavjerren në buzet e pusit, atij real, e mbijnë brenda tij, ku fenomene të çuditshme lidhin gjithë historinë familjare, dhe imagjinatën nga fëmijëria, në rini e deri kur zhduken plotësisht shkallët prej tij, – ja, në këtë arkaikë sureale, shkrimtari Kim Mehmeti duket se ka “marrë mbeturinat” e romaneve të mëparshme, për të krijuar jetërrëfimin e ri, të promovuar dje në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës.

I përfshirë në kolanën e autorëve të letërsisë bashkëkohore shqiptare të Mapo Editions, ky roman lexohet si një metaforë poetike, ku e vetmja notë autobiografike është shkrimtari. Një episod real që Kim Mehmeti e ka marrë nga ndjeshmëria personale kur del përpara publikut, kur i duhet të flasë e brenda tij, përplasen historitë, si duhet rrëfyer vetvetja.

Romani ndërtohet mbi një reflektim, e njëkohësisht ngjarje e tij, të një shkrimtari të njohur që është i ftuar të referojë ne konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij. Por pse e ndërton një roman, nga një rrëfim publik i një shkrimtari? Kimi thotë: “…Unë jam shumë i ndjeshëm, e kam shumë frikë fjalën publike. Kjo është tjetër, sepse mund të jesh edhe orator. Por, veçanërisht tek të rinjtë jam shumë i ndjeshëm. Sepse atyre duhet t’jua ndërrosh ndonjëherë edhe mitin gënjeshtar, paragjykimin ndaj shkrimtarit, Kimit, se është njeri i mençëm, i mirë. Në këtë s’ka shumë të vërteta. Mirëpo unë iu them se iu duhet ta mbroni këtë model. Kjo është situata e vetme ku unë duhet të jem ai Kimi që ata e paramendojnë, Kimi i vërtetë kur del në ato debatet. Kështu që kjo është një peshë shumë e rëndë, edhe përgjegjësi. Ndaj ky roman nismën e ka aty. Kjo ngjarje më ndodhi me të vërtetë, në Tiranë në daljet e TED. Unë e di se pjesa dërrmuese e lexuesve të mi janë të rinj, dhe ata që mua më vlerësojnë janë të rinjtë. Aty nisi pra, tek ai fjalim nisi çdo gjë derisa mua më erdhi kjo gjë, të rrëmbëhem e të filloj romanin”.

Prej vitit 2002 ky autor shkruan vetëm shqip, si rezistencë e rebelim ndaj autoriteteve politike të Maqedonisë, edhe pse tregon se është ndjerë mirë me letërsinë e tij, ashtu siç është çmuar edhe në Serbi. Me këtë Kimi tregon për herë të parë se pretendon, ose siç i ka premtuar vetes, të jetë në Tiranë, dhe vlerësimi të vij nga kjo qendër, duke e çmuar si qendër prej nga duhet bërë çertifikimi i vlerave kulturore mbarëshqiptare. “Në jetë jam munduar që të gjitha t’i ruaj. Mirëpo, mbi të gjitha, Ajo që të mat si njeri duhet të jetë altari yt shqiptar, pas asaj mund të të masin peshore të tjera. Pa u matur aty, nuk mund të dalësh në peshore të tjera. Këtë mund ta them nga përvoja ime. Unë ia kam kaluar mjaft mirë në hapësirën maqedonase, dhe në hapësirë serbe më kanë çmuar, vlerësuar mirëpo unë kam ndjerë nevojën të jem në peshoren e Tiranës, le të jetë ajo prej 2 gram. Më mirë le të jetë ajo 2 gram në Tiranë se sa 2 kg në një vend tjetër.”, thotë Kimi.

Është një rrëfim poetik, që nis nga vetvetja, pothuaj një udhëtim, që merr dhe jetët e njerëzve me vete, i nxjerr nga e kaluara, i tregon, një lloj gjenaoligjie familjare, që zbërthen një fshat, një atdhe, një etnitet. Pse e gjithe kjo në një fjalë të vetme, me metaforën “Pusi”?

Nuk ka më të vështirë se sa krijuesi të zbërthejë veprën e vet. Madje mendoj, se krijuesi kurrë nuk qëndron mbi veten. Më shumë vepra e ndjek krijuesin, se sa e kundërta. Por sidoqoftë, unë me këtë roman doja të bëja një vepër që në tërësi të ishte një metaforë, dhe shkurt metaforë e “Pusi”-it. Sepse njeriu është pus kujtimesh e shkallë shprese. Kjo do të thotë se sa më shumë i kalon mosha, pusi bëhet më i thellë, por shkurton shkallët e shpresave, aq sa një ditë ai vjen e mbetet pus. I mbeten vetëm kujtimet. Posaçërisht me moshë më të madhe, atij i mbetet vetëm pusi dhe shkallët i zhduken. Nuk ka më ku të ngjitet apo ku të zhytet derisa sa të arrijë momenti ku edhe zhytja i humb kuptimin, dmth kur ndahesh nga kjo botë.

Shumë elementë, histori, ngjarje dalin aq autentike, të jetuara, reale saqë lind pyetja, si mund ta trajtojmë këtë roman si një rrëfim i Kimit, apo një roman autobiografik?

Nuk ka asnjë gjë reale. Përshembull tek romani Shpërngulja e të vdekurve, të gjithëve u bënte përshtypje rrëfimi i gjyshes. Unë nuk kam pas gjyshe për fat të keq, as nga ana e babait, as nga nëna. Unë madje e kam shkruar për të munguarat sesa ato që kam. Unë s’mund të shkruaj për ato që i kam. Lexuesi s’është e thënë ta dijë këtë, ai në fund të fundit le ta përjetojë edhe si autobiografi timen. Mirëpo ky libër është më së shumti një autobiografi e një gjenerate, që çdo njëri nga ato anë do t’jua rrëfejë këtë histori, të njëjtën. Rreth 90% e njerëzve kanë jetuar kështu dhe nuk është e vështirë të identifikohesh me diçka që është e përgjithshme.

Ka disa momente në këtë roman që lidhin historitë familjare, mjediset, kujtimet, nënën dy romanet e fundit, duken si të përsëritura…pse ky tërhiqeni nga ky fill drejt të kaluarës, kujtesës?

Një herë, një gazetar më pyeti se cilin libër do kisha veçuar, por dua t’ju them se ndonjëherë, sinqerisht më duket se jam duke shkruar të njëjtin libër. Posa përfundoj një libër, unë kam ndjenjën se nuk është thënë e tëra. Shpesh me tallje them se librin e ardhshëm do ta shkruaj nga mbeturinat e librit të mëparshëm. Unë sinqerisht e kam ndjenjën se shkruaj të njëjtin libër. Aq sa, tani do t’ju shpalos edhe diçka: në kohët e fundit mua më kap frika mos vallë bie në përsëritje. Mirëpo si u çlirova nga kjo frikë, unë e pranoj që shkruaj të njëjtin libër. Unë nuk kam 10 romane, unë kam vetëm një roman ku gjithmonë më është dashur edhe njëherë t’i kthehem nanës, gjyshes…Madje në këtë roman e them në mënyrë indirekte: mos mendoni se, unë e di që kam shkruar shpesh për nënën, për të njëjtin fshat, për të njëjtin ambient…Mirëpo s’mundem të shkruaj diçka tjetër përpos asaj botës sime, të dytë, me të cilin jetoj.

Pse ke marrë një shkrimtar?

Ndonjëherë tema vjen edhe rastësisht. Unë nuk do t’jua fsheh se këtu ka vetëm një gjë autobiografike, është ajo pjesa kur unë me të vërtetë u ndodha në atë situatë se çfarë të rrëfesh të rinjve?! Madje e kam atë, që më thonë se je llafazan, por unë jam shumë i ndjeshëm, e kam shumë frikë fjalën publike. Kjo është tjetër, sepse mund të jesh edhe orator. Por, veçanërisht tek të rinjtë jam shumë i ndjeshëm. Sepse atyre duhet t’jua ndërrosh ndonjëherë edhe mitin gënjeshtar, paragjykimin ndaj shkrimtarit, Kimit, se është njeri i mençëm, i mirë. Në këtë s’ka shumë të vërteta. Mirëpo unë iu them se iu duhet ta mbroni këtë model. Kjo është situata e vetme ku unë duhet të jem ai Kimi që ata e paramendojnë, Kimi i vërtetë kur del në ato debatet. Kështu që kjo është një peshë shumë e rëndë, edhe përgjegjësi. Ndaj ky roman nismën e ka aty. Kjo ngjarje më ndodhi me të vërtetë, në Tiranë në daljet e TED. Unë e di se pjesa dërrmuese e lexuesve të mi janë të rinj, dhe ata që mua më vlerësojnë janë të rinjtë. Aty nisi pra, tek ai fjalim nisi çdo gjë derisa mua më erdhi kjo gjë, të rrëmbëhem e të filloj romanin.

Ajo që është e fortë tek ti është Tirana, si qendër e kulturës mbarëshqiptare, të kesh lexues mbarëshqiptarë… – ky promovim, në këtë formë, çfarë peshe ka për ty?

Sigurisht që ka peshë. Shikoni unë jetoj atë mirësi që besoj ka qenë mbi pretendimet e mia. Mua Tirana më njeh si shkrimtar. Më njeh prej motit. Më ka pranuar mirë. Kjo është një diademë e gjithë asaj, me atë ndjenjë të vetin. Kjo  mjafton, sepse e di që nuk është e lehtë. Unë flas nga një periferi, nuk e kam në kontekst negativ, kulturor e cfarë të duash të shqiptarisë. Pasi edhe numrat e bëjnë të vetën. Në fund të fundit ne shqiptarët e Maqedonisë, ndoshta pse jemi të atille, prodhuar dy nobelistë (qesh). Mirëpo mirësia jonë këtu verifikohet. Sepse siç ka universiteti ku verifikohet mençuria, shkollimi, një popull ka dhe qendrat e veta ku verifikohen vlerat kulturore. Siç i ka dhe bota. Nëse arrini në Paris a ndonjë qendër tjetër ju merrni një çertifikatë plus. Kurse ne, si shqiptari, kështu duhet të funksionojmë. Ne kemi në Maqedoni makerinë vlerësuese, peshoret po ashtu, mirëpo dalgandalë ti duhet të shkosh në Prishtinë apo Tiranë që të peshohesh, në altarin kryesor ku barazohen të gjitha peshoret e tjera. Ajo për mua është Tirana. Ajo që të mat si njeri duhet të jetë altari yt shqiptar, pas asaj mund të të masin peshore të tjera. Pa u matur aty, nuk mund të dalësh në peshore të tjera. Këtë mund ta them nga përvoja ime. Unë ja kam kaluar mjaft mirë në hapësirën maqedonase, dhe në hapësirë serbe më kanë çmuar, vlerësuar mirëpo unë kam ndjerë nevojën të jem në peshoren e Tiranës, le të jetë ajo prej 2 gram. Më mirë le të jetë ajo 2 gram në Tiranë se sa 2 kg në një vend tjetër.

 

Fragment nga romani “Pusi”

SHKALLË SHPRESASH DHE PUS KUJTIMESH

Më kishin ftuar të bëja çfarë gjithnjë më shkaktonte bezdi: të flisja përpara të rinjve çfarëdoqoftë për përditshmërinë e jetës apo të rrëfeja diçka për veten qoftë nga këndvështrimi profesional, qoftë nga ai i jetës sime private. Qëmoti e kisha kuptuar se, kur papritur të kërkojnë të mbash ndonjë fjalim ose të bëhesh pjesë e ndonjë paraqitjeje publike, nuk duhet ta lodhësh veten të thuash domosdoshmërish mençuri që të mrekullojnë dëgjuesit apo të tregohesh rrëfimtar i pashoq, sepse mençuria nuk vjen me porosi dhe kurrë nuk ka ndodhur që dikush të bëhet rrëfimtar i mirë se këtë ia kanë kërkuar të tjerët. Pastaj, mençuria e dhuntia për të rrëfyer nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë pjesë e rëndësishme e përmbajtjes së shfaqjeve, duke ndikuar që shumica e të rinjve të jetojnë me bindjen se nuk të vlen gjë dituria nëse të mungon bukuria, andaj edhe synim të parë kanë mirëmbajtjen e trupit e jo të trurit. Pra ata e kishin kuptuar se jetonin në kohën kur çdo gjë rreth tyre ishte vetëm një sajesë e rrejshme vezulluese, nën të cilën nuk kishte diçka të vlefshme, por vetëm zbrazëtirë dhe se fama e pasuria më parë shkojnë pas bukurisë sesa pas mençurisë e aftësisë, ndaj edhe shumica e tyre synonin të bëheshin këngëtarë apo drejtues spektaklesh. Kur nuk ia dilnin dot të bëheshin të famshëm për hir të bukurisë së tyre, i drejtoheshin gazetarisë, duke e ditur se mossuksesi si gazetar nuk do t’u kushtonte shumë, ngaqë ky profesion shërbente si urë lidhëse drejt ardhmërisë si politikan. E politikani, pastaj lehtësisht, mund të merrte edhe titullin e “Doktorit të shkencave” e pse jo të shpallej edhe “Doktor nderi” i ndonjë universiteti, ku pas një kohe do të merrte edhe katedrën e vet të ligjëruesit. Ndërkohë do të mbetet e vërteta se kjo dukuri rinore vërshon në shoqëritë ku mbisundojnë vlerat e rrejshme, ku diplomon e doktoron xhepi e jo koka, ku “këndon” trupi e jo zëri, ku lajmësi më i vlerësuar është “tellalli” partiak, pra në shoqëritë në të cilat shkathtësia më e lartë politike është gënjeshtra. Ndaj ato shoqëri i mbyt arsimimi që prodhon të paditur të diplomuar, duke rrezikuar që edhe banorët e këtyre shoqërive të bëhen si të paqenë, si hije pa trup të vetin. Po pra, qëmoti e kisha kuptuar se kur përballesh me të pashmangshmen – të shpjegosh atë që ka ndodhur apo që është duke ndodhur, pra kur duhet të shpalosësh diçka për vetveten përpara atyre që nuk të njohin – atëherë më të lehtë e ke nëse hap kutinë e  kujtimeve dhe rrëfen çfarë të pëshpërit e kaluara. Në të vërtetë, duke rrëfyer diçka nga e shkuara jote, e fsheh lehtësisht mosdijen, ngaqë nuk ka jetë njerëzore që të mos ketë ndonjë ndodhi interesante për të dëgjuar të tjerët. Andaj zgjodha që të rinjve t’u rrëfeja diçka nga fëmijëria ime. Por, megjithatë, sërish nuk ndihesha rehat. Disa ditë para se të realizohej ky takim, i paralajmëruar edhe nëpër mediat, më kaploi shqetësimi, tanimë i njohur, që më ngërthente gjithmonë para paraqitjeve publike. Ajo që më shqetësonte dhe që më pengonte të ndihesha lirshëm para të rinjve, nuk kishte të bënte me frikën nëse vallë do t’u pëlqente apo jo rrëfimi im, por me të vërtetën se unë nuk dija as të mbaja fjalime, as të rrëfeja e as të lexoja me zë, por të meditoja i mbyllur e i vetmuar në dhomën time të punës. Unë pra tërë jetën kisha lexuar në heshtje, kisha bashkëbiseduar me ata që imagjinoja e jo me të gjallët rreth meje. Tërë jetën i isha rrëfyer vetvetes e jo të tjerëve. Andaj desh kërkova nga organizatorët e takimit që të më lejonin paraprakisht ta incizoja rrëfimin tim e pastaj vetëm të belbëzoja, të shtiresha sikur jam duke folur aty për aty e jo nëpërmjet shiritit të kasetofonit, të veproja ashtu siç bëjnë shumica e këngëtarëve të sotëm, të cilët këndojnë duke tundur gjoksin e bythët, të bindur se spektatorët që kanë mbushur sallën nuk dëgjojnë me veshë, por me sy, se ata nuk i josh këndimi, por trupi i tyre cullak. Mbase organizatorët do të ma lejonin edhe këtë, por nuk ua kërkova, sepse sakaq m’u kujtua se “playback”-u u shkon vetëm atyre që kanë trup të bukur, atyre që ia dalin të rrëfejnë duke tundur gjoksin dhe prapanicën, çka mua nuk ma lejonte as mosha, as trupi i vyshkur nga shtrëngatat e shumta jetësore. Sido që të jetë, nuk kisha si ta shmangia atë përballje me të rinj, e cila aq shumë më mundonte dhe më trishtonte, sa kishte filluar të merrte përmasat e orës kur do të bëja vetëvrasje publike. Në të vërtetë nuk është se gjithmonë më kanë trishtuar dhe më kanë bezdisur kaq paraqitjet publike. Gjatë viteve të rinisë, kur ende nuk e kisha kuptuar se i riu sheh qartë vetëm veten dhe gjërat rreth tij, se i moshuari nuk sheh vetëm atë që shikon, por edhe hijet që i duken se ecin pranë tij, se plaku i paravdekjes nuk e lodh shikimin me gjërat që ka pranë vetes, por do të shohë largësitë, mezi prisja të më ftonin në ndonjë paraqitje publike. Por tani, kur e ndiej se jam ende një nxënës që duhet të mësoj, tani gjatë viteve të mia të pleqërisë, këto takime kanë marrë trajtën e çasteve të mundimshme, edhe pse jam i vetëdijshëm se janë një lloj borxhi që duhet ta shlyesh. Sidoqoftë, ngaqë nuk mund ta shmangia, vendosa që në këtë takim të shkoja me një rrëfim të shkruar, të cilin do ta lexoja para të rinjve. Dhe teksa përshkruaja ngjarjet për të cilat kisha vendosur t’u rrëfeja të rinjve, m’u kujtuan vitet e rinisë, kur habitesha se si mundet që një i moshuar, i cili kishte shkruar me dhjetëra artikuj shkencorë, të mos mund të mbante një fjalim disaminutësh, përmendësh?! Por tani, që jetoj moshën e pjekurisë, e kuptoj pse të moshuarit ndihen të sigurt vetëm kur e kanë fjalimin e shkruar: sepse dy gjëra pleqve u afrohen shumë kujdesshëm e ngadalë, por u ikin shpejt e papritur, gocat e reja dhe mendimet. Rrëfimin e shkruar e fillova me të dhënat biografike, duke theksuar se kisha lindur dhe e kisha kaluar fëmijërinë në një fshat malor, në afërsi të Shkupit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Elvis Hoxhën e pyes: Kush na do ne më shumë se Amerika?

Nga Arjan Çuri Këto ditë është zhvilluar një debat publik mes dy...
Read More